Sami Frashëri
Sami Frashëri
17.12.2016 | 10:24
Biografia e Sami Frashërit

Sami Frashëri është ideologu më i shquar i lëvizjes sonë kombëtare. Si udhëheqës ideologjik, demokrat, mendje e ndritur prej dijetari, ai mbetet një nga personalitetet më të rëndësishme të Rilindjes.
Vëllai më i vogël i Abdylit e i Naimit, ai u lind në Frashër më 1850, ku mori edhe mësimet e para. Më 1871 mbaroi gjimnazin "Zosimea" në Janinë, mësoi gjuhë të vjetra e të reja dhe u pajis me një kulturë të gjerë. Më 1872 shkoi në Stamboll për punë dhe atje u lidh menjëherë me patriotë shqiptarë, me Pashko Vasën, Jani Vreton, Ismail Qemalin, Kristoforidhin, Hoxha Tasinin etj. Samiu u dallua shumë shpejt midis tyre dhe, me formimin e shoqërisë së Stambollit, u zgjodh kryetar i saj, ndonëse ishte nga më të rinjtë. Gjer në fund të jetës ai mbeti udhëheqësi kryesor i kësaj shoqërie.
Samiu ishte njeri me horizont të gjerë, dha ndihmesë të shquar për kulturën turke. Drejtoi disa gazeta turqisht, ku mbrojti edhe të drejtat e kombit shqiptar. Botoi në turqisht një varg veprash letrare e shkencore. Ndër këto janë disa vepra themelore, si: "Fjalori etimologjik i turqishtes", dhe "Enciklopedia turke e historisë dhe e gjeografisë" në gjashtë vëllime. Ai shkroi në turqisht dramën "Besa" me subjekt shqiptar, bëri përkthime nga letërsia botërore etj.
Veprat e Samiut në turqisht përshkohen nga ide iluministe dhe godasin obskurantizmin fetar të Perandorisë Osmane. Me to ai i sillte ndihmesë të vlefshme mendimit përparimtar. Duke goditur bazat e pushtetit feudal të sulltanëve ai i ndihmonte njëkohësisht edhe popullit të vet në luftën për liri, edhe popullit turk në luftën për përparim.
Krijimtaria e Samiut për gjuhën shqipe është e lidhur tërësisht me idealet e lëvizjes kombëtare për çlirim, me nevojat e shkollës e të kulturës kombëtare. Pa dyshim ai është një nga themeluesit e saj. Për shkollat e para shqipe Samiu botoi këto vepra: "Abetare e gjuhës shqipe„(1886), "Shkronjëtore e gjuhës shqipe„(gramatikë e shqipes,1886) dhe "Shkronja„(gjeografia, 1888). Hartoi edhe një fjalor të gjuhës shqipe, që nuk i dihet fati.

Veprat themelore

Shqip

· Abetare e gjuhës shqipe, (1886)
· Shkronjëtore e gjuhës shqipe, (gramatikë e shqipes), (1886)
· Shkronja, (gjeografia), (1888)
· Hartoi edhe një fjalor të gjuhës shqipe, që nuk i dihet fati.
Turqisht
· Fjalori etimologjik i turqishtes
· Enciklopedia turke e historisë dhe e gjeografisë" në gjashtë vëllime
· Besa - dramë, me subjekt shqiptar
· Bëri përkthime nga letërsia botërore etj.

Analizë Poezish

"Shqipëria ç`ka qenë, ç`është e çdo të bëhet"

Është një nga veprat madhore të Rilindjes, manifesti politik e ideologjik i saj. U botua në Bukuresht më 1899, në prag të ngjarjeve të mëdha, do të çonin në fitoren e pavarësisë. Për këtë, shqiptarët duhet të ishin të përgatitur, të kishin programin e luftës dhe të ndërtimit të shtetit të ri. Duke përgjithësuar përvojën e gjeratëhershme të lëvizjes kombëtare, kjo vepër e plotësonte më së miri këtë mision.
Siç tregon titulli, vepra përbëhet nga tri pjesë.
Pjesa e parë: i kushtohet historisë së kaluar të Shqipërisë. Qëllimi i autorit është të provojë se populli shqiptar është nga popujt më të vjetër të Evropës, me një gjuhë nga më të vjetrat e më të bukurat, me kulturë e tradita të pasura, që ka të drejtë të jetojë i lirë në mes të popujve të tjerë dhe kombeve të qytetëruara. Si shumë rilindës të tjerë, Samiu mbron origjinën e pellazgëve të popullit shqiptar.
Një vend me rëndësi i jep në këtë pjesë figurës së Skënderbeut dhe epokës së tij. Skënderbeun e cilëson si një burrë që i ka shokët e rrallë në histori, kurse për epokën e tij shkruan se "është m`ë bukur e m`ë bekuar e gjithë kohërave për vendin tënë", se atëherë i gjithë kombi ishte i bashkuar dhe u nderua në gjithë botën. Kjo është një nga synimet kryesore të veprës; të forcojë te shqiptarët ndërgjegjen dhe krenarinë kombëtare.
Pjesa e dytë: jep me nota tronditëse një tablo realiste të Shqipërisë pas Tanzimatit. "Qysh janë sot shqiptarët?„-pyet Samiu me shqetësim dhe tregon se gjendja e vendit është e mjeruar nga çdo pikpamje. Burimin e këtij mjerimi ai e sheh në radhë të parë te zgjedha e huaj, që e ka lënë vendin në varfëri, padituri, dhe errësirë. "Shqiptarët janë robër të poshtuar (poshtëruar) e t`unjurë, të shkelur e të çpërnderë (turpëruar)", shkruan Samiu
Përshkrimi është edhe më i gjallë një dallim i theksuar me të kaluarën, të cilën, në përgjithësi autori e idealizon. Ndaj dhe stili bëhet më zemërak, vepra e patriotit vlon nga revolta kundër shtypjes kombëtare. Ata shqiptarë të veshur dikur me "roba të arta„ e të farkëtuar me armët e argjendta të trimërisë, shkruan Samiu, "Janë sot lakuriq, me një këmishë që që s`ka ku ta zërë qeni. Vetë edhe zaptieja e taksidari, e ngre shkopnë e i rreh duke thirrur; Pagoni! E ku të gjejë i ziu që të paguajë? Atëherë shesin kanë, dhinë, ç`të kenë, edhe gjer në qeramidhet e shtëpisë„.
Vend të rëndësishëm zë analiza që Samiu u bën rreziqeve që i kanoseshin Shqipërisë.
Si gjithë rilindësit, ai mendonte se rreziku i parë Shqipërisë i vinte nga Perandoria Osmane, të cilën Samiu e quante
një të vdekur që duhej varrosur sa më parë. Sa më gjatë të mbetej lidhur Shqipëria me këtë perandori të kalbur, aq më keq do të ishte. Shteti osman do të shembej së shpejti dhe Shqipëria mund të groposej në gërmadhat e tij. Rreziku tjetër, mendon Samiu, shqiptarëve u vinte prej lakmive të shovinistëve fqinjë, lakmi që i mbështetnin fuqitë imperialiste.
Rreziqe të mëdha u vinin shqiptarëve edhe prej grindjeve e përçarjeve midis tyre, sidomos prej përçarjes fetare, gjithashtu prej padijes, prej mungesës së shkollave shqipe. Këto rrethana i hapnin shteg rrezikut të asimilimit të shqiptarëve prej të huajve.
Pjesa e tretë: fillon me pyetjen: "A mund të qëndrojë Shqipëria si është? Përgjigjja është, jo„. Në përgjithësi në këtë pjesë Samiu paraqet programin e lëvizjes për të ardhmen e Shqipërisë.
Nga analizat që u bëri rrethanave politike në fund të shekullit XIX, Samiu arriti në përfundimin se rruga e vetme për të shpëtuar nga zgjedha osmane dhe nga rreziku i copëtimit prej shteteve fqinje ishte që Shqipëria të shkëputej nga Turqia menjëherë, para se ajo të shembej dhe shqiptarët të formonin shtetin e tyre të pavarur. Autori mendonte se kjo s`arrihej me lutje, por me rrugën e luftës së armatosur. "Shqiptarët duhet t`i marrin ato që duan me pahir, t`i kërkojnë me fjalë, po të kenë edhe pushkën plot„.
Si mendimtar demokrat dhe iluminist, Samiu parashtron një projekt të gjerë me ide të përparuara për të ardhmen e Shqipërisë. Ai nuk e pranon idenë e monarkisë. Si formë regjimi sipas tij, Shqipëria duhet të ishte Republikë Parlamentare që do të kishte në krye një pleqësi. Kushtetuta e shtetit të ardhshëm shqiptar që propozonte Samiu, përshkohet nga fryma demokratike. Ideali i tij për këtë shtet ishte ideali i një demokracie borgjeze. Si shprehës i pikëpamjeve të klasës së re të borgjezisë, ky ishte një ideal i përparuar për kohën, sepse ai i kundërvihej shtetit despotik osman.
Shumë i guximshëm e i përparuar për kohën ishte projekti i Samiut edhe për zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit. Ai kërkonte të ngrihej një industri kombëtare, të mëkëmbej bujqësia, të zhvillohej komunikacioni automobilistik dhe hekurudhor, të forcohej mbrojtja, etj. Vëmendje të veçantë Samiu i kushtonte zhvillimit të arsimit e të kulturës shqiptare. Si gjithë rilindësit, ai kishte bindjen se ajo që u duhej më shumë shqiptarëve ishte dituria. Për përhapjen e saj ai kërkonte një sistem arsimi të përgjithshëm e të detyrueshëm për të gjithë, djem e vajza. Arsimin e donte në gjuhën amtare shqipe dhe shkolla të ishte laike, e shkëputur nga kisha e xhamia, një shkollë që të shërbente si vatër diturie dhe atdhetarizmi.
Samiu ëndërronte Shqipërinë me shkolla të të gjitha kategorive, me universitet ("gjithëmësime„ siç e quante ai), me akademi të shkencave, muzeve e biblioteka.
Siç shihet, në veprën "Shqipëria ç`ka qënë, ç`është e ç`do të bëhet„ gjeti shprehje mendimi shqiptar më i përparuar politiko-shoqëror i kohës. Me këtë vepër Samiu u bë ideologu më i shquar i lëvizjes kombëtare shqiptare. Vepra e tij është një traktat politiko-shoqëror, megjithatë ajo ka vlera të mëdha stilistike, një gjuhë e gjallë, e shprehëse. Stili i prozës së Samiut është energjik, herë polemist, herë fshikullues e herë me patos thirrës e mobilizues. "O burrani o shqiptarë ! Zihuni me të dy duart në besë, në lidhje e në bashkim, se kjo do t`ju shpëtojë!„
Fraza e Samiut është e qartë, me mjete gjuhësore plot ngarkesë emocionale. Pasi ka parashtruar krejt programin e tij, ja si e mbyll veprën; "Ja qëllimi ynë! Ja puna jonë e shenjtëruarë! Ja besa jonë! Në mes të shqiptarëve të vërtetë s`ka ndonjë ndarje, ndonjë çarje, ndonjë ndryshim! Janë të tërë vëllezër, të gjithë një trup, një mendje, një qëllim një besë!„
Kjo vepër solli një ndihmesë të madhe për pasurimin e gjuhës letrare shqipe dhe për formimin e stilit publicistik.
Samiu vdiq në Stamboll më 1904, i përndjekur nga autoritetet dhe i respektuar nga populli dhe opinioni përparimtar.

Kâmûs al-a`lâm

Kjo është vepra më vëllimore dhe më e rëndësishme e Samiut.
Është e shkruar në gjuhën turke të asaj kohe, d.m.th. me alfabet arab, në gjashtë vëllime me gjithsej 4830 faqe, është enciklopedi historike-gjeografike, këtu Samiu e shënon titullin edhe në gjuhën frënge DICTIONNAIRE UNIVERSEL D`HISTOIRE ET DE GEOGRA-PHIE, kurse emrin e vet e shënon të plotë Ch. Samy-Bey Fraschery (Sh. Sami Bej Frashëri).
Kâmûs al-a`lâmi u botua brenda viteve 1889 - 1898; vëllimi i parë dhe vëllimi i dytë u botuan në të njëjtin vit, kurse vëllimet e tjera në çdo dy vjet, përveç vëllimit të katërt që botohet tre vjet pas të tretit.
Kjo tregon për vështirësitë që kishte hasur Samiu pas vëllimit të dytë që do të shohim edhe nga vetë parathënia e tij.
Vëllimi i parë hapet me fjalën e botuesit Mihran, pastaj pason parathënia, siç e quan Samiu Ifade-i Meram (tregimi i qëllimit) prej tetë faqe e gjysmë të shkruar nga vetë Samiu, në paragrafin e parë të kësaj parathënie, përkundër dëshirës së vet, sepse e urrente nga zemra , e lëvdon Sulltan Hamitin, pastaj flet për rëndësinë e dy shkencave: historisë dhe gjeografisë për të vazhduar pastaj për veprat historike dhe gjeografike, që kishin shkruar dijetarët e parë islamë; për vështirësitë që i kishin dalë gjatë klasifikimit dhe zgjedhjes së lëndës si dhe për arsyet që e kishin shty të shkruajë një vepër të këtillë.
Këto ishin disa nga çështjet që i shtron Samiu në parathënien e Kâmûs al-a`lâm-it, prandaj në vazhdim do të ndalemi te kjo parathënie.
“Çdo shkencë dhe disiplinë shkencore e ka shijen e vet... Historia dhe gjeografia, thotë Samiu, janë nga shkencat më tërheqëse, në të vërtetë njeriu ka dëshirë të dijë për gjendjen e planetëve të largëta, e si të mos ketë dëshirë të dijë për rrethanat e rruzullit tokësor në të cilin jeton? Pastaj, ka apo nuk ka gjallesa në Jupiter, në Saturn, nëse ka, gjithnjë mendon se çfarë gjallesash janë; pastaj, si të mos e di gjendjen e gjyshërve, stërgjyshërve të vet dhe popujve të ndryshëm që jetojnë në planetin e tokës.
Ja pra, këto dy gjëra, e para mësohet me gjeografi, kurse e dyta me histori”.
Për të treguar se historia dhe gjeografia janë dy shkenca të pandashme, që nuk mund të jenë funksionale njëra pa tjetrën, Samiu thotë: “Gjeografia dhe historia janë binjake. Personi që dëshiron të dijë njërën, është i shtrënguar të mësojë edhe tjetrën.
Çfarë rezultatesh do të arrijë ai që mëson për ngjarjet, e që nuk di për të kaluarën e atyre vendeve ku janë zhvilluar ato ngjarje! Prandaj, gjeografia është e nevojshme për historinë dhe anasjelltas, bile është një degë, vazhdon Samiu, ku të dyja bashkohen, e ajo është “gjeografia historike”.
Nëse e lexojmë tani, thotë Samiu, gjeografinë që e ka shkruar Straboni para 1900 vjetësh, për shumicën e vendeve që i përshkruan ai, do të mendojmë se lexojmë gjeografinë e një planeti tjetër.
Kur i shohim hartat e tij, krahasuar me ato që janë sot, do të hapet diskutimi, sepse, as ndarjet nuk janë ato të tanishmet, as emrat e vendeve, as qytetet e kasabatë, as popujt janë ata që kanë qenë në ato vende.
Vendi ku ka qenë një qytet i madh e që ka qenë qendër civilizimi, sot është i zbrazët, e në vende ku nuk ka pasur shenja gjallërie, sot shohim qytete të mëdha.
Këto ndërrime janë të pranishme gjithnjë, prandaj, thotë Samiu, gjeografia nuk është shkencë e qëndrueshme, gjeografia e cila është shkruar para dhjetë vjetësh, tani pjesërisht kalon në gjeografi historike”.
Sipas Samiut, “Historia është kohë, gjeografia është vend, kurse lidhja që ka koha me vendin është e qartë, koha është gjithmonë po ajo kohë, edhe vendi, përveç disa ndryshimeve që ndodhin në mënyrë shumë të ngadalshme që i takojnë gjeologjisë, është po ai vend, por ndryshojnë njerëzit dhe gjërat që i krijojnë ata.
Për të mësuar gjendjen e tanishme dhe të kaluar të njerëzve që janë e që kanë qenë në rruzullin tokësor, mund t`u drejtohemi vetëm shkencave të historisë dhe të gjeografisë, thotë Samiu, këto rrethana, nga aspekti kohor i mësojmë nga historia, nga aspekti i vendit i mësojmë nga gjeografia, e nga aspekti i përbashkët, i kohës dhe i vendit, nga gjeografia historike.
Në vazhdim Samiu bën dallimin e gjeografisë historike nga gjeografia matematikore dhe natyrore, duke thënë se njëra merret me matematikë (me numra) e tjetra me gjeologji, për të thënë më poshtë se “historia dhe gjeografia janë dy shkenca shumë të gjera, saqë, për të mësuar çdo anë të këtij rruzulli tokësor të vogël që nuk mund të shihet nga planeti i Jupiterit pa dylbi, jeta e njeriut është e shkurtër”.
Ai bën edhe dallimin në mes historisë dhe gjeografisë: “Historia është më e gjerë se gjeografia, sepse në histori, thotë Samiu, kundërthëniet janë më të shumta, një pjesë e historisë është rrenë e thjeshtë e cila me kalimin e kohës dhe me përsëritjen e përhershme merret si e vërtetë. Historia është zaptuar nga ana e popujve të ndryshëm, sa më shumë që ndryshojnë burimet e saj, po aq ndryshon edhe interpretimi.
Ngjarjet i ndryshojnë herë me qëllim e herë duke gabuar, ashtu që vështirë është që në mesin e tyre të gjendet ajo që është e vërtetë”, këtu merr si shembull historinë e Iranit të lashtë, duke thënë se “ka dallime në mes historisë evropiane që e kanë marrë nga grekët dhe historisë lindore që interpretohet nga Firdevsi.
Këto dy histori janë shumë kontradiktore, sigurisht njëra prej tyre është e gabueshme, por si të bindemi se tjetra është e vërtetë?” - pyet Samiu. Samiu këtu përpiqet t`u sugjerojë historianëve që të jenë sa më të kujdesshëm dhe më objektivë: “Është detyrë e atyre që merren me histori që të mos marrin gjithnjë si të vërtetë atë që shkruhet në libër pa i analizuar ngjarjet, pa i verifikuar burimet...”
Se sa literaturë të gjerë ka përdorur Samiu për hartimin e Kâmûs al-a`lâmit dhe sa i ka njohur veprat e dijetarëve islamë , sidomos ato arabe, mund të shihet në vazhdim: “Dijetarët e parë islamë janë marrë shumë me këto dy shkenca dhe kanë shkruar shumë libra.
Përveç librave të përgjithshëm historikë të historianëve, p.sh. Mes`udit, Ibni Ethirit, Ibni Haldunit, Ibni Xhuzit, Dhehbit, Makrizit, Ajnit, të cilët i përshkruajnë ngjarjet gjerë e gjatë, ka edhe libra të veçantë historikë për çdo vend, për çdo shtet, madje për çdo qytet e kasaba.
Hatib Bagdadi, thotë Samiu, ka shkruar vetëm historinë e Bagdadit në mbi 50 vëllime të mëdha, kurse Ibni Asakiri, për historinë e Damaskut ka shkruar plot 57 vëllime... Nga fusha e historisë, dijetarët e parë islamë kanë shkruar edhe vepra biografike për sahabet (shokët e Muhammedit a.s.); për halifët, fakihët, muhad-dithinët, poetët, mjekët, kurratë, mufessirët, vezirët, pra për të gjithë personalitetet që kanë luajtur ndonjë rol në shoqëri. Të gjitha biografitë e tyre janë shkruar në mënyrë të gjithanshme, gjerësisht...
Ndonëse një pjesë e madhe e tyre janë zhdukur dhe nuk gjendet, sot edhe ajo që gjendet, thotë Samiu, vështirë mund të shfrytëzohet, sepse është shkruar shumë gjerësisht.
Dijetarët e parë islamë kanë shkruar shumë libra edhe nga fusha e gjeografisë, si p.sh. Astrahiu, Ibni Hukali, Mukadesi, Bekriu, Biruniu, Idrisi, etj., këtu Samiu përmend edhe autorët që kanë shkruar udhëpërshkrime, siç janë Ibni Betuta dhe Ibni Xhubejri.
Arabët, thotë Samiu, janë të parët që veprat e tyre gjeografike dhe historike i kanë shkruar sipas rendit alfabetik.
Në vazhdim Samiu flet për përparësitë dhe të metat e këtyre veprave, të metat e tyre i shihte në atë se janë shkruar shumë gjerësisht dhe shumë vështirë mund të shfrytëzoheshin, saqë kur t`i interesojë dikujt të dijë për biografinë e një personaliteti, ose për ndonjë vend, shtet, qytet, kasaba, mal, lumë etj., duhet të shfletojë tërë ato vëllime derisa të arrijë te ajo që e kërkon dhe që i intereson, thotë Samiu.
Pastaj, edhe një herë, me një sy kritik, ndalet te veprat biografike të personaliteteve të kategorive të ndryshme shoqërore për të thënë më poshtë se duhet hartuar një fjalor historik të mirëfilltë, duke marrë si shembull një vepër të Ibni Halikanit .
Po kështu flet edhe për veprat gjeografike, duke e zënë ngoje më poshtë veprën e Jakut Hameviut “Mu`xhem el-buldân” , për të cilën thotë se “ndonëse është shkruar pak gjerë, sepse flet gjerësisht për gjëra të dorës së dytë, meriton të quhet fjalor gjeografik.
Zotëri Vustenfildi, dijetar dhe orientalist gjerman, këtë vepër të famshme, kohëve të fundit e botoi në Lajpcig (Laipsig) dhe me këtë i bëri një shërbim të madh shkencës arabe, thotë Samiu.
Me gjithë vërejtjet, Samiu e çmon kontributin e dijetarëve të parë islamë, e në këtë rast nuk lë pa kritikuar turqit të cilët atëbotë edhe ato pak vepra që i kishin shkruar dhe që i kishin përkthyer, i kishin lënë pa botuar.
Këtu shihet se Samiu, përveç veprave të botuara historike-gjeografike, ka qenë në dijeni të plotë edhe për ato vepra që nuk ishin botuar.
Duke i njohur mirë veprat historike-gjeografike arabe, nga njëra anë dhe veprat e këtilla evropiane, nga ana tjetër, Samiu bën një krahasim në mes tyre, duke thënë: “Ndonëse arabëve u takon merita e hartimit të veprave të mëdha të kësaj natyre, popujt evropianë që janë mësuar nga arabët, i kanë tejkaluar në metodologji”.
Arsyet që e kishin shty Samiun të shkruajë Kâmûs al-a`lâmin i gjejmë në vazhdim të parathënies: “Ka dallime të mëdha në mes botës islame dhe asaj perëndimore.
Fjalorët gjeografikë e historikë në gjuhët evropiane bëjnë fjalë gjerësisht për personalitetet dhe vendet e tyre, kurse për personalitetet dhe vendet islamike shkruajnë shkurtimisht.
Përkthimi nga këto gjuhë nuk i plotëson nevojat tona, për të përgatitur një fjalor historik e gjeografik për nevojat tona, duhet mbledhur vepra të tilla, të shkruara si në gjuhët evropiane ashtu edhe në gjuhët islamike, me qëllim që të bëhet një zgjedhje nga të gjitha. Sikurse evropianët që u kanë dhënë më shumë rëndësi çështjeve që u interesojnë atyre e që i kanë lënë në rend të dytë ato që na interesojnë neve, natyrisht, edhe ne do të kujdesemi më shumë për personalitetet dhe vendet islamike e osmane dhe do t`i trajtojmë në shkallë të dytë ato të tyre”.
Nga pjesa vijuese e parathënies kuptojmë se gjatë hartimit të Kâmûs al-a`lâm-it puna më e vështirë i kishte dalë Samiut gjatë zgjedhjes së lëndës: çfarë lënde duhet të përfshihet në të, çka duhet marrë nga ai mal veprash historike-gjeografike arabe, cilët personalitete duhet të hyjnë në të, sa vend duhet t`i jepet çdo njësie, me një fjalë, “të përfshihet materiali që do të ishte për interesat tona”, thotë Samiu.
“Të shkruash për personalitetet dhe ngjarjet historike të kohës së Perandorisë Osmane është një punë e vështirë, vazhdon Samiu, sepse, vështirë mund të nxjerrësh dhe të gjesh atë që e kërkon nga disa libra historikë dhe të gjesh histori të rregulluara të kësaj kohe. Për Anadollin dhe Rumelinë është vështirë të gjendet një hartë ose një gjeografi e plotë në gjuhën tonë, por edhe shkrimet që janë në gjuhët evropiane e që lidhen me ne nuk mund të jenë mbështetje e fortë”.
Për këta vende Samiu thotë se kishte shfrytëzuar salnamet (kalendarët vjetorë) dhe dokumente të tjera zyrtare të kohës.
Ideja dhe dëshira për të shkruar Kâmûs al-a`lâm-in, Samiut i kishte lindur qysh herët, por për shkak të vështirësive dhe pamundësisë e kishte lënë anash këtë punë. Më në fund fitoi dëshira mbi pamundësinë, thotë Samiu, dhe me lutjen e botuesit Mihran, ia fillova kësaj pune, dhe nga njëra anë shkruaja, nga ana tjetër botoja”. Kështu, për një vjet i botoi dy vëllimet e para.
“Meqë fillimi i çdo pune është më i vështirë, thotë Samiu, për nja dy vjet do t`i shkruaj edhe do t`i botoj edhe vëllimet e tjera, kështu do ta plotësoj tërë veprën”. Mirëpo këtu ishte mashtruar, sepse mu Kâmûs al-a`lâmi, për hartimin e të cilit, siç do të thoshte Samiu, kishte qëndruar në mesin e qindra librave, kishte shëtitur bibliotekat e shumta dhe kishte shfrytëzuar librat e lënë në pluhur dhe të ngrënë nga krimbat, ia kishte marrë plot 11-12 vjet të jetës.
Pas parathënies, Samiu në një faqe jep shpjegime për hartimin e kësaj enciklopedie historike-gjeografike. Ja disa nga ato:
- Emrat që janë marrë nga gjuhët e huaja, për t`u lexuar dhe për t`u shkruar drejt, janë shkruar edhe me shkronja latine, po edhe emrat arabë, turk dhe persianë jo fort të njohur dhe të ditur, janë vokalizuar për t`i ikur luhatshmërisë dhe dyshimit të leximit të tyre.
- Shumica e emrave që janë marrë nga gjuha greke janë shkruar edhe me shkrimin grek.
- Radhitja e lëndës është bërë sipas alfabetit, ashtu si është i njohur personaliteti ose vendi, e në kllapa janë dhënë ato shpjegime që janë të dorës së dytë, d.m.th., sipas emrit, mbiemrit, pseudonimit etj.
Kur personaliteti ose vendi është i njohur me dy emra, atëherë shënohet njëri i cili të udhëzon te tjetri.
- Te biografitë dhe te ngjarjet islame përdoret data sipas hixhretit, kurse te të tjerat përdoret data sipas kalendarit miladi; në të shumtën e rasteve për të larguar dyshimin, theksohet se për cilën datë është fjala: hixhri ose miladi.
- Shpjegimin e terminologjisë historike dhe gjeografike, inshae All-llahu Teala (nëse do Zoti xh.sh.) do ta përfshijmë në “Kamus al-funun” që e kam në projektin tim, thotë Samiu, sepse përveç emrave të përveçëm, që janë në “Kâmûs al-a`lâm” nuk e shohim të arsyeshme të fusim tjetër gjë .
Në fund të vëllimit të gjashtë Samiu shkruan se tash, pasi punova 11 vjet rresht punë të vazhdueshme dhe intensive, e mbarova Kâmûs al-a`lâm-in.
Mirëpo, duke pasur parasysh punën individuale, lëndën e tij kaq të gjerë dhe që është shkruar dhe tubuar aq me vështirësi, është jashtë çdo mundësie që në të të mos haset ndonjë gabim ose mangësi (lëshim), prandaj, vazhdon Samiu, ajo që ka mbetur pa u përfshirë këtu, e kam në plan ta plotësoj me një vëllim vazhdues .
Pastaj, vazhdon Samiu, edhe nga lexuesi i sinqertë i Kâmûs al-a`lâm-it pres ndonjë sugjerim dhe vërejtje, të cilit do t`i falënderohem.
Sami Frashëri në Enciklopedinë e tij të famshme shkruan për vendet anekënd botës; shkruan artikuj të përgjithshëm gjeografikë e historikë për Evropën, Ballkanin, Turqinë, Amerikën, Azinë, Afrikën, Arabinë, Zelandën, e në mënyrë të veçantë për vendet, shtetet, qytetet, detet, liqenet, malet, popujt etj., të këtyre vendeve; pastaj për perandori, dinasti, mbretëri të ndryshme; për personalitete të shquara të kategorive të ndryshme shoqërore deri në kohën e tij: sulltanë, mbretër, sadriazemë, vezirë, shejhulislamë, imamë, papajë, historianë, gjeografë, mjekë, filozofë etj.
Shkruan p.sh., për Ebu Hanifen. Shafiun, Malikiun, Hambeliun, Ibni Sinanë (i njohur në Evropë si Avicena), Buharinë, Muslimin, Ibni Ruzhdin (Averoes), Farabiun (Alfarebos), Ibni Betutën, Evlija Çelebiun. Franc Bopin, Balzakun, Paskalin, Didëronë, Strabonin, Aristotelin etj.
Po për Shqipërinë dhe shqiptarët? Kur është fjala për Shqipërinë dhe shqiptarët, pra për vendin dhe popullin e vet, tash, pasi e kemi nxjerrë tërë lëndën, mund të themi me plot gojën se Samiu i kishte dhënë vetes liri të shkruajë pak më gjerë; të shkruajë gjëra që, me siguri, nuk mund t`i gjejmë në enciklopedi të tjera.
Në Artikullin Arnautlluk (Shqipëria) në mënyrë të përgjithshme shkruan për tërë territoret e Shqipërisë, kufijtë e saj, qytetet, kasabatë, malet, fushat, liqenet, lumenjtë etj., për të prezantuar pastaj veç e veç, qytetet, kasabatë, malet etj., të saj me të gjitha karakteristikat e tyre: gjeografike, historike, demografike, bukuritë natyrore etj.
Ndërsa, në artikullin Arnaut (Shqiptarët) flet për lashtësinë e popullit shqiptar, për trimërinë, krenarinë, moralin, sinqeritetin, zgjuarsinë e tij; për besnikërinë e femrës shqiptare, por, njëkohësisht, duke ia dashur të mirën këtij populli thekson edhe disa dobësi të kamotshme që duhet mënjanuar.
Nuk do të ndalemi më gjatë te ky artikull për arsye se lexuesi do të ketë mundësi ta lexojë në tërësi në gjuhën shqipe. (shih këtu artikullin: Shqiptarët).
Sami Frashëri në Kâmûs al-a`lâm-in e tij ka dhënë shënime biografike edhe për shumë personalitete nga mbarë trojet shqiptare, nga: Elbasani, Korça, Shkodra, Tetova, Prishtina, Prizreni, Peja, Ohri, Manastiri, Shkupi, Ulqini Gjirokastra, Janina etj., shumica e të cilëve për lexuesit shqiptarë, mjerisht, kishin mbetur të panjohur sa duhet.
Prandaj, e pamë të udhës që këtë lëndë ta nxjerrim, ta përkthejmë dhe kështu t`ia ofrojmë edhe lexuesit tonë, duke e përgatitur si vepër të veçantë, përmes kësaj vepre lexuesi shqiptar do të dijë për meritat, rolin dhe aftësitë e bashkëkombësve të tij, respektivisht për shkallën e kulturës kombëtare shqiptare.
Në këtë vepër lexuesi shqiptar do të lexojë për Hoxhë Tahsinin, Skënderbeun, Abdyl Frashërin, Ali Pashë Tepelenën, Bushatlinjtë, Dora d`Istrian (Elena Gjikën); përmes kësaj vepre do të dijë se sa kryeministra shqiptarë ka pasur në Perandorinë Osmane dhe kush janë ata; do të dijë se kush ka qenë p.sh. Aqif Mehmed Pashë Tetova; çfarë roli kanë luajtur Qyprilinjtë; kush ka qenë Gjiritli Mustafa Nail Pasha; sa historian i famshëm ka qenë Lutfi Pasha; do të dijë për Mirahor Iliaz beun, stërgjysh (nga nëna) i Sami Frashërit dhe themelues i qytetit të Korçës; do të lexojë për Nesibin; do të mësojë për Sinan Pashën, pushtuesin e Jemenit, i cili ka qenë pesë herë kryeministër (sadriazem) i Perandorisë dhe pesë herë kryekomandant ushtarak; për Mehmed Ali Pashën, reformator i Egjiptit, për Seid Pashën, sipas të cilit e merr emrin qyteti Port Said.
Do të mësojë për një varg poetësh shqiptarë të shekullit 15-16; Fevrin, Suzin, Mesihin e Prishtinës, Jahja bej Dukagjinin, Dukagjin-zade Ahmed beun, Muidin ejt.
Pra, nga sa shihet, Samiu në Enciklopedinë e tij historike-gjeografike, të shkruar në gjuhën turke, ka përfshi një material të gjerë historik e gjeografik për trojet etnike shqiptare si dhe një listë të gjatë të personaliteteve të shquara shqiptare që nga kohët e lashta e deri në kohën e tij që, siç thotë Zija Xholi “...mund të quhet Enciklopedia e botës historike dhe gjeografike shqiptare brenda Enciklopedisë së përgjithshme”.
Këtu shpesh shtrohet një pyetje; pse Samiu, si shqiptar, e shkroi Kâmûs al-a`lâmin, kryeveprën e tij, në gjuhën turke.
Kësaj pyetjeje. me siguri, më së miri do t`i përgjigjej vetë ai, megjithatë, mund të themi se kjo nuk duhet ta brengosë askënd, përkundrazi, sepse, Samiu me mendjehollësi i kishte menduar gjërat qysh më parë.
Me këtë ai para njëqind vjetësh deshi ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, deshi t`i tregojë botës, pikërisht në kohën e shthurjes së Perandorisë Osmane, se cilat ishin territoret e Shqipërisë; të njoftojë opinionin botëror me argumente të forta e shkencore për lashtësinë e popullit shqiptar; se shqiptarët janë të zotët dhe se kanë aftësi të qeverisin të pavarur etj.
Kâmûs al-a`lâm, kjo vepër madhështore, të cilën Sami Frashëri e shkroi në kohën e pjekurisë së tij shkencore, sipas vlerësimeve të shkencëtarëve, me cilësinë dhe saktësinë faktografike do të vazhdojë të mbetet edhe më tutje vepër shumë e nevojshme për historiografinë përgjithësisht, e për shumëçka burim i dorës së parë, kurse autori i saj, Sami Frashëri, shkencëtar në suaza ndërkombëtare.

Shënime rreth përgatitjes së veprës:
- Lëndën e kësaj vepre e kemi radhitur sipas rendit alfabetik, përveç artikullit “Shqiptarët”, të cilin, duke e konsideruar si njësi të përgjithshme, por që duhet të zë vend këtu, e kemi vënë në fillim.
- Për arsye sqarimi e plotësimi, jemi përpjekur të japim edhe shënime plotësuese, këto shënime mund t`i vërejë vetë lexuesi.
- Sami Frashëri këtu i shënon vetëm vitet sipas hixhretit.
Për arsye sqarimi ne i shënojmë edhe vitet që janë në përdorim te ne. Numri i parë tregon vitin sipas hixhretit.
- Terminologjinë historike të përdorur në këtë vepër e shpjegojmë në fund të veprës në formë të fjalorit.
Për shpjegimin e kësaj terminologjie jemi mbështetur në: Evlija ^elebi, Putopis, Sarajevo, 1979, fq. 588-667 (përgatitur nga Hazim Shabanoviqi); ¼. Sami (Sami Frashëri), Kamus-i Türki, Istambul, 1978 (ribotim); Joseph von Hammer, Historija turskog (Osmanskog) carstva 1-3, Zagreb, 1979 (në gjermanisht për herë të parë është botuar më 1836 në katër vëllime); Nerkez Smailagi}, Leksikon Islama, Sarajevo, 1990 etj.

Fjalë të urta nga S. Frashëri

1. Mendimet e larta gjenden në fjalë të shkurtra.

2. Më e bukura fjalë është e thjeshtë dhe e shkurtër, është fjalë që kuptohet më lehtësi dhe që ka kuptim të thellë e të hollë.

3. Njeriun e bëjnë të përjetshëm veprat e tij.

4. Detyra jonë kryesore ndaj njerëzisë është të studiojmë dhe të mësojmë (të tjerët) pa u mërzitur.

5. I madh është ai njeri që i shikon të gjithë një soj, që vepron pa anuar, dhe që mendon për të gjithë.
Ai që mendon për interesat e veta, është njeri i ulët.

6. Detyrat njerëzore janë një barrë e rëndë; sjellja e keqe sipas andjes dhe pëlqimit të botës është një moçal i madh. Për të nxjerrë në breg një barrë të tillë të rëndë nga një moçal i tillë, duhet të ecësh drejt, pa shikuar djathtas e majtas.

7. Në vend që të shesësh dituri dhe zotësi, përpiqu t’i fitosh ato.

8. Mos e duaj gjumin shumë; hap sytë që të mos mbetesh i uritur.

9. Toka mund t’i ushqejë njerëzit fare mirë; vetëm pse shumica e pasurisë shpenzohet pa vend, e shumica e njerëzve mbeten të uritur.

10. Për t’ia nënshtruar botën mirësisë, duhet luftuar kundër ligësive.

11. Botimi i pozitës varet nga të tjerët. A nuk është marrëzi të lësh atë që ke në duart tua dhe t’u drejtohesh të tjerëve.

12. Më parë se për pasurinë, mjeshtërinë dhe tregtinë e një bashkësie (njerëzore), duhet menduar për edukimin e saj, sepse edukata e mirë është baza e bashkësive njerëzore.

13. Njeriu merret me dituri dhe me shkencë gjatë gjithë jetës së tij. Në fëmijëri i mëson ato, në rini i vë në zbatim e në pleqëri mëson të tjerët.

14. Zemra e njeriut të përsosur është gjithmonë e pezmatuar, por fytyra e tij është kurdoherë e gëzuar.

15. Njeriu dëshiron madhështinë dhe famën, trembet nga mospërfillja; megjithëkëtë nuk largohet nga sjelljet e këqija; kjo është si kur ke frikë nga lagështira e banon në moçal.

16. Po të jenë nëpunësit në dorë të personave të pazotë, po t’u mungojnë armët ushtarëve, po të mbetet pas bujqësia, mjeshtëria dhe tregtia, prapëse-prapë shteti qëndron; por kur sundimtarët nuk respektojnë ligjin dhe të drejtën, nëpunësit e vegjël bëhen të pabindur dhe nuk zbatojnë urdhrin e dhënë, kështu që populli bjerr vetitë e mira dhe jepet pas veseve të këqija, atëherë nuk ka më shpresë shpëtimi.

17. Mos i poshtëroni njerëzit e mëdhenj për një a dy faje të tyre, sepse diamanti sado i prerë shtrembër të jetë, është më i vlefshëm se një gur i zakonshëm, i prerë në formën më të përsosur.



18. Mashtrimet e mashtruesit i përballoni me drejtësi, sepse gjithçka mënjanohet me të kundërtën.

19. Njerëzit janë të njëjtë para natyrës, edukata i bën të dallohen (njëri nga tjetri).

20. Fjala e atij që qesh shumë, s’e bën të qeshë asnjërin.

21. Duhet të shfrytëzohet mirë koha, sepse jeta nga koha përbëhet.

22. S’ka gjë më të keqe se të përqeshurit, sepse më shumë prek të mirët se të këqijtë.

23. Njollat që i ngjiten trupit tonë lahen me ujë; njollat e shpirtit s’ka gjë që i pastron.

24. Virtyti i bën të dashur (me njëri — tjetrin) njerëzit e mëdhenj, njerëzit e zakonshëm — dëfrimi dhe zbavitja, të këqijtë — vagabondazhi dhe delikti.

25. Duhen shumë mend që të mund të shoqërohesh me njerëz pa mend.

26. Mos shkruaj gjë kur je me nerva; sepse, kur plaga e gjuhës së mëmës më e keqe se e shpatës, mendo çfarë mund të jetë ajo e pendës.

27. Kot përpiqet mendja, kur nuk mund të arrijë gradën e lartë të ndjenjave.

28. Fjala më elokuente është ajo konkluzioni i së cilës kuptohet që nga fraza e parë e qëllimi nëpër brendinë e saj, kur duket në formë solide.

29. Tri raste kanë tri virtyte shumë të pëlqyeshme: të ndihmosh nevojtarët kur janë në gjendje të vështirë, të thuash të vërtetën edhe në zemërim, të falësh kur je i zoti të ndëshkosh ose të hakmerresh.

30. Për ndryshimin e një gjëje askush nuk është më i aftë se koha.

31. Ti japësh pozitë dhe të nderosh një njeri pa merita është si të hedhësh në ndyrësira një qese me inxhi (margaritarë).

32. Po të bjerë në det një pikë ujë, nuk thahet.

33. Sikundër që elefantin e vrasin për dhëmbët e tij të çmueshëm, disa guaska deti i gjuajnë për margaritarët që kanë brenda e që bilbilin e robërojnë për zërin e tij të bukur, kështu edhe njeriun — të shumtën e herës — e rrezikon vlera e tij e lartë.

34. Mos iu mbështet së nesërmes, nuk mund të dish se ç’do të lindë nata.

35. Pa atashim s’mund të ketë as opinion publik, as forcë.

36. Liria s’mund të shkojë përpara pa pasur udhëheqëse arsyen dhe pa qenë e shoqëruar nga vetitë e mira.

37. Gjuha e memecit është më e mirë se e gënjeshtarit.

38. Gjuha është dëshmitari gënjeshtar i zemrës.



39. Sikundër që trupi ka nevojë për pastërti ashtu edhe shpirti për arsim.

40. Pendimi është pranvera e mirësjelljes.

41. Meng Çui thot: Filozofët, dijetarët, njerëzit e mëdhenj, të cilët me mendimet dhe punët e tyre kanë bërë të çuditet bota, a nuk ishin edhe ata njerëz si ne? Pse t’i shikoj ata me habi dhe mahnitje? A s’mund të bëhem edhe unë si ata me përpjekjet e mia?

42. Hidhërimi dhe gëzimi s’kanë kufi. Njeriut, pse ka zënë një pozitë të vogël, i bie pika nga gëzimi, pastaj ai vdes nga hidhërimi pse nuk zë një pozitë më të lartë.

43. Shoku më i pavlefshëm është ai, i cili, për një fjalë që ka dëgjuar për shokun e tij, nuk e do më atë.

44. Ai që pëlqen veten e tij, nuk pëlqehet nga askush.

45. Dallkauku (lajkatari) është fajdexhiu më i keq, posa sheh se ai që ka përballë u mashtrua prej tij, edhe sikur t’i marrë kamatën 500 për qind të hipokrizisë që i ka akredituar, prapëseprapë s’kënaqet, përpiqet t’i heqë edhe lëkurën të mjerit.

46. Pasuria zë vendin e lejekalimit të marrëzisë.

47. Pasuria e vogël, që përdoret me nikoqirllëk, zë vend më mirë se thesaret e keqadministruar.

48. Pasuria është shërbëtor i të mençurit e zotëri i budallait.

49. Lumturia në botë i ngjan dritës së shkreptimës, ndriçimi i një sekonde sjell pas furtunë disaorëshe.

50. Gjëja që ka shkaktuar fanatizmin (fetar) janë përrallat të shpikura nga keqdashja, të pranuara nga frika dhe të ruajtura nga marrëzia.

51. Helmi më i rrezikshëm është hipokrizia.

52. Filozofi kinez Ming Çu thot: “T’i duash njerëzit e aftë e të talentuar dhe të mos i nderosh ata është sikur t’i thërrasësh në gosti dhe t’u mbyllësh portën, për të mos i pranuar.”

53. Njëri nga filozofët e famshëm të Tibetit, Paskia Pandita, thotë: “S’mund t’i japësh flakë një pylli të madh po nuk të ndihmoi era”. D m th. — mos fillo punë të mëdha po nuk qe koha dhe rasti i volitshëm.

54. Mos u prish me vëllanë për punë të shokut, sepse shoqëria zhduket, vëllazëria mbetet.

55. Si flaka e shkrepës me kokë poshtë, që është më e fortë, ashtu edhe virtytet e dijetarit të rënë në fatkeqësi duken më qartë.

56. Ata që tregohen të drejtë me qëllim lartësimi, pasi të arrijnë qëllimin, s’ndjejnë më nevojë për drejtësi.

57. Shërbimin që bën arsimi për përmirësimin e një kombi, ligji s’mund ta bëjë kurrë.

58. Shpagimi më i ëmbël është të bësh mirë kundër së keqes që të është bërë.

59. Kur lodhet trupi, qetësohet mendja.

60. Duke gërmuar tokën, del ujë.

61. Tregtia që të jep më shumë fitim është puna.

62. Dituria është e gjatë, jeta e shkurtër.

63. Dita është e shkurtër, puna e gjatë.

64. Nëna e frikacakut as nuk qan, as nuk qesh.

65. Po të përdoret mirë koha, do të mjaftojë për të kryer çdo punë.

66. Çdo ditë e jetës sate është një faqe e biografisë sate, kujdesu ta shkruash mirë, sepse një faqe e keqe ndyn gjithë librin.

67. Të qeshësh kundrejt një personi të dëshpëruar, është si t’i heqësh dikujt petkat në kohë të ftohtë dhe ta lësh lakuriq.

68. Do që të mos ndihet fjala që do të thuash? Mos e thuaj. Do që të mos shihet puna që do të bësh? Mos e bërë.

69. Dijetari i përdhosur është një gjarpër me kokë të stolisur me diamante.

70. Po nuk foli i marri, nuk dallohet nga i urti.

71. Ngandonjëherë, heshtja është më elokuente se çdo fjalë.

72. Një gjë e vogël e fituar me të drejtë, është më e mirë se gjëja e shumtë e fituar padrejtësisht.

73. Fundi i të qeshurit është mërzitja, fryti i të qarit është ngushëllimi.

74. Bukuria e njeriut përbëhet nga bukuria e fjalës që flet.

75. I vobekti energjik i ngjan fitilit pa vaj.

76. Përgatite dyshekun para se të biesh të flesh.

77. Peri i ngatërruar nuk zgjidhet me nguti.

78. Kush e ka barrën të rëndë, e ka hapin të shkurtër.

79. Sa më shumë rëndohet barra, aq më shumë i del kurrizi atij që është përposht.

80. Filozofi kinez Shu King thot: “Kush është në punë të shtetit, të përpiqet të bëjë vepra që do të mbesin për shumë kohë pas vdekjes së tij.”

81. Njerëzit e mirë janë të gjykuar të bëhen skllevër të të këqijve.

82. Lumturia nuk zgjat për shumë kohë, i pafati është një foshnje në bark të s’ëmës që ende s’ka arritur në botën e lumturisë; ndërsa ai që është i lumtur, është një plak duke dhënë shpirt.

83. Qeveria (e mirë) lind nga rregulli dhe kujdesi.

84. Njeriu duhet të përpiqet të mësojë çdo gjë, jo të tregojë veten e tij.

85. Ato çka di njeriu, në krahasim me çka nuk di, janë kurrgjë.

86. S’mund të njihet për dijetar askush, pos atij që mposht epshin e vet.

87. Dijetar (filozof) është ai që i përshtatet puna fjalës së tij e fjala opinionit të tij.

88. Pasaniku koprrac i ngjan miut që rri në një tas të artë.

89. Skamja dhe përvuajtja kërkon nikoqirllëk, përvuajtja dhe nikoqirllëku mirësjelljen, mirëpo pasuria sjell kryelartësinë e dorëlirësinë, e kryelartësia e dorëlirësia shthurjen dhe keqsjelljen.

90. Njeriu që s’mund të mbrojë mendimin e vet, i ngjan një qyteti të pambrojtur.

91. Dijetari nuk thotë ç’ka di (kur nuk është rasa për t’i thënë), i marri nuk di çka thotë.

92. Është faj të meritosh qortimin, mos durimi (me rasën) i qortimit është faj edhe më i madh.

93. Zgjuarsia është një dritë hyjnore, ndriçimi i së cilës ndrit jo vetëm sipërfaqen e sendeve, por edhe brendinë e tyre.

94. Më i forti i njerëzve është ai që është i zoti të përmbajë vetveten.

95. Lumturia (te njerëzit e ulët) shkakton kryelartësinë dhe mospërfilljen (ndaj të tjerëve).

96. Shpata e grave është gjuha e tyre, prandaj nuk e lënë të ndryshket.

97. Meqenëse gratë plotësojnë zbrazëtinë e kuvendimit dhe të mbledhjeve, i ngjajnë kashtës që vihet ndërmjet filxhanëve e pjatave. Sado që kjo kashtë duket e panevojshme, filxhanët dhe pjatat e ndodhura në një arkë pa të do të thyheshin dhe nuk do të tepronte asnjë.

98. Mali lind vullkanin, vullkani çan malin, druri ushqen krimbin, krimbi than drurin; njeriu krijon idetë, idetë e fusin njeriun në një mijë fatkeqësia e më në fund e dërgojnë në shtratin e veremit (ashtu siç ngjante nën regjimin e sulltanit turk).

99. Derisa ata që vdesin nga helmi janë fare të paktë, çdo njeri trembet nga helmi, ndërsa shthurja grin çdo ditë mijëra njerëz, gjithkush jepet pas saj.

100. Gjithkush mendon për veten e tij, vetëm shpirtmiri mendon për të tjerët.

101. Kombi është themeli i godinës së shtetit, sa më i fortë të jetë themeli, aq më shumë qëndron godina.

102. Të fillosh një punë dhe të mos e vazhdosh deri në fund, është si të fillosh të mihësh një pus dhe pas 2 — 3 pashësh ta lësh punën. Sikur të mihë njeriu në 100 vende nga 2 — 3 pashë, nuk nxjerr dot një pikë ujë, por po të mihë në një vend 5— 10 pashë, me siguri del ujë.



103. Po të fillosh një punë dhe të mos i dalësh në krye, mos u dëshpëro; po nuk ia dolët parën, ia del me të dytën dhe fundja me të tretën.

104. Mos u tremb nga shuplaka e mikut, duhet të kesh frikë nga lëvdata e armikut.

105. Në çdo mëndim mund të ketë shkarje e në çdo veprim gabim: mendimet korrigjohen me kohë, veprimet me përvojë.

106. Shumë rrallë i takon fatkeqësi atij që kur del në mëngjes nga shtëpia i shkon mendja se mund të kthehet me qivur në mbrëmje.

107. Gjithë ç’është në botë, me shpirt dhe pa shpirt, është armik i njeriut; njeriu i urtë qëndron gjithmonë me kujdes dhe nuk ka besim në asnjeri, në asgjë. (Me këtë Samiu tregon se në ç’rreth ka jetuar i gjori).

108. Ç’mund të bëjë një kalë i fortë me një karrocë të shkatërruar?

109. Më kryesoret janë katër gjëra që e bëjnë njeriun njeri: dituria, durimi, kanati (mjaftimi me atë që ka) dhe drejtësia.

110. Ujët në vetvete është i pastër, duke u trazuar me disa materie dhe sende të tjera, bëhet i ithët dhe i ndyrë; njeriu është krijuar i mirë, bëhet i keq nga ndikimi i epsheve dhe i veseve të këqija.

111. Njeriu donë të jetojë shumë, por nuk donë të mplaket.

112. Kur çdo njeri t’i shikojë të gjithë njerëzit për shokë, gjënë e tjetrit si gur dhe tokë (d.m.th të pavlefshme), gratë — përveç të tijën — si nëna dhe motra, atëherë është e mundshme të ketë lumturi dhe prehje në botë.

113. Po deshe të kesh të lirë zemrën tënde, mos i plotëso dëshirat (e këqija).

114. Punën e nesërme mbaroje sot dhe pushimin që do të bësh pasnesër bëje sot.

115. Mos jep shkas të flasë kush keq për ty; por mos u mundo t’i mbyllësh gojën keqdashësve, sepse qeni, ashtu sikundër i leh natën kusarit që i kalon afër, ashtu i leh edhe njeriut të ndershëm.

116. Po të flitet keq për ndokënd, gjithsecili beson në çast; po të flitet mirë për të —asnjeri nuk beson. Përçarja është bërë aq e pëlqyer në botë sa që lëvdatës nuk i ka mbetur fare vlerë.

117. Smiraku e grindaveci edhe sikur të zotërojnë tërë botën, s’mund të kënaqen, sepse për t’u bërë ata të lumtur, duhet të shkatërrohet gjithë bota.

118. Martesa është një urë në mes të shthurjes dhe lumturisë.

119. Ekzistenca dhe lumturia e shoqërisë njerëzore varet nga gruaja. Midani thotë: “Aty ku mungon gruaja, asaj duhet bërë një shtatore prej druri.”

120. Nga një birucë e vogël, mund të hyjë një e keqe e madhe.

121. Hiq dorë nga ligësia edhe ajo heq dorë nga ti.

122. Kush çmon (lëvdon) një ligësi, është më i lig se ai që e bën.

123. Zbavitja më e bukur për njërin është leximi, shoku më i mirë libri.

124. Kush kuvendon me botën, kuvendon me persona të zakonshëm; kush lexon libra, kuvendon me filozofë, letrarë dhe me njerëz të famshëm.

125. Kush nuk është i gjykuar, është gjykues; kush nuk është i urdhëruar, është urdhërues.

126. Njeriu kërkon të njihet me të pasurit dhe mënjanohet të njihet me të varfrit; mirëpo, pasuria dhe vobekësia nuk janë gjëra që ngjiten me të njohur.

127. Ngutja në marrjen e vendimeve në çështje të vështira dhe të dyshimta, është e dëmshme.

128. Ujët që pihet me ngadalë, largon etjen më shumë.

129. Kush nuk e kupton të vërtetën e fjalës së tjetrit, nuk di edhe atë që thotë vetë.

130. Gjithsecili mban në gojë punën 6 të pasurve; vetëm njeriu zemërmirë mendon gjithmonë gjendjen e të varfërve.

131. Pleqtë të mos kalojnë pranë varreve të të rinjve, mizorët pranë atyre të të mirëve dhe tradhtarët pranë varrit të dëshmorëve, sepse dheu i tyre nuk duron të qenien e tyre mbi faqen e tokës.

132. Kush mëshiron gjarprin, torturon njerëzinë.

133. Njëri nga filozofët kinezë thotë: “Ai që është në punë të shtetit, mirësitë duhet t’i bëjë duke u gëzuar dhe ndëshkimet duke u hidhëruar.”

134. Mos u trazo nga një gjë që nuk di se është e drejtë apo jo.

135. Personi që do ti, s’ka asnjë të metë, fillo të mos e duash, pa shih sa të meta ka.

136. Lëvdata e bën njeriun të kthehet nga rruga që ka zënë, kurse kritika e bën ta kontrollojë rrugën e vet dhe ta vazhdojë.

137. Nuk i besohet premtimit të atij që premton shumë.
Gjon Buzuku
Gjon Buzuku
20.12.2016 | 09:32
Zef Serembe
Zef Serembe
20.12.2016 | 09:26
Abdyl Frashëri
Abdyl Frashëri
20.12.2016 | 09:20
Jeronim de Rada
Jeronim de Rada
20.12.2016 | 09:16
Ali Asllani
Ali Asllani
20.12.2016 | 09:10
Gaspër Pali
Gaspër Pali
20.12.2016 | 09:00
Luigj Gurakuqi
Luigj Gurakuqi
20.12.2016 | 08:55
Martin Camaj
Martin Camaj
20.12.2016 | 05:15
Shefkije Islamaj
Shefkije Islamaj
20.12.2016 | 05:06