Shqipja e vështruar nga aspekti i studimeve ballkanistike
Shqipja e vështruar nga aspekti i studimeve ballkanistike
20.07.2010 | 05:26
Në punën e hetimit të problemit të burimit të shqipes nga ilirishtja, në punë të birërisë së saj nga kjo, pas rezultateve të arritura gjatë shekullit XX në gjuhësinë albanologjike dhe në linguistikën krahasimtare - jemi të mendimit se kishte ardhur koha që shkenca më shumë t`i sillej metodo­logjikë së atyre studimeve sesa çështjeve të tjera lidhur me marrëdhëniet e të dyja gjuhëve të sapopërmendura.

Prof. Çabej ishte njëri nga të rrallët dijetarë që shkencëtarëve albanistë u tërhiqte vëmendjen në këtë pikë, duke për­funduar një studim mbi raportin e ilirishtes ndaj shqipes në veprën e përba­shkët "Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëve", Tiranë, 1969, thoshte shprehimisht: "Është gjithashtu metodikisht e gabuar të flitet për një substrat ilir në këtë gjuhë (e kishte fjalën për shqipen). Sikur kemi theksuar edhe herëve të tjera koncepti i substratit është i lidhur me një ndërrim gjuhe. Një ndërrim i tillë nuk dihet të ketë ngjarë në Shqipëri ashtu si ka ngjarë p.sh. në Rumani në rrjedhim të romanizimit të atij vendi", vep. e përmendur, f. 52.

Në një studim tjetër me titull: "Disa faza më të moçme të shqipes në dritën e gjuhëve fqinje", Revistë shkencore e Institutit Pedagogjik Dyvjeçar të Shkodrës, E. Çabej u drejtohej kolegëve me këto fjalë: "Unë aty po lejohem vetëm të bëjë këtë vërejtje që tashmë ka ardhur koha që shprehja huazime "trake" të zëvendësohet me huazime "shqipe të vjetra".

Në kohën antike në një territor relativisht të ngushtë të Gadishullit Ballkanik banonin popuj të paktë në numër: ilirë, makedonë, trakë, dakë, mizë. Mendohet që ilirët shtriheshin kryesisht në pjesën perëndimore e qen­drore e edhe trakasit derdheshin nga lindja deri në perëndim. Këto lëvizje e shtegtime të popujve të posazënë ngoje, shkaktuan rrafshime deri diku të dallimeve nacionale, pasojisht edhe në fushën gjuhësore. Në këto prirje e procese në një kohë relativisht të gjatë merrnin pjesë parreshtur keltët që u integruan në qytetërimin e përgjithshëm të popujve të Gadishullit Ballkanik. Nuk duan qitur në harresë popuj të tjerë gjermanë (gotët etj.), që në Ballkan, si stacion i përkohshëm, qëndruan për t`u dyndur nga Gadishulli Apenin.

Këto procese u intensifikuan, sidomos, në periudhën e sundimit ro­mak në Gadishullin tonë afër tetëqind vjet. Pasojat e atij sundimi qenë: zhdukja a shuarja e gjuhëve të ndryshme jolatine në Ballkan: makedonishtja, ilirishtja, trakishtja etj. Një degë e ilirëve në jug të Ballkanit i shpëtoi asimilimit duke ruajtur identitetin e vet bashkë me gjuhën.

Qytetërimi i Ballkanit të lashtë s`ishte e mundshme të tretej krejtë­sisht, veçse duke u gërshetuar me kulturën materiale dhe shpirtërore të ar­dhësve të rinj indoevropianë, u bë pronë e këtyre. Qytetërimi grek a helen (kultura greke) nuk nis me të ngulur të indoevropianëve grekë, ajo kulturë ­edhe se në thelb thjesht greke, në strukturën e saj ka një komponent të duk­shëm egjean: në sistemin e ndërtimit, në arkitekturë, në ngritjen e qendrave urbane, në tregti, mjeshtëri të lundrimit nëpër dete (detari) etj.

Në studimin e kulturave të popullsive të Ballkanit të lashtë rrugët metodologjike duan harrur vazhdimisht, sepse kemi të bëjmë me një botë dhe me një qytetërim të perënduar në një përmbytje katastrofike. Për këtë arsye vazhdimësia e kombeve të sotme ballkanike s` është dhe nuk mund të jetë një gjë që kuptohet vetvetiu. Ajo do kuptuar vetëm "si problem, e jo si fakt i fortë", kështu që do zhvilluar pareshtur (Katiçiç).

Jeta e përbashkët me shekuj e popujve tanë në Gadishullin Ball­kanik, gërshetimi i kulturave të tyre, ndërthurja e gjuhëve, përthyerja e kul­turave të popullsive antike në kulturën autentike të popujve tanë, krijuan, të thuash, një veçori të përbashkët në kulturën e tyre, bashkëfërkime, barazime dhe zhvillime paralele në gjuhët e tyre, në mënyrë që të mund të flitet për një tip ballkanik të kulturës, për një lidhje gjuhësore ballkanike.

Është krejtësisht i pranueshëm mendimi sipas të cilit njësia e zënë ngojë gjuhësore ka mundur të krijohet vetëm në një hapësirë të ngushtë, gjë që i shënoi rrugën për të krijuar kategori të reja gjuhësore në disa prej gju­hëve ballkanike: rumunishten, shqipen, bullgarishten, maqedonishten, gre­qishten, e në disa dialekte serbe. Ajo që karakterizon njësinë gjuhësore ball­kanike është i ashtuquajturi analitizëm. Ky analitizëm gjuhësor, siç thamë, ka mundur të krijohet në një hapësirë të kufizuar, pikërisht për shkak të përzierjeve të gjera e të shumanshme. Nga shumëkush është thënë se anali­tizmi është pasqyrë dhe dëshmi e një të menduari të primitivit, porse është e vërtetë, gjithashtu, se prirja nga analitizmi është veçori e gjuhëve indo-evro­piane, me ç`gjë hidhet poshtë pohimi mbi primitivizmin e folësve të atyre gjuhëve.

"Mendohet, kryesisht, se njerëzit që kanë mësuar gjuhë të fqinjëve të tyre sipërfaqësisht, aq sa kanë pasur nevojë për të zgjidhur çështje praktike, elementare, kanë folur në mënyrë analitike, sepse dualizmi është veçori e çdo polilinguizmi të papërsosur. Njeriu që gjuhën e huaj nuk e njeh mirë e e flet atë me guxim, të folurit e tij e rrudh në një mënyrë të vogël kategorish, duke mos mbajtur parasysh finesat dhe "ngarkesat" e kësaj gjuhe të huaj. Gjuhëtari i njohur serb Iviç këtë fenomen e përkufizoi kështu: "Kontaktet e afërta shpesh kanë për pasojë thjeshtësimin e sistemit; nëse kryqëzohen një sistem më i ndërligjshëm me një tjetër të thjeshtë - rezultati anon nga tipi më i thjeshtë... edhe në rastet kur përzihen dy sisteme të ndërligjshme, të ndryshme, janë gjasat që përfundimi të jetë më i thjeshtë se ç`janë këto dy sisteme".

Dr. Irena Grickat lidhur me këtë thotë: "...Me këtë nuk do harruar se folësit të cilët i kanë afruar në këtë mënyrë sistemet e tyre, në rastin tonë kanë qenë në radhë të parë blegtorë të lashtë dhe bujq, pastaj tregtarë mesjetarë, zanatçinj, bredhës etj., e të tillët nuk çajnë kokën për normat e tyre (të gjuhëve), siç brengoset njeriu i arsimuar".

Për t`u kuptuar mirë e drejt situata e gjuhëve ballkanike, duhet mbajtur parasysh fakti se Ballkani ishte zonë shumëfishe e përzier: e folmja romake u shndërrua në latinishte popullore në saje të përhapjes së saj, duke integruar në vetvete shumë grupe gjuhësh të popujve të pushtuar e të nënshtruar.

Në lidhje me krijimin e formave analitike të së kryerës në gjuhën shqipe dhe në gjuhët e tjera ballkanike mbizotëron mendimi që ato janë përftuar në ndikimin e latinitetit ballkanik, por ka edhe një mendim tjetër, që në këtë rast kemi të bëjmë me një dukuri ballkanike, pikërisht, një lagje dijetarësh si këtë veçori edhe zhvillime të tjera analitike i shohin të ardhura nga periudha të lashta pararomane, pra janë zhvillime gjuhësore paraball­kanike - tipare të trashëguara (Miklosich, Weigand, Budimir, Pisani). Çabej shton se në rastin tonë nuk është fjala për një ndikim mbi sistemin e formave, por, më parë, për një kalkim gramatikor, imitim i një forme të huaj shprehjeje me lëndën e gjuhës (factum habeo, casus sum, casum habeo) shq. "kam punuar, kam bërë, kam qenë", maqed. përveç konstruktit të hershëm sum dosol - zhvilloi forma të tjera të reja imam dojdeno, sum dojden, rum. am vinita "kam ardhur", am vidzuta "kam parë".

Trajta foljore analitike janë krijuar në gjuhët gjermanike dhe në gju­hët sllave. Këto të dhëna dëshmojnë për një prirje të përgjithshme të gjuhëve indoevropiane për të krijuar forma foljore analitike që të shprehin më qartë kuptimin e perfektit.

Shqipja dhe rumanishtja, kur është fjala për kohën e kryer, edhe foljet jokalimtare i ndërtojnë me anë të foljes ndihmëse kam, kam qenë, kam ardhur, kam dalë, kurse gjuhët romane me -jam: sono venuto, sono stato, je suis venu, por j` ai ete; gjerm. ich bin gewesen, ich bin gekommen.

Për tipar karakteristik të ballkanizmave hiqen edhe format e për­ftuara të admirativit në gjuhën shqipe, maqedonishten, bullgarishten. Format e shkurtra të participit dhe trajtat e së tashmes ndihmëse (kam): pasë + kam = paskam, imperfekti: pasë + kësha = paskësha; paskam pasur, paskësha pasur.

Tipare të përbashkëta janë konstatuar edhe në sistemin e numërimit prej 11-19 mbi gjuhë ballkanike (gjuhët sllave, letonishtja e grupit baltik, shqipja dhe rumanishtja). Në këtë sistem numërimi të shqipes (11-19) Çabej i mbahet mendimit të Joklit sipas të cilit kemi të bëjmë me një izoglosë të vetme të gjuhëve: shqipe, baltike - sllave e jo një imitim nga gjuhët sllave, sikundër mendon Puscariu (Limba romana I, 285 Die Rumanische Sprache, 358).

Kurrfarë ndikimi nga gjuhët sllave nuk mund të ketë, sidomos në mënyrën e formimit të numërorëve me njëzetëshe (20, 40, 60, 80). Këtu në shqipen Jokli sheh një relikt paraindoevropian, sepse sistemi vigesimal i numërimit, në kundërshtim me sistemin dekadik, që është karak­teristik për botën indoevropiane, është tipari i një substrati paraindoevropian në gjuhën shqipe (njëzet, dyzet, dikur trezet e katërzet). Këto tipare e shumë të tjera, që dalin të përbashkëta për shumicën e gjuhëve ballkanike, studiohen këtu e më se një shekull më parë nga studiues linguistë.

Për sa i përket gjendjes së sistemit të nyjës së gjuhëve të pajisura me të, një gjë dihet me siguri se nyjat e të gjitha gjuhëve janë përftuar prej dëftorëve të gjuhëve përkatëse në pozicionin e tyre të rrëgjuar a të tkurrur, d.m.th. me kalimin e trajtave të dëftorëve ndër kategori të tjera gramatikore, ato do të pësojnë ndryshime të mëdha fonetike.

Para se të rrokim në një vështrim më të imët paraqitjen e nyjës së parme ndër kategori të shumënduarshme gramatikore të gjuhës shqipe, e quajmë të dobishme të përsërisim njëherë shfaqjen relativisht të re të proklizës dhe gjenezën sintaksore të saj nga pozicioni enklitik.

Çështjen e nyjës e kishte hetuar në studimet e veta dijetari i njohur, albanisti i shquar, indoevropianisti i dalluar Holger Pederseni, njëherë në studimin e botuar në bleun Festskrift til Vilhelm Thomsen (1894), pastaj në traktatin Die Gutturale im Albansischen, KZ 36 (277-341), ku, duke rrokur problemin e prejardhjes së sistemit të nyjës së gjuhës shqipe, e duke shikuar faktet lidhur me këtë sistem në tërësinë e tyre, i njeh parësinë paravendosjes, pse nga pus i thellë nxjerr lidhjen tjetër mbiemërore pusi i thellë, prej këndej edhe burimin e prapavendosjes prej nyjës së përparme (Buletin 1959/3,228). Tezën e përparësisë së nyjës së përparme mbron edhe S. Riza, Buletin 1958/4, duke i dalë zot gjykimit që shqipja e vjetër njihte vetëm sintaksën e nyjës së përparme, që e dëshmojnë, sipas mendimit të tij, reliktet e përdorimit të emrave farefisnorë, të pajisur me nyjën e përparme: e ëma, i biri, i ati, i ungji, e bija, i nipi, e mbesa etj. Në vazhdim të kësaj paraqitjeje S. Riza përfundon me pohimin se nyja e përparme e shqipes si dhe mbarë prokliza e pronorëve me përmbysjen e saj, me kohë u shpërngul prapa emrave dhe u vendos sintaksa prapanyjore. Skema e reliktit të mi vëllazën tregon qartë sintaksën e dikurshme të proklizës ku të do kuptuar si nyjë e emrit vëllazën, e mi pronor primar i panyjshëm, që pastaj, e përmbysur na del lidhja vëllazën të mi.

Në anën tjetër, faktet gjuhësore të gjuhës shqipe, po edhe të ruma­nishtes, peshuar njëherë e mirë, shkojnë në të mirë të parësisë a të moshës më të madhe të enklizës.

Dihet se nyja e prapme është e qëndrueshme, e ngulët, qoftë për nga forma, qoftë për nga ana e kuptimit. Funksioni i saj mbetet ai që të dallojë diçka që s`njihet nga ajo gjë që na është e njohur. Në anë tjetër, nyja e për­parme na del e lëkundshme dhe me një hapje të konsiderueshme funk­sionesh me tendenca të forta kalimi prej një kategorie në një tjetër, pra ajo paraqitet e lëvizshme, e paqëndrueshme përkundër nyjës së prapme.

Prapavendosja e nyjës na del me vjetërsi të madhe, përkundër para­vendosjes së saj që na del më vonë dhe zë vend në periodën letrare. Këtu duhet të kemi parasysh faktin se nyja e përparme ka lidhje të ngushtë me fjalën që i prin dhe ajo (nyja) shfaqet kur fjala është e pajisur me nyjë të prapme, përkundrazi ajo mungon kur fjala na paraqitet pa nyjë: lulja e malit, ndërsa lule mali, mishi i viçit, por mish viçi, gjë që na shtie të pranojmë se pozicioni i nyjës së përparme varet nga enkliza. Këtë raport e përforcon edhe pajtimi i nyjës së përparme jo me fjalën që e ndjek, por me fjalën që i prin; Kongruenca e nyjës së përparme me fjalën përkatëse bëhet në gjini e në numër: Kopshti i luleve, maja e malit (te Çabej, 1963).

Në disertacionin e tij të doktoratës, e sidomos në një vepër të veçantë (Prapavendosja e nyjës në gjuhët ballkanike, 1984) të B. Bokshit, zhvilli­mi i nyjës dhe këmbimi i saj nuk vështrohen si çështje më vete. Zhvillimi i saj ndiqet në kuadër të përcaktimit të sistemit rasor, si element i rëndë­sishëm në një fazë qendrore të këtij sistemi. Në këtë punim të disertacionit B. Bokshi thotë që emri e kishte nyjën shquese në pozicion proklitik, qysh e kishte konstatuar S. Riza (të vëllazën = të mi vëllazën, në të cilin togfjalësh segmenti të lidhet me elementin e fundit me emrin vëllazën; një lagje tjetër e linguistëve elementin nistor të e lidh me pjesën përemërore mi, pra të mi).

Ndikimi që latinishtja ka ushtruar mbi gjuhën shqipe për afro tetë shekuj, ka rëndësi të shumëfishtë për historinë kulturore e gjuhësore të shqiptarëve. Që nga shekulli II para erës së re e deri në qindvjetëshin VI të kësaj ere nëpërmjet organizmash të ndryshëm rëndoi pareshtur pesha e sundimit romak e në rrymë të kësaj kohe, me rrugë të caktuar, edhe në lëmin e gjuhës shqipe.

Megjithëse shqipja nuk është gjuhë romane, numri i latinizmave të saj në fushën e termave kishtarë është shumë më i madh se ç`duket ai në rumanishten, ku në sferën kishtare mbizotërojnë terma kishtarë sllavë, e në shqipen në atë fushë nuk del asnjë shprehje me burimin sllav. Nga kjo rezulton se dyndja sllave në këto vise gjeti një kishë shqiptare të organizuar që s`kishte më nevojë për terma plotësues e të rinj kishtarë (E. Çabej, Buletin, 1963/3). [Në fondin e leksikut të shqipes ka huazime latine që nuk ruhen në gjuhë të tjera romane, siç është fjala e diel, për emrin e së cilës, s` është gjë tjetër veç përkthim fjale i shprehjes latine dies solis nga periudha pagane; e në gjuhët romane përdoret një emër shumë më i vonë, që është shfaqur në shekullin IV të erës sonë, dominica, fr. dimanche, it. domenica, rum. domineca]. Vjetërsia e latinizmave të shqipes ka peshë të madhe dhe është një indic vendimtar në përcaktimin kohor e hapësinor të tyre, e për mendimin tonë, është vështirë të hidhet poshtë mendimi që ato zunë të hyjnë në këtë gjuhë që para erës sonë në bashkëtakimet e para të romakëve me popullsinë e fiseve ilire, sidomos përgjatë viseve bregdetare.

Në pjesën e hyrjes, u prekën disa elemente të formimit të gjuhëve të popujve të Ballkanit, mënyra e formimit të tyre, trysnitë që eventualisht kanë ndikuar në ndryshimin a ndërrimin e sistemit gjuhësor, në krijimin e kategorive të reja gjuhësore në disa prej gjuhëve të Ballkanit: kalimi nga sintetizmi në analitizëm gjuhësor ballkanik. Po edhe në kohët antike në një territor relativisht të ngushtë të Gadishullit Ballkanik qytetërimi i lashtë i tij s`ishte e mundshme të tretej krejtësisht, veçse, duke u gërshetuar me kul­turën materiale dhe shpirtërore të ardhësve të rinj indoevropianë u bë pronë e këtyre. Qytetërimi grek a helen (kultura greke) - po e përsërisim, nuk nis me të ngulur të indoevropianëve grekë - ajo kulturë edhe se në thelb thjesht greke, në strukturën e saj ka një komponent të dukshëm egjean.

Para asnjë shkence nacionale, asnjë gjuhësie historike, asnjë disi­pline gjuhësore nacionale nuk shtrohen detyra më të ngutshme kombëtare për t`u zgjidhur se ç`i dalin gjuhësisë shqiptare. Vetëm gjuhësia historike krahasuese ka mjete, pothuajse, të sigurta gjuhësore në sqarim të çështjeve nacionale, sikur janë: prejardhja e popullit shqiptar dhe e gjuhës së tij, iden­tifikimi i vendit të formimit të gjuhës shqipe - vetëm albanistika - gjuhësia historike shqiptare - si e brendshmja edhe e jashtmja, mund ta zgjidhë lëm­shin e koklavitur se cila hipotezë - ajo ilire apo trakase e gjuhës shqipe ka më shumë prova e dëshmi të pranueshme.

Si kalimthi po u biem disa faktorëve që tërthorazi ndihmojnë për sqarimin e çështjes kardinale të prejardhjes së shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre: 1. mbishtresimi grek dhe ai latin i thesarit leksikor të gjuhës shqipe mund të ndodhte vetëm në territorin e Ballkanit të vjetër; 2. Gjuha shqipe flitet vetëm në terrenin e mirëfilltë ilir; 3. Nuk ka kurrfarë lajmesh për imi­grimin e shqiptarëve në mesjetën e hershme në atdheun historik të tyre. Në një gjendje të tillë të dijes del përfundimi, pothuajse vetvetiu se shqipja paraqet një formë moderne të ilirishtes. Mbrojtësve të hipotezës trake të gjuhës shqipe u mbetet vetëm një "argument". Emrat gjeografikë antikë të Shqipërisë në formën e tyre moderne gjoja nuk përkuakan me ligjet fonetike të shqipes dhe ata u shpjeguakan vetëm me ndërmjetësimin e gjuhëve të tjera, me të rumanishtes dhe të sllavishtes jugore, "kurse trajtat e sotme sllave të jugut të emrave antikë në territorin qendror të Ballkanit, dëshmojnë për ndërmjetësimin e ligjeve fonetike të shqipes" (R. Katiçiç). Në lidhje me emrat antikë të Shqipërisë duan shtuar edhe nja dy fjalë: nuk qëndron mendimi se ata nga pikëpamja e ligjeve fonetike përputhen me të ruma­nishtes dhe të gjuhëve sllave jugore; gjuhësia, jo vetëm shqiptare, ka vërte­tuar se emrat topikë të atjeshëm nga ana e ligjeve fonetike, pajtojnë më së miri, porse me të gjuhës shqipe.

"Hipoteza trake është vetëm një konstruksion interesant - dhe supozimi që shqipja të ketë prejardhje ilire mbetet për shkak të rrethanave të përshkruara në fillim alternativa më e mundshmja, që, në anë tjetër, nuk është vërtetuar me siguri". (R. Katiçiç, Provincat ballkanike, Gjurmime al­banologjike, 14/1984, fq. 40-42, së pari - Die Balkanprovintien, in Die Spra­chen in Romischen Reich der kaiserzeit, Koln und Bonn, 1980, 115-116).

Që prejardhja e shqiptarëve dhe e gjuhës së tyre të mos ketë "alter­nativë" duhet të ekzistonte një gjysmë faqe teksti në ilirishte, në mënyrë që mbi bazën e një krahasimi me të shqipes së sotme apo të gjuhës së Buzukut, të vërtetohet rrjedhja e gjuhës së sotme shqipe nga gjuha ilire e dikurshme dhe që shqipja të paraqiste një formë moderne të ilirishtes, sikur nga latini­shtja klasike apo nga latiniteti vulgar rrjedhohet frëngjishtja e vjetër apo italisht ja e mesjetës së hershme.

Në rastin e dytë njihen që të dyja madhësitë për mrekulli, si latiniteti vulgar edhe frëngjishtja e vjetër, po ashtu edhe italishtja e mesjetës së hershme; madhësitë e rasës së parë nuk i njohim njësoj, dimë shumë vetëm për njërën nga këto - shqipen, kurse ilirishten e njohim fare pak a aspak "sido­mos jemi krejt në errësirë në punë të strukturës së saj gramatikore dhe mezi po arrijmë ta rindërtojmë deri diku atë gjuhë me anën e thërrimeve që mund të thuhet se na kanë mbetur prej saj", thotë E. Çabej tek "Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëve", në studimin e tij "Ilirishtja dhe shqipja".

Mundësitë e sqarimit të problemit të prejardhjes së shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre mund të shtoheshin po të shtohej me ndonjë zbulim materiali i krahasimit.

Ligjëratë e Idriz Ajetit e mbajtur në Seminarin XX Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare.