Mikrofinancat rritën fitimin për 31%
Mikrofinancat rritën fitimin për 31%
08.08.2019 | 06:47
Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës gjatë vitit 2018 sektori mikrofinanciar realizoi profit në vlerë prej 9.7 milionë eurosh, që përbën një rritje vjetore prej 31 për qind e krahasuar me profitin e realizuar në vitin 2017, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Sektori i mikrofinancave në vend vazhdon të rrisë fitimin nga dita në ditë falë normave të larta të interesit që këto aplikojnë për kredi.

Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës gjatë vitit 2018 sektori mikrofinanciar realizoi profit në vlerë prej 9.7 milionë eurosh, që përbën një rritje vjetore prej 31 për qind krahasuar me profitin e realizuar në vitin 2017.

Në raportin e BQK-së thuhet se rritja më e lartë e të hyrave, kryesisht të hyrave nga interesi, ishte kontribuuesi kryesor në rritjen e profitit për 2.3 milionë euro.

“Në anën tjetër, përshpejtimi i rritjes së shpenzimeve të sektorit, kryesisht shpenzimet administrative dhe të personelit që mund të jetë ndikuar nga rritja e numrit të të punësuarve në këtë sektor, ndikoi që rritja e fitimit të sektorit të jetë më e ulët për dallim nga viti paraprak (rritje prej 85, 9 për qind). Si rrjedhojë e rezultatit financiar pozitiv gjatë vitit 2018 treguesit e profitabilitetit shënuan rritje. Niveli i kredive joperformuese në raport me gjithsej kreditë në vitin 2018 u zvogëlua për 0,6 përqindje, duke zbritur në 2,2 për qind, nivel ky më i ulëti në vitet e fundit. Për më tepër, niveli i mbulueshmërisë së kredive joperformuese me provizione vazhdoi të jetë i lartë, në nivel prej 226,0 për qind”, thuhet në raportin vjetor të BQK-së të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”.


Norma mesatare e interesit 21,7%

Më tutje në raportin e BQK-së thuhet se norma mesatare e interesit në kreditë e sektorit mikrofinanciar në dhjetor të 2018-s shënoi rënie në 21,7 për qind nga 22,6 për qind sa ishte në dhjetor të 2017-s.

Norma e interesit për kreditë ndaj ekonomive familjare regjistroi rënie prej 1,7 pikë përqindje, ndërsa norma e interesit në kreditë ndaj ndërmarrjeve regjistroi rënie prej 0,6 pikë përqindje.

“Në kuadër të kredive ndaj ndërmarrjeve, për të gjithë sektorët kishte rënie të normës mesatare të interesit. Sektori i shërbimeve rezultoi të ketë normën më të ulët të interesit në kredi, për më tepër shënoi edhe rënien më të madhe prej 4,5 pikë përqindje. Ndërsa kreditë për sektorin e industrisë vazhdojnë të kenë normën më të lartë të interesit në kredi edhe pse shënoi rënie prej 2,2 pikë përqindje për dallim nga viti i kaluar”, thuhet në raport.

Kreditë arrijnë në 250 milionë euro

Gjatë vitit 2018 pasuritë e sektorit mikrofinanciar arritën në 250.0 milionë euro dhe shënuan rritje vjetore prej 30,0 për qind.

Sipas raportit të BQK-së rritja e pasurisë së sektorit mikrofinanciar në vitin 2018 kryesisht i atribuohet rritjes së kredive bruto, aktivitet që kryesisht financohet nga huamarrjet në sektorin e jashtëm.

“Struktura e aseteve të sektorit mikrofinanciar vazhdon të dominohet nga kreditë bruto, duke u pasuar nga lizingjet (15,2 për qind). Kreditë - aktiviteti kreditor i sektorit mikrofinanciar gjatë vitit 2018 shënoi rritje vjetore prej 27,7 për qind, ku vlera e kredive arriti në 183.8 milionë. Dinamikat në zhvillimet e aktivitetit kreditor të sektorit pasqyruan kryesisht ecuritë pozitive të kreditimit ndaj ekonomive familjare, si kategori me pjesëmarrje prej 66,0 për qind të gjithsej kreditimit të sektorit. Kreditë ndaj ekonomive familjare shënuan rritje vjetore prej 31,7 për qind duke arritur vlerën prej 121.4 milionë euro. Ndërsa kreditë ndaj ndërmarrjeve, me një pjesëmarrje prej 34,0 për qind në gjithsej kreditë e sektorit, u rritën për 20,6 për qind duke arritur vlerën prej 62.4 milionë eurosh”, thuhet në raport.