100 VJET SHTET
Gramatika e gjuhës shqipe


Një ndër veprat më të rëndësishme në rrafshin gjuhësor është botimi në anglisht "Gramatika shqipe" (1984), duke u përfshirë kështu Martin Camaj në hartuesit e gramatikës së gjuhës shqipe, por në gjuhë të huaj. Ky botim është me vlerë, ndonëse destinacioni është i përcaktuar për studentët e gjuhës shqipe të Universitetit të Mynihut, si dhe për shqiptarët e diasporës në ShBA, Australi, për arbëreshët dhe për shqiptarët kudo që do të ndodhen. Ky botim i kalon caqet e një manuali gjuhësor, pasi autori reflekton në këtë gramatikë edhe erudicionin e tij gjuhësor, ndonëse larg shqipfolësve. Për mendimin tim, vepra është me vlerë në disa aspekte: së pari, një gramatikë që e paraqet gjuhën shqipe me gjithë potencialin, funksionet dhe aftësitë shprehëse, duke e dhënë atë në tri variantet të shqipes (gegërisht, toskërisht dhe arbërisht). Ideja e autorit ishte e tillë, se gramatika do t‘u shërbente shqiptarëve me prejardhje nga troje të ndryshme, së dyti, është një model për gegërishten letrare, por me prirje afruese me toskërishten. Është me interes të vihet në dukje se Martin Camaj, ndonëse larg atdheut për shumë vite, por, duke ndjekur botimet shqiptare dhe duke parë ndryshimet që po ndodhnin në evoluimin e gjuhës në këtë periudhë, na dha një gramatikë që duhet të na shërbejë për të marrë disa elemente të gegërishtes dhe për t‘i përfshirë në standardin gjuhësor. Nëse themi se gegërishtja duhet të zërë vendin që i takon në standardin e sotëm gjuhësor, vepra e Martin Camajt peshon mjaft rëndë në këtë fushë, sigurisht duke u studiuar dhe evidentuar ato trajta që janë më të prekshme dhe me një valencë më të madhe që të përfshijë një areal sa më të gjerë shqipfolësish. Pse ndodh një dukuri e tillë? Ai kishte botuar deri në atë kohë disa studime me vlerë gjuhësore dhe tashti po hartonte një gramatikë të gjuhës shqipe, faktor me shumë rëndësi për çështjen që po diskutojmë. Ai erdhi gjithnjë e më shumë ta përsosë gjuhën e tij në studimet dhe botimet e tij, larg trajtave të ngushta dialektore. Kjo solli që në botimet e dekadave të fundit, kryesisht, në publicistikë të ecë edhe më tej, duke mos e përdorur pothuajse fare theksin hundor, gjë që ishte një tregues i një hapi përpara që po bënte drejt standardit gjuhësor, ndryshe nga autorët e tjerë gegë. E treta, ndonëse është një gramatikë, por autori në parathënien prej 6 faqesh jep disa të dhëna të shkurtra për prejardhjen e gjuhës shqipe si gjuhë indoevropiane dhe marrëdhëniet e saj me gjuhët ballkanike në kontakt. Gjithashtu, jep edhe historinë e formimit dhe të zhvillimit të gjuhës letrare shqipe prej 500 vjetësh. Pastaj vepra ka këtë strukturë: fonologji, morfologji dhe sintaksë. E veçanta e kësaj gramatike, siç e theksuam, është se disa forma gramatikore Camaj i paraqet në dy variantet: në gegërisht dhe toskërisht. Por ajo që duhet të theksohet është se gjuha e kësaj vepre i përket gegërishtes veriperëndimore, kryesisht të folmes së Shkodrës. Por Camaj nuk ka qenë konservator, ai është përpjekur që të gjejë një të mesme të pranueshme, duke zgjedhur pikërisht ato forma dhe trajta që janë të gjithëmbarshme me prirjen për t‘iu larguar formave të ngushta dialektore. Prof. K. Topalli ka vërejtur se për nga drejtshkrimi dhe trajtat gramatikore, gjuha e Camajt është një gegërishte letrare e kodifikuar me prirje afrimi ndërdialektor. Dhe autori sjell shembuj se ku vërehet ky afrim ndërdialektor në aspektin fonetik, gramatikor dhe leksikor. "Me këto përpjekje për afrim ndërdialektor, shkruan K.Topalli, sigurisht pa përzier strukturat, Martin Camaj tregoi qartë pikëpamjen e tij se kjo ishte rruga e vetme, që çon në krijimin e njësisë gjuhësore kombëtare." Ndërsa për prof. B.Beci, gegërishtja në gramatikën e Camajt është një gegërishte e standardizuar. Gjithashtu, në këtë gramatikë autori ka sjellë fjalë të reja dhe fjalë të rralla të shqipes, të cilat përbëjnë një ndihmesë të autorit në fushën leksikore. Ai ka parasysh këshillën e shkrimtarit Ernest Koliqit që në romanin "Shija e bukës së mbrume" shkruan: "Me dyqind fjalë të mësueme në rreth shtëpiak nuk krijohet një letërsi". Në shkrime të ndryshme Camaj ka përdorur fjalë të tilla të krijuara nga ai ose me origjinë popullore, si: heshtoj, qellimoj, kunuroj, gjegjësisht, komtarisht, mbresje, i ngjyrëshëm ose ka përdorur fjalë të vjetra e krahinore, si: gjalloj, plang, vrumulis, terratis, periqên, mujshí etj. Autori ynë në fund të këtij botimi ka përfshirë edhe një fjalorth shqip-anglisht prej më shumë se 2000 fjalësh të përdorura në vepër dhe anglisht - shqipe mbi 1000 fjalë. Mbyllet vepra me një krestomaci, me tekste të autorëve shqiptarë dhe arbëreshë, si: De Rada, Skiroi, Fishta, Mjeda, Asdreni, Konica, Noli, Koliqi, Migjeni, Xoxe dhe A. Gajtani.

Cilat janë pikëpamjet e Martin Camajt për gjuhën letrare shqipe?

Autori ka ndjekur nga larg zhvillimet dhe vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972) për standardin gjuhësor. Duke qenë se botimi i gramatikës së vitit 1984 ishte më i plotë dhe i drejtohej një mase më të gjerë, në këtë libër autori gjen vend për të shprehur pikëpamjet e tij për gjuhën letrare shqipe, duke mos u pajtuar me atë zgjidhje që dha Kongresi i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe në vitin 1972. Martin Camaj mbron tezën e tij që konsiston në atë që gjuha e mirëfilltë letrare shqipe fillon me veprën e Pjetër Bogdanit "Çeta e profetëve", me poezitë popullore dhe fetare të veprës së Pjetër Budit, me "Gjellën e Shën Mërisë Virgjër të Jul Varibobës" (1762). Për autorin duhet të shfrytëzohen të gjitha potencialet gjuhësore që ekzistojnë, traditën gojore etj. Kështu, sipas Camajt, gegërishtja e këngëve epike në rajonin e Shkodrës më pas ndikoi në mënyrë të dukshme në gjuhën e shkruar dhe se fillimet për normalizimin e gjuhës letrare shqipe duhet t‘i kërkojmë në shekullin XVI. Autori për problemin e gjuhës letrare shqipe i referohet edhe përvojës dhe traditës të gjuhëve të tjera evropiane se pasuria gjuhësore e një kombi duhet të përfshihet në standardin gjuhësor, se një dialekt i vetëm nuk mund të përmbushë nevojat e një gjuhe kulture. Duke qenë se autorët e vjetër Camaj i ka studiuar, edhe në këtë rrafsh i drejtohet përvojës së tyre, veçanërisht Pjetër Bogdanit, i cili, ndonëse ishte prej Hasit, por, duke parë se e folmja e tij nuk po i përmbushte të gjitha nevojat për të paraqitur një vepër sa më dinjitoze që t‘i shërbente një mase sa më të gjerë, iu drejtua "dheut të Shkodrës", duke huazuar jo vetëm fjalë dhe fraza, por edhe ndërtime sintaksore dhe stilistike. Gjithashtu, ai ka mendimin se "njohja e plotë e teksteve të vjetra, veçanërisht atyre gegërisht, që janë afër me strukturën e toskërishtes, do të kishin ndikuar për të zgjidhur shumë probleme për standardizimin e gjuhës letrare lehtë e pa dhimbje". E shqetëson Martin Camaj fakti se gegërishtja nuk u shfrytëzua me atë potencial që kishte. Megjithatë, Martin Camaj nuk shkroi një shqipe larg standardit gjuhësor, por përdori një gjuhë tepër plastike dhe të zhdërvjelltë, duke parapëlqyer, kur ka qenë e mundur, të përdorë më shumë trajtat e përbashkëta se ato dialektore dhe nëndialektore, si në fonetikë, por edhe në nënsistemet e tjera të gjuhës. Fillimisht, Martin Camaj u udhëhoq nga ato zgjidhje që kishte bërë Komisia Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918) që për gjuhën e shkruar kishte pranuar të folmen e Shqipërisë së mesme, të Elbasanit, pasi ajo shërbente "si urë në mes të dy dialekteve". Por Martin Camaj nuk veproi si disa autorë gegë, që zbatuan thuajse me rigorozitet zgjidhjet e Komisisë Letrare të Shkodrës, por duke jetuar edhe më vonë, si dhe duke pasur një sens dhe përgatitje gjuhësore, arritjet e kësaj komisie i çoi edhe më tej, gjë që na bën ta vlerësojmë pa lëkundje se Martin Camaj është nga shkrimtarët gegë ose një nga ato që gjuha e veprës së tij i afrohet mjaft standardit gjuhësor të sotëm që, siç e përmendëm, ai ka shumë për të marrë nga gegërishtja e autorit tonë. Këto ndërhyrje të Martin Camajt në këtë gramatikë vinin se ai dhe kolegët e tij nuk pranonin rrugën e zgjidhjes së gjuhës standarde, duke mos i dhënë vendin që i takonte gegërishtes dhe duke theksuar se në përcaktimin e normës letrare kanë ndikuar faktorët jashtëgjuhësorë, si ato ideologjikë dhe politikë.

Veprimtaria gjuhësore e Martin Camajt është mjaft e pasur dhe më shumë interes, por jo shumë e njohur, pasi është në gjuhë të huaj. Sot në Shqipëri po bëhen përpjekje më tepër që vepra e M.Camajt të njihet nga lexuesi shqiptar më shumë në fushën e krijimtarisë së tij letrare sesa gjuhësore. Megjithatë, vepra e tij edhe në aspektin gjuhësor paraqet vlera të veçanta. Ajo duhet të studiohet me përparësi të veçantë dhe të popullarizohet që të njihet më mirë nga lexuesit dhe studiuesit.

Nëse tashmë nuk e ke një faqe të internetit për biznesin tuaj apo nuk je i kënaqur me atë që ke, na kontakto që të flasim për ...
Alba-Soft ofron shërbime të HOSTING me të gjitha elementet për të përmbushur plotësisht nevojat e klientëve të saj.
Mbi 500.000 vizitorë në muaj. Ofrojmë hapësira reklamuese në faqe shumë të vizituara si: Lajmëtari.com, Albanologji.com, ...
Jemi të specializuar në përkthim softuerësh, interpretim, faqosje kompjuterike, titrim dhe këshillim kulturor duke u kujdesur më ...
Ky portal mirëmbahet nga kompania albasoft.al. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të printohen, ose të përdoren në çfarëdo forme me qëllim përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të albasoft.al.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2012 Portali Gjuha Shqipe
Tiranë | Prishtinë