100 VJET SHTET
Fjalori informatikës
Struktura e fjalorit

-       Siç u përmend më sipër, ky fjalor është dygjuhësh, por dhe dykahësh: anglisht – shqip – anglisht, ku jepen dhe shpjegimet përkatëse për çdo term. Ai është i organizuar në dy pjesë: në pjesën e parë janë vendosur sipas rendit alfabetik termat në gjuhën angleze, të pasuar nga termi në gjuhën shqipe dhe shpjegimi i tij po në shqipe; në pjesën e dytë janë dhënë sipas rendit alfabetik termat në gjuhën shqipe, të shoqëruar nga termi përkatës në anglishte dhe shpjegimi i tij po në anglishte. Kjo mënyrë e dhënies së termave dhe e shpjegimeve të tyre lehtëson punën e përdoruesit të fjalorit gjatë kërkimit të një termi të caktuar, duke iu referuar sipas alfabetit njërës prej gjuhëve. Termat e të dyja gjuhëve jepen me shkronja të zeza e të ndara me vizë nga njëri-tjetri, për të qenë më të dallueshëm nga shpjegimet përkatëse.

-       Përveç termave që kanë një kuptim të vetëm, në fjalor gjenden dhe terma që kanë më shumë se një nuancë kuptimore, madje ndonjëherë deri në 5 të tilla. Këto nuanca nuk janë aq të largëta sa të ndahen si zëra më vete dhe nuk janë aq të afërta sa të ndahen vetëm me pikëpresje. Ndaj në këtë fjalor, nuanca të tilla kuptimore janë dhënë brenda një termi, por të ndarë me paragrafë të veçantë.

 

Component

A small binary object or program that performs a specific function and is designed in such a way to easily operate with other components and applications.

A part of a device.

In general, a modular unit of code that acts as part of a larger system or structure. For COM, a unit of code built to deliver a well-specified set of services through well-specified interfaces. A component provides an object that a client requests at runtime.

Përbërës

Një objekt i vogël binar ose program i cili kryen një funksion të veçantë dhe është dizajnuar në mënyrë të tillë që të operojë lehtësisht me përbërësit dhe aplikacionet e tjera.

Pjesë e një pajisjeje.

Në përgjithësi, një njësi modulare e kodit që vepron si pjesë e një sistemi apo strukture më të madhe. Për COM-in, një njësi e kodit e ndërtuar për të shpërndarë një bashkësi të mirëpërcaktuar shërbimesh përmes ndërfaqeve të mirëpërcaktuara. Përbërësi siguron një objekt që një klient kërkon në kohën e ekzekutimit.

-       Në rastet kur një term i anglishtes del me disa kuptime, që shprehen në shqipe me fjalë të ndryshme, ai përsëritet si term më vete, i shoqëruar me një numër në kllapa: line (1) - linjë, line (2) - vijë, line (3) – rresht; home (1) – bazë, home (2) – faqe bazë, home (3) – shtëpi etj.

-       Po kështu, të shoqëruar me numra në kllapa, dalin disa terma të anglishtes të cilët janë me formë fonetike të njëjtë, por u përkasin pjesëve të ndryshme të ligjëratës: access (1) - qasem, access (2) – qasje; label (1) – etiketoj, label (2) – etiketë; link (1) - lidh (4), link (2) - lidhje (3) etj.

-       Ndonëse është bërë përpjekje maksimale që secilit term të anglishtes t’i përgjigjet një term i shqipes, kjo nuk është arritur për të gjithë termat. Në pamundësi për të gjetur një fjalë të veçantë që të mbulojë tërësisht kuptimin e termit dhe të shmangë përsëritjen, ka raste kur me një fjalë të shqipes të jenë përkthyer dy e ndonjëherë më shumë terma të anglishtes. Edhe në këto situata është përdorur mënyra e shoqërimit me numër pas termit të shqipes, kur ky del i përsëritur. rresht (1) – line, rresht (2) – row; gjendje (1) – mode, gjendje (2) – state etj.

-       Karakteristikë për një pjesë termash disafjalësh të anglishtes është se i njëjti term shfaqet i shkruar në disa forma, herë me fjalët ndaras, herë me vizë në mes e herë të bashkuara (sign in / sign –in; homepage / home page). Në fjalor këto jepen në një zë të vetëm, ku brenda shpjegimit vihet në dukje se mund jetë e shkruar edhe në forma të tjera, ndërsa në shqipe këta terma shfaqen me një formë të vetme, ndaj brenda në shpjegim nuk është e nevojshme të shtohet gjë:

 

Home page

A document that serves as a starting point in a hypertext system. On the World Wide Web, it is an entry page for a set of Web pages and other files in a Web site. The home page is displayed by default when a visitor navigates to the site using a Web browser.

Also as HOMEPAGE.

Home page

Dokument që shërben si pikënisje në një sistem hipertekstual. Në rrjetin mbarëbotëror është faqja e hyrjes për një bashkësi faqesh të uebit dhe skedarë të tjerë në sajtin e uebit. Faqja bazë afishohet sipas parazgjedhjes kur një vizitor lundron në sajt duke përdorur shfletuesin e uebit.

-       Termat disafjalësh të anglishtes ndeshen shpesh në trajtën e shkurtesave. Përdorimi i shpeshtë i tyre ka bërë që ato të standardizohen si të tilla edhe në gjuhë të tjera, përfshirë edhe shqipen. Në fjalor termat disafjalësh dhe shkurtesat e tyre përkatëse dalin si zëra më vete, por vetëm termi i plotë shoqërohet me shpjegim, ndërsa shkurtesa referon te trajta e plotë e termit:

Local area network

A network of computers, printers, and other devices located within a relatively limited area (for example, a building). It enables any connected device to interact with any other on the network.

Also as LOCAL-AREA NETWORK.

Also as abbreviation LAN.

Rrjeti i zonës lokale

Rrjeti i kompjuterëve, i printerëve dhe i pajisjeve të tjera të vendosura brenda një zone relativisht të kufizuar (për shembull një ndërtesë). Ai aftëson çdo pajisje të lidhur për të ndërvepruar me çdo pajisje tjetër në rrjet.

Gjithashtu si shkurtesë LAN.

LAN

See LOCAL AREA NETWORK.

LAN

Shih RRJETI I ZONËS LOKALE.

Pavarësisht nga puna e madhe me lokalizimin e termave informatikë

, në gjuhën shqipe dhe me botimin e fjalorëve përkatës, është e domosdoshme që edhe programet ose sistemet e ndryshme operative të kompjuterit të jenë në gjuhën shqipe. Kjo jo vetëm do t’i sillte lehtësi të madhe përdoruesit, por do të ndikonte në përhapjen më të shpejtë e më të gjerë të termave kompjuterikë në gjuhën shqipe, si dhe në përsosjen e përditësimin e tyre të vazhdueshëm.

Ky fjalor me termat e përzgjedhur që përbëjnë bazën e terminologjisë informatike dhe që ndeshen pothuaj në të gjitha llojet e softuerëve, si dhe shpjegimet përkatëse në gjuhën shqipe, mund të shërbejë jo vetëm si një mjet pune për lokalizuesit e programeve të ndryshme softuerike, por njëkohësisht ndihmon në njësimin e kësaj terminologjie. Procesi i lokalizimit nuk është thjesht përkthim fjalë për fjalë, por proces i konvertimit të një produkti në një gjuhë dhe një kulturë të ndryshme, në mënyrë që ky produkt të jetë sa më lehtë i shfrytëzueshëm nga përdoruesit e atij vendi. Në mënyrë që të realizohet një lokalizim sa më i qëndrueshëm, duhet përdorur mundësisht vetëm një fjalë-term për çdo koncept dhe të përdoret e njëjta fjalë-term vazhdimisht, sa herë që koncepti shfaqet në produkt, duke shmangur në këtë mënyrë dhe paqartësitë e mungesën e koherencës. Kjo çon në një shfrytëzim më efikas të produktit të lokalizuar.

Përveç një fjalori të përshtatshëm të termave informatikë, është e rëndësishme që gjatë lokalizimit të përdoret një stil standard, me rregulla të përcaktuara qartë. Në terminologjinë e lokalizimit ky njihet me emrin

Styleguide (Udhëzuesi i stilit), i cili mbulon fushën e formatimit, të drejtshkrimit, marrëveshjet gramatikore dhe tipografike, si dhe përdorimin e terminologjisë së standardizuar. Termat e këtij Fjalori dhe shpjegimet përkatëse janë dhënë duke u bazuar në kritere dhe standarde të vendosura nga grupi i punës, e prandaj mund të themi se shërbejnë në mënyrë të tërthortë dhe si një Udhëzues stili për lokalizime të softuerëve të tjerë në gjuhën shqipe.

E ne me krenari themi se gjuha shqipe nuk qëndron aspak prapa gjuhëve të tjera edhe në fushën e teknologjisë informatike dhe shpresojmë se ky fjalor, në formën e tij të botuar e në atë elektronike, do të shërbejë për standardizimin e kësaj terminologjie dhe për ngulitjen e saj në praktikën e gjithë përdoruesve shqiptarë.

Terminologjia informatike tashmë është bërë pjesë e rëndësishme e terminologjisë tekniko-shkencore të shqipes. Siç shihet nga ky fjalor, gjuha shqipe, për sa i përket përkthimit të termave informatikë, qëndron në të njëjtin nivel me gjuhët e tjera. Ky nivel i lartë është arritur duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë dhe mjetet e saj të shprehjes, por pa cenuar saktësinë shkencore të konceptit.
Nëse tashmë nuk e ke një faqe të internetit për biznesin tuaj apo nuk je i kënaqur me atë që ke, na kontakto që të flasim për ...
Alba-Soft ofron shërbime të HOSTING me të gjitha elementet për të përmbushur plotësisht nevojat e klientëve të saj.
Mbi 500.000 vizitorë në muaj. Ofrojmë hapësira reklamuese në faqe shumë të vizituara si: Lajmëtari.com, Albanologji.com, ...
Jemi të specializuar në përkthim softuerësh, interpretim, faqosje kompjuterike, titrim dhe këshillim kulturor duke u kujdesur më ...
Ky portal mirëmbahet nga kompania albasoft.al. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të printohen, ose të përdoren në çfarëdo forme me qëllim përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të albasoft.al.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2012 Portali Gjuha Shqipe
Tiranë | Prishtinë