Taksa 100 për qind, 206 milionë euro më pak import nga Serbia
Taksa 100 për qind, 206 milionë euro më pak import nga Serbia
08.08.2019 | 06:50
Vendosja e taksës 100 për qind ndaj prodhimeve serbe dhe atyre boshnjake, ka ndikuar dukshëm në rritjen e të hyrave të shtetit.

Krahasuar 6 mujorin e parë të këtij viti me vitin e kaluar, janë rreth 30 milionë euro më shumë të hyra në Doganën e Kosovës.

Drejtori i Doganës, Bahri Berisha në një intervistë për EkonomiaOnline, thotë se në performancën e mirë kanë ndikuar edhe politikat fiskale që janë në fuqi të cilat lirojnë të gjithë prodhuesit nga çdo lëndë e parë që përdoret, si dhe MSA-ja.

“Të hyrat e Doganës kanë vazhduar me një performancë jashtëzakonisht të mirë. Të hyrat deri më sot, kemi diku 643 milionë euro të cilat janë grumbulluar nga Dogana për këtë periudhë. Krahasuar me vitin e kaluar kemi diku një rritje prej 30 milionë euro që është një performancë jashtëzakonisht e mirë, marrë parasysh se të hyrat e Doganës kanë ndikim edhe nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit e cila për këtë periudhë kur po flasim kemi diku rreth 30 milionë euro taksa që ka pasur efekt”, thotë ai.

Ndërsa sipas tij, në këtë gjashtëmujor janë rreth 206 milionë euro import më pak nga Serbia, ndërsa 32 milionë euro nga Bosna e Hercegovina, kjo për shkak të taksës 100 për qind.


Ai thotë se produktet nga këto dy vende u zëvendësuan me produkte nga Shqipëria, Maqedonia, por edhe disa vende tjera të rajonit.

“Nëse e marrim shembull si vlerë të këtij gjashtë mujori të 2019-tes ne i kemi diku rreth 206 milionë import më pak nga Serbia. Janë diku 32 milionë më pak nga Bosnja. Nëse e grumbullojmë këtë 240 milionë të importit që e kemi më pak nga këto dy vende, kjo është zëvendësuar me produkte nga vende tjera. në këtë rast natyrshëm kanë përfituar disa shtete që janë më afër dhe kanë pasur mundësi t’i zëvendësojnë ato produkte, është Maqedonia dhe Shqipëria”, thotë ai.

I pyetur nëse taksa e vendosur ndaj produkteve serbe dhe boshnjake ndikoi në rritjen e kontrabandës, i pari i Doganës thotë se ka pasur një tendencë të tillë, por që kanë arritur të vendosin rregull.

“Kontrabanda ekziston në çdo vend të botës, është një sfidë e çdo administrate doganore për të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit. Edhe tek ne këtë sfidë e kemi pasur që nga krijimi i institucioneve tona. Çdo herë kur ka ndryshim të politikave fiskale, kur rriten taksa apo akciza, grupet kriminale janë të interesuara që të kontrabandojnë produkte të cilat mund të sjellin potencialisht fitim më të madh për ta. Rasti konkret, ka pasur tentime të tilla. Mirëpo falë një riorganizimi dhe një bashkëveprimi të aktiviteteve të institucioneve të zbatimit të ligjit, doganës, policisë, tatimeve dhe inspektoratit, kemi arritur që ta mbajmë nën kontroll që të mos lejojmë që mallrat të mos futen përmes rrugëve malore”, thotë ai.

Edhe sa i përket kontrabandës në veri, Berisha thotë se nuk kanë vërejtur rritje, përveç tendencës për një kontrabandë lokale, e cila shfrytëzohen përmes rrugëve malore.

“Nga informacionet e Doganës ne nuk kemi vërejtur se ka pasur rritje të kontrabandës në veri. Është një kontrabandë lokale e cila shfrytëzohet me automjete të vogla përmes rrugëve malore, rrugë të qarkullueshme për automjete të vogla të cilat kryesisht ka pasur furnizime për dyqane të vogla për disa pjesë veriore. Kur flasim për kontrabandën, prioritet i grupeve kriminale janë ato ku është profiti më i lartë, ato produkte që kanë fitim më të lartë siç janë cigaret, barnat, produktet ushqimore me akcizë, pijet alkoolike, kafja. Në disa raste hasim edhe në gjëra ushqimore për shkak të kufizimit që është me masa mbrojtëse”, tha ai.

Qeveria e Kosovës, në nëntor të vitit të kaluar mori vendim që produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja për në Kosovë t’i vihet taksë prej 100 për qind.

Kjo si kundërpërgjigje ndaj agresivitetit të Qeverisë së Serbisë karshi Kosovës.