100 VJET SHTET
Analizë e veprës "E penguara" të Kadaresë
Ahmet Selmani,  31.03.2010 | 10:02
a. Zikzaket e rrëfimit

Me romanin më të ri, që mban titullin “E penguara” (Requiem për Linda B.), autori Ismail Kadare para lexuesit sjell një varg situatash të reja ose të panjohura, kryesisht duke zgjedhur formën e zbërthimit apo të hulumtimit në paraqitjen e tyre, ku mund të shihet fare qartazi se bartës kryesor të tyre janë personazhet tragjike, gjithsesi si qenie të veçanta dhe që tipizohen me mjeshtëri në kontekstin real dhe artistik. Përgjithësisht duket se ngjarjet e trajtuara brenda tij konceptohen në dy rrafshe rrëfyese; në atë konkret dhe në atë hipotetik. Kjo do të thotë se i pari është i dukshëm, ballafaques, përjetues, i drejtpërdrejtë, që ndërtohet si rezultat i ndodhive të zhvilluara në rrethana të caktuara, ndërsa i dyti është i padukshëm, hamendësues, që ndërtohet si rezultat i asaj që mund të ketë ndodhur në një situatë tjetër. Rrjedhimisht rrafshi i parë shfaqet në mënyrë gati telegrafike, sepse është akt i kryer, ndërsa rrafshi i dytë shfaqet me ritme më të ngadalshme. Në qendër të vëmendjes është një figurë tragjike si Linda B, një vajzë tetëmbëdhjetëvjeçare, e cila, bashkë me familjen e saj është e internuar dhe e ka të ndaluar të vijë në kryeqytet, për shkak të lidhjeve të saj familjare me ish-oborrin mbretëror, dhe që përfundon me vetëvrasje. Natyrisht ky është shkas i mjaftueshëm për t’u zhvilluar rrëfimi konkret, lënda parësore e romanit, nga e cila pastaj nxitet edhe rrjedha e mëtejme, prej nga paralelisht krijohet rrëfimi hipotetik, ose lënda përmbaruese e veprës si një materie e pleksur. Sipas kësaj del në shesh edhe vija shkakore që e ruan vazhdimësinë e plotë të rrëfimit, herë duke e dëftuar atë ngjarje që e ka përpara si një ngjizje paraprake, e herë duke ndërfutur edhe atë që është kryer brenda kohës dhe hapësirës së caktuar. Në këtë aspekt, duke u ndërlidhur gjithçka që ka të bëjë me shkaqet reale, të cilat gjithnjë paraqiten të mjegullta, të panjohura, autori shërbehet me një rreth të gjerë supozues e përgjasues, si një ecuri e mundshme për të arritur deri te gjërat e tjera të nevojshme e të patjetërsueshme. Pa dyshim, këndej mund të kuptohet se bartës i gjithë kësaj është kryeprotagonisti Rudian Stefa, një dramaturg, i cili, një vajze të panjohur, Linda B., ia ka nënshkruar padjallëzisht një libër. Pikërisht nëpërmjet ballafaqimeve të tij që vijnë më vonë, nxitet rrafshi i parë, për t’u plotësuar vetvetishëm edhe nga rrafshi i dytë, që është intuitiv e alternativ. Atë e thërrasin në Komitetin e Partisë pa e ditur arsyen e vërtetë, gjë që zgjon kureshtjen dhe dyshimin marramendës. Pra vetëm pasi shkel atje, e kupton shkakun që do të zvarritet gjer në fund. Prandaj, pikërisht nga rrafshi i brendshëm dhe individual, fillon edhe kërkimi hamendësues i asaj që ka ndodhur me fatin e vajzës së vetëvrarë, kryesisht duke u sjellë brenda rrethit të hekurt, gjithnjë sipas logjikës së gjërave ekzistuese, në bazë të përqasjes gnoseologjike të realitetit dhe të rrethanave zotëruese. Rrëfimi i hollësive që shpijnë drejt shkaqeve, është një shtysë e domosdoshme, është një katarzë thelbësore e cila vetvetiu paralajmëron edhe pasojat që do të vijnë më vonë. Si figurë themelore e kësaj ngjarjeje, Rudian Stefa në radhë të parë vepron brenda një rrethi vetë kontrollues, analitik dhe sintetik, horizontal dhe vertikal, ku i sjell ndërmend të gjitha ngatërresat e mundshme; pjesa teatrale e tij që pret lejen për t’u vënë në skenë, ose marrëdhëniet e tij me vajzën e quajtur Migena. Duke pasur një lidhje me këtë vajzë, ai e kërkon hallkën e së keqes, gjithnjë nëpërmjet dyshimeve të vazhdueshme që i ngjallen për të. Pra, aq sa ka të bëjë me një dëshmi reale, njëherësh po aq ka të bëjë edhe me një dëshmi joreale, sepse përherë gjendet në mes ndodhisë dhe supozimit. Kështu struktura e këtij rrëfimi fund e krye na del me një rrjedhë paralele, me një lëvizje tipike zigzage, për të mbërritur në fund si një tërësi e qartë ose e nënkuptuar.

b. Iluzioni tragjik

Në të vërtetë, thelbi i romanit “E penguara” të I. Kadaresë qëndron te personazhi tragjik i quajtur Linda B, ose tek iluzioni i saj për jetën. Duket qartë se gjithë forca krijuese e autorit përqendrohet mu te fataliteti i saj, që manifestohet në mënyrë jashtëzakonisht prekëse e tronditëse, duke e kundruar atë nga këndi prapavështrues, thjesht për ta çjerrë vellon e fshehtësisë, për ta shuplakur deri në fund dhe për ta ndërtuar mozaikun e plotë para lexuesit. Mund të kuptohet fare qartë se si këtë e zbërthen nëpërmjet personazhit siç është Rudian Stefa, i cili përballet me një sprovë të dyfishtë; në njërën anë duke u përpjekur ta kuptojë vështirësinë ku ndodhet ai dhe, në anën tjetër, duke u përpjekur ta kuptojë të vërtetën që ka të bëjë me Linda B. Kapërcimi nëpër zonat e rrezikshme, është një kapërcim i ankthshëm e tronditës, por edhe hulumtues e ndërgjegjes. Mbase kështu arrin të mësojë shumë gjëra për fatin e vet, por edhe për fatin e të tjerëve. Në bazë të veprimit njohës, si dhe intuitës së fuqishme, ai shkoq si fytyrën e realitetit, shprish ferrnajën e hedhur mbi një personazh, siç është Linda B. Vetëvrasja e saj ka motive konkrete, por edhe të panjohura. Edhe për sa i përket kësaj, gjithçka lidhet me shkaqet tragjike, të cilat bëhen si nyje gungaçe, por që ai mëton ngulshëm t’i zgjidhë në vazhdimësi brenda romanit. Duke u ndodhur përpara një jete të mbyllur tragjikisht, në fakt Linda B. na jep të kuptojmë iluzionin jetësor që tingëllon si një metaforë e zezë ekzistenciale. Zbërthimi i këtij iluzioni shndërrohet në një synim të qartë, i cili jep kornizat e absurdit totalitar që shumëfishohet e stërzgjatet në mënyrë shqetësuese. Figura e Linda B. është vetëm prototip i këtij realiteti të zymtë e rrëqethës, sepse përpara lexuesit shfaqet si një jetë e prerë qysh në fillim, me ëndrra të këputura pamëshirshëm, me një cak të paarritshëm. Ajo përnjëmend është qenie njerëzore, por pa të drejtë jetësore, është shembull tipik i një të reje, por tërësisht të parealizuar, ajo ëndërron jetën kryeqytetase, por përfundon me iluzionin e pakthyeshëm. Megjithëse i thyen të gjitha ligjet e vdekjes, ngrihet mbi ndalesat, shpengon vetveten, duke shpikur një mënyrë për të shkelur në Tiranë, pra nëpërmjet mamografisë, në fakt aventura e saj prapë mbetet iluzion tejet tragjik. Në këtë kontekst shpërputhjen totale nuk e krijon ajo me sjelljen e vet, por e bëjnë parametrat totalitarë që i ka krijuar regjimi i egër. Si një qenie tragjike, Linda B. shfaqet në një vendqëndrim prapavështrues, si një histori e mbyllur fatale, por që mandej çdo gjë shpaloset nga personazhet e tjerë, nga rrëfimet e shoqes së saj, Migenës, e cila tregon gjer në hollësi, duke e plotësuar mozaikun e fatit jetësor të saj, si një rrëfim postum, që për Rudian Stefën është një lëmsh i ngatërruar, por që pak nga pak arrin ta zbërthejë në tërësi, madje të tronditet deri në marrëzi. Brenda Linda B. ndeshet jeta dhe kundër-jeta, shpresa dhe iluzioni, liria dhe pengesa etj.

c. Identifikimi dramatik

Përveç kësaj, është e nevojshme të theksohet edhe fakti se romani “E penguara” i I. Kadaresë përthekohet nga një atmosferë dramatike në kuptimin teorik dhe praktik të fjalës, si akt krijues dhe si akt jete, të cilat bashkëjetojnë si një tërësi e vetme brenda veprës dhe që identifikohen me njëra-tjetrën në mënyrë të ndërsjellë, ose që krijojnë përplasje të theksuara si një antipod i çuditshëm. Vetë Rudian Stefa si dramaturg ndodhet para një situate të ankthshme, ngaqë është duke pritur përgjigjen nga Këshilli Artistik për lejimin e vënies në skenë të dramës së tij. Ky është konteksti teorik i dramës, përmasat e ankthit krijues, paralajmërimi fatal, që hap mëdyshje të rënda hamletiane: të krijosh apo të mos krijosh në një shoqëri totalitare? Nga ana tjetër, paralelisht me kontekstin e këtillë, gjithsesi zhvillohet edhe veprimi praktik, pra njëra dramë shfaqet si vazhdimësi e dramës tjetër, njësohet pothuajse pa kufij të dukshëm, krijohet një bashkëgjëllim i veçantë, ku pastaj lehtësisht shkrihen edhe kufijtë e vërtetë dhe ata të fytyruar. Mbase mund të vërehet se në dramën e shkruar të tij kontestuese mund të bëhet fantazma e partizanit të vrarë, por nga ana tjetër përpara tij shfaqet edhe fantazma e vajzës së vetëvrarë Linda B. Detyrimisht ajo që nuk del në shesh nga Këshilli Artistik, që e pret ai me ankth të paparë, del nga realiteti dramatik që është zhvilluar me fatin e vajzës së vetëvrarë; në vend të skenës, drama luhet në jetë. Në fakt ky është një gërshetim tepër i ndërlikuar, një dramë me thelb të dyfishtë, një “deja vu” e dhimbshme, një rrëshqitje e padiktueshme nga rrafshi i zhvillimit në atë të gjallëruar, një përzierje e gjërave me prejardhje të kundërt. Prandaj kjo na e bën edhe më të qartë parimin e njohur dostojevskian lidhur me realitetin dhe fantazinë. Domethënë kjo vepër merr përmasa të gjera dramatike në brendinë e vet, si një strukturë që ngrihet mbi vetë zhanrin e dramës artistike dhe mbi vetë dramën reale që zhvillohet para syve të njeriut gjatë regjimit totalitar. Kështu romani në fjalë shfaqet me një forcë tepër plotësuese, sa në rrafshin real dhe psikologjik, po aq edhe në atë artistik e krijues. Në përgjithësi mund të thuhet se “E penguara” mbetet një testament shumë i zi i epokës totalitare, i cili do të vazhdojë ta shkundë ndërgjegjen e njeriut nëpër periudhat kohore.


Nëse tashmë nuk e ke një faqe të internetit për biznesin tuaj apo nuk je i kënaqur me atë që ke, na kontakto që të flasim për ...
Alba-Soft ofron shërbime të HOSTING me të gjitha elementet për të përmbushur plotësisht nevojat e klientëve të saj.
Mbi 500.000 vizitorë në muaj. Ofrojmë hapësira reklamuese në faqe shumë të vizituara si: Lajmëtari.com, Albanologji.com, ...
Jemi të specializuar në përkthim softuerësh, interpretim, faqosje kompjuterike, titrim dhe këshillim kulturor duke u kujdesur më ...
Ky portal mirëmbahet nga kompania albasoft.al. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të printohen, ose të përdoren në çfarëdo forme me qëllim përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të albasoft.al.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2012 Portali Gjuha Shqipe
Tiranë | Prishtinë