Faik Konica
Faik Konica
19.12.2016 | 08:17
Biografia e Faik Konicës

Faik Konica, lindi më 15 mars të vitit 1876 në Konicë dhe vdiç më 14 dhjetor të vitit 1942 në Uashington, ishte magjistër i artit dhe letërsisë, aktivist kombëtarë dhe shkrimtar shqiptar.

Rrjedh nga një familje e vjetër feudale. Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Mësoi në Shkodër, Kostatinopojë, Francë dhe SHBA.

Ishte bir i derës së famshme të bejlerëve të Konicës. Nga e ëma binte gjak me Ali Pashë Tepelenën edhe pse vetë kurrë nuk e ka pohuar. Fliste frëngjishte të kulluar. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris.

Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit të SHBA me medalje ari, ndërkohë që është cilësuar nga miqtë e tij si "biblioteka lëvizëse".

Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta. Faik Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare. Pasi boton broshurën "Shqipëria dhe turqit" (1895) në Paris ai vendoset në Bruksel (Belgjikë), ku nxjerr revistën "Albania", kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propogandoi për vite me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë.

Më 1909 Konica, si u mbyll revista "Albania" në Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SHBA ku drejton gazetën "Dielli" edhe më pas gazetën "Trumpeta e Krujës". Me themelimin e Federatës "Vatra", më 1912 ai zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj. Faik Konica dhe Fan Noli, duke qenë udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA, do të shkojnë në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve. Në kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetkë.

Në 1921 u kthye në SHBA, ku u zgjodh kryetar i Federatës "Vatra", po ndërkaq në vitet 20 u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Këtë do ta bënte nëpërmjet gazetës "Dielli" dhe "Shqiptari i Amerikës". Me dështimin e Revolucionit Demokratik, me ardhjen e Ahmet Zogut në fuqi, Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA.

Ministër i oborrit mbretëror në SHBA (përfaqësues i Shqipërisë), Konica ishte një pianist i shkëlqyer dhe një shkrimtar gjenial. Ai mbahet si krijuesi i prozës moderne shqipe. Çdo krijues i letërsisë shqiptare që vjen pas tij mund vetëm të quhet nxënës i tij.

Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publiçist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.

Marrë nga "DEA-Portal.com"

Krijimtaria


Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja, fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, F.Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideo-artistike. I lindur në Konicë, më 15 mars 1875 në një familje të vjetër feudale mësimet e para ai i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris. Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta. Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit në SHBA. Faik Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare. Pasi boton broshurën "Shqipëria dhe turqit" (1895) në Paris ai vendoset në Bruksel (Belgjikë), ku nxjerr revistën "Albania", kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propogandoi për vite me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë. Më 1909.
F.Konica, si u mbyll revista "Albania" në Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SHBA ku drejton gazetën "Dielli" edhe më pas gazetën "Trumpeta e Krujës". Me themelimin e Federatës "Vatra", më 1912 ai zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj. Faik Konica dhe Fan Noli, duke qenë udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA, do të shkojnë në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve. Në kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetkë. Në 1921 u kthye në SHBA, ku u zgjodh kryetar i Federatës "Vatra", po ndërkaq në vitet 20 u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Këtë do ta bënte nëpërmjet gazetës "Dielli" dhe "Shqiptari i Amerikës". Me dështimin e Revolucionit Demokratik, me ardhjen e A.Zogut në fuqi, Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA Vdiq në Uashington në 14 dhjetor 1942.

Disa nga veprat me te njohura.

Veprimtarinë e tij publicistike e letrare F.Konica e zhvilloi kryesisht në shtyp, në revistën "Albania" ai botoi vjersha, proza poetike, skica, tregime, portrete, ese, artikuj të ndryshëm etj. Përgatiti dhe përmbledhjen letrare "Kandili i kuq", por nuk mundi ta botojë. Në të vërtetë nga Konica nuk kemi asnjë libër të botuar, me përjashtim të vëllimit me përralla të përkthyer "Nën hijen e hurmave"(1924). Krijimtaria e tij ka mbetur e shpërndarë në shtypin e kohës dhe një pjesë është e pa përfunduar. Prej tyre duhen veçuar si vepra të rëndësishme proza e gjatë satirike, "Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit", cikli i tregimeve "Kater përralla nga Zullulandi", udhëpërshkrimi "Shqipëria si m`u duk…". Ai la në dorëshkrim anglisht veprën "Shqipëria - kopshti shkëmbor i Evropës jug-lindore" dhe ese të tjera, e cila u botua pas vdekjes (1957).
Në trashëgimninë e Konicës vendin kryesor e zë publicistika. Ai paraqitet si një nga themeluesit dhe mjeshtrit e publicistikës shqiptare. Për afro gjysëm shekulli ai shkroi me qindra artikuj, pamflete, polemika, shënime, ese etj. të cilat i botoi në organet që drejtonte vetë. Tema qëndrore e publicistikës së Konicës në revistën "Albania" do të jetë ajo atdhetare, problemet e lëvizjes kombëtare, fati i Shqipërisë, rrugët për çlirimin kombëtar etj. Nga ana tjetër, ai do t`i kushtojë vëmendje të posaçme ndriçimit të historisë së popullit shqiptar, zbulimit dhe propagandimit të vlerave të tij etno-kulturore, e veçanërisht krijimit të një gjuhe letrare shqipe.
Pas shpalljes së Pavarësisë publicistika e Konicës, e botuar në gazetën "Dielli", do të merret me çështje të mprehta të kohës që lidheshin me aspiratat e përpjekjet për krijimin e një shteti modern shqiptar, me luftën kundër prapambetjes ekonomiko-sociale, me stigmatizimin e mendësive dhe praktikave të vjetra e anakronike etj. Ai ishte për një shoqëri shqiptare të emancipuar dhe kërkonte që Shqipëria, si pjesë e Evropës, të mendonte e të punonte në shembullin e saj.
Publicistika e Konicës shquhet jo vetëm për problematikën e pasur, por edhe për nivelin e lartë mjeshtëror. Ajo karakterizohet nga patosi atdhetar dhe nga shqetësimi qytetar, siç dallohet edhe për forcën e argumentimit dhe aftësitë e shquara shprehëse. Tipari kryesor i saj është fryma satirike, fryma stigmatizuese dhe mohuese ndaj prapambetjes, injorancës, së keqes.
Faik Konica është krijuesi i kritikës sonë letrare, që së bashku me Nolin i hapën rrugën asaj në kulturën shqiptare. Ai shkroi një varg artikujsh teorikë letrarë si "Arti i të shkruarit", "Ca këshilla për artin e shkrimit", "Kohëtore letrare shqipe" etj. të cilat shënonin një kontribut për orientimin dhe zhvillimin e letërsisë shqiptare. Por ndihmesa e tij në këtë fushë bëhet më konkrete me artikujt dhe reçensionet që boton për autorë dhe vepra të letërsisë sonë bashkëkohore. Kështu ai vlerëson lart shkrimtarë si Jeronim De Rada, Jul Variboba, Naim Frashëri, inkurajon autorët e rinj të kohës, Çajupin, Asdrenin, Filip Shirokën etj.
Faik Konica kishte kërkesa të larta ndaj letërsisë dhe shkrimtarëve. Duke i vështruar në raporte të drejta përmbajtjen dhe formën, si dy komponentë që s`mund të ndahen nga njëri-tjetri, ai i jepte përparësi formës si e vetmja mënyrë për të shprehur sa më mirë përmbajtjen. Në këtë vështrim i kushtonte rëndësi të madhe gjuhës shqipe, pasurimit dhe përpunimit të saj. Ai vetë dha shembullin e një mjeshtri të vërtetë të gjuhës. Me të drejtë Noli e quan atë "kryelëronjësi i gjuhës sonë" dhe "stilist i përkryer".
Faik Konica zë një vend të merituar në letërsinë tonë të Rilindjes dhe të Pavarësisë, jo vetëm si publicist dhe kritik letrar, por edhe si shkrimtar me individualitet të spikatur krijues. Megjithëse trashëgimja e tij e mirëfilltë letrare është e kufizuar, ai ka vepra me vlera të çmuara. Pena e talentuar e Konicës provoi me sikses dhe lëvroi pothuaj gjithë gjinitë dhe llojet letrare, prozën e poezinë skicën dhe skeçin, prozën poetike dhe prozën historike, tregimin dhe novelën. I frymëzuar nga historia dhe jeta shqiptare ai u përpoq të krijonte një letërsi me koncepte bashkëkohore, me vizion të ri, me shije të lartë, larg modeleve të vjetëruara:
Vepra e tij letrare me nivelin e saj të lartë artistik dëshmon atë të vërtetë tanimë të njohur se në art nuk është kurdoherë sasia ajo që përcakton vlerën e një shkrimtari.
Faik Konica, në radhë të parë është prozator, por ai shkroi edhe poezi, sidomos në fillimet e krijimtarisë së vet. Në faqet e revistës "Albania" botoi vjershat "Gjuha jonë", "Flamuri", "Kushtrimi ose Marsejeza e shqiptarëve". Duke u bërë jehonë ideve atdhetare dhe kryengritjeve të popullit shqiptar në prag të Pavarësisë, me tone luftarake dhe patos atdhetar, me figura të goditura retorike, eci në traditën e letërsisë së Rilindjes. Të njohura janë dhe vjersha satirike "Anadollaku" dhe lirika "Helena e Trojës".
Proza artistike e F.Konicës do të nisë me një varg prozash poetike si "Një liqen", "Anës liqenit", "Bora", "Malli i mëmëdheut" etj. Sadoqë me tematikë të kufizuar ato pasqyrojnë tërthorazi gjendjen shpirtërore të një intelektuali atdhetar dhe mallin për vendlindjen. Të shkruara me një gjuhë të bukur e ndjenjë të hollë, me mbresa e detaje të goditura, këto proza mbeten shembuj, në llojin e tyre në letërsinë tonë. Të përafërta me prozat poetike qëndrojnë portretet letrare që krijoi Konica mbi disa figura të shquara të historisë shqiptare si: Abdyl Frashëri, Naim Frashëri, Jeronim De Rada, Ali Pashë Tepelena, At Shtjefën Gjeçovi etj. Ato dallohen për aftësinë e autorit në përvijimin e saktë dhe të hijshëm të karakterit të tyre, portretit shpirtëror e fizik të dhënë qartë dhe në mënyrë lakonike.Prozës së shkurtër të F.Konicës i takojnë dhe disa skica letrare dhe rrëfenjëza që ai i quan përralla si "Urika", "Në dritë të hënës", "Ai që ishte gati të vdesë për Shqipërinë" etj. me tematikë atdhetare ose përrallat "E bija e mbretit dhe trëndafilat", "I urti i malit" etj. shkrime këto plot fantazi nga bota e legjendave.
F.Konica është i pari që lëvroi në prozën tonë esenë, një lloj letraro-publiçistike, me mundësi të reja shprehëse. Nëpërmjet tyre, ai parashtroi mendime origjinale, ngriti probleme të rëndësishme, të kohës, tregoi për diturinë e gjerë që zotëronte. Një nga esetë më të bukura është "Jeta dhe librat", ku, duke dhënë gjykime për vlerën e librit në jetën e njerëzimit, i bëhet një analizë ideo-artistike tragjedisë së Eskilit "Prometeu i lidhur".
Në trajtë esesh Konica ka shkruar veprën "Shqipëria- kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore". E hartuar për lexuesin e huaj, shkrimtari i jep atij një encikolopedi të vogël për Shqipërinë dhe popullin e saj. Të dhjetë esetë, nga të cilat përbëhet libri përbëjnë një mozaik të historisë dhe kulturës shqiptare, të gjuhës e të letërsisë, të botës shpirtërore dhe psikologjisë së shqiptarëve. Me një informacion të gjerë dhe njohje të thellë, duke harmonizuar objektivitetin shkencor me një rrëfim të këndshëm autori nxjerr në pah individualitetin dhe natyrën e popullit shqiptar jo vetëm në vetvete, por edhe në kuadrin ballkanik dhe evropian.

Veprat

Doktor Gjilpëra, (prozë satirike)
Katër përralla nga Zullulandi, (cikel tregimesh)
Shqipëria si m`u duk, (udhëpërshkrim)
Shqipëria - kopshti shkëmbor i Evropës jug-lindore, (dorëshkrim anglisht i veprës).

Publicistika

Albania, (revistë)
Dielli, (gazetë)

Analizë Veprash

Doktor Gjilpëra

Vepra më e rëndësishme letrare e Konicës është padyshim proza e gjatë satirike "Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit". Ndonëse e pakryer, ajo përfaqëson tiparet më karakteristike dhe vlerat e tij si shkrimtar në përmasa të gjera.
"Doktor Gjilpëra" u shkrua dhe u botua në gazetën "Dielli" në vitin 1924. Ishte koha kur kish triumfuar Revolucioni i Qershorit dhe në gjirin e shoqërisë shqiptare zhvillohej një luftë e ashpër politike, para saj shtroheshin probleme jetike si: zgjidhja e formës së regjimit, reforma agrare, demokratizimi dhe modernizimi i aparatit shtetëror, përparimi kulturor kombëtar etj. Vepra e Konicës është pjellë e kësaj kthese social-historike që sapo niste në jetën e popullit tonë. Autori mori shkas nga vrasja e dy qytetarëve amerikanë në Mamurras, që organizoi reaksioni feudal. Konica krimin e Mamurrasit nuk do ta vështronte si një rast të veçuar, po si një ngjarje me kuptim të gjerë shoqëror, ku plekseshin interesa e synime të qarqeve të caktuara dhe shfaqej lufta politike e kohës. Kjo ngjarje do të zgjonte idealet liridashëse dhe iluministe të shkrimtarit dhe do ta frymëzonte krijimin e një vepre, që do të hidhte dritë dhe do të përgjithësonte realitetin shqiptar bashkëkohor.
Heroi i veprës është Doktor Gjilpëra, një intelektual i ri shqiptar që kryen studimet për mjekësi në Rusi e Suedi dhe ndodhet para zgjidhjes: të qëndronte jashtë, ku e priste një karrierë plot të ardhme apo të kthehej në atdhe e të ndihmonte në mëkëmbjen e tij, veçanërisht në përmirësimin e shëndetit të popullit. Ai vendos të kthehet në Shqipëri, atdhedashuria triumfon mbi interesat vetjake.
Autori duke ndjekur vijën e jetës së heroit do ta përshkruajë atë në dy etapat kryesore: koha e qëndrimit jashtë atdheut dhe koha e ardhjes në Shqipëri. Në qoftë se etapa e parë është njohja me Doktor Gjilpërën, etapa e dytë, që përbën trungun e veprës është pjesa më e rëndësishme, që bart dhe mishëron idetë e shkrimtarit. Jeta e heroit larg atdheut është dhënë në plan përshkrues, duke larguar pjesërisht gjendje të ndryshme shpirtërore, që nxjerrin në pah natyrën, interesat dhe karakterin e intelektualit shqiptar. Ai është në radhë të parë, atdhetar i bindur, njeri me kulturë të gjerë, mjek i përgatitur dhe human, i zgjuar dhe plot vullnet e vendosmëri. Janë këto cilësi, që e bëjnë atë të kthehet në atdhe.
Kthimi në Shqipëri e ve Doktor Gjilpërën përballë një realiteti tronditës dhe shtron para tij probleme që përfshijnë pamje të ndryshme të jetës shqiptare. Brenda një kohe të shkurtër, ai njihet me gjendjen e mjeruar të popullit, me padrejtësitë që bëhen në kurriz të tij, me aparatin shtetëror, ku mbizotërojnë arbitrariteti, drama, intrigat, me nëpunës injorantë e anadollakë. Në këtë shtet tragjik-komik, opozitën e përbëjnë njerëz që s`kanë asgjë të përbashkët me ligjin dhe moralin.
Vendin kryesor e në vepër e zënë raportet që vendos Doktor Gjilpëra me kategori të ndryshme të shoqërisë shqiptare, me përfaqësuesit e tyre më tipikë. Në këto marrëdhënie zbulimi social-psikologjik që bën autori, është i ndërsjellët, nga një anë përvijohet gjithnjë e më qartë karakteri dhe botëkuptimi i doktor Gjilpërës, ideali i një njeriu evropian, atdhetarizmi dhe humanizmi i një njeriu të emancipuar, ndërsa nga ana tjetër, vizatohen figura të ndryshme të qarqeve zyrtare të parisë të rretheve intelektuale. Veçanërisht figura e doktor Gjilpërës del mjaft e qartë përballë dy kolegëve të tij, dr.Embrullahut dhe dr. Protogor Dhallës. Më shumë, se në rrethana pune, ata i njohim në biseda e debate, si tipa shoqërorë të kundërt me heroin, me koncepte dhe praktika të ndryshme mjekësore. Ndërsa doktor Gjilpëra është njeriu i mjekësisë moderne, partizan i natyrës, i helioterapisë (dielli, uji, ajri) që mendon se natyra është mjeku i parë i njeriut, dy mjekët e tjerë paraqiten anakronikë, janë mishërim i dogmës mjekësore të shkëputur nha jeta e parimet e shkencës. Bota e vjetër në këtë vepër përbëhet jo vetëm nga dy mjekë, por dhe nga figura të tjera negative. I tillë është ministri Salemboza, përfaqësues tipik i forcave të prapambetura e antikombëtare, tipi i tiranit anadollak, intrigant e dinak, i zgjuar e i shkathët. Kurse mjedisi dhe mendësia orientale e parisë së kryeqytetit gjejnë shprehjen e tyre në figurat e agallarëve tiranes siç janë Muhedin Agai e Zylfikar Agai.
Në atmosferën e zymtë të jetës shqiptare të kohës autori ndesh dhe njerëz të mirë, të dalë nga populli, që ngjallin simpati e nderim. Mbeten të paharruara në mendjet e lexuesit dy vajzat fshatare, plaku martaneshas, polici i doganës, Arifeja, Ali Bibi. Megjithë një lloj skepticizmi që ndihet në paraqitjen e tyre, ata dalin në një dritë të ngrohtë, me vlera të vërteta njerëzore, me bukuri e pastërti shpirtërore, me zakone fisnike. Mendimi i shkrimtarit është se populli, duke qenë i paditur dhe i papërpunuar, ka nevojë të stërvitë shpirtin dhe mendjen.
"Doktor Gjilpëra" është një vepër e fuqishme satirike. Duke pasur parasysh realitetin e rëndë shqiptar, mendësitë e anakronike e jetën e prapambetur, autori u kundërvihet atyre, i tall dhe i godet pa mëshirë. Qëndrimi ideo-emocional mohues bën që në faqet e veprës të ndihet qesëndia dhe ironia, satira dhe sarkazma. Ata shfaqen e mishërohen me forcë artistike në skena dhe personazhe, në situata dhe portrete tepër të goditura. Përdorimi mjeshtëror i detajit, plasticiteti i gjuhës, ngjyrimet që merr fjala, e bëjnë satirën e Konicës, origjinale e të natyrshme.
Tema dhe problematika e mprehtë shoqërore, fryma mohuese e disa prej dukurive shoqërore dhe notat e fuqishme satirike e bëjnë "Doktor Gjilpërën" një vepër me tipare të shquara realiste. Konica sjell kështu një ndihmesë të rëndësishme në pasurimin dhe forcimin e realizmit në letërsinë shqiptare.
Nga pikëpamja përbërëse, edhe pse vepra është e papërfunduar, janë hedhur linjat kryesore dhe është përcaktuar edhe thelbi i figurës së heroit. Mund të themi se ajo përbën hyrjen e një romani që Konica për arsye të ndryshme nuk e çoi deri në fund. Vepra është e pasur me lëndë jetësore, e ngarkuar me ngjarje e biseda, me detaje të shumta. Këto kanë sjellë shkathtësinë e aksioneve dhe njëfarë proliksiteti.
Te "Doktor Gjilpëra" Konica provon edhe njëherë atë që ka thënë Noli për të se ai është krijues i prozës moderne shqiptare. Kjo duket si në konceptimin e veprës edhe në mjeshtërinë e rrallë, të përdorimit të gjuhës. Gjuha e Konicës është e pasur, e bukur, e fuqishme, me ndërtime e struktura sintaksore thjesht shqipe. Në prozën e gjatë ajo shërben për individualizimin dhe zbulimin e karaktereve të personazheve.
F. Konica është një nga stilistët e rrallë të gjuhës shqipe. Ai zbatoi parimin se ekonomizimit të fjalës, të lakonizmit të saj, duke synuar hijeshinë, saktësinë, thjeshtësinë dhe elegancën.
Ndikimi i personalitetit të Konicës si artist dhe erudit është i ndjeshëm në letërsinë dhe kulturën shqiptare.

Katër Përralla nga Zullulandi

Faik Konica u mor edhe me tregime, prej të cilëve vlen të përmendet cikli "Katër përralla nga Zullulandi". Tema që ai trajton në të, është origjinale me një subjekt disi të veçantë dhënë në një plan, kryesisht satirik. Ngjarjet dhe personazhet e çojnë lexuesin në Afrikë, por disa nga problemet dhe shqetësimet nuk janë të huaja për shoqërinë shqiptare të kohës. Ai tregon për Zullutë, për një popull të prapambetur të Afrikës, të shtypur nga kolonizatorët e huaj, që ndodhet në një nga udhëkryqet e historisë së tij. Bijtë e tij më të mirë aspirojnë e përpiqen për një jetë të lirë dhe shtet të pavarur. Por rruga drejt lirisë së vërtetë nuk është aq e lehtë, aq më tepër për popullin e Zullulandit që, ndonëse plot energji dhe kulturë origjinale, nuk e ka fituar plotësisht ndërgjegjen kombëtare. Ai është në kërkim të udhëheqësve të vet, që do t`i prijnë në luftë, dhe kjo përbën boshtin e veprës. Lëvizja e zullumëve ka nxjerrë dy udhëheqës të mundshëm, të cilët qëndrojnë në pozita krejt, të kundërta. Deni-Zulla-Sepia dhe Plugu. I pari është një politikan aventurier, mashtrues e demagog, përfaqësues i interesave të ngushta të tribune, që bën lojën e të huajve dhe përpiqet për një lëvizje të ngushtë mbi baza fisnore që e mban popullin në skllavëri. I dyti Plugu është udhëheqësi i vërtetë i popullit; që pa bujë, me një mençuri të heshtur synon e punon të krijojë një lëvizje të vërtetë kombëtare në Zulluland. Ai përpiqet t`i kthejë "zullutë nga një turmë e përgjakur në një komb me dinjitet dhe atdheun në një vend të bashkuar, të lirë, të qytetëruar e me nder". Vetë emri Plug i heroit të veprës është kuptimplotë, përderisa kërkon e lufton të plugojë mendjen e popullit të paditur, të zgjojë e ta drejtojë atë në rrugë të mbarë. Mirëpo njerëzit e vendit të tij nuk e kuptojnë, nuk e besojnë, madje e fyejnë dhe e kërcënojnë, janë gati ta ndëshkojnë. Autori vë në dukje dramën e këtij idealisti të pastër dhe besnikërinë e tij ndaj interesave të atdheut. Skenat masive, debatet në kuvendet e krerëve, manifestimet plot zhurmë e bujë të turmave theksojnë pozitën dhe gjendjen e rëndë shpirtërore të Plugut. Konica si njohës i historisë së popujve dhe psikologjisë së njerëzve ka kapur me mprehtësi dhe e ka kthyxer në objekt trajtimi artistik një dukuri historiko-sociale: ekzistencën e turmës si një masë e pavetëdijshme e zhveshur nga aspirata kombëtare, e pushtuar nga instinkte shkatërruese. Një masë e tillë, në jetën e popujve të pazhvilluar siç paraqiten zullutë, bëhet lehtë pre dhe viktimë e demagogëve dhe sharlatanëve politikë, e njerëzve si Sepia që i shfrytëzon për qëllime të mbrapshta. Turma e ndërsyer, përshkruhet nga shkrimtari nëpërmjet situatave tragjikomike, që arrijnë kulmin, kur Plugu tregon të vërtetën dhe masa ngrihet kundër tij. Tregimi mbyllet me një mendim skeptik, kur Plugu, i dëshpëruar, pohon: Desha të lëroj shkëmbin. Dhe prej këtij çasti ai braktis atdheun dhe merr rrugën e mërgimit.
Mesazhi i veprës është ky: të punohet për ta ngritur popullin, për ta ndërgjegjësuar, për ta pluguar mendjen dhe vetëdijen e tij, në mënyrë që të dallojë të vërtetën nga gënjeshtra, të mirën nga e keqja. Në këtë vështrim, rol të veçantë i jepet punës, si faktor zhvillimi dhe emancipimi në jetën e njeriut dhe të shoqërisë.
"Katër përralla nga Zullulandi" është një vepër me vlera të spikatura ideoartistike. Falë mjeshtërisë narrative dhe sensit të masës autori arrin të krijojë atmosferën e jetës politike, të zbulojë mekanizmin e luftës që zhvillohet, të japë patosin e saj, veçanërisht të vizatojë me penelata të sigurta figurat e udhëheqësve dhe të turmës. Nga ana tjetër, të derdhë humorin e tij të hidhur, të stigmatizojë hidhur të keqen me satirë dhe sarkazëm, të rrëfejë e të përshkruajë me një gjuhë të shkathët karakterizuese dhe lakonike.

Proza e Konicës

Faik Konica, në radhë të parë është prozator, por ai shkroi edhe poezi, sidomos në fillimet e krijimtarisë së vet. Në faqet e revistës "Albania" botoi vjershat "Gjuha jonë", "Flamuri", "Kushtrimi ose Marsejeza e shqiptarëve". Duke u bërë jehonë ideve atdhetare dhe kryengritjeve të popullit shqiptar në prag të Pavarësisë, me tone luftarake dhe patos atdhetar, me figura të goditura retorike, eci në traditën e letërsisë së Rilindjes. Të njohura janë dhe vjersha satirike "Anadollaku" dhe lirika "Helena e Trojës".
Proza artistike e F. Konicës do të nisë me një varg prozash poetike si "Një liqen", "Anës liqenit", "Bora", "Malli i mëmëdheut" etj. Sado që me tematikë të kufizuar ato pasqyrojnë tërthorazi gjendjen shpirtërore të një intelektuali atdhetar dhe mallin për vendlindjen. Të shkruara me një gjuhë të bukur e ndjenjë të hollë, me mbresa e detaje të goditura, këto proza mbeten shembuj, në llojin e tyre në letërsinë tonë. Të përafërta me prozat poetike qëndrojnë portretet letrare që krijoi Konica mbi disa figura të shquara të historisë shqiptare si: Abdyl Frashëri, Naim Frashëri, Jeronim De Rada, Ali Pashë Tepelena, At Shtjefën Gjeçovi etj. Ato dallohen për aftësinë e autorit në përvijimin e saktë dhe të hijshëm të karakterit të tyre, portretit shpirtëror e fizik të dhënë qartë dhe në mënyrë lakonike.
Prozës së shkurtër të F. Konicës i takojnë dhe disa skica letrare dhe rrëfenjëza që ai i quan përralla si "Urika", "Në dritë të hënës", "Ai që ishte gati të vdesë për Shqipërinë" etj. me tematikë atdhetare ose përrallat "E bija e mbretit dhe trëndafilat", "I urti i malit" etj. shkrime këto plot fantazi nga bota e legjendave.
F. Konica është i pari që lëvroi në prozën tonë esenë, një lloj letrare-publicistike, me mundësi të reja shprehëse. Nëpërmjet tyre, ai parashtroi mendime origjinale, ngriti probleme të rëndësishme, të kohës, tregoi për diturinë e gjerë që zotëronte. Një nga esetë më të bukura është "Jeta dhe librat", ku, duke dhënë gjykime për vlerën e librit në jetën e njerëzimit, i bëhet një analizë ideo-artistike tragjedisë së Eskilit "Prometeu i lidhur".
Në trajtë esesh Konica ka shkruar veprën "Shqipëria- kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore". E hartuar për lexuesin e huaj, shkrimtari i jep atij një enciklopedi të vogël për Shqipërinë dhe popullin e saj. Të dhjetë esetë, nga të cilat përbëhet libri përbëjnë një mozaik të historisë dhe kulturës shqiptare, të gjuhës e të letërsisë, të botës shpirtërore dhe psikologjisë së shqiptarëve. Me një informacion të gjerë dhe njohje të thellë, duke harmonizuar objektivitetin shkencor me një rrëfim të këndshëm autori nxjerr në pah individualitetin dhe natyrën e popullit shqiptar jo vetëm parë në vetvete, por edhe në kuadrin ballkanik dhe evropian.
Gjon Buzuku
Gjon Buzuku
20.12.2016 | 09:32
Zef Serembe
Zef Serembe
20.12.2016 | 09:26
Abdyl Frashëri
Abdyl Frashëri
20.12.2016 | 09:20
Jeronim de Rada
Jeronim de Rada
20.12.2016 | 09:16
Ali Asllani
Ali Asllani
20.12.2016 | 09:10
Gaspër Pali
Gaspër Pali
20.12.2016 | 09:00
Luigj Gurakuqi
Luigj Gurakuqi
20.12.2016 | 08:55
Martin Camaj
Martin Camaj
20.12.2016 | 05:15
Shefkije Islamaj
Shefkije Islamaj
20.12.2016 | 05:06