100 VJET SHTET
Pasqyra e gjakut: çka mund të kuptojmë nga analiza e gjakut?
01.11.2012 | 07:36

Pasqyra e gjakut mund të bëhet si pjesë e kontrollit të rregullt mjekësor. Pasqyra e gjakut mund të japë informata të vlefshme për gjendjen e përgjithshme shëndetësore. Po ashtu, ofron informata të rëndësishme për llojet dhe numrin e qelizave në gjak, posaçërisht të rruazave të kuqe të gjakut, rruazave të bardha të gjakut dhe trombociteve.

Mjeku mund të kërkojë marrjen e gjakut për këto arsye:

- simptomat siç është lodhja, të ndierit ligsht, ethet, mavijosja ose humbja e peshës;

- anemia;

- Për të zbuluar se sa gjak është humbur, nëse ka gjakderdhje;

- diagnostikimi i policitemisë;

- gjetja e infeksioneve;

- diagnostikimi i sëmundjeve të gjakut, si leukemia;

- kontrollimi për keqpërdorim të drogës;

- për të zbuluar se a ka shumë apo pak lloje të caktuara të rruazave.

Rruazat e bardha të gjakut

Rruazat e bardha të gjakut (leukocitet) mbrojnë trupin nga infeksionet. Nëse zhvillohet infeksioni, rruazat e bardha të gjakut sulmojnë edhe shkatërrojnë bakteret, viruset dhe organizmat tjerë që janë shkak i infeksioneve. Rruazat e bardha të gjakut janë më të mëdha se rruazat e kuqe të gjakut, por janë më pak në numër. Kur njeriu ka infeksion bakterial, numri i rruazave të bardha rritet shumë shpejt. Numri i rruazave të bardha të gjakut ndonjëherë përdoret për t’u gjetur infeksioni ose për t’u parë se si trupi përballet me mjekimin e kancerit.

Llojet e rruazave të bardha të gjakut janë neutrofilet, limfocitet, monocitet, eozinofilet dhe bazofilet. Çdo lloj i rruazës ka rol të ndryshëm në mbrojtjen e trupit. Vlerat e secilës nga këto rruaza të bardha të gjakut japin informata të rëndësishme për sistemin e imunitetit. Më shumë apo më pak lloje të ndryshme të rruazave të bardha të gjakut mund të ndihmojnë në zbulimin e infeksioneve, reaksioneve alergjike dhe toksike në ilaçe, dhe shumë gjendje tjera, siç është leukemia.

Numri i madh i leukociteve

Gjendjet të cilat shkaktojnë numër të rritur të rruazave të bardha të gjakut përfshijnë infeksionet, dëmtimin e indit (siç është sulmi në zemër), stresin e rëndë fizik apo emocional (plagët ose operacionet), djegiet, dështimin e punës së veshkave, lupusin, tuberkulozin, artritin reumatoid, mosushqimin, leukeminë dhe sëmundjet si kanceri.

Përdorimi i kortikosteroideve, aktiviteti i zvogëluar i gjëndrave mbiveshkore, problemet me gjëndrat tiroide, ilaçe të caktuara ose heqja e shpretkës po ashtu mund të shkaktojnë vlera të larta.

Numri i ulët i leukociteve

Gjendjet të cilat mund të zvogëlojnë numrin e rruazave të bardha të gjakut përfshijnë kimioterapinë dhe reagimin ndaj ilaçeve, aneminë aplastike, infeksionet virusale, malarien, alkoolizmin, AIDS-in, lupusin, ose sindromën e Cushingut. Shpretka e rritur mund të zvogëlojë numrin e leukociteve.

Rruazat e kuqe të gjakut

Rruazat e kuqe të gjakut (eritrocitet) e bartin oksigjenin në pjesën tjetër të trupit. Ato bartin edhe dyoksidin e karbonit prapa në mushkëri, ashtu që mund të nxjerrim frymën. Nëse numri i eritrociteve është i ulët (anemia) trupi ndoshta nuk merr oksigjen të mjaftueshëm sa ka nevojë. Nëse numri i eritrociteve është shumë i lartë (policitemia) ekziston mundësia që rruazat e kuqe të gjakut të ngjiten bashkë dhe të bllokojnë enët e vogla të gjakut (kapilarët). Kjo po ashtu mund të vështirësojë bartjen e oksigjenit për rruazat e kuqe të gjakut.

Në kuadër të pasqyrës komplete të gjakut bëhen edhe të ashtuquajturat konstante të eritrociteve të cilat japin informata për kualitetin e eritrociteve: volumenin e mesëm korpuskular (MCV), përmbajtjen mesatare të hemoglobinës në eritrocite (MCH) dhe koncentrimin mesatar qelizor të hemoglobinës (MCHC).

Volumeni i mesëm korpuskular (MCV) tregon madhësinë e rruazave të kuqe të gjakut. Përmbajtja mesatare e hemoglobinës në eritrocite (MCH) është sasia mesatare e hemoglobinës në rruazat e kuqe të gjakut. Koncentrimi qendror qelizor i hemoglobinës (MCHC) mat koncentrimet e hemoglobinës në një rruazë të kuqe mesatare. Këto shifra ndihmojnë në diagnostikimin e llojeve të ndryshme të anemisë. Shpërndarja e eritrociteve sipas volumenit (RDW) tregon nëse janë të gjitha rruazat e njëjta apo janë të formave dhe madhësive të ndryshme.

Numri i lartë i eritrociteve

Gjendjet të cilat shkaktojnë rritjen e numrit të rruazave të kuqe të gjakut përfshijnë pirjen e duhanit, ekspozimin ndaj monoksidit të karbonit, sëmundjen afatgjate të mushkërive, sëmundjet e veshkave, disa lloje të kancerit, disa forma të sëmundjeve të zemrës, alkoolizimin, sëmundjet e mëlçisë, çrregullimin e rrallë të palcës kockore (policitemia vera) si dhe çrregullimin e rrallë të hemoglobinës e cila lidh oksigjenin tepër fortë.

Gjendjet të cilat ndikojnë në përmbajtjen e ujit në trup po ashtu mund të shkaktojnë rritjen e vlerave të rruazave të kuqe të gjakut. Këto gjendje përfshijnë dehidrimin, diarrenë ose vjelljen, djersitjen e tepërt, djegiet e rënda dhe përdorimi i diuretikëve. Mungesa e lëngjeve në trup bën që volumeni i eritrociteve të duket më i madh, dhe kjo ndonjëherë quhet policitemi e rreme.

Numri i ulët i eritrociteve

Tek anemia zvogëlohet numri i rruazave të kuqe të gjakut. Anemia mund të shkaktohet nga gjakderdhjet e rënda menstruale, i thati në stomak, zorrën e trashë, sëmundjet e inflamacionit të zorrëve, disa tumore, sëmundja e Addisonit, talasemia, mungesa e acidit folik dhe vitaminës B12, helmimi me plumb, sëmundjet e qelizave drapër ose reaksioni në ilaçe të caktuara. Po ashtu numri i zvogëluar i rruazave të kuqe të gjakut mund të shihet nëse hiqet shpretka.

Trombocitet

Trombocitet janë lloji më i vogël i rruazave të gjakut. Ato janë të rëndësishme në koagulimin e gjakut. Kur vjen deri të gjakderdhja, trombocitet ndihmojnë ndaljen e gjakderdhjes. Nëse ka shumë pak trombocite, gjakderdhja e pakontrolluar mund të jetë problem. Nëse ka shumë trombocite, ekziston mundësia e formimit të mpiksjeve të gjakut në enët e gjakut.

Volumeni mesatar i trombociteve (MPV) përdoret bashkë me numrin e trombociteve për t’u diagnostikuar disa sëmundje. Nëse numri i trombociteve është normal, volumeni i trombociteve mund të jetë akoma shumë i lartë apo shumë i ulët.

Numri i lartë i trombociteve

Vlerat e larta të trombociteve mund të shfaqen nëse vjen te gjakderdhja, mungesa e hekurit, te disa sëmundje si kanceri dhe problemet me palcën e eshtrave.

Numri i ulët i trombociteve

Numri i ulët i trombociteve mund të shfaqet në shtatzëni ose tek të sëmurët nga purpura idiopatike trombocitopenike. Shpretka e rritur, po ashtu mund të reduktojë numrin e trombociteve.

Hematokriti dhe hemoglobina

Hematokriti zbulon sasinë e hapësirës (volumenit) të cilën zënë rruazat e kuqe në gjak. Vlera shprehet si përqindje e rruazave të kuqe të gjakut në volumenin e gjakut. Për shembull, nëse hematokriti është 38 do të thotë që 38 për qind e volumenit të gjakut është e përbërë nga rruazat e kuqe të gjakut. Vlerat e hematokritit dhe hemoglobinës tregojnë nëse është e pranishme anemia ose policitemia.

Molekulat e hemoglobinës plotësojnë rruazat e kuqe të gjakut. Ato përmbajnë oksigjen dhe rruazave të gjakut u japin ngjyrën e kuqe. Kur merret gjaku matet sasia e hemoglobinës në gjak dhe aftësia e bartjes së oksigjenit në trup.



Nëse tashmë nuk e ke një faqe të internetit për biznesin tuaj apo nuk je i kënaqur me atë që ke, na kontakto që të flasim për ...
Alba-Soft ofron shërbime të HOSTING me të gjitha elementet për të përmbushur plotësisht nevojat e klientëve të saj.
Mbi 500.000 vizitorë në muaj. Ofrojmë hapësira reklamuese në faqe shumë të vizituara si: Lajmëtari.com, Albanologji.com, ...
Jemi të specializuar në përkthim softuerësh, interpretim, faqosje kompjuterike, titrim dhe këshillim kulturor duke u kujdesur më ...
Ky portal mirëmbahet nga kompania albasoft.al. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të printohen, ose të përdoren në çfarëdo forme me qëllim përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të albasoft.al.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2012 Portali Gjuha Shqipe
Tiranë | Prishtinë