Kryengritjet shqiptare të viteve 1887-1893
Kryengritjet shqiptare të viteve 1887-1893
09.08.2011 | 10:57
Meqenëse bashkimi i Rumelisë Lindore me Bullgarinë (1885) cenonte status quo-në në Ballkan, u vunë në lëvizje si Fuqitë e Mëdha, ashtu edhe monarkitë ballkanike. Rusia dhe Austro-Hungaria e kundërshtuan këtë veprim që “prishte” ekuilibrin politik të Ballkanit. Por në Konferencën e Fuqive të Mëdha, që u mblodh në Stamboll posaçërisht për këtë çështje, fitoi teza e Anglisë, e cila, duke e parë rritjen e Bullgarisë, që tani ishte prishur me Peterburgun, si një pengesë për shtrirjen ruse në Ballkan, kërkoi që bashkimi i Rumelisë Lindore me Bullgarinë të njihej si fakt i kryer. Serbia e Greqia, nga ana e tyre, nuk u pajtuan me këtë akt; ato kërkuan shpërblime territoriale për të kundërbalancuar zgjerimin e Bullgarisë dhe filluan përgatitjet ushtarake.

Me nxitjen edhe të Austro-Hungarisë, Serbia, në nëntor 1885, i shpalli luftë Bullgarisë që përfundoi pas dhjetë ditësh me disfatën e serbëve. Greqia hoqi dorë nga lufta kundër Bullgarisë, por u orvat të siguronte shpërblime territoriale duke e kërcënuar Turqinë me luftë. Porta e Lartë iu përgjigj këtij kërcënimi, duke forcuar kufijtë turko-grekë. Me këtë rast edhe në Shqipërinë e Poshtme, në afërsi të kufirit grek, u përqendruan ushtri të mëdha osmane. Edhe këtë radhë Stambolli u bëri thirrje shqiptarëve të inkuadroheshin në ushtrinë osmane për t’i bërë ballë kërcënimit grek.

Në këto kushte, kur për shkak të masave ushtarake të Athinës lindi përsëri rreziku i copëtimit të vendit, jo vetëm ata krerë feudalë që nuk donin të shkëputeshin nga Perandoria Osmane, por edhe rilindësit që udhëhiqnin lëvizjen kombëtare, nuk ndryshuan qëndrimin e tyre ndaj Perandorisë Osmane dhe nuk shtruan si detyrë të ditës çështjen e shkëputjes prej saj. Duke shprehur gatishmërinë për të luftuar kundër rrezikut grek që kërcënonte tokat shqiptare, rilindësit theksuan njëkohësisht përballë opinionit publik evropian dhe qeverisë së sulltanit, karakterin e veçantë kombëtar të qëndresës shqiptare.

Por gjendja e jashtme politike e Perandorisë Osmane u përmirësua shpejt. Fuqitë e Mëdha, konsekuente në politikën e ruajtjes së status quo-së, formalisht nuk lejuan të bëheshin ndryshime territoriale në Ballkan. Me traktatin bullgaro-turk që u nënshkrua në mars të vitit 1886 në Bukuresht, ato e njohën bashkimin e Principatës Bullgare me Rumelinë Lindore, por me kusht që të ruhej në dukje gjendja e mëparshme. Fuqitë e Mëdha e ndaluan edhe Greqinë të ndërmerrte veprime luftarake kundër Turqisë dhe e detyruan me forcë të bënte çmobilizimin.

Sapo u qetësua gjendja e saj e jashtme, Porta e Lartë u kthye në qëndrimin e mëparshëm ndaj shqiptarëve, duke shkaktuar kështu riacarimin e marrëdhënieve shqiptaro-osmane. Abuzimet e nëpunësve turq dhe rritja e papërmbajtur e taksave u bënë shkak për lëvizje të reja protestash në krahina të ndryshme të vendit. Gjatë viteve 1887-1892 protestuan e ngritën krye popullsia e Mirditës, e Zadrimës, e Prishtinës, e Drenicës, e Dibrës, e Himarës etj. Autoritetet osmane arritën t’i shtypnin këto lëvizje me anën e forcës ose t’i shpërndanin kryengritësit duke u bërë premtime të rreme.

Për të qetësuar gjendjen në vilajetin e Kosovës, Porta e Lartë përqendroi atje forca të mëdha ushtarake. Megjithatë, lëvizja atdhetare e udhëhequr nga Haxhi Zeka, Bajram Curri etj., po përhapej gjerësisht në pranverën e vitit 1893. Në fund të majit Haxhi Zeka i bëri thirrje popullit të Pejës e të rrethinave të saj që të ngrihej në luftë kundër pushtetit osman.

Pasi dështuan në orvatjet për t’i bindur kryengritësit të shpërndaheshin, turqit dërguan në Pejë forca nga Mitrovica, nga Berana e nga Shkupi. Haxhi Zeka ishte tërhequr nga qyteti dhe ishte vendosur në fshatin Leshan, ku i shkuan në ndihmë 2 000 malësorë të krahinës së Gjakovës të udhëhequr nga Bajram Curri. Veprimet luftarake filluan më 11 korrik, por nuk vijuan gjatë. Turqit, duke përdorur forcën e premtimet, si edhe duke pasur përkrahjen e disa çifligarëve vendas, e shtypën kryengritjen, e cila, për mungesë organizimi, mbeti e kufizuar vetëm në rrethet e Pejës e të Gjakovës. Haxhi Zeka u arrestua në mënyrë të pabesë dhe u mbajt në Stamboll për disa vjet.

Pa u shtypur mirë kjo kryengritje, në Lumë shpërtheu një kryengritje e re. 3 000 lumjanë të armatosur iu afruan Prizrenit dhe kërkuan dëbimin e mytesarifit turk. “Tërë Luma është ngritur me armë dhe kërkon përzënien e mytesarifit të Prizrenit e të disa bejlerëve të atjeshëm”, shkruante konsulli serb i Prishtinës. Valiu i Kosovës dhe Porta e Lartë, për t’i prerë rrugën zgjerimit të konfliktit, shkarkuan nga detyra mytesarifin e Prizrenit, Salih Pashën.

Kryengritjet kundërosmane të këtyre viteve nuk ishin të organizuara në shkallën e duhur dhe as të lidhura ndërmjet tyre. Edhe kërkesat e paraqitura ishin të kufizuara. Megjithatë, Abdyl Frashëri shihte tek ato synimet e shqiptarëve për t’u çliruar nga zgjedha osmane.“Shqiptarët, - shkruante Abdyli në vitin 1888, - nuk kanë pushuar kurrë së shfaquri pakënaqësinë e tyre kundrejt qeverisë osmane dhe dëshirën e tyre për pavarësi”.
Ndonëse u shtypën, këto kryengritje patën disa rezultate të pjesshme, siç ishin ulja e barrës së taksave dhe lirimi i të burgosurve dhe i të internuarve politikë.