100 VJET SHTET
Krijimtaria


        

        Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja, fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, F.Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideo-artistike. I lindur në Konicë, më 15 mars 1875 në një familje të vjetër feudale mësimet e para ai i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris. Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta. Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit në SHBA. Faik Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare. Pasi boton broshurën "Shqipëria dhe turqit" (1895) në Paris ai vendoset në Bruksel (Belgjikë), ku nxjerr revistën "Albania", kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propogandoi për vite me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë. Më 1909.

F.Konica, si u mbyll revista "Albania" në Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SHBA ku drejton gazetën "Dielli" edhe më pas gazetën "Trumpeta e Krujës". Me themelimin e Federatës "Vatra", më 1912 ai zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj. Faik Konica dhe Fan Noli, duke qenë udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA, do të shkojnë në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve. Në kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetkë. Në 1921 u kthye në SHBA, ku u zgjodh kryetar i Federatës "Vatra", po ndërkaq në vitet 20 u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Këtë do ta bënte nëpërmjet gazetës "Dielli" dhe "Shqiptari i Amerikës". Me dështimin e Revolucionit Demokratik, me ardhjen e A.Zogut në fuqi, Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA Vdiq në Uashington në 14 dhjetor 1942.

 

Disa nga veprat me te njohura.

 

Veprimtarinë e tij publicistike e letrare F.Konica e zhvilloi kryesisht në shtyp, në revistën "Albania" ai botoi vjersha, proza poetike, skica, tregime, portrete, ese, artikuj të ndryshëm etj. Përgatiti dhe përmbledhjen letrare "Kandili i kuq", por nuk mundi ta botojë. Në të vërtetë nga Konica nuk kemi asnjë libër të botuar, me përjashtim të vëllimit me përralla të përkthyer "Nën hijen e hurmave"(1924). Krijimtaria e tij ka mbetur e shpërndarë në shtypin e kohës dhe një pjesë është e pa përfunduar. Prej tyre duhen veçuar si vepra të rëndësishme proza e gjatë satirike, "Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit", cikli i tregimeve "Kater përralla nga Zullulandi", udhëpërshkrimi "Shqipëria si m`u duk…". Ai la në dorëshkrim anglisht veprën "Shqipëria - kopshti shkëmbor i Evropës jug-lindore" dhe ese të tjera, e cila u botua pas vdekjes (1957).

Në trashëgimninë e Konicës vendin kryesor e zë publicistika. Ai paraqitet si një nga themeluesit dhe mjeshtrit e publicistikës shqiptare. Për afro gjysëm shekulli ai shkroi me qindra artikuj, pamflete, polemika, shënime, ese etj. të cilat i botoi në organet që drejtonte vetë. Tema qëndrore e publicistikës së Konicës në revistën "Albania" do të jetë ajo atdhetare, problemet e lëvizjes kombëtare, fati i Shqipërisë, rrugët për çlirimin kombëtar etj. Nga ana tjetër, ai do t`i kushtojë vëmendje të posaçme ndriçimit të historisë së popullit shqiptar, zbulimit dhe propagandimit të vlerave të tij etno-kulturore, e veçanërisht krijimit të një gjuhe letrare shqipe.

Pas shpalljes së Pavarësisë publicistika e Konicës, e botuar në gazetën "Dielli", do të merret me çështje të mprehta të kohës që lidheshin me aspiratat e përpjekjet për krijimin e një shteti modern shqiptar, me luftën kundër prapambetjes ekonomiko-sociale, me stigmatizimin e mendësive dhe praktikave të vjetra e anakronike etj. Ai ishte për një shoqëri shqiptare të emancipuar dhe kërkonte që Shqipëria, si pjesë e Evropës, të mendonte e të punonte në shembullin e saj.

Publicistika e Konicës shquhet jo vetëm për problematikën e pasur, por edhe për nivelin e lartë mjeshtëror. Ajo karakterizohet nga patosi atdhetar dhe nga shqetësimi qytetar, siç dallohet edhe për forcën e argumentimit dhe aftësitë e shquara shprehëse. Tipari kryesor i saj është fryma satirike, fryma stigmatizuese dhe mohuese ndaj prapambetjes, injorancës, së keqes.

Faik Konica është krijuesi i kritikës sonë letrare, që së bashku me Nolin i hapën rrugën asaj në kulturën shqiptare. Ai shkroi një varg artikujsh teorikë letrarë si "Arti i të shkruarit", "Ca këshilla për artin e shkrimit", "Kohëtore letrare shqipe" etj. të cilat shënonin një kontribut për orientimin dhe zhvillimin e letërsisë shqiptare. Por ndihmesa e tij në këtë fushë bëhet më konkrete me artikujt dhe reçensionet që boton për autorë dhe vepra të letërsisë sonë bashkëkohore. Kështu ai vlerëson lart shkrimtarë si Jeronim De Rada, Jul Variboba, Naim Frashëri, inkurajon autorët e rinj të kohës, Çajupin, Asdrenin, Filip Shirokën etj.

Faik Konica kishte kërkesa të larta ndaj letërsisë dhe shkrimtarëve. Duke i vështruar në raporte të drejta përmbajtjen dhe formën, si dy komponentë që s`mund të ndahen nga njëri-tjetri, ai i jepte përparësi formës si e vetmja mënyrë për të shprehur sa më mirë përmbajtjen. Në këtë vështrim i kushtonte rëndësi të madhe gjuhës shqipe, pasurimit dhe përpunimit të saj. Ai vetë dha shembullin e një mjeshtri të vërtetë të gjuhës. Me të drejtë Noli e quan atë "kryelëronjësi i gjuhës sonë" dhe "stilist i përkryer".

Faik Konica zë një vend të merituar në letërsinë tonë të Rilindjes dhe të Pavarësisë, jo vetëm si publicist dhe kritik letrar, por edhe si shkrimtar me individualitet të spikatur krijues. Megjithëse trashëgimja e tij e mirëfilltë letrare është e kufizuar, ai ka vepra me vlera të çmuara. Pena e talentuar e Konicës provoi me sikses dhe lëvroi pothuaj gjithë gjinitë dhe llojet letrare, prozën e poezinë skicën dhe skeçin, prozën poetike dhe prozën historike, tregimin dhe novelën. I frymëzuar nga historia dhe jeta shqiptare ai u përpoq të krijonte një letërsi me koncepte bashkëkohore, me vizion të ri, me shije të lartë, larg modeleve të vjetëruara:

Vepra e tij letrare me nivelin e saj të lartë artistik dëshmon atë të vërtetë tanimë të njohur se në art nuk është kurdoherë sasia ajo që përcakton vlerën e një shkrimtari.

Faik Konica, në radhë të parë është prozator, por ai shkroi edhe poezi, sidomos në fillimet e krijimtarisë së vet. Në faqet e revistës "Albania" botoi vjershat "Gjuha jonë", "Flamuri", "Kushtrimi ose Marsejeza e shqiptarëve". Duke u bërë jehonë ideve atdhetare dhe kryengritjeve të popullit shqiptar në prag të Pavarësisë, me tone luftarake dhe patos atdhetar, me figura të goditura retorike, eci në traditën e letërsisë së Rilindjes. Të njohura janë dhe vjersha satirike "Anadollaku" dhe lirika "Helena e Trojës".

Proza artistike e F.Konicës do të nisë me një varg prozash poetike si "Një liqen", "Anës liqenit", "Bora", "Malli i mëmëdheut" etj. Sadoqë me tematikë të kufizuar ato pasqyrojnë tërthorazi gjendjen shpirtërore të një intelektuali atdhetar dhe mallin për vendlindjen. Të shkruara me një gjuhë të bukur e ndjenjë të hollë, me mbresa e detaje të goditura, këto proza mbeten shembuj, në llojin e tyre në letërsinë tonë. Të përafërta me prozat poetike qëndrojnë portretet letrare që krijoi Konica mbi disa figura të shquara të historisë shqiptare si: Abdyl Frashëri, Naim Frashëri, Jeronim De Rada, Ali Pashë Tepelena, At Shtjefën Gjeçovi etj. Ato dallohen për aftësinë e autorit në përvijimin e saktë dhe të hijshëm të karakterit të tyre, portretit shpirtëror e fizik të dhënë qartë dhe në mënyrë lakonike.Prozës së shkurtër të F.Konicës i takojnë dhe disa skica letrare dhe rrëfenjëza që ai i quan përralla si "Urika", "Në dritë të hënës", "Ai që ishte gati të vdesë për Shqipërinë" etj. me tematikë atdhetare ose përrallat "E bija e mbretit dhe trëndafilat", "I urti i malit" etj. shkrime këto plot fantazi nga bota e legjendave.

F.Konica është i pari që lëvroi në prozën tonë esenë, një lloj letraro-publiçistike, me mundësi të reja shprehëse. Nëpërmjet tyre, ai parashtroi mendime origjinale, ngriti probleme të rëndësishme, të kohës, tregoi për diturinë e gjerë që zotëronte. Një nga esetë më të bukura është "Jeta dhe librat", ku, duke dhënë gjykime për vlerën e librit në jetën e njerëzimit, i bëhet një analizë ideo-artistike tragjedisë së Eskilit "Prometeu i lidhur".

Në trajtë esesh Konica ka shkruar veprën "Shqipëria- kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore". E hartuar për lexuesin e huaj, shkrimtari i jep atij një encikolopedi të vogël për Shqipërinë dhe popullin e saj. Të dhjetë esetë, nga të cilat përbëhet libri përbëjnë një mozaik të historisë dhe kulturës shqiptare, të gjuhës e të letërsisë, të botës shpirtërore dhe psikologjisë së shqiptarëve. Me një informacion të gjerë dhe njohje të thellë, duke harmonizuar objektivitetin shkencor me një rrëfim të këndshëm autori nxjerr në pah individualitetin dhe natyrën e popullit shqiptar jo vetëm në vetvete, por edhe në kuadrin ballkanik dhe evropian.

Krijimtaria
Nëse tashmë nuk e ke një faqe të internetit për biznesin tuaj apo nuk je i kënaqur me atë që ke, na kontakto që të flasim për ...
Alba-Soft ofron shërbime të HOSTING me të gjitha elementet për të përmbushur plotësisht nevojat e klientëve të saj.
Mbi 500.000 vizitorë në muaj. Ofrojmë hapësira reklamuese në faqe shumë të vizituara si: Lajmëtari.com, Albanologji.com, ...
Jemi të specializuar në përkthim softuerësh, interpretim, faqosje kompjuterike, titrim dhe këshillim kulturor duke u kujdesur më ...
Ky portal mirëmbahet nga kompania albasoft.al. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të printohen, ose të përdoren në çfarëdo forme me qëllim përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të albasoft.al.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2012 Portali Gjuha Shqipe
Tiranë | Prishtinë