Aleksandër Xhuvani
Aleksandër Xhuvani
17.12.2016 | 10:45
Biografia

Aleksandër Xhuvani ka lindur në vitin 1880 dhe studimet e larta filologjike i kreu në Universitetin e Athinës. Dha mësim në shkollën e parë të mesme kombëtare, në Normalen e Elbasanit (dhjetor 1909). Historia dhe përparimi i kësaj shkolle dhe ndihmesa e rëndësishme që i dha ajo ngritjes dhe zhvillimit të arsimit tonë janë të lidhura ngushtë me veprimtarinë që shtjelloi ai për periudha të gjata kohe si mësues dhe si drejtor i saj.

Deri në Kongresin e Lushnjes, më 1920, Normalja e Elbasanit u mbyll dhe u hap 5 herë, si pasojë e represionit të pushtuesve xhonturq. Krahas Xhuvanit, drejtorë të tjerë të kësaj shkolle kanë qenë Luigj Gurakuqi e Sali Ceka, ndërsa pedagogët e parë ishin Sotir Peci, Kostaq Cipo, Simon Shuteriqi, Kahreman Ylli, Qamil Guranjaku, etj. Por veçanërisht Xhuvani kreu një punë të madhe e shumë të vlefshme për krijimin e pasurimin e letërsisë mësimore, pajisi shkollën me një sërë tekstesh, të gjuhës, të letërsisë, të shkrimeve pedagogjike etj. Ai luftoi për një shkollë kombëtare e laike, për përmirësimin e vijueshëm dhe ngritjen e mëtejshme të saj. Pas çlirimit, Aleksandri dha një ndihmesë të rëndësishme për zhvillimin e arsimit (1946-1951), për organizimin e drejtimin e jetës shkencore si drejtues i seksionit të Gjuhës e të Letërsisë të Institutit të Studimeve të quajtur më vonë Instituti i Shkencave (janar 1947- shtator 1953) si dhe anëtar i presidiumit të tij (1947-1957).

Veprimtaria

Krahas arsimit, fushë themelore e veprimtarisë së tij, qe gjuhësia. Shtjelloi një veprimtari sistematike, të shumanshme, të gjerë e të frytshme si lëvrues e studiues i gjuhës shqipe. Puna e tij shkencore u karakterizua nga një vështrim i qartë e objektiv i çështjeve, nga një njohje e gjerë e gjuhës shqipe, e strukturës gramatikore dhe leksikore të saj, nga lufta këmbëngulëse për një gjuhë shqipe sa më të pastër, të pasur e të paqortueshme, për të ngritur gjithnjë e më lart përpunimin e gjuhës letrare. Në vitin 1905 Xhuvani shkruante në një artikull të revistës “ALBANIA” të KONICËS se gjuha e vetme letrare duhet t’i ketë bazat në dialektin e toskërishtes. Atëherë ishte koha kur gjuha shqipe ishte në rrezik, dhe grekët e serbët nxitonin që të hapnin shkolla të huaja në tokat shqiptare. Qëllimi i kësaj ideje të Xhuvanit sipas tij ishte “shpëtimi i kombit”, pra të njehsohej gjuha letrare. Ndoshta arsyeja që ka ndikuar që Xhuvani të mbështetej te toskërishtja, sipas një studiuesi është se jugu i Shqipërisë ishte disi më i zhvilluar dhe njerëzit më të etur për të lexuar, ndryshe nga veriu. Edhe më pas, Xhuvani luftoi e punoi për njësimin e gjuhës letrare të folur e të shkruar, për një gjuhë letrare të përbashkët për gjithë popullin shqiptar. Drejtoi hartimin e udhëzuesve të njëpasnjëshëm drejtshkrimorë (1949, 1951, 1954, 1956) që zgjeruan gjithnjë e më shumë rrethin e çështjeve që çelën rrugën për njësimin e plotë të drejtshkrimeve të gjuhës shqipe më vonë.

Aleksandër Xhuvani gjatë gjithë jetës bëri luftë këmbëngulëse për pastërtinë e gjuhës shqipe, për pasurimin e saj në bazë të veçorive e të ligjeve që e karakterizojnë. Ky ka qenë filli që ka përshkruar gjithë veprimtarinë e tij prej lëvruesi të gjuhës shqipe. Më 1956 botoi posaçërisht librin “Për pastërtinë e gjuhës shqipe”. Vetë ai kreu një punë me vlerë për pasurimin e gjuhës sonë letrare, sidomos për përpunimin e terminologjisë të mjaft degëve të dijes sidomos të gramatikës, të letërsisë dhe të shkencave pedagogjike. Ndihmoi shumë në veprimtarinë, që nisi të shtjellohet në vendin tonë pas çlirimit në fushën e terminologjisë, drejtoi punët e para që u bënë për terminologjinë shkollore. Shtjelloi dhe një veprimtari kërkimore të gjerë e të frytshme në fusha të ndryshme të gjuhës shqipe. Qe ndër studiuesit e parë të fjalëformimit, të morfologjisë e të sintaksës. Hartoi punime e studime për kategori e çështje të ndryshme të gramatikës. Mund të përmenden punimet për pjesoren e paskajoren, monografia “parafjalët”. Hartoi, në bashkëpunim me Eqrem Çabejin dy trajtesat “Parashtesat” (1956) dhe “Prapashtesat e gjuhës shqipe (1962), të cilët karakterizohen nga vështrimi i gjerë, sinkronik e diakronik, nga pasuria e madhe e të dhënave, e vëzhgimeve dhe e mendimeve që pasqyrojnë njohuritë e thella të Xhuvanit për leksikun e gjuhës shqipe e sidomos leksikun popullorë. Qe njohësi më i mirë i visarit leksikor të gjuhës shqipe. Mblodhi me durim e pasion nga gjuha e popullit shumë fjalë e shprehje, të cilat u përpunuan pas vdekjes së tij në formë të një fjalori. Bëri një botim të dytë të sistemuar shkencërisht të “Fjalorit të gjuhës shqipe” të K. Kristoforidhit (1961) dhe i dha këtij fjalori një jetë të re. Xhuvani dha një ndihmesë të vlefshme edhe për “Fjalorin e gjuhës shqipe” (1954). Një ndihmesë të mirë i ka dhënë leksikologjisë shqipe dhe teorisë e praktikës së leksikografisë sonë me shkrime e punime të ndryshme me artikuj e recensione, ndër të cilat mund të përmenden “Kritikë mbi fjalorë të shqipes” (1934) “Çështja e fjalorit të gjuhës shqipe” (1957). Në një sërë shkrimesh dha mendime me vlerë për çështje të gramatikës historike e të leksikologjisë historike të shqipes. Një ndihmesë të vyer u solli ai studimeve për letërsinë tonë, e sidomos për letërsinë e vjetër dhe arbëreshe me tekstet, antologjitë, artikujt e recensionet që botoi. Aleksandër Xhuvani punoi tërë jetën me dashuri e këmbëngulje për mëkëmbjen e përparimin e arsimit kombëtar, për lëvrimin e gjuhës shqipe, për kulturën shqiptare. Ai vazhdoi të mbetet një figurë e rëndësishme edhe më pas duke u zgjedhur anëtar i Asamblesë Kushtetuese (dhjetor 1945), më tej deputet i Kuvendit Popullor në një sërë legjislaturash, dhe deri në fund të jetës ai ishte nënkryetar i presidiumit të Kuvendit Popullor. Ai u nda nga jeta në vitin 1961 dhe 19 vite më pas, pra më 1980, u botua vëllimi i parë i “Veprave” të Aleksandër Xhuvanit me 6 vëllime, nën kujdesin e Akademisë së Shkencave. Ky libër është një nga literaturat më të vlefshme për këdo që merret me studimin e gjuhës shqipe.

Veprat

· “Për pastërtinë e gjuhës shqipe” - (1956);
· “Parashtesat” – (1956), (në bashkëpunim me Eqrem Çabej);
· “Prapashtesat e gjuhës shqipe” – (1962), në bashkëpunim me Eqrem Çabej);
· “Fjalori i gjuhës shqipe”- (1954);
· “Vepra” –Botim në gjashtë vëllime nën kujdesin e Akademisë së Shkencave,(1980)
Gjon Buzuku
Gjon Buzuku
20.12.2016 | 09:32
Zef Serembe
Zef Serembe
20.12.2016 | 09:26
Abdyl Frashëri
Abdyl Frashëri
20.12.2016 | 09:20
Jeronim de Rada
Jeronim de Rada
20.12.2016 | 09:16
Ali Asllani
Ali Asllani
20.12.2016 | 09:10
Gaspër Pali
Gaspër Pali
20.12.2016 | 09:00
Luigj Gurakuqi
Luigj Gurakuqi
20.12.2016 | 08:55
Martin Camaj
Martin Camaj
20.12.2016 | 05:15
Shefkije Islamaj
Shefkije Islamaj
20.12.2016 | 05:06