Mit'hat Frashëri
Mit'hat Frashëri
17.12.2016 | 10:50
Biografia

Mithat Frashëri u lind më 25 mars 1880 në Janinë; vdiq më 3 tetor 1949 në Nju-Jork, SHBA.
Ishte i biri i Abdyl Frashërit dhe nipi i Sami Frashërit dhe Naim Frashërit.
Ai e njohu shumë pak babain e tij dhe u rrit nën kujdesin e Samiut dhe Naimit. Edukimin akademik e mbaroi në Stamboll. Pas mbarimit të shkollës, deri në vitin 1905, punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore.
Më 4 prill 1929, Mithat Frashëri në testamentin e tij i lë shtetit shqiptar pasurinë e tij, të tundshme dhe të patundshme me qëllim krijimin e një Instituti Albanologjik në Tiranë, i cili do të merrej me studime në fushën e historisë së Shqipërisë. Filloi të aktivizohet në politikën shqiptare që në fund të shekullit XIX. Një nga figurat më të spikatura në politikën shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX. Në vitin 1908, ai fillon botimin e gazetës “Liria” në Selanik. Gjatë kësaj periudhe bashkëpunon ngushtë me Kristo Luarasin, i cili drejtonte shtypshkronjën/shtëpinë botuese "Mbrothësia" Më 30 mars 1913, jep dorëheqje nga detyra. Ai mirëpriti ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri dhe ndihmon në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Pas largimit të Princ Vidit, Mithat Frashëri largohet nga Shqipëria dhe deri në vitin 1918 jeton në disa shtete të Ballkanit. Në vitin 1916 vendoset në Bukuresht, ku arrestohet nga policia dhe internohet në Moldavi. Në vitin 1918, me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, lejohet të largohet dhe vendoset në Lozanë, Zvicër. Aty ai i drejtohet me një promemorie konferencës, në të cilën po përgatitej krijimi i Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Në promemorie ai deklaron: “Pa zgjidhjen e problemit shqiptar, nuk do të ketë as Jugosllavi të re dhe as një zgjidhje përfundimtare të kufijve në Ballkan”. Në vitin 1920 ai vendoset në SHBA. Kthehet në Shqipëri në vitin 1922. Në janar 1923, fillon detyrën e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë. Këtë detyrë e kreu deri në dhjetor 1925. I zhgënjyer nga zhvillimet politike në Shqipëri, ai jep dorëheqjen dhe deklaron largimin e tij nga aktiviteti politik. Në vitin 1939, pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste vendos t`i rikthehet aktivitetit politik. Në vitin 1941, ai është ideologu kryesor dhe një nga themeluesit e Partisë Nacionaliste, e njohur më shumë me emrin Partia e Ballit Kombëtar. Kundërshtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, u detyrua në nëntor 1944, të largohet nga Shqipëria dhe të vendoset në Itali. Gjatë një udhëtimi për në Nju-Jork, SHBA, ai vdes si pasojë e një ataku kardiak.

Krijimtaria

Veprimtaria letrare, socio-kulturore dhe politike e Mithat Frashërit është shumëdimensionale.
Ai është konsideruar si njëri nga intelektualët më të shquar të brezit të vet. Gjatë pesë dekadave të sundimit të oktopodit komunist ai mbeti i hetuar dhe u quajt "reaksionar", "tradhtar" etj. E vetmja tradhti që kishte bërë ishte ajo ndaj ideologjisë komuniste dhe ideologëve të saj.
Ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit, i njohur ndryshe edhe me emrin Kongresi i alfabetit, më 14 nëntor- 22 nëntor 1908. Mithat Bej Frashëri u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit të hartimit të alfabetit (kryetar i Komisionit ishte At Gjergj Fishta). Në moshën 32-vjeçare largohet përfundimisht nga Stambolli dhe udhëton për në Shqipëri, duke kaluar nga Kosova në Shkup dhe pastaj në Elbasan. Në vitin 1912, në qeverinë e pavarësisë të krijuar nga Ismail Qemali ai zgjidhet ministër i Botores.
Mithat Frashëri është marrë me veprimtari publicistike dhe letrare si dhe ka përkthyer disa vepra. Nën drejtimin e tij janë botuar “Kalendari Kombiar”, “Lirija” dhe “Dituria”. Ka shkruar jetëshkrimin për Naim Frashërin, novelat “Hi dhe shpuzë”, studimin mbi shqiptarët dhe të ardhmen e tyre të pagëzuar si “Pritmi i Shqipërisë”, ese socio-politike dhe etnike “Plagët tona” etj. Mit’hat Frashëri ka botuar edhe disa vepra në frëngjisht: “L’affaire de l’Epire (1915), “La population de l’Epire” (1915), “Les Albanais chez eux et a la l’Etranger ” (1919), “Albanis et Slaves” (919). Mit’hat Frashëri ka përkthyer në shqip veprat “Guillaume Tell” të Lamartinit (1898), “Bëje të mirën pa hidhe në det” e Franc Hofmanit (1900), “Robinson Crusoe” e Defosë (1909) dhe “Psikologjia e edukatës” e G. Le Bon (1923).

Veprat

Shqip:
1. “Kalendari Kombiar”
2. “Lirija” dhe “Dituria”
3. "Jetëshkrimin për Naim Frashërin"
4. “Hi dhe shpuzë”, Novelë.
5. “Pritmi i Shqipërisë”
6. “Plagët tona”, Ese

Frëngjisht:
1. “L’affaire de l’Epire (1915)
2. “La population de l’Epire” (1915)
3. “Les Albanais chez eux et a la l’Etranger ” (1919)
4. “Albanis et Slaves” (919)

Të përkthyera në shqip
1. “Guillaume Tell” të Lamartinit (1898)
2. “Bëje të mirën pa hidhe në det” e Franc Hofmanit (1900)
3. “Robinson Crusoe” e Defosë (1909)
4. “Psikologjia e edukatës” e G. Le Bon (1923).

Proza Poetike

Ah, po bie shi prapë

Eja, mike, se po bie shi.
Më duketë sikur qan qielli, sikur derdh lotë të hollë. Edhe zëmra ime sot po qan. Jam vetëm, lotët e qiellit riedhin jashtë qelqevet dhe po ndjej të ftohtët brënda në zëmër.
E mban mënt, mike, kur ishim bashkë sa shum’ e donim shinë? E mban mënt gazin që ndjenim afrë dritares kur binin pikat e mbëdha të shiut? Ti i prisnje ato ditë, se e dinje që më pëlqenin; i prisnje ato ditë, më prisnje mua.
Ahere, kur bota mbytësh në lot, në ishim të gëzuarë; ahere, kur bota mbulohësh me ujë të ftohtë, ne kishim nxehtë në zëmrët.
Po tani, nga kjo odë gjysm’ e errët, shikoj pikat që po kullojnë, dhe po mbërdhi.

Shkretina

Nga një herë jam si beduini në shkretinë. Më çdo anë shoh qiellin të pshteturë në ran’e skuqurë: kurrkund një nisi shprese; tekdo një qiell i përvëluarë, një tokë shterpë dhe të diegurë.
Po ndiek udhën, i prinur prej yllit të veniturë që më rrëfen shpresa ime. Po ecinj, dit’ e natë, dhe shumë herë këmbët më gjakosenë.
Ku vete? Atje tej, më tutje se kjo ran’ e shkretë, m’at’ anë këti qielli të errët; po shoh një qëllim; ylli im po më rrëfen një udhë.
Po dal! Një zë më pyet: Është një qëllim ay, a po një mirazh?
Edhe shumë herë jam si beduini në shkretinët.

Mot’ i ri

Ikë, ikë. Qofsh’i nëmur ti që vjen të më urosh motin e ri.

Një mot akoma! Edhe me qeshje në buzë, me urime, vjen të më thuash se m’u pakësua një mot, më thua për shumë vjet.
Dy-mbë-dhjetë hëna! si dije më duketë ay që shkoj, pastaj edhe ay më parë, edhe tjetri akoma!
Lumi që rrjedh lëshon zallin, deleja që shkon le gjurmën, flaka që digjetë le hinë. Po ti, o kohë, ç’na le? A po këtë hi mi kokët tënë!
Qysh pra, gjithë vuajtjet e mëmës s’ime, gjithë shpresat e saja, shpresat e mija, vuajtjet e mija, gjithë këto kështu do të shuhenë?
Vargu i vdekjes po mbushetë, kur imi çdo mot po afëron më të këputurë. Edhe s’mund ta ndaloj këtë lumë, s’mund ta mbaj këtë jetë!
Edhe ti ironi, me qeshje në buzë, vjen të më urosh. Ikë, ikë këtej, se s’dua urime unë, jam për rënkim.
Gjon Buzuku
Gjon Buzuku
20.12.2016 | 09:32
Zef Serembe
Zef Serembe
20.12.2016 | 09:26
Abdyl Frashëri
Abdyl Frashëri
20.12.2016 | 09:20
Jeronim de Rada
Jeronim de Rada
20.12.2016 | 09:16
Ali Asllani
Ali Asllani
20.12.2016 | 09:10
Gaspër Pali
Gaspër Pali
20.12.2016 | 09:00
Luigj Gurakuqi
Luigj Gurakuqi
20.12.2016 | 08:55
Martin Camaj
Martin Camaj
20.12.2016 | 05:15
Shefkije Islamaj
Shefkije Islamaj
20.12.2016 | 05:06