Kelmendi: Nuk pajtohem me qëndrimet e Albin Kurtit për ekonominë e tregut
Kelmendi: Nuk pajtohem me qëndrimet e Albin Kurtit për ekonominë e tregut
09.08.2019 | 05:25
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi, ka folur rreth deklaratave të Glauk Konjufcës i cili tha se kryeministër patjetër duhet të jetë Kurti, edhe nëse bëhet koalicioni LDK-VV. E me politikat e Kurtit, nuk pajtohet Kelmendi.

Kelmendi ka thënë në emisionin “DPT Te Fidani”, në televizionin T7, se nuk pajtohet me qëndrimet joparimore të Albin Kurtit për ekonominë e tregut.

“Unë nuk kam asgjë kundër Albinit, unë jam kundër qëndrimeve jo parimore të Albini Kurtit për ekonominë e tregut”, ka thënë Kelmendi.

Ai gjithashtu ka edhe një sugjerim për Konjufcën rreth deklaratës së tij se Albini duhet të jetë kryeministër me koalicionin LDK-VV.

“I kisha sugjeruar Glauk Konjufcën meqenëse ka interes për koalicion me LDK’në, le të lejojë kryesinë e LDK’së të vendosin për pozitat kyçe për fitoren në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Kelmendi.

Por, ai ka paralajmëruar partinë e tij se një koalicion me VV’në do të mund t’i bënte dëm LDK’së dhe një qeverie që do të mund ta formonin këto dy parti.

“VV’ja ka qëndrime më socialiste, më komuniste, nuk janë të akceptueshme nga bota perëndimore”, është shprehur ai në T7.