100 VJET SHTET
Fjalë të urta nga S. Frashëri


1. Mendimet e larta gjenden në fjalë të shkurtra.

2. Më e bukura fjalë është e thjeshtë dhe e shkurtër, është fjalë që kuptohet më lehtësi dhe që ka kuptim të thellë e të hollë.

3. Njeriun e bëjnë të përjetshëm veprat e tij.

4. Detyra jonë kryesore ndaj njerëzisë është të studiojmë dhe të mësojmë (të tjerët) pa u mërzitur.

5. I madh është ai njeri që i shikon të gjithë një soj, që vepron pa anuar, dhe që mendon për të gjithë.
  Ai që mendon për interesat e veta, është njeri i ulët.

6. Detyrat njerëzore janë një barrë e rëndë; sjellja e keqe sipas andjes dhe pëlqimit të botës është një moçal i madh. Për të nxjerrë në breg një barrë të tillë të rëndë nga një moçal i tillë, duhet të ecësh drejt, pa shikuar djathtas e majtas.

7. Në vend që të shesësh dituri dhe zotësi, përpiqu t’i fitosh ato.

8. Mos e duaj gjumin shumë; hap sytë që të mos mbetesh i uritur.

9. Toka mund t’i ushqejë njerëzit fare mirë; vetëm pse shumica e pasurisë shpenzohet pa vend, e shumica  e njerëzve mbeten të uritur.

10. Për t’ia nënshtruar botën mirësisë, duhet luftuar kundër ligësive.

11. Botimi i pozitës varet nga të tjerët. A nuk është marrëzi të lësh atë që ke në duart tua dhe t’u drejtohesh të tjerëve.

12. Më parë se për pasurinë, mjeshtërinë dhe tregtinë e një bashkësie (njerëzore), duhet menduar për edukimin e saj, sepse edukata e mirë është baza e bashkësive njerëzore.

13. Njeriu merret  me dituri dhe me shkencë gjatë gjithë jetës së tij. Në fëmijëri i mëson ato, në rini i vë në zbatim e në pleqëri mëson të tjerët.

14. Zemra e njeriut të përsosur është gjithmonë e pezmatuar, por fytyra e tij është kurdoherë e gëzuar.

15. Njeriu dëshiron madhështinë dhe famën, trembet nga mospërfillja; megjithëkëtë nuk largohet nga sjelljet e këqija; kjo është si kur ke frikë nga lagështira e banon në moçal.

16. Po të jenë nëpunësit në dorë të personave të pazotë, po t’u mungojnë armët ushtarëve, po të mbetet pas bujqësia, mjeshtëria dhe tregtia, prapëse-prapë shteti qëndron; por kur sundimtarët nuk respektojnë ligjin dhe të drejtën, nëpunësit e vegjël bëhen të pabindur dhe nuk zbatojnë urdhrin e dhënë, kështu që populli bjerr vetitë e mira dhe jepet  pas veseve të këqija, atëherë nuk ka më shpresë shpëtimi.

17. Mos i poshtëroni njerëzit e mëdhenj për një a dy faje të tyre, sepse diamanti sado i prerë shtrembër të jetë, është më i vlefshëm se një gur i zakonshëm, i prerë në formën më të përsosur.

 

18. Mashtrimet e mashtruesit i përballoni me drejtësi, sepse gjithçka mënjanohet me të kundërtën.

19. Njerëzit janë të njëjtë para natyrës, edukata i bën të dallohen (njëri nga tjetri).

20. Fjala e atij që qesh shumë, s’e bën të qeshë asnjërin.

21. Duhet të shfrytëzohet mirë koha, sepse jeta nga koha përbëhet.

22. S’ka gjë më të keqe se të përqeshurit, sepse më shumë prek të mirët se të këqijtë.

23. Njollat që i ngjiten trupit tonë lahen me ujë; njollat e shpirtit s’ka gjë që i pastron.

24. Virtyti i bën të dashur (me njëri — tjetrin) njerëzit e mëdhenj, njerëzit e zakonshëm — dëfrimi dhe zbavitja, të këqijtë — vagabondazhi dhe delikti.

25. Duhen shumë mend që të mund të shoqërohesh me njerëz pa mend.

26. Mos shkruaj gjë kur je me nerva; sepse, kur plaga e gjuhës së  mëmës më e keqe se e shpatës, mendo çfarë mund të jetë ajo e pendës.

27. Kot përpiqet mendja, kur nuk mund të arrijë gradën e lartë të ndjenjave.

28. Fjala më elokuente është ajo konkluzioni i së cilës kuptohet që nga fraza e parë e qëllimi nëpër brendinë e saj, kur duket në formë solide.

29. Tri raste kanë tri virtyte shumë të pëlqyeshme: të ndihmosh nevojtarët kur janë në gjendje të vështirë, të thuash të vërtetën edhe në zemërim, të falësh kur je i zoti të ndëshkosh ose të hakmerresh.

30. Për ndryshimin e një gjëje askush nuk është më i aftë se koha.

31. Ti japësh pozitë dhe të nderosh një njeri pa merita është si të hedhësh në ndyrësira një qese me inxhi (margaritarë).

32. Po të bjerë në det një pikë ujë, nuk thahet.

33. Sikundër që elefantin e vrasin për dhëmbët e tij të çmueshëm, disa guaska deti i gjuajnë për margaritarët që kanë brenda e që bilbilin e robërojnë për zërin e tij të bukur, kështu edhe njeriun — të shumtën e herës — e rrezikon vlera e tij e lartë.

34. Mos iu mbështet së nesërmes, nuk mund të dish se ç’do të lindë nata.

35. Pa atashim s’mund të ketë as opinion publik, as forcë.

36. Liria s’mund të shkojë përpara pa pasur udhëheqëse arsyen dhe pa qenë e shoqëruar nga vetitë e mira.

37. Gjuha e memecit është më e mirë se e gënjeshtarit.

38. Gjuha është dëshmitari gënjeshtar i zemrës.


39. Sikundër që trupi ka nevojë për pastërti ashtu edhe shpirti për arsim.

40. Pendimi është pranvera e mirësjelljes.

41. Meng Çui thot: Filozofët, dijetarët, njerëzit e mëdhenj, të cilët me mendimet dhe punët e tyre kanë bërë të çuditet bota, a nuk ishin edhe ata njerëz si ne? Pse t’i shikoj ata me habi dhe mahnitje? A s’mund të bëhem edhe unë si ata me përpjekjet e mia?

42. Hidhërimi dhe gëzimi s’kanë kufi. Njeriut, pse ka zënë një pozitë të vogël, i bie pika nga gëzimi, pastaj ai vdes nga hidhërimi pse nuk zë një pozitë më të lartë.

43. Shoku më i pavlefshëm është ai, i cili, për një fjalë që ka dëgjuar për shokun e tij, nuk e do më atë.

44. Ai që pëlqen veten e tij, nuk pëlqehet nga askush.

45. Dallkauku (lajkatari) është fajdexhiu më i keq, posa sheh se ai që ka përballë u mashtrua prej tij, edhe sikur t’i marrë kamatën 500 për qind të hipokrizisë që i ka akredituar, prapëseprapë s’kënaqet, përpiqet t’i heqë edhe lëkurën të mjerit.

46. Pasuria zë vendin e lejekalimit të marrëzisë.

47. Pasuria e vogël, që përdoret me nikoqirllëk, zë vend më mirë se thesaret e keqadministruar.

48. Pasuria është shërbëtor i të mençurit e zotëri i budallait.

49. Lumturia në botë i ngjan dritës së shkreptimës, ndriçimi i një sekonde sjell pas furtunë disaorëshe.

50. Gjëja që ka shkaktuar fanatizmin (fetar) janë përrallat të shpikura nga keqdashja, të pranuara nga frika dhe të ruajtura nga marrëzia.

51. Helmi më i rrezikshëm është hipokrizia.

52. Filozofi kinez Ming Çu thot: “T’i duash njerëzit e aftë e të talentuar dhe të mos i nderosh ata është sikur t’i thërrasësh në gosti dhe t’u mbyllësh portën, për të mos i pranuar.”

53. Njëri nga filozofët e famshëm të Tibetit, Paskia Pandita, thotë: “S’mund t’i japësh flakë një pylli të madh po nuk të ndihmoi era”. D m th. — mos fillo punë të mëdha po nuk qe koha dhe rasti i volitshëm.

54. Mos u prish me vëllanë për punë të shokut, sepse shoqëria zhduket, vëllazëria mbetet.

55. Si flaka e shkrepës  me kokë poshtë, që është më e fortë, ashtu edhe virtytet e dijetarit të rënë në fatkeqësi duken më qartë.

56. Ata që tregohen të drejtë me qëllim lartësimi, pasi të arrijnë qëllimin, s’ndjejnë më nevojë për drejtësi.

57. Shërbimin që bën arsimi për përmirësimin e një kombi, ligji s’mund ta bëjë kurrë.

58. Shpagimi më i ëmbël është të bësh mirë kundër së keqes që të është bërë.

59. Kur lodhet trupi, qetësohet mendja.

60. Duke gërmuar tokën, del ujë.

61. Tregtia që të jep më shumë fitim është puna.

62. Dituria është e gjatë, jeta e shkurtër.

63. Dita është e shkurtër, puna e gjatë.

64. Nëna e frikacakut as nuk qan, as nuk qesh.

65. Po të përdoret mirë koha, do të mjaftojë për të kryer çdo punë.

66. Çdo ditë e jetës sate është një faqe e biografisë sate, kujdesu ta shkruash mirë, sepse një faqe e keqe ndyn gjithë librin.

67. Të qeshësh kundrejt një personi të dëshpëruar, është si t’i heqësh dikujt petkat në kohë të ftohtë dhe ta lësh lakuriq.

68. Do që të mos ndihet fjala që do të thuash? Mos e thuaj. Do që të mos shihet puna që do të bësh? Mos e bërë.

69. Dijetari i përdhosur është një gjarpër me kokë të stolisur me diamante.

70. Po nuk foli i marri, nuk dallohet nga i urti.

71. Ngandonjëherë, heshtja është më elokuente se çdo fjalë.

72. Një gjë e vogël e fituar me të drejtë, është më e mirë se gjëja e shumtë e fituar padrejtësisht.

73. Fundi i të qeshurit është mërzitja, fryti i të qarit është ngushëllimi.

74. Bukuria e njeriut përbëhet nga bukuria e fjalës që flet.

75. I vobekti energjik i ngjan fitilit pa vaj.

76. Përgatite dyshekun para se të biesh të flesh.

77. Peri i ngatërruar nuk zgjidhet me nguti.

78. Kush e ka barrën të rëndë, e ka hapin të shkurtër.

79. Sa më shumë rëndohet barra, aq më shumë i del kurrizi atij që është përposht.

80. Filozofi kinez Shu King thot: “Kush është në punë të shtetit, të përpiqet të bëjë vepra që do të mbesin për shumë kohë pas vdekjes së tij.”

81. Njerëzit e mirë janë të gjykuar të bëhen skllevër të të këqijve.

82. Lumturia nuk zgjat për shumë kohë, i pafati është një foshnje në bark të s’ëmës që ende s’ka arritur në botën e lumturisë; ndërsa ai që është i lumtur, është një plak duke dhënë shpirt.

83. Qeveria (e mirë) lind nga rregulli dhe kujdesi.

84. Njeriu duhet të përpiqet të mësojë çdo gjë, jo të tregojë veten e tij.

85. Ato çka di njeriu, në krahasim me çka nuk di, janë kurrgjë.

86. S’mund të njihet për dijetar askush, pos atij që mposht epshin e vet.

87. Dijetar (filozof) është ai që i përshtatet puna fjalës së tij e fjala opinionit të tij.

88. Pasaniku koprrac i ngjan miut që rri në një tas të artë.

89. Skamja dhe përvuajtja kërkon nikoqirllëk, përvuajtja dhe nikoqirllëku mirësjelljen, mirëpo pasuria sjell kryelartësinë e dorëlirësinë, e kryelartësia e dorëlirësia shthurjen dhe keqsjelljen.

90. Njeriu që s’mund të mbrojë mendimin e vet, i ngjan një qyteti të pambrojtur.

91. Dijetari nuk thotë ç’ka di (kur nuk është rasa për t’i thënë), i marri nuk di çka thotë.

92. Është faj të meritosh qortimin, mos durimi (me rasën) i qortimit është faj edhe më i madh.

93. Zgjuarsia është një dritë hyjnore, ndriçimi i së cilës ndrit jo vetëm sipërfaqen e sendeve, por edhe brendinë e tyre.

94. Më i forti i njerëzve është ai që është i zoti të përmbajë vetveten.

95. Lumturia (te njerëzit e ulët) shkakton kryelartësinë dhe mospërfilljen (ndaj të tjerëve).

96. Shpata e grave është gjuha e tyre, prandaj nuk e lënë të ndryshket.

97. Meqenëse gratë plotësojnë zbrazëtinë e kuvendimit dhe të mbledhjeve, i ngjajnë kashtës që vihet ndërmjet filxhanëve e pjatave. Sado që kjo kashtë duket e panevojshme, filxhanët dhe pjatat e ndodhura në një arkë pa të do të thyheshin dhe nuk do të tepronte asnjë.

98. Mali lind vullkanin, vullkani çan malin, druri ushqen krimbin, krimbi than drurin; njeriu krijon idetë, idetë e fusin njeriun në një mijë fatkeqësia e më në fund e dërgojnë në shtratin e veremit (ashtu siç ngjante nën regjimin e sulltanit turk).

99. Derisa ata që vdesin nga helmi janë fare të paktë, çdo njeri trembet nga helmi, ndërsa shthurja grin çdo ditë mijëra njerëz, gjithkush jepet pas saj.

100. Gjithkush mendon për veten e tij, vetëm shpirtmiri mendon për të tjerët.

101. Kombi është themeli i godinës së shtetit, sa më i fortë të jetë themeli, aq më shumë qëndron godina.

102. Të fillosh një punë dhe të mos e vazhdosh deri në fund, është si të fillosh të mihësh një pus dhe pas 2 — 3 pashësh ta lësh punën. Sikur të mihë njeriu në 100 vende nga 2 — 3 pashë, nuk nxjerr dot një pikë ujë, por po të mihë në një vend 5— 10 pashë, me siguri del ujë.

 

103. Po të fillosh një punë dhe të mos i dalësh në krye, mos u dëshpëro; po nuk ia dolët parën, ia del me të dytën dhe fundja me të tretën.

 104. Mos u tremb nga shuplaka e mikut, duhet të kesh frikë nga lëvdata e armikut.

105. Në çdo mëndim mund të ketë shkarje e në çdo veprim gabim: mendimet korrigjohen me kohë, veprimet me përvojë.

106. Shumë rrallë i takon fatkeqësi atij që kur del në mëngjes nga shtëpia i shkon mendja se mund të kthehet me qivur në mbrëmje.

107. Gjithë ç’është në botë, me shpirt dhe pa shpirt, është armik i njeriut; njeriu i urtë qëndron gjithmonë me kujdes dhe nuk ka besim në asnjeri, në asgjë. (Me këtë Samiu tregon se në ç’rreth ka jetuar i gjori).

108. Ç’mund të bëjë një kalë i fortë me një karrocë të shkatërruar?

109. Më kryesoret janë katër gjëra që e bëjnë njeriun njeri: dituria, durimi, kanati (mjaftimi me atë që ka) dhe drejtësia.

 110. Ujët në vetvete është i pastër, duke u trazuar me disa materie dhe sende të tjera, bëhet i ithët dhe i ndyrë; njeriu është krijuar i mirë, bëhet i keq nga ndikimi i epsheve dhe i veseve të këqija.

111. Njeriu donë të jetojë shumë, por nuk donë të mplaket.

112. Kur çdo njeri t’i shikojë të gjithë njerëzit për shokë, gjënë e tjetrit si gur dhe tokë (d.m.th të pavlefshme), gratë — përveç të tijën — si nëna dhe motra, atëherë është e mundshme të ketë lumturi dhe prehje në botë.

113. Po deshe të kesh të lirë zemrën tënde, mos i plotëso dëshirat (e këqija).

114. Punën e nesërme mbaroje sot dhe pushimin që do të bësh pasnesër bëje sot.

115. Mos jep shkas të flasë kush keq për ty; por mos u mundo t’i mbyllësh gojën keqdashësve, sepse qeni, ashtu sikundër i leh natën kusarit që i kalon afër, ashtu i leh edhe njeriut të ndershëm.

116. Po të flitet keq për ndokënd, gjithsecili beson në çast; po të flitet mirë për të —asnjeri nuk beson. Përçarja është bërë aq e pëlqyer në botë sa që lëvdatës nuk i ka mbetur fare vlerë.

117. Smiraku e grindaveci edhe sikur të zotërojnë tërë botën, s’mund të kënaqen, sepse për t’u bërë ata të lumtur, duhet të shkatërrohet gjithë bota.

118. Martesa është një urë në mes të shthurjes dhe lumturisë.

119. Ekzistenca dhe lumturia e shoqërisë njerëzore varet nga gruaja. Midani thotë: “Aty ku mungon gruaja, asaj duhet bërë një shtatore prej druri.”

120. Nga një birucë e vogël, mund të hyjë një e keqe e madhe.

121. Hiq dorë nga ligësia edhe ajo heq dorë nga ti.

122. Kush çmon (lëvdon) një ligësi, është më i lig se ai që e bën.

123. Zbavitja më e bukur për njërin është leximi, shoku më i mirë libri.

124. Kush kuvendon me botën, kuvendon me persona të zakonshëm; kush lexon libra, kuvendon me filozofë, letrarë dhe me njerëz të famshëm.

125. Kush nuk është i gjykuar, është gjykues; kush nuk është i urdhëruar, është urdhërues.

126. Njeriu kërkon të njihet me të pasurit dhe mënjanohet të njihet me të varfrit; mirëpo, pasuria dhe vobekësia nuk janë gjëra që ngjiten me të njohur.

127. Ngutja në marrjen e vendimeve në çështje të vështira dhe të dyshimta, është e dëmshme.

128. Ujët që pihet me ngadalë, largon etjen më shumë.

129. Kush nuk e kupton të vërtetën e fjalës së tjetrit, nuk di edhe atë që thotë vetë.

130. Gjithsecili mban në gojë punën 6 të pasurve; vetëm njeriu zemërmirë mendon gjithmonë gjendjen e të varfërve.

131. Pleqtë të mos kalojnë pranë varreve të të rinjve, mizorët pranë atyre të të mirëve dhe tradhtarët pranë varrit të dëshmorëve, sepse dheu i tyre nuk duron të qenien e tyre mbi faqen e tokës.

132. Kush mëshiron gjarprin, torturon njerëzinë.

133. Njëri nga filozofët kinezë thotë: “Ai që është në punë të shtetit, mirësitë duhet t’i bëjë duke u gëzuar dhe ndëshkimet duke u hidhëruar.”

134. Mos u trazo nga një gjë që nuk di se është e drejtë apo jo.

135. Personi që do ti, s’ka asnjë të metë, fillo të mos e duash, pa shih sa të meta ka.

136. Lëvdata e bën njeriun të kthehet nga rruga që ka zënë, kurse kritika e bën ta kontrollojë rrugën e vet dhe ta vazhdojë.

137. Nuk i besohet premtimit të atij që premton shumë.

Nëse tashmë nuk e ke një faqe të internetit për biznesin tuaj apo nuk je i kënaqur me atë që ke, na kontakto që të flasim për ...
Alba-Soft ofron shërbime të HOSTING me të gjitha elementet për të përmbushur plotësisht nevojat e klientëve të saj.
Mbi 500.000 vizitorë në muaj. Ofrojmë hapësira reklamuese në faqe shumë të vizituara si: Lajmëtari.com, Albanologji.com, ...
Jemi të specializuar në përkthim softuerësh, interpretim, faqosje kompjuterike, titrim dhe këshillim kulturor duke u kujdesur më ...
Ky portal mirëmbahet nga kompania albasoft.al. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të printohen, ose të përdoren në çfarëdo forme me qëllim përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të albasoft.al.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2012 Portali Gjuha Shqipe
Tiranë | Prishtinë