100 VJET SHTET
Më të lexuarat
26.05.2010 | 07:05
Dëshmitë e lashta të shkronjave shqipe që u pranuan në Kongresin e Manastirit
Saimir Lolja

Historia e Kongresit të Alfabetit në Manastir. Cilat ishin përpjekjet e para për hartimin e një alfabeti dhe si u bë pakti për gjuhën shqipe.

Gjuha shqipe është e hershme, por fatkeqësia qëndron në faktin se ajo u shkrua shumë vonë. Kombi me dëshirën më të madhe për të shkruar gjuhën e tij është penguar historikisht nga fqinjët dhe pushtuesit që të ketë një alfabet të shqipes. Megjithatë dokumente arkivorë, të gjetura në Arkivin e Vatikanit dhe ato greke, dëshmojnë se përpjekjet e shqiptarëve për të pasur gjuhën e tyre kanë qenë shumë të hershme.

Gjithsesi, debati për origjinën e gjuhës shqipe dhe se nga rrjedh ajo vazhdon edhe sot e kësaj dite mes albanologëve të dëgjuar në botë dhe akademikëve shqiptarë…

Dorëshkrimi i Teodor Shkodranit (1210)

Ky dorëshkrim u gjet në Vatikan dhe është botimi më i vjetër i njohur deri tani i gjuhës shqipe. Materiali në fjalë është i tëri në pergamenë dhe ka 208 faqe. I gjithë dorëshkrimi është i shkruar me shkronja latine, por me fjalë në gjuhën shqipe, në dialektin e veriut. Dorëshkrimi ndahet në tre kapituj, në faqet 1 deri në 97 mbi teologjinë; faqet 98 deri në 146 mbi filozofinë dhe faqet 147 deri në 208, bëjnë fjalë për historinë. Ndërsa në fund, autori ka firmosur vetë, duke shkruar: “Mee nihemmen zze dessirnnee e phorte t’ Lummnummitt ZOT e mbaronjj n’Vitte MCCX dittn ee IX t’ Mmarxxitee. THEODOR SSCODRAANNITTEE”. Rëndësia e këtij libri (që nuk është abetare) është se tregon që ka pasur shkrues, botues dhe lexues të shkolluar të shqipes që në vitin 1210.

Alfabetet origjinale shqiptare (1761-1844)

Dorëshkrimi elbasanas i Ungjijve njihet si Anonimi i Elbasanit (1761) është teksti më i hershëm shqip i shkruar me një alfabet origjinal. Autor është Gregori i Durrësit, i njohur edhe si Gregori i Voskopojës, i cili qëndroi pesëmbëdhjetë vjet në Elbasan, para hartimit të dorëshkrimit. Ai u përpoq të shkruante në një gjuhë të përbashkët, që ta kuptojnë shqiptarët nga krahinat e ndryshme. Një gjë bie në sy në Dorëshkrimin elbasanas: Ka shumë pak fjalë të huaja, vetëm tri fjalë latine dhe shtatë fjalë turke. Në 59 faqet e përkthimeve biblike të Dorëshkrimit elbasanas janë shkruara 6113 fjalë. Shkrimi i tyre është bërë mbi bazën e një alfabeti prej 40 germash: 35 germa të zakonshme dhe 5 germa të rralla. Shumica e germave të këtij alfabeti janë krijime të reja, pa ndikim të gjuhëve dhe të alfabeteve të popujve fqinjë. Në kapakun e Dorëshkrimit elbasanas të Ungjijve gjendet një vizatim dhe afër dymbëdhjetë fjalë të shkruara me një alfabet, i cili ndryshon krejtësisht nga alfabeti i dorëshkrimit; por i pazbërthyer akoma. Më pas vijohet me një alfabet të Todri Haxhifilipit (1730-1805) nga Elbasani, i cili është një sistem grafik i ndërlikuar prej 52 germash. Alfabeti në fjalë u përdor në mënyrë sporadike në Elbasan nga fundi i shekullit XVIII. Por, nuk do të përfundonin këtu përpjekjet e shqiptarëve për të pasur një alfabet të gjuhës së tyre. Dokumente arkivorë vërtetojnë se ekziston edhe një tjetër përpjekje për hartimin e një alfabeti nga beratasit. Alfabeti i Kodeksit të Beratit (1764-1798), një dorëshkrim prej 154 faqesh. Në faqen 104, gjejmë dy radhë shqip të shkruara me një alfabet origjinal prej 37 germash të ndikuara nga glagolishtja. Nga Gjirokastra kemi një alfabet tjetër, nga fundi i shekullit XVIII, ose nga fillimi i shekullit XIX, i cili është një sistem grafik prej 22 germash, por pak i përhapur. Një alfabet tjetër i shpikur në jugun e Shqipërisë është ai i Jani Vellarait (1771-1823). Ai ishte autori grek i shënimeve gramatikore greqisht-shqip të vitit 1801 për t’i mësuar shqip grekëve. Gjuhën shqipe e shkroi me një alfabet origjinal prej 30 germash, në bazë të latinishtes dhe të greqishtes.

Propozimi i Naum Veqilharxhit

Alfabeti i Naum Veqilharxhit (1797-1846), nga Korça, prej 33 germash të botuara në abetaren e tij shqipe në vitin 1844. Jehona e këtij alfabeti, i cili i ngjan një lloj armenishteje kursive, ishte e pakët. Kjo periudhë njëqindvjeçare 1750-1850, ishte një kohë shumëllojshmërie shkrimesh të habitshme në Shqipëri. Me të gjithë, gjuha shqipe u shkrua me dhjetë alfabete: shtatë alfabetet origjinale të lartpërmendur si dhe përshtatjet pas vitit 1850 të alfabeteve latin, grek dhe arab. Është për t’u çuditur që kultura shqiptare arriti ta dallonte veten dhe të mbijetonte me një madhështi të tillë letrare. Ekzistenca e tyre çjerr poshtërsinë, me të cilën u ndesh delegacioni shqiptar në Kongresin e Berlinit, më 1878, ku iu tha në vend të JO-së për shtetin shqiptar se nuk mund të ketë komb pa gjuhë të shkruar. Ndërkohë që kishte jo një, por 10 alfabete, që mund të përzgjidheshin e zbatoheshin.

Kongresi i Manastirit ose ndryshe Kongresi i Alfabetit (14 nëntor 1908)

Atdhetarët, që përpiqeshin të bashkonin popullin, kishin përpara një përçarje në popull që shkaktohej nga: 1- politika ‘përça e sundo’ e qeverise osmane; 2- struktura shoqërore feudale-fisnore në Shqipëri; 3- drejtimet e huaja të grupeve të ndryshme fetare, të cilat përdornin turqishten, greqishten, italishten e gjermanishten në vend të shqipes. Në ato kushte, shoqëria Bashkimi e Manastirit thirri më 14 nëntor 1908 kongresin e parë të përgjithshëm për diskutimin dhe miratimin e një alfabeti të njësuar. Aty ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë dhe nga bashkësitë shqiptare në Rumani, Turqi, Egjipt, Itali, Amerikë e gjetkë. Ata zgjodhën si kryetar Mit´hat Frashërin, të birin e të shquarit Abdyl, që kishte kryesuar mbledhjen në Prizren. Përfaqësuesi i Shoqërisë Biblike, Gjergji Qiriazi, u zgjodh nënkryetar, kurse prifti protestant nga Korça, Grigor Cilka, mori pjesë bashkë me të në Komisionin e Alfabetit, të përbërë prej 11 vetëve. Parashqevi Qiriazi, e Shkollës së Vajzave në Korçë, shërbeu si sekretare e komisionit. Ajo ishte e vetmja grua delegate në Manastir dhe e para grua në histori, që mori pjesë në një forum gjithëshqiptar. Zonja Fineas Kenedi, një misionare amerikane në Korçë, e pranishme aty si vëzhguese, shkruante për poetin Gjergj Fishta: “Kumtesa më e mirë u mbajt nga një prift katolik, nga Shkodra, fjalët e të cilit bënë që dëgjuesve t’u rridhnin lot; një hoxhë u prek aq shumë, saqë rendi ta përqafonte para gjithë të pranishmëve”. Kongresi nëntëditor vendosi me votë të plotë që shqiptarët të linin mënjanë alfabetin e Stambollit me dhjetë shenjat e tij të veçanta dhe ta shkruanin gjuhën e tyre, vetëm me alfabetin latin. Alfabeti i hartuar në Manastir përmbante 36 shkronja e ndërthurje shkronjash latine. Duke qenë se para kësaj mbledhjeje gjuha shqipe ishte shkruar me shkronja arabe, greke e sllave, apo përshtatje të tyre, vendosmëria e këtyre delegatëve për t’i kthyer sytë nga perëndimi ishte haptazi një shpallje kulturore e pavarësisë, gjë që shkaktoi kundërveprime të ashpra nga qeveria osmane, sllavët dhe kisha ortodokse e grekëve. Një pjesëmarrës i shquar në Kongresin e Alfabetit ishte studiuesi, poeti dhe atdhetari nga Shkodra, Ndre Mjeda. Tetë nga trembëdhjetë propozimet e tij u miratuan nga Kongresi i Manastirit. Ndonëse jetoi në disa vende të huaja dhe mësoi të fliste 13 gjuhë, mbi gjuhën shqipe ai nuk vinte gjë tjetër.

Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç per ty rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.

Nji kto gjuhë, qi jam tue ndie
janë të bukra me temel;
por prep’ këjo, si diell pa hije,
për mue t’tanave ju del.

Kongresi vendosi gjithashtu ngritjen e shtypshkronjës shqipe në Manastir, nën drejtimin e Gjergj Qiriazit, e cila u bë shpejt e njohur anembanë vendit si shpërndarëse e librave dhe gazetave shqipe. Por, shpejt, qeveria osmane i mbylli të gjitha shtypshkronjat shqipe. Më 1911, Hoxhson, përfaqësuesi i Shoqërisë Biblike të Kostandinopojës, raportonte: “Të gjitha shkollat shqipe janë mbyllur pa pikë mëshire, kurse përpjekjet ngulmuese për ndalimin e gjuhës dhe zhdukjen e letërsisë shqipe nuk kanë reshtur kurrë. Gjendja e rëndë politike mund të marrë flakë nga çasti në çast. Tashmë shqiptarizmi kishte shpërthyer dhe nuk do ndalej më!”. /Panorama/
dardan leka:
Dëshmitë e lashta të shkronjave shqipe ? Kur emertoni keshtu një titull duhet te jepni edhe argumentet vijuese; ku, kur dhe ne cilin vend u gjeten shkronja te LASHTA te gjuhes shqipe ? Lexuesi ka te drejte te shtroje kete pytje nese ju i veni ketij artikulli nje titull aqë të MADH !
20.09.2011 | 13:26
Dëshmitë e lashta të shkronjave shqipe që u pranuan në Kongresin e Manastirit
Nëse tashmë nuk e ke një faqe të internetit për biznesin tuaj apo nuk je i kënaqur me atë që ke, na kontakto që të flasim për ...
Alba-Soft ofron shërbime të HOSTING me të gjitha elementet për të përmbushur plotësisht nevojat e klientëve të saj.
Mbi 500.000 vizitorë në muaj. Ofrojmë hapësira reklamuese në faqe shumë të vizituara si: Lajmëtari.com, Albanologji.com, ...
Jemi të specializuar në përkthim softuerësh, interpretim, faqosje kompjuterike, titrim dhe këshillim kulturor duke u kujdesur më ...
Ky portal mirëmbahet nga kompania albasoft.al. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të printohen, ose të përdoren në çfarëdo forme me qëllim përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të albasoft.al.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2012 Portali Gjuha Shqipe
Tiranë | Prishtinë