100 VJET SHTET
Shteti i Kosovës në synetinë e Devollëve
03.10.2013 | 07:10
Telekomi, homologimi i veturave, terminalet doganore, kafja e qumështi, i bashkuan përpara disa ditësh në restorantin e Vetëvendosjes të gjithë tok: PDK, AAK e LDK. Si i është nënshtruar shteti një kompanie të vetme?

A ju kujtohet fillimi i filmit "The Godfather"?, Don Corleone e marton vajzën. I ngujuar në një dhomë të errët e të qetë ai pret miqtë e tij. Politikanë e biznesmenë. Secili e shfrytëzon gazmendin e Corleoneve për t`u avitur me këtë familje. Monumentale është përulja e Bonaseres.

Para disa ditësh në Restorantin "Univers" të Pejës, pronar i të cilit është Florin Krasniqi i Vetëvendosjes, e organizoi një dasmë Shkëlqim Devolli.

Në fakt, i thonë dasmë, sepse ishte synetia e djalit të tij. Por, edhe synetia ishte arsye e mjaftë që në restorantin e Florinit të zbarkonin në një mbrëmje pothuajse gjysma e kabinetit qeveritar.

Pothuajse i gjithë spektri politik. Pothuajse të gjithë udhëheqësit e institucioneve të pavarura publike.

Pothuajse çdokush që sot e ka një pedigre shoqërore, sipas standardeve më të fundit të jetës shoqërore, e që dorën në zemër janë të degraduara si kurrë më parë.

Kush ishte në këtë dasmë, që e meriton një analizë të tërë të kësaj familjeje të pasur pejane, gjithnjë në ngritje?

Hajredin Kuçi, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Drejtësisë. Në pjesën e dytë të dasmës, për t`i dhënë ahengut një shkëlqim, e mori mikrofonin për të kënduar.

Besim Beqaj, Ministër i Financave, e deri dje Ministër i Zhvillimi Ekonomik. Edhe ky pas disa gotave i ka argëtuar mysafirët me zërin e tij, por siç thuhet më të mirë se ai i Hajredin Kuçit.

Adem Grabovci, shef i Grupit Parlamentar të PDK`së dhe kohëve të fundit i njohur edhe si violina e parë e kësaj partie politike. E përbashkëta e këtyre tri figurave politike dhe e familjes Devolli është vendlindja, Peja.

Në një ngjarje të tillë nuk kishte se si të mungonte as "Princi" i Dukagjinit, Ramush Haradinaj, ndonëse dorën në zemër dukshëm i eklipsuar prej Ademit, Hajredinit dhe Besimit.

Thuhet se Haradinaj në këtë dasmë/syneti ka qëndruar shkurt, sepse në të njëjtën kohë po i martoheshin disa zyrtarë të partisë së tij.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës po merrte pjesë Naser Osmani, i cili deri para disa kohësh ka qenë pjesë e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, agjenci kjo që ka pasur raporte të dendura me familjen Devolli.

Baton Haxhiu, drejtor ekzekutiv i televizionit Klan Kosova, i cili thuhet se cilësitë e tij i ka dëshmuar në vallëzim.

Express mëson se ky televizion tashmë de facto i është shitur familjes Devolli.

Së shpejti pritet që edhe studiot e Klan Kosovës të barten në hapësirat e e ish-fabrikës së Amortizatorëve, e cila fabrikë po ashtu është në pronësi të Devollëve.

Ekrem Hoxha, drejtor i Agjencionit Kosovar të Telekomunikacionit.

Ndryshe, përpara se të bëhej drejtor i kësaj agjencie, Hoxha ka qenë punëtor i Devollëve. Tash, i njëjti është vegël e kësaj familjeje në ART për t`i kryer shërbimet e Z Mobile, që është pronë e të njëjtës familje.

Express mëson se rrethi i njerëzve të pranishëm ka qenë dukshëm më i gjerë, por që, pak a shumë, këta ishin zyrtarët më të lartë të pranishëm.

Pse kjo familje është kualifikuar për të qenë `viktimë` e portalit tonë?


Express është i vetëdijshëm se janë të shumta familjet kosovare që, në një formë ose në një tjetër, jetën e tyre e kanë tërësisht të varur nga produktiviteti i biznesit të familjes Devolli. Por, vetëm ky argument nuk mjafton - sipas bindjeve të Express`it - që të heshtet zmadhimi në përmasa të frikshme i një kompanie, siç janë Devollët, duke rrezikuar në këtë mënyrë funksionimin si duhet të tregut të lirë dhe ngufatjen e kompanive të tjera.

Në vitet e 70`ta dhe 80`ta kjo familje biznesin e vet e filloi në formën e zanatit të rregullimit të biçikletave.

Këtë biznes e ka udhëhequr tashmë i ndjeri Ibrahimi, babai i Blerimit dhe Shkëlqimit. Sikur edhe disa familje të tjera të shquara pejane, as Devollët nuk kanë qëndruar duarkryq gjatë viteve të 90`ta, duke e shtuar pasurinë e tyre në mënyrë solide.

Fundi i luftës dhe fillimi i paqes, thuhet se Devollët i ka zënë me disa miliona të paluara. As këta, si shumë të tjerë, nuk i kishin rezistuar tundimit për importimin dhe shitjen e agregatëve, kur në Kosovë më shumë kishte terr se sa dritë.

Në të njëjtën kohë, pothuajse paralelisht, kishin filluar edhe lindjen e prodhimit të produkteve të qumështit dhe të vetë qumështit.

Përveç lajmeve të mira që prodhonte biznesi i tyre, ata disa herë janë përballur edhe me mbytjen e lajmeve negative, siç ishin ato që qumështi Vita nuk e kalon dot pragun kualitativ të pranueshëm sipas standardeve të Bashkimit Europian.

Në ndërkohë, gjatë gjithë kësaj kohe i kanë qëndruar besnik dashamirëve të kafes, me Princin e tyre. Deri në këtë moment, duke përfshirë këtu qumështin Vita, kafenë Princ, biznesin me biçikleta e me agregatë, kjo familje meriton një duartrokitje për zellin dhe përkushtimin e treguar në punën e tyre. Vija e kuqe në raportin mes Devollëve dhe shtetit të Kosovës ishte shkelur kur kësaj kompanie, në mënyrë të çuditshme, i ishte dhënë licenca për t`i vlerësuar të gjitha markat botërore të veturave, nëse ishin kompatibile me tregun e Kosovës. Në kohën kur Ministër për Transport dhe Telekomunikacion ka qenë Fatmir Limaj, Devollëve u ishte dhënë e drejta për hapjen e Qendrës për Homologim të Veturave, pa kurrfarë konkurrence. Secila veturë që futet në Kosovës, qoftë edhe ato më të përsosurat, detyrohet t`i nënshtrohet procesit të homologimit, duke paguar mbi 100 euro për veturë.

Kjo, mes të tjerash, është konsideruar sikur kjo familje të ishte licencuar të ndërtonte një fabrikë për prodhimin e eurove.

Nuk ka vonuar shumë dhe, pas këtij hapi gjigant, Devollët u nisën në aventurën e tyre të radhës, telekomin.

Për ta përgatitur terrenin, fillimisht e instaluan një kukull të tyre, Ekrem Hoxhën, në pozitën e drejtorit të Agjencisë Kosovare të Telekomunikacionit.

Pas këtij hapi i shpalosën letrat për qëllimin e tyre të vërtetë: e dëshironin në kuadër të Valës një Mobile Virtual Network Operator (MVNO), fabrika e dytë për prodhimin e eurove.

Historia e kësaj MVNO`je është dramatike. Kumbar i saj në fakt ishte Ardian Shatku, shtetas amerikan, i cili për fatin e tij të keq i kishte zgjedhur për partner Devollët.

Këta të fundit, duke e përdorur ndikimin e Shatkut tek administrata amerikane, kishin arritur deri tek licenca për MVNO.

Sapo kishin futur në dorë licencën, duke e përdorur kukullën e tyre në ART, e kishin dëbuar Shatkun prej ndërmarrësisë së tyre të përbashkët, dhe e kishin bërë të tyren licencën për MVNO.

Prodhim i kësaj licence është operatori Z Mobile, i cili tash e sa vite është duke përfituar miliona euro, duke e shfrytëzuar komplet infrastrukturën e Valës.

Pa investuar pothuajse asgjë, Devolli Company ka korrur përfitime të jashtëzakonshme në kurriz të kompanisë publike, Vala. Dëshmitare të kësaj tragjedie të kompanisë kosovare janë të hyrat e Valës prej kohës kur Z Mobile ka filluar operimin e tij.

Rënie drastike. Në të njëjtën kohë drejtori i ART`së, Ekrem Hoxha, është duke e penguar IPKO`në që të startojë me rrjetin 3G prej fillimit të këtij viti. Drejtori Ekrem Hoxha, ndonëse për këtë ekziston një vendim qeveritar, refuzon ta pajis IPKO`në me licencën e duhur, duke i dëmtuar kështu më së shumti konsumatorët kosovarë, të cilët janë të fundit në Europë që edhe më tutje nuk e kanë mundësinë e një përmbajtjeje të tillë kualitative.

Express ka mësuar se njëra prej arsyeve pse edhe më tutje çështja e privatizimit të PTK`së nuk po kalon në Kuvendin e Kosovës, është pikërisht familja Devolli.

"Nuk është në interesin e tyre që Vala të kalojë në pronësi të një kompanie private. Asnjë kompani nuk do të pranonte që në gjirin e vet ta kishte një `kopil` si Z Mobile", thonë burimet e portalit. Express ka mësuar se tërheqja e AAK`se nga salla e Kuvendit, në momentin kur ishte arritur kuorumi për të kaluar strategjinë, nuk kishte të bënte aspak me opozitarizëm.

"AAK kishte qëndruar një javë më parë në seancë, por mungonin deputetet e PDK`së. Tash ndodhi e kundërta. Ky është thjeshtë një presion që po i bëhet kompanisë AXOS që t`i nënshtrohet Devoll`it dhe Z Mobile", thonë burimet.

"Devollët tash po e dirigjojnë edhe Kuvendin", thonë burimet e Express. Sipas tyre, përfundimi i marrëveshjes eventuale të AXOS me Devollët do ta përcaktojë punën e mëtutjeshme të Kuvendit të Kosovës rreth kësaj çështjeje. Një pikë tjetër ku kompania Devolli e ka shtrirë fuqishëm veprimtarinë e vet, në bashkëpunim të ngushtë dhe të çuditshëm me shtetin, është edhe fusha e terminaleve doganore. Devolli deri tash i ka terminalet doganore të vendosura në Mitrovicë, në Pejë dhe në Fushë Kosovë... Fuqia financiare e madhe, e akumuluar prej një familje të vetme, u ka mundësuar Devollëve që para disa muajsh t`i merrnin në pronësi të tyre aksionet e biznesmenit tjetër pejan, Ekrem Llukës, në birrarinë e Pejës.

Është përfolur se Lluka është në negociata që edhe Hotel Dukagjinin t`ua shes Devollëve. Çka ka mbetur tjetër pa u shitur tek kjo kompani? Shumë pak gjëra të tjera që mund të kenë çfarëdo vlere në treg... Çka ka këtu tjetër të pazakontë? Uniteti i të gjitha subjekteve politike që fatin ekonomik ta lënë në duar të dy vëllezërve, Blerim dhe Shkëlqim Devollit. Të gjitha subjektet, në një formë ose në një tjetër, janë paguar prej Devollëve. Po të mos ishte kështu, atëherë cila do të ishte arsyeja që aq shumë zyrtarë të lartë të shtetit të çirreshin në një syneti? Kush tjetër, veç Devollëve, do të mund t`i fuste nën një kulm PDK`në, LDK`në, Vetëvendosjen dhe AAK`në?

Kush janë djemtë përpara të cilëve është përkulur i gjithë shteti?

Pas vdekjes së babait, Ibrahimit, korporata Devolli tash udhëhiqet prej Blerimit dhe Shkëlqimit. Lloj-lloj thashethemesh thuren nëpër qytet për këta dy djem. Thuhet se njëri është më i afërt me PDK`në, e tjetri me AAK`në. Thuhet se njëri është më i afërt me një krah të PDK`së, e tjetri me krahun tjetër. Thuhet se njëri është mirë me Ramushin, e tjetri me Dautin. Çka nuk thuhet për ta. Madje, edhe se nuk kanë raporte me njëri-tjetrin. Burimet e gazetës kanë treguar se një luftë e vërtetë kishte shkuar mes tyre rreth blerjes së aksioneve në Birrarinë e Pejës. Bartja e aksioneve në Qendrën e Regjistrimit të Bizneseve në Ministri të Tregtisë së Industrisë, thuhet se i kishte shkaktuar kokëçarje edhe ministres, Mimoza Kusari-Lila.

E njëjta thuhet se është thirrur në telefon për ta penguar këtë proces, sa prej njërit, sa prej tjetrit vëlla. Ka të tjerë që thonë se, problemet mes dy vëllezërve janë thjeshtë taktizime të tyre, për të blerë paqe me të gjitha grupet politike. Mirëpo, nëse Blerimi e Shkëlqimi flasin me njëri-tjetrin ose jo, kjo është një çështje krejt periferike dhe e parëndësishme edhe për lexuesin, por edhe për Express`in. E rëndësishme është nëse ata flasin dhe, nëse flasin, si flasin me institucionet e vendit? /express/


Nëse tashmë nuk e ke një faqe të internetit për biznesin tuaj apo nuk je i kënaqur me atë që ke, na kontakto që të flasim për ...
Alba-Soft ofron shërbime të HOSTING me të gjitha elementet për të përmbushur plotësisht nevojat e klientëve të saj.
Mbi 500.000 vizitorë në muaj. Ofrojmë hapësira reklamuese në faqe shumë të vizituara si: Lajmëtari.com, Albanologji.com, ...
Jemi të specializuar në përkthim softuerësh, interpretim, faqosje kompjuterike, titrim dhe këshillim kulturor duke u kujdesur më ...
Ky portal mirëmbahet nga kompania albasoft.al. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të printohen, ose të përdoren në çfarëdo forme me qëllim përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të albasoft.al.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2012 Portali Gjuha Shqipe
Tiranë | Prishtinë