100 VJET SHTET
Konkurrenti i mjekëve
07.01.2013 | 06:01

Pacientë që nuk kanë gjetur shërim tek mjekët kosovarë, ngushëllimin po e gjejnë tani tek njeriu me bioenergji. Deri në 300 veta në ditë presin në radhë për t’u vizituar tek njeriu që bioenergjinë e tij e zbuloi se e ka në trup vetëm para pesë vitesh, por tani po sfidon mjekët.

Kjo, madje e ka bërë jo vetëm njeriun e “mrekullive” tek banorët e të gjitha qyteteve të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe shteteve tjera evropiane, por edhe atë më të sulmuarin nga mjekët e vendit. Metush Rrahmani, në Gadime të Lipjanit, nuk ka marrë vetëm urimet e pacientëve gjatë këtij viti, por edhe disa vizita të papritura të mjekëve që e kanë akuzuar se po ua merr pacientët.

E, kjo nuk e ka bërë të tërhiqet aspak këtë 51 vjeçar, që për t’iu dhënë ndihmë qytetarëve i duhet të shtrijë në dhomën e tij mjekuese deri në dy pacientë njëherësh. Objekti, ku pret të sëmurët, ka më të madhe hapësirën e pritjes së pacienteve, sesa dhomën ku praktikon vetitë e tij shëruese në pjesën e trupit për të cilën ankohet pacienti. Dhoma, ku pacienti kryen terapinë nuk është më shumë se tri metër me tri, ndërsa salla ku presin pacientët, ia kalon një ordinance mjekësore me të gjitha dhomat e saj për nga hapësira.

Në këtë dhomë mund të ulen me dhjetëra pacientë. Shumica presin dhe jashtë në vetura. Ai rrëfen për “Zërin” sekretin e tij profesional, por edhe energjinë që, sipas tij, iu solli plot shërim qytetarëve. Thotë se nuk ndien lodhje, por kënaqësi kur sheh sesi njerëz që nuk kanë mundur të ecin deri më sot, falë tretmanit me bioenergji arrijnë tash të ecin. “Pacientët që vijnë këtu janë të gjithë ata që nuk kanë gjetur shërim tek mjekët, prandaj shumica as nuk mund të lëvizin dhe domosdoshmërisht duhet t’i sjellin me vetura apo të presin dhe të shtrirë në vetura, në pamundësi për të qëndruar në ulëset e paradhomës së mjekimit të tij”, tregon ai.

Për herë të parë shëroi të birin nga paraliza

Këto mrekulli që po bën, siç parapëlqen ta quajë ai mjekimin e tij, Rrahmani thotë se i zbuloi kur halli e detyroi dhe atë vetë të shkonte të kërkonte shërim për djalin e tij tek një njeri që kishte dëgjuar se me bioenergji po shëron njerëz të sëmurë.

“Rasti i parë është rasti i shërimit të djalit tim që kam bërë. Kjo ka ndodhur në 2007-në. Djali im ka qenë i paralizuar në dy këmbët, kjo i ndodhi pasi pati kërcyer nga traktori në tokë kur kishte vetëm 22 vjet dhe të dyja këmbët iu bënë të palëvizshme”.

Ai nuk do të linte mjek pa e dërguar të birin, dhe në fund si një prind i dëshpëruar kërkoi dhe mjekime popullore.. “Nuk e dija se kam bioenergji, më ka zbuluar tjetërkush. Nëpër mjekë nuk lashë vend pa e dërguar djalin, tani fillova ta dërgoj dhe në mjek popullorë ku dëgjoja, njëherë e dërgova edhe tek njëri në Deçan që praktikonte një metodë me litar. Pastaj, shkova dhe tek një tjetër me bioenergji. Sapo hyra tek ky ai më njohu”.

Mendon se ai (njeriu më bioenergji ku kishte shkuar) kishte pasur ca paralajmërime që i kishin ardhur në ëndërr se një ditë do t’i vinte një njeri që kishte më shumë bioenergji se ai. “Më tha se ilaçi i birit tënd gjendet tek ti. Unë praktikova këtë tek im bir. Momentin kur ai filloi të ecte nuk mund as ta përshkruaj. Im bir po ecte pas kaq vitesh. Ndodhi një mrekulli”. Për bioenergjinë, thotë se ka dëgjuar vetëm në shkollë. E tani është bërë më i kërkuari në Kosovë për këtë ilaç që qytetarët e shohin si të vetmen mundësi shërimi pas vizitave dëshpëruese tek mjekët.

Metushi që është me profesion gjeometër, është detyruar të ndërpresë marrëdhënien e tij të punës që kishte në Komunën e Lipjanit si gjeometër, për shkak të kërkesave të shumta të pacientëve. “ Natë e ditë ka kërkesa. Rri deri në 30 orë pa ndërprerë duke punuar me bioenergji tek pacientët”. Ai thotë se nuk ka vënë çmim për punën e tij, pacienti mund t’i lërë atij edhe 50 centë, sipas mundësive ekonomike që ka, e shuma më e madhe që paguajnë, sipas tij, ndonjëherë është pesë euro.

“Perëndia ka dashur të ma lirojë pa çmim djalin dhe prandaj punoj pa çmim të vënë dhe nuk i caktoj askujt. Por, gjithashtu askujt s’i them të shëroj, kurrë nuk i kam thënë dhe as sot nuk i them dot. Ketë me siguri mund ta thotë vetëm Zoti. Kurrë nuk kam bërë as reklamë , askujt s’i kam thënë eja, kjo është punë vullneti dhe dëshire e secilit qytetar. Qytetarët më gjejnë duke i treguar njëri-tjetrit, numri i të cilëve në ditë sillet nga 200-300 veta”, tregon ai, mirëpo nuk fsheh se është xhelozuar nga mjekët , madje thotë se “ka dhe doktorë që vijnë këtu dhe më thonë t’i nuk guxon ta bësh këtë”. Megjithëkëtë, ndihet në paqe me ndërgjegjen, duke u bazuar në atë se bioneregjia nuk shkakton anë negative në organizmin e njeriut.

Nga jashtë vendit vijnë në Lipjan

Pacientët që vizitohen tek ai, janë të moshave të ndryshme, prej foshnje dymuajsh deri tek ata më pleqtë. Rastet që vijnë më shumë të kërkojnë tretman me bioenergji, ai thekson se janë ata me paralizë, dhimbje koke, depresion, strese, paralizim i muskulaturës, i këmbëve, migrenat, spondiloza, gra që nuk kanë fëmijë, trombozat…si dhe deri tek rastet me kancer. “Muajin e kaluar në tetor kam qenë pesë ditë në Gjermani. Me ftesë të një doktori nga Deçani që punonte atje në Rozejnham. Ai kishte vajzën në gjendje kome prej dy vitesh të operuar në kokë. Aty për aty me bioenergji filloi t’i hapet njëri sy që i ishte mbyllur. E kam trajtuar pesë ditë radhazi dhe u kthjell vajza. Vajzën e mbante në shtëpi të tij me aparat pasi me mjekët nuk kishin çfarë t’i bëjnë”.

Metushi rregullisht shkon gjatë javës në Shqipëri një ditë dhe një në Maqedoni, pra çdo të hënë dhe martë, ai nuk është në Kosovë. “Ka raste dhe me kancer që kërkojnë shërim. Unë i kam qitë zero-zero, madje kanceri në mitër i femrave vitin e kaluar (2011) ka qenë sikur një grip, krejt kanë pas sukses”. Thekson se ka shumë kërkesa nga gra që nuk kanë pasur fëmijë me vite të tëra. Deklaron pa hezitim se dhe këto raste kanë pasur sukses. Ai pranon se tek ai më shumë vijnë rastet që nuk kanë sukses tek mjekët. “Fillestarët nuk vijnë asnjëherë, kur lodhet tek mjekët që nuk ka kah ia mban thotë ta provoj nëse ka dhe këtu sukses”. Ndërkohë, vizita tek ai nuk është e caktuar me minuta apo orë. “Krejt varet si e pranon bioenergjinë organizmi. Nuk e kam përcaktuar sa duhet të jetë një seancë”.

Rrahmani, entuziast për punën e tij, thotë se bioenergjia e tij e ngre në këmbë dhe pacientin që nuk ka lëvizur asnjëherë. “Është ngritur me të parën terapi”, thotë ai, por i referohet dhe reagimit të organizimit, meqë tek dikush nuk ndodh me herën e parë suksesi, duhet dy apo dhe tri terapi. “Është bioenergji e pastër. Thjesht, ndodhin mrekulli. Rastet që bëj mrekulli janë shumë”. Edhe pse është akuzuar nga mjekët se po mashtron njerëzit, ai nuk heziton të thotë se “stendën e zemrës e çeli për 20 minuta. E mbaj dorën për 20 minuta dhe damarët e zemrës i liroj. Tensionin ia zbriti”. Ka pacient që vijnë të kërkojnë shërim dhe për sy. “Më shumë vijnë për ikje të syve dhe kanë sukses”.

Pacientët u ikin operimeve, provojnë bioenergjinë

As pacientët nuk e kanë problem të pranojnë se po ka efekt shërimi i tyre. Metushi fillon terapinë duke mbajtur dorën e tij mbi këmbën e Nafije Gajtanit, e cila ka trombozë në këmbë dhe po e provon nëse do të shërohet. Bioenergjia që buron nga dora e Metushit fillon të reflektohet në trupin e saj me të rrahura të forta në pjesën e këmbës ku ajo është identifikuar se ka trombozë dhe ai kë vënë dorën. Me të është edhe Mihrije Gajtani, e cila po ashtu po bën një vizitë, pasi dhimbjet në bark i janë shpeshtuar dhe mjekët nuk kanë arritur t’i caktojnë diagnozën. Në moshë më të shtyrë pret për vizitë dhe Hajrie Gashi. Ajo thotë se vuan nga dhimbja e kurrizit –unazat.

“Kam shkuar tek mjekët më kanë thënë veç në operim duhet të hysh, prandaj duke dashur t’i largohem operimit, erdha këtu. Është hera e tretë sot që kam ardhur, kam pak efekt. Natën e parë (para dy ditëve) dy veta më sollën kapur për krahu. Sot hyra vetë”. Edhe Metushi pranon se ka shumë pacientë që vijnë para operimi dhe kanë sukses. Përveç mërgimtarëve që vijnë sidomos verës, ai thotë se ka edhe pacientë ndërkombëtarë. Përmend rastin e një banori nga Turqia.

“Ky rast prej Turqisë ka qenë i shtanguar në të dyja këmbët prej katër vitesh. Një javë ka bërë terapi, ndërsa pas kësaj kohe shërbehej me paterica vetëm për orientim”. Këto raste të mrekullive, ai thotë se është vështirë dhe të kontrollohen nga emocionet e forta që përjetojnë pacientët kur ndodh shërimi, rreziku është dhe të alivanosen aty për aty. Radhët e gjata për të hyrë në dhomën ku Metushi praktikon bioenergjinë, ngjallën korrupsionin dhe këtu. Numrat që iu shpërndahen atyre që caktojnë termin, janë shndërruar në mjete përfitimi. Një person cakton termin për 4-5 veta apo familjarë dhe mund të hyjnë së bashku të gjithë, kështu që një person që ka caktuar termin më herët, ka marrë në zotërim me numër të tij dhe ndonjë qytetar tjetër duke u thirrur se e ka familjar dhe duke i marrë kompensim atij qytetari të holla që të hynte me numrin e tij. Tani ai e ka bërë që me një numër të hyjnë tre veta.

Nga mëngjesi deri në mesnatë pacientët presin

Rrahmani fillon punën në tetë e gjysmë të mëngjesit dhe e mbaron në ora 02:00 të natës. Për t’u vizituar një pacient duhet paraprakisht të bëjë termin me telefon. Kërkesat e mëdha për t’u shëruar tek ai ia sollën shpesh dhe policinë tek dera. Metushi është bërë i padurueshëm për fqinjët e tij. Vetura të shumta që sjellin pacientët tek ai, bllokonin çdo ditë rrugët që çojnë në lagjet e këtij fshati. Për të shmangur këtë ai prishi shtëpinë, e ndërtoi atë më larg rrugës dhe krijoi hapësirë në oborrin e tij për parkimin e veturave. /zëri/



Nëse tashmë nuk e ke një faqe të internetit për biznesin tuaj apo nuk je i kënaqur me atë që ke, na kontakto që të flasim për ...
Alba-Soft ofron shërbime të HOSTING me të gjitha elementet për të përmbushur plotësisht nevojat e klientëve të saj.
Mbi 500.000 vizitorë në muaj. Ofrojmë hapësira reklamuese në faqe shumë të vizituara si: Lajmëtari.com, Albanologji.com, ...
Jemi të specializuar në përkthim softuerësh, interpretim, faqosje kompjuterike, titrim dhe këshillim kulturor duke u kujdesur më ...
Ky portal mirëmbahet nga kompania albasoft.al. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të printohen, ose të përdoren në çfarëdo forme me qëllim përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të albasoft.al.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2012 Portali Gjuha Shqipe
Tiranë | Prishtinë