Sa i gjatë ishte Skënderbeu?
Sa i gjatë ishte Skënderbeu?
11.08.2011 | 13:37
Duhet të sqarojmë që në krye të radhëve, që ky nuk është një shkrim historik, nuk është as dhe një teori e hedhur mbi baza shkencore dhe nuk është as tentativë për të hedhur baltë mbi historinë. Ky është vetëm një vëzhgim i thjeshtë i monumentit të Skënderbeut në Tiranë, ku ne dallojmë çdo ditë diçka interesante, sa herë që e shikojmë: Pse kali i Heroit është në atë monument të Odhise Paskalit më i gjatë se vetë Skënderbeu? Pse heroi ndodhet me këmbët e shtrira drejt, aq sa gati duket sikur mezi arrijnë të mbështeten mirë në kurrizin e barkun e kalit?

Sa i gjatë ishte në të vërtetë Skënderbeu?

Monumenti i Skënderbeut, Prishtinë

Ajo që duhet të dimë pikësëpari është fakti se ka shumë detaje nga jeta e Skënderbeut, të cilat historiografia shqiptare nuk ka arritur akoma që t’u japë një përgjigje definitive. Madje, as fshatin apo krahinën e deri diku edhe vitin e saktë të lindjes së Skënderbeut, ne në Shqipëri nuk e kemi zgjidhur plotësisht, pasi mes vetë historianëve qarkullojnë studime dhe teori të ndryshme. Kështu që, pyetja sa i gjatë ishte Skënderbeu, ka një rëndësi dytësore, madje tretësore për të shpjeguar jetën dhe veprën e këtij personazhi të historisë sonë, me të cilin ne të gjithë, krenohemi me të drejtë.
Qarkullon prej kohësh në qarqet e historianëve një dokument venedikas që mund të japë një të dhënë ndoshta jo direkte për gjatësinë e tij. Venediku, qytetarëve të tij të nderit u dhuronte veshje dhe cohë luksi, për petka solemne; ndër të tjerë edhe princave shqiptarë, ku bënte pjesë edhe Skënderbeu. Ekziston një dokument sipas të cilit sekretari i Skënderbeut i bënte kërkesë senatit që të jepte më shumë copë për petkat e tij, më shumë se copa që u ishte dhënë princërve të tjerë shqiptarë.

Senati Venedikas përgjigjej në këtë mënyrë: “Responsio. Et si capitulum sit clarum, et aperte loquatur, Jnclinati tamen ad ea que sibi grati sint, ordinabimus quod sibi dentur brachia 18 scarlatini secundum consuetudinem pro duabus vestibus pro Magnificentia sua prout in capitulo continetur”. Përkthimi i lirë në gjuhën shqipe do të ishte: “Vendim. Që kapitulli të jetë i qartë, e të flasim hapur, me gjithë këtë, të nisur në atë rrugë, që të jetë e pranuar për Të, do të urdhërojmë që t’i jepen: 18 kutë skarlatini, sipas zakonit, për dy palë petka, për Shkëlqesinë [Madhërinë, m.a.] e Tij, për sa vendoset në kapitull”. Janë të pafund shqiptarët që janë rrekur të analizojnë këtë dokument, e përmes tij të gjejnë dhe gjatësinë e vërtetë të Skënderbeut.

Senati Venedikas ju dhuronte nga 16 kutë cohë, për dy palë petka luksi, ndërsa Skënderbeut i dhuron 18 kutë. Edhe amatorë të historisë, në blogjet e tyre e kanë interpretuar këtë fakt se “8 kutë cohë nuk i mjaftonin për një palë petka, pra i duheshin 9 kutë cohë”. Pas një llogaritjeje të thjeshtë të këtij dokumenti shumë njerëz nxjerrin përfundimin se Skënderbeu ishte më i lartë se princërit dhe fisnikët e tjerë shqiptarë. Duke pasur parasysh se 8 kutë cohë jepeshin për një fisnik, gjatësia e të cilit ishte deri në 1.75 m, atëherë, 9 kutë cohë, për Gjergj Kastriot Skënderbeun na japin gjatësinë prej 1.98 m, sipas këtij këndvështrimi.

Në të vërtetë, në kërkesën që sekretari i heroit tonë Kombëtar i bënte Venedikut, nuk tregonte arsyen pse aq cohë nuk i mjaftonte Skënderbeut. Nuk shprehej se, fjala bie, : ai është më i gjatë! Mund ta ketë dashur për shumë arsye të tjera një kut më shumë cohe Gjergj Kastrioti, sikur qoftë edhe për të bërë një diferencë në rangun mes tij dhe fisnikëve të tjerë shqiptarë, apo jo?

Monumenti në Tiranë

Kthehemi dhe njëherë tek monumenti i Skënderbeut në Tiranë. E para gjë që të bie në sy atje është zgjidhja simbolike që e ka vendosur Heroin mbi një strukturë të ngjashme me muret cikllopike që dinin të ndërtonin në antikitet, e më herët, vetëm ilirët, për tiu përshtatur, sigurisht, relievit malor. Detaji i dytë ka të bëjë me faktin që Skënderbeu qëndron me këmbët e shtrira plotësisht mbi trupin e kalit, të shtrira drejt, pra jo të ëprthyera, aq sa duket sikur mezi qëndron atje! Ne bëmë vetëm një eksperiment të thjeshtë viziv, duke matur në foto përmes njësive matëse të barabarta, edhe lartësinë e kalit edhe lartësinë e trupit të Skënderbeut. Kuajt maten duke filluar nga pjesa ku qafa e tyre bashkohet me kurrizin, deri te patkonjtë (pra koka dhe qafa lihen mënjanë). Shikoheni vetë foton për të bërë dallimin…

Pyetja që na vjen natyrshëm është: si ka mundësi që regjimi komunist nuk e vuri re një detaj të tillë, që në fakt e nxjerr më të lartë kalin se Heroin? Ndërkohë që në të gjitha përshkrimet, apo mënyrat si flitej për të, synohej që ai të lartësohej sa më shumë në perceptimet e njerëzve? Nga 1.57 m deri në 1.73 metra janë kuajt më të lartë të njohur deri më sot. Ka dhe kuaj të tjerë edhe më të lartë, por ata përdoren zakonisht për punë bujqësie për shkak të forcës tërheqëse që kanë. Këta të fundit nuk mund të jenë kuaj vrapimi, ashtu siç duhet të ishte kali i një heroi që luftonte në një terren malor, mbi të gjitha! Nëse kali i tij pra, ishte 1.73 m i lartë, ka shumë mundësi që vetë Skënderbeu të ketë qenë ose aq, ose pak centimetra më i lartë (apo dhe më i shkurtër), por jo detyrimisht 1.98 m, siç na pëlqen ne të gjithëve ta përfytyrojmë…