Edhe Tuzi bëhet me përmendore të Skënderbeut
Edhe Tuzi bëhet me përmendore të Skënderbeut
09.08.2019 | 05:31
Kuvendi i Komunës së Tuzit, me votat e këshilltarëve të pranishëm, miratoi vendimin për ngritjen e monumentit përkujtimor, kushtuar Gjergj Kastriotit Skenderbeut, në oborrin e shkollës fillore në Triesh, donacion i bashkëvendësve nga “Fondacioni Trieshi” në SHBA.

Kryetari i Tuzit, Nikë Gjeloshaj, ka thënë se kanë kaluar të gjitha procedurat ligjore dhe se vendimi i sotëm ka qenë hapi përfundimtar drejt realizimit të asaj që përbën respekt për të kaluarën.

Ky bust do të vendoset në platonë e shkollës fillore me po të njëjtin emër, “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” në Triesh.


“I kemi kaluar të gjitha procedurat ligjore, e kemi miratuar propozim-vendimin dhe kemi marrë mendim pozitiv nga Ministria e Kulturës dhe tani do të nxjerrim një vendim në Shkollën Fillore që ata të mund të ngrenë një monument dhe ai ndoshta do të përfundojë deri në fund të muajit”, tha Gjeloshaj për televizionin publik të Malit të Zi.

Monumenti do të jetë nga bronzi, në formë të bustit, i cili, bashkë me bazamentin, do të jetë i gjatë 2.6 metra. Sipas Gjeloshajt, fjala është për një hero të madh dhe një udhëheqës ushtarak, busti i të cilit, sipas tij, është dashur të ekzistojë edhe më parë, përcjell koha.net.

“Mendoj se është dashur të jetë edhe deri më tani, pasi shkolla mban atë emër. Kjo iniciativë është nisur edhe vitin e kaluar sepse e kemi pasur jubileun që kremtohet kudo ku jetojnë shqiptarët, kështu vetëm konfirmojmë që respektojmë të kaluarën tonë, por edhe që ndërtojmë të ardhmen në themelet që janë vendosur”, tha ai.

Ngritja e një përmendoreje të Skenderbeut është paralajmëruar edhe në Ulqin.