100 VJET SHTET
MË TË LEXUARAT
14.04.2014 | 06:35
17.04.2014 | 08:19
Kur ushqimet krijojnë varësi si droga
07.05.2013 | 07:12
Disa shkencëtarë mendojnë se ekziston një sëmundje, një lloj varësie nga ushqimi, njësoj si me drogën dhe alkoolin dhe mendojnë se mund ta luftojnë këtë sëmundje me të njëjtat metoda

Shkencëtarët janë të ndarë sa i përket idesë nëse ushqimi shkakton varësi, njësoj si drogat dhe se mos është pikërisht varësia nga ushqimi, shkaku i rritjes së obezitetit në shkallë botërore. A ekziston me të vërtetë varësia nga ushqimi? Dhe nëse ekziston, si mund të luftohet?

Të heqësh qafe varësinë është me të vërtetë shumë e vështirë. Çdokush që është përpjekur ndonjëherë të heqë dorë nga duhani, alkooli, madje edhe nga kafeina, mund të tregojë se sa e vështirë është. Një taktikë e testuar është që të ndryshohet stili i jetesës. P.sh, nëse do të lësh duhanin, hiq dorë nga dalja në pabe ose mos mbaj cigare në shtëpi.

Por edhe me këtë taktikë, shumë njerëz dështojnë në mënyrë të përsëritur. Por çfarë ndodh në rast se je nën një lloj varësie, përballë së cilës duhet të qëndrosh së paku tri herë në ditë? Ndërsa niveli i obezitetit vijon të rritet, shkencëtarët po përpiqen të kërkojnë ngjashmëri mes ushqimit me tepri dhe varësisë. Bashkimi Europian ka financuar një projekt kërkimor në këtë fushë.

Kërkuesit janë të vetëpërmbajtur. Deri më sot ka vetëm një lloj çrregullimi ushqimor që mendohet se mund të ketë një rol, çrregullimi i të ngrënit për qejf, që ka si efekt anësor obezitetin. Megjithëse ne kemi tendencën të theksojmë vend e pa vend idenë e varësisë, – shumë thonë se e konsiderojnë veten në varësinë e çokollatës – çrregullimi i të ngrënit për qejf është diçka që i mban njerëzit nën kthetrat e veta.

Ajo shkakton dëm fizik dhe psikologjik dhe është shumë i keq, njësoj si të gjitha format e tjera të varësisë. Një nga njerëzit me të cilët fola si pjesë e kërkimit tim, Michael, është një profesionist i arsimuar dhe i artikuluar. Ai dikur hante me tepri. “Është e vështirë për të tjerët që të të kuptojnë. Çdokush që ha me tepri konsiderohet se thjesht ha me tepri, por është një eksperiencë krejt tjetër – një obsesion i vazhdueshëm”, tha ai.

Louise, një tjetër që takova, ofron një dëshmi bindëse për varësinë e të qenët nën varësinë e ushqimit. Ajo kishte gjithashtu edhe një problem serioz me alkoolin dhe e kupton varësinë më shumë se të tjerët.

“Mendoj se ajo që është më interesante është ngjashmëria në sjellje”, thotë ajo.

“Si një e alkoolizuar unë shkoja në vende të ndryshme të palicencuara për të blerë alkool në mënyrë që njerëzit të mos më njihnin mua, por unë shkoja edhe te kioska të ndryshme për të blerë çokollatë.

Qe një farë fshehjeje në shtëpi, mungesë dëshire për të parë njerëz, fshehje ushqimi, si shishet me alkool apo fshehjen e shisheve bosh”.

Dr. Nora Volkow, një neuroshkencëtare dhe kreu i Institutit Kombëtar për Abuzimin me Drogën në Shtetet e Bashkuara, e ka të qartë në mendjen e saj se ka procese biologjike që shkaktojnë atë që përshkruan Michael dhe Louise.

Ajo ka zbuluar se një neurotransmetues i quajtur dopaminë dhe që është përfshirë në kushtet e varësisë, sillet në tru në të njëjtën mënyrë në njerëzit që kanë varësi nga droga dhe tek ata që janë në mbipeshë. Për të, ka prova të forta që tregojnë se varësia nga ushqimi apo të ngrënët ekziston. Por jo të gjithë janë dakord. Profesor Jane Ogden, një psikologe në Universitetin e Surreit, beson se etiketa e varësisë mund të jetë jo shumë ndihmëse për ata që hanë me tepri, pasi heq përgjegjësinë personale dhe rrjedhimisht vështirëson rivendosjen e kontrollit.

“Varësia na ka dhënë ne një narrativë të fortë që thotë se nuk kemi kontroll mbi të, se ka gjëra në tru që kërkojnë më shumë sheqer apo çokollatë”, thotë ajo. Por nëse ushqimi është njësoj si varësitë e tjera, ne duhet të shohim teorikisht mundësitë për trajtim të suksesshëm. Trajtimi i varësisë ka për objektiv ose abstinencën totale ose reduktimin e dëmit, si p.sh dhënia e metadonit apo çamçakëzit me nikotinë.

Për ata që ecin drejt abstinencës, një model i provuar është një program me 12 hapa i zhvilluar nga Anonimët e Alkoolit, me versione për drogat të përdorura nga Anonimët e Narkotikëve apo ata të bixhozit nga Anonimët e Kumarit.

Michael dhe Louise janë që të dy anëtarë tek Anonimët e Mbingrënies. Ky program funksionon si të gjitha programet e tjera me 12 hapa, me grupe njerëzish që takohen në konfidencialitet, mentorë personalë dhe program të detajuar. Nuk ka dyshim se për disa, kjo metodë është shumë e suksesshme. Natyrisht që nuk është e mundshme të abstenosh nga ushqimi, por është e mundshme të abstenosh nga mbiushqimi. Për Louisën, abstinenca nënkupton tri vakte të shëndetshme në ditë, jo bukë gruri dhe jo çokollatë. Për Michael, plani është përcaktuar nga një specialist, i cili i thotë se çfarë është i lejuar të hajë dhe çfarë jo. Trajtime të tjera janë më radikale.

Për të luftuar varësinë nga alkooli, trupi ndryshohet në mënyrë që të refuzojë alkoolin përmes vendosjes së një ilaçi të njohur si Antabuse. Nëse konsumohet alkool, trupi reagon me rrjedhje hundësh. Në mënyrë të ngjashme, në rastin e mbiushqimit, trupi mund të alternohet përmes kirurgjisë, duke reduktuar volumin e stomakut të disponueshëm për ushqimin.

Mund të tingëllojë ekstreme, por funksionon për shumicën e njerëzve dhe të dhënat tregojnë se rreziqet e ndërhyrjes kirurgjikale janë shumë më të vogla sesa përfitimet shëndetësore të sjella nga humbja e peshës së tepërt.

Njerëzit jetojnë më gjatë dhe kanë më pak probleme mobiliteti apo zemre. Diabeti në disa raste kthehet mbrapsht dhe njerëzit raportojnë një cilësi jete shumë të përmirësuar. Por marrëdhënia mes ushqimit dhe varësisë është shumë e komplikuar dhe ne nuk kemi ende mjaftueshëm dituri. Njëzet vjet më parë njerëzit refuzonin të pranonin se bixhozi mund të shkaktojë varësi, por tashmë kjo është një ide e gjithëpranuar dhe ka shumë prova që e mbështesin atë.

A jemi në të njëjtën situatë me ushqimin – pra duke pritur prova para se të ndryshojmë sjellje? Nicola Schlesinger, një këshilltare, punon me gratë që kanë probleme varësie dhe çrregullime në të ngrënë. Çfarë ka për t’u thënë ajo shkencëtarëve që nuk besojnë se ushqimi mund të shkaktojë varësi?

“Ata jo domosdoshmërisht përballen me njerëz në vuajtje si unë, njerëz me dhimbje dhe që urrejnë veten, ndihen gati për vetëvrasje”, thotë ajo. Për fat të mirë, programi i financuar nga BE dhe të tjerë po ecin në rrugën drejt vërtetimit të varësisë dhe gjetjes së zgjidhjeve për njerëzit që ndihen të detyruar të hanë me tepri.

Çfarë është çrregullimi i të ngrënit për qejf?

Ndjesia e të qenët të detyruar për të ngrënë më shumë se sa është e nevojshme në mënyrë të vazhdueshme, përfshirë edhe drekat e qejfit të planifikuara.

Të prekurit konsumojnë shpesh sasi të mëdha ushqimi në një kohë të shkurtër, shpesh ndërsa nuk janë as të uritur.

Ushqimi me tepri shpesh ndodh në ambient privat, gjë që e lë personin pa ndjenjën e fajit apo të qenët jashtë kontrollit.

Ky çrregullim lidhet me obezitetin dhe kushte të tilla si presion i lartë gjaku e sëmundje zemre.

Trajtohet përmes anti-depresantëve dhe terapive konjiktive.


Nëse tashmë nuk e ke një faqe të internetit për biznesin tuaj apo nuk je i kënaqur me atë që ke, na kontakto që të flasim për ...
Alba-Soft ofron shërbime të HOSTING me të gjitha elementet për të përmbushur plotësisht nevojat e klientëve të saj.
Mbi 500.000 vizitorë në muaj. Ofrojmë hapësira reklamuese në faqe shumë të vizituara si: Lajmëtari.com, Albanologji.com, ...
Jemi të specializuar në përkthim softuerësh, interpretim, faqosje kompjuterike, titrim dhe këshillim kulturor duke u kujdesur më ...
Ky portal mirëmbahet nga kompania albasoft.al. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të printohen, ose të përdoren në çfarëdo forme me qëllim përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të albasoft.al.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2012 Portali Gjuha Shqipe
Tiranë | Prishtinë