100 VJET SHTET
Mendimi i Kutelit për Lasgushin


Në hierarkinë e elementeve që përbëjnë vlerën e një vepre poetike, forma ose trajta zë vendin e parë. Kuptimi ose përmbajtja nuk vijnë përveç se në radhën e dytë. Kjo gjë shpjegohet e kuptohet lehtë. Sepse, sa e sa nuk mund të kenë mendime të larta e mbase hyjnore, sa e sa nuk mund të kenë ndjenja të thella e të kthjellta, sa e sa nuk mund të ndjejnë e të shijojnë shpirtërisht bukuritë e jetës dhe të natyrës, gazin e ditës, magjinë e mbrëmjes ose fshehtësinë e natës, sa e sa nuk mund të përmbushin vepra të larta, po të gjithë këta duke mos patur mundësinë e brëndshme t’i shprehin këto ndjenja e mendime të veshura me veshjen e poezisë, pra, të formës, nuk janë vjershëtorë. Janë e mbeten, ndoshta mendimtarë, shkencëtarë, shkrimtarë, e mbase heronj, por jo vjershëtorë.
Kjo është arsye, për të cilën në vëzhgimin e veprës poetike të Lasgushit, ne fillojmë me formë, duke përmbledhur në këtë fjalë fjalorin, përfytyrimet, rimën, ritmin, fonologjinë e stilin përgjithërisht.

Fillojmë me fjalorin. Zgjedhja e fjalëve, kalitja dhe radhitja e tyre, pasqyrojnë shkallën e ndjesisë artistike të një shkrimtari. Këtë ndjenjë Lasgush Poradeci e ka të zhvilluar në një shkallë të lartë, ku nuk ka gjetur të tjera gjurmë, përveç gjurmëve anonime të këngëtarëve popullorë që janë gjurmët në histori të kolektivitetit shqiptar. Frymëzimi poetike, i cili zbret si një shkëndijë prej së larti, nga bota "transendentale", Lasgushi e konsideron si një frymëzim të fjalës:

Sbret një yll prej lartësije,
Një të ndritur shkrepëtime
Posi flakë e posi hije
Ajo ryn në zemër t’i me.
E kuptoj me shpirt të sosur
Si kullon dale nga dale
E si fjalës së palosur
M’i hap kindën e një pale...

Naimin e quan Lasgushi Fjalëtor i mallëngjyer dhe gjuhën e vetë e quan "Verb i Perëndisë", sipas vargut të Ungjillit të Shën Joanit “Që përpara herësë ishte Fjala”, duke nënvizuar vëndin që zë fjala si element i parë poetik. Nëpërmjet fjalorit Lasgushi shquhet haptazi nga gjithë poetët e tjerë të shqipes. Lasgushi ka fjalorin e tij, një fjalor të cilit dalngadal do ushtrohemi t’i themi lasgushian. Elementet kryesore, tipike të këtij "glosari" janë fjalët e lashta e të rralla të papërdorura përpara tij në literaturën e kultivuar, fjalët e thurrura dy e tri bashkë sipas shpirtit të gjuhës shqipe dhe fjalët e reja të nxjerra nga fjalët e vjetra pas harmonisë së shqipes. Përmjet kësaj trinije e përmjet mënyrës ose stilit të përdorimit të fjalëve në vargje, Lasgushi ka përtëritur shqipen duke i dhënë ngjyra të reja, ndriçim të ri e gjallëri të re. Radhisim këtu më poshtë disa fjalë të lashta e të rralla të kuptuara nga vepra e Lasgush Poradecit.


Disa lule
M’a cik qipallëzën e fjetur
Me gjishtërinj si prej zëmbaku.
Eja motër
Tungjatjeta! Tungjatjeta! Vënd o vënd ku cel junapi
Zog i qiejve

Disa sende të përdorura si përfytyrime poetike
Në cetele të kujtimit që dhëmkoset pak nga pak
Naim Frashërit
Pikon si sumbull engjervi
Kjo fjala jote ti moj ti
Mbretërija jonë
Sesa nër pah shkëndijash...
Një yll përjetësije

Më vërtitet mëndj’ e shkretë
Posi shaqituar
Syr’ i fshehur

.,
Disa fjalë të tjera
Esht agim tashi moj mike
Dhe ja se ku dolla
Nënë strehë venetike
Syri i fshehur

Dyke ngjitur për së nalti
Fërfëllon një flakë e himët
Rri mbështetem në tryezë
Që prej zallit të përbujshëm
Nisën lundrat levorashe
Zemra e liqerit

Sa i përket burimit, disa nga fjalët e lashta të mësipërme të përdorura në glosarin poetik të Lasgushit, janë marrë prej këngëve popullore dhe të tjerat prej shkrimeve të vjetra të shqipes (Kupitori, Kristoforidhi, etj). Kështu, fjala pikëlore është marrë nga kënga “Moj nëpërka pikëlore”, fjala pah nga kënga poradecare “Plaku dhe djali”; fjala gjeratore është marrë nga Kupitori; fjala qëndresë (që do të thotë qiell me yje) është marrë nga Papa Kristo Negovani.
Përveç fjalëve të lashta të veçuara të përdorura në kuptimin e parë ose në një kuptim metaforik, glosari i Lasgushit përmban edhe disa vargje fjalësh të bashkuara ose të marra nga goja e popullit ose të thurura sipas frymës organike të shqipes. Këto fjalë pasqyrojnë njëmëndësinë edhe mundësitë e shumta të shqipes si edhe artin e thellë të poetit.


Disa shëmbëlla
Vijnë vashat valle-valle
Gushë e gji stolisura
Një pëllumb, një sy-zorkalle
Vallja e luleve

Kur m’u rite vogëloshe
Vogëlo si flutura,
Mes – hollë-këputura
Kur m’u rite vogëloshe

M’u shti vashëza në gjumë
E-ëmbla –mi shoqe-shumë
Do t’a mar t’a kem për fare
Moj lesh-verdhën – lozonjare.
Vate prilli
Mbledhur shoqet në një qoshe
Dic m’ju flisnje, dic m’ju thoshe,
Gushë-e llërë e gji bardhoshe.
Kush të fali bukurinë

Asnjë nga këto fjalë të thurura në mënyrë analitiko-sintetike nuk mund të përkthehet në një gjuhë të huaj. Ato pasqyrojnë ndjenja e koncepte krejt shqipëtare, të cilat Lasgushi na i shqipëron me një mjeshtëri të pakapërcyeshme.
Po, as zbulimi, as përdorimi e vleftësimi i fjalëve të lashta të shqipes, as thurja quasi –sinthetike e disa prej tyre si pas shpirtit të gjuhës, nuk i mjaftonin Lasgush Poradecit për t’i dhënë veprës së vet harmoninë e tingëllimeve që e ndjente brënda në vetëvetën e për të shprehur mendimet e ndjenjat e tij. I duheshin pra ngjyra të reja, mjete, shprehje të reja, të cilat shqipja si gjuhë e njomë dhe e begatshme dhe e palëruar nuk i kishte. Dy rrugë i mbetëshin Lasgushit për të mbushur këtë bosh organik të shqipes: ruajtja nga gjuhët e tjera më të zhvilluara, ose punimi i shqipes për të nxjerrë mjete e fjalë të reja. Secila prej këtyre dy rrugëve ka rreziqet e saj, sepse përzierjen e shqipes me gjuhë të tjera për të bërë një gjuhë balashe(balash-kafshë shtëpiake), veçanërisht në artin e vjershërimit, nuk e pranon as shpirti, as veshi, sepse fjalët e reja të krijuara prej dikujt mund të rëndojnë kuptimin e shijimin e veprës me artificializmat e tyre. Me këtë mënyrë të dytë u pat përpjekur dikur Papa Kristo Negovani të shprehë mendimet e veta e të begatojë shqipen. Sepse, me disa përjashtime, dëshmori i Negovanit nuk pat ndjekur vragën e shpirtit të shqipes, fjalët e krijuara prej tij nën robërinë filologjike të greqishtes, u shkund si shkunden fletët në vjeshtë. Kjo gjë nuk e ndaloi Lasgushin të zgjedhë edhe ai rrugën e krijimit të fjalëve të reja si mjet të pasurimit të fjalorit shqiptar. Ndryshimi nga të tjerët glosologë që patën ndjekur po atë qëllim, qëndron në faktin se Lasgushi nuk u largua fare nga shpirti i gjuhës shqipe. Fundi i fundit, fjalët e “krijuara” prej Lasgushit rrjedhin prej një shqipe të njohur ose prej bashkimit të dy fjalëve të tjera edhe këto të njohura edhe të gjalla. Shumica e këtyre fjalëve kanë hyrë sot e përgjithmonë në gjuhën shqipe. Të radhitura në vargje vjershash, disa nga fjalët “lasgushiane” tingëllojnë kështu:


E kur pat humbur jet e dherit,
Kur syr’i lodhur m’u përgjum,
Në shkëndijim të kandilerit
M’i cfaq ylberin e një rruaze...
Fatlur, o shpirt, ti je nër gaze,
Dhe nër mjerime je fatlum!
Shpirtit

Tashi dh’agimi llambaritës
Po svagullon në fund liqeri.
Mëngjes

Po nga mërgimi zemërak
Të pres me mardhje të më vish,
Të më rrëfehesh si zëmbak
Nër mijë lule dhemshurish
Të ritë e viteve të mi

Ti det, brohori fshehtësire!
Kuptim i potershmë, ti det!
Dh’aspak nuk më tremb zhurmërija
Ndaj turret me hov e vërtik
Gjeniu i anijes

Mi zall të pyllit vjeshtarak
Dremit liqeri pa kufi,
Ay ndaj fundesh u përflak
Posi me zjarr e me flori.
Dremit liqeri

Në këtë kaptinë të fjalorit është e udhës të shtojmë disa fjalë përmbi përfytyrimet, përmbi metaforat ose përmbi stolitë stilistike të Lasgushit. Një shënim të parë që lypet të bëjmë me këtë çështje është konstatimi se Lasgushi është këtu si edhe në shumë fusha të tjera të veprimit, i cili nxjerr të gjitha metaforat e simbolet vetëm e vetëm prej gjuhës shqipe, prej realiteteve e mundësive shqipëtare, prej etikës shqiptare. As mitologjia greke dhe as mitologjia romake, të cilat zotërojnë kaq breza artistësh të të gjitha cepeve të botës, nuk e shtyjnë Lasgushin të përdorë ndonjë motiv ose simbol të huaj në vjershëri. Lasgushi është i vetëmi poet shqiptar, që mendon, flet e shkruan vetëm shqip. Ay përpiqet të vlerësojë e të zhvillojë potencialin shqiptar në art e në gjithë fletët e jetës.

Nëse tashmë nuk e ke një faqe të internetit për biznesin tuaj apo nuk je i kënaqur me atë që ke, na kontakto që të flasim për ...
Alba-Soft ofron shërbime të HOSTING me të gjitha elementet për të përmbushur plotësisht nevojat e klientëve të saj.
Mbi 500.000 vizitorë në muaj. Ofrojmë hapësira reklamuese në faqe shumë të vizituara si: Lajmëtari.com, Albanologji.com, ...
Jemi të specializuar në përkthim softuerësh, interpretim, faqosje kompjuterike, titrim dhe këshillim kulturor duke u kujdesur më ...
Ky portal mirëmbahet nga kompania albasoft.al. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të printohen, ose të përdoren në çfarëdo forme me qëllim përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të albasoft.al.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2012 Portali Gjuha Shqipe
Tiranë | Prishtinë