Zef Serembe
Zef Serembe
20.12.2016 | 09:26
Biografia

Një figurë origjinale dhe e ndërlikuar, që spikat në letërsinë tonë është ajo e Zef Serembes. Vepra e tij pasqyron atë etapë të Rilindjes kur lëvizja kombëtare kishte marrë hov, prandaj edhe tema patriotike merr nën penën e tij një tingëllim kushtues të hapur dhe aktual. Nga ana tjetër, në krijimtarinë e tij gjeti shprehje atmosfera e pakënaqësisë që kishte lindur tek arbëreshët në vitet 1860-1870, kur bashkimi i Italisë jo vetëm që nuk solli ndryshimet shoqërore të shpresuara, por, përkundrazi, e thelloi mjerimin e tyre. Poezia e Serembes pasqyron kontradiktat e kësaj kohe. Zef Serembja lindi më 6 mars 1844 në fshatin arbëresh San Kozmo Albaneze të Kalabrisë ose Strigari, si i thonë vendësit, ku zakonet dhe gjuha shqipe janë ruajtur deri sot. Fshati ndodhet mbi një kodër të veshur me vreshta, me portokaj dhe limonë, me pamjen e detit Jon nga lindja. Kjo natyrë e ëmbël dhe e ashpër, që të kujton deri diku Shqipërinë, u bë një element me rëndësi i veprës së poetit. Personaliteti i Serembes si krijues u formua në vitet e zjarrta të lëvizjes kombëtare italiane të viteve 1848-1860, ku i ati mori pjesë aktive, aq sa u dënua me vdekje në mungesë nga qeveria burbone dhe u detyrua të endej maleve si komit. Që në moshë të njomë, Zefi i vogël njohu tiraninë politike dhe padrejtësitë shoqërore, gjë që u dha vjershave të tij vulën e pakënaqësisë nga realiteti, frymën e revoltës aq të fuqishme.
Në zhvillimin e talentit, që i lindi herët në mënyrë të vetvetishme dhe në brumosjen e Zefit me ndjenja patriotike e liridashëse luajtën rol të rëndësishëm studimet në kolegjin e Shën-Adrianit, ku pati mësues De Radën, me të cilin më vonë u bë mik. Varfëria dhe shëndeti i keq e detyruan Seremben të ndërpresë shkollën dhe të kthehet në fshatin e lindjes. Ndërkaq lëvizja kombëtare në Itali po merrte përpjesëtime të gjera. Ishte koha kur Garibaldi po triumfonte kudo në Italinë e Jugut dhe arbëreshët po i përgjigjeshin thirrjes së tij.
Serembja u bë këngëtar i kësaj lëvizjeje, i shtyrë jo vetëm nga ndjenjat liridashëse, po edhe nga prirja për të parë tek ajo një shprehje të trimërisë së arbëreshëve dhe një shpresë për pjesëmarrjen e tyre të mëtejshme për çlirimin e atdheut të të parëve. Ndërkaq, lëvizja kombëtare në Shqipëri u fuqizua, u shpeshtuan kontaktet e arbëreshëve me këtë lëvizje. Edhe Serembja tregoi interes të gjallë ndaj përpjekjeve për liri të vëllezërve përtej detit. Madje, ai ishte i pakënaqur nga dobësia e kësaj lëvizjeje dhe i hodhi shigjeta, satira të dhimbshme në vjershën "Vrull", kurse në një vjershë kushtuar Dora d`Istrias poeti ngriti zërin për lirinë e Shqipërisë, hodhi kushtrimin për luftë të armatosur dhe për bashkimin e shqiptarëve.
Në këto vite Serembja shëtiti nëpër fshatrat arbëreshe të Sicilisë e të Kalabrisë, i ra anembanë Italisë, duke u lidhur më tepër me zakonet, me folklorin, me të folmet e ndryshme të arbëreshëve, me ndjenjat dhe ëndërrimet e tyre, me ndjenjën e madhe të çlirimit të atdheut të të parëve. Po nuk gjeti asgjëkundi qetësinë e shpresuar. Gjatë këtyre shtegtimeve ai improvizonte poezi dhe i recitonte ato kudo që vinte, si një poet popullor. Disa prej këtyre vjershave qarkulluan si poezi popullore. Gjurmë të thella të dhimbshme në shpirtin dhe krijimtarinë e poetit la dashuria e pafat për një fshatare arbëreshe, që më vonë kishte emigruar në Brazil, ku edhe vdiq pas pak kohe. Dëshira për të parë varrin e kësaj vajze si dhe shpresa që të përmirësonte gjendjen e vet ekonomike, e bënë poetin të nisej më 1875 për në Brazil. Po edhe këtu Serembja u zhgënjye shpejt, sepse pa korrupsionin e thellë të oborrit, jetën e degjeneruar të aristokracisë braziliane. Pa kaluar as një vit ai u kthye në Itali, duke pasur si pasuri të vetme një trastë dorëshkrimesh. Gjatë këtij udhëtimi të vështirë thuhet se poetit i humbi pjesa më e madhe e këtyre dorëshkrimeve.
Në fshat, i rënë nga shëndeti dhe nga gjendja shpirtërore, Serembja nisi përsëri jetën e varfër të mëparshme.
Zhgënjimi në jetën shoqërore dhe në jetën personale u bënë shkak që Serembja të kalonte në këtë periudhë një krizë misticizmi, e cila ndikoi për keq në krijimtarinë e vet. Po interesi i tij për lëvizjen kombëtare në Shqipëri ishte gjithnjë i gjallë dhe në këtë lëvizje ai përqendroi të gjitha shpresat e mbetura. Pikërisht në këtë kohë, më 1883, Serembja botoi librin "Poezi italisht dhe këngë origjinale të përkthyera nga shqipja". Megjithëse vjershat italisht kishin të meta nga ana e formës dhe niveli i përkthimit në italisht të krijimeve shqip nuk qe i kënaqshëm, libri ngjalli entuziazëm në rrethet letrare të kohës. Duke mos mundur të duronte gjatë atmosferën mbytëse që sundonte në Italinë e Jugut edhe pas zhdukjes së tiranisë së Burbonëve, poeti u nis sërish për në Brazil dhe për në Amerikën e Jugut. Aty e mbyll krijimtarinë e tij letrare me dy poezi, që dëshmojnë se ai nuk e humbi kurrë shpresën te lëvizja kombëtare shqiptare. Natyrën e tij të ndjeshme e mposhtën fatkeqësitë e jetës. Më 1901 ai e mbylli jetën në San-Paolo të Brazilit, në një gjendje çmendurie.

Veprat

· "Poesie italiane e canti originali tradotti dall`àlbanese", (Poezi italiane e këngë origjinale të përkthyera nga shqipja), Kozencë 1883 në italisht dhe shqip.
· "Il reduce soldato, ballata lirica", 1895 Nju Jork (Kthimi i ushtarit, baladë lirike); vargje vetëm në italisht.
· "Sonetti vari" (Sonete të ndryshme) Napoli 1891
· "Vjershe" - 1926 botuar në Milano nga nipi i tij Cosmo (Kozmo) Serembe.

Poezia erotike dhe letërsia popullore

Lidhjet e poezisë së Zef Serembes me poezinë popullore janë më të gjera dhe më të shumëllojshme se që janë lidhjet e dëshmuara përmes melodisë si zotëruese e në sërë vjershash të tij. Në krijimtarinë e tij nuk janë të pakta vargjet që lidhjet me këngët popullore i dëshmojnë në radhë të parë me situatat e paraqitura. Kështu, p.sh., e ngjashme në tërësi me situatat e kënduara në këngët popullore është situata e kënduar në vjershën “Për lirinë e Venetisë” kur burrat kthehen nga lufta, kurse vajzat i hidhnin lule prej ballkonesh:


Edhe vashat lozonjare
Vënë perdet në dritare
Në katund të armatosur
Shtjemë kuajt e krekosur.
Nga dritaret çdo kopile
Na hedh neve trëndafile...


Prej këtyre vargjeve mund të shihet se si lirizmi i theksuar në vjershat e Zef Serembes, shpesh është një lloj lirizëm i halëzuar, ashtu sikundër është aq shpesh i kallëzuar lirizmi edhe në vargjet popullore. Në vargjet e poshtëshënuara të vjershës “Kënek malli”, përmes shprehjesh të spikatshme lirike, Zef Serembe tregon për vajzën e dashur duke i theksuar mallin dhe dhembjen që ndien për të. Megjithëse për nga ndërtimi i rrokjeve nuk janë vargje karakteristike për poezinë popullore, me lirizmin e tyre të kallëzuar ato, pothuaj e përkujtojnë poezinë popullore. Pse? Sepse lirizmin e tyre të kallëzuar, e megjithatë e përshkon një frymë epike- sikundër lirizmin popullorë.
Në përgjithësi lidhjet e vargjeve të Zef Serembes me vargjet popullore janë aq të ngushta, aq të nduarduarshme, më në fund aq thelbësore, sa që duket se bota e paraqitur prej tij në pjesën më të madhe të rasteve është një botë, përvetësimin e së cilës e përcaktojnë plotësisht botëkuptimi dhe ndjeshmëria, që e cilësojnë poezinë popullore.
Vargjet e Zef Serembes u përafrohen vargjeve popullore, sidomos me epitetet, me krahasimet, me metaforat dhe, më në fund me simbolet e përdorura. Sikundër këngëtarët popullorë dhe Zef Serembe thotë se vajza që dashuron është me shall, buzëkorale, syzezë, flokëgjatë e të tjera: ose: e bardhë si bora, ecën sorkadhe, e lehtë si flutur, ka faqet si mollë, syrin e zi etj., të ngjashme. Porsi këngëtarët popullorë edhe ai do të thotë se burrat, në luftë lëshohen si rrufeja, kurse goditjet e tyre bien si breshëri. Imagjinatën popullore ai e përkujton edhe me metaforat që krijon.
Kështu, fjala vjen, porsi këngëtarët popullorë për vajzën që dashuron do të thotë se është mollë e ëmbël, ose gozhdë ari, kurse për burrin trim, në këtë mes për Garibaldin, se është trim me fletë.
Me ndryshim prej bashkëkohësve të tij, Naim Frashërit dhe, sidomos, Ndre Mjedës, që përdorin më tepër simbole, Zef Serembe nuk është poeti i simboleve e aq më pak poet që kërkon simbole të rralla.
Vargjet e tij nuk mund të quhen vargje që për nga ndërtimi imitojnë vargjet popullore për arsye se në kornizën e rrokjeve me prejardhje folklorike sjellin lëvizje të reja ritmike. As për nga ndërtimi figurativ vargjet e tij nuk mund të quhen vargje që imitojnë vargjet popullore për arsye se me figura të prejardhjes folklorike sjellin parafytyrime, situata, ndjenja dhe vendime të përshkruara prej një ndjeshmërie të re për kohën në të cilën shkruhen. Përvoja poetike popullore e shprehur në vargjet e Zef Serembes është një përvojë e vënë në shërbimin e përpjekjeve për një shprehje të natyrshme, të thjeshtë, të qartë, kumtuse dhe të ngjyrosur emocionalisht si edhe në poezinë popullore. Për këtë arsye mund të thuhet se përvoja krijuese popullore, e shprehur në vjershat e Zef Serembes, nuk detyrohet imitimit të përvojës së krijuesit popullor, por pikënisjes së njejtë krijuese të të dyve.
Për traditën poetike popullore Zef Serembe do të interesohet gjatë gjithë jetës. Lidhjet e krijimtarisë së tij poetike me krijimtarinë poetike popullore, ndërkaq, janë më të dukshme në vjershat, që shkruan para mërgimit të parë në Amerikë, se sa në vjershat e mëvonshme, që shkruan pas kthimit prej mërgimit.

Struktura metrike e soneteve të Zef Sermebes

Sonetet e Zef Serembes të shkruara në gjuhën shqipe, janë të paramenduara prej poetit brenda natyrës standarde të kësaj forme poetike, pra në njëmbëdhjetë rrokësh dhe një kombinim të caktuar të rimave. Edhe në rastet kur sonetin e krijon për një çast, si sonetin kushtuar Dhuninkë Maurit, Zef Serembe manifeston dijen dhe ndjeshmërinë që të respektojë strukturën e kësaj forme poetike. Në këtë sonet të Zef Serembes, dominon si drejtim njëmbëdhjetë rrokshi, megjithëse haset ndonjë oscilim metrik, pra një pasaktësi në disa vargje: 2, 6, 8. Skema e rimave është: abba/abba për katrenat dhe cde/edc per tercinat, që do të thotë është krijuar brenda në modeli të njohur të sonetit.
Në katrenat Zef Serembe krijoi sipas skemës së rimës së alternuar abab/abab në pesëmbëdhjetë sonete, ndërsa sipas skemës së rimës së kryqëzuar në katër sonete. Ndërsa, në një sonet ka përdorur një skemë krejtësisht të çrregullt, abba/cccc, e cila nuk është në pajtim me skemat e kësaj forme.
Sa u përket tercinave, ato janë krijuar në formë kombinimesh shumë të larmishme, gjë që është në pajtim me praktikat e shumicës së poetëve që kanë krijuar sonete.
Po në përgjithësi mund të thuhet se rimat e soneteve të Zef Serembes nuk janë gjetje shumë mjeshtërore, nuk janë rezultat i ndonjë perfeksioni më të fortë.
Poezia e Zef Serembes, duke qenë shprehje artistike e një brendie të re ideore që u përcaktua nga rrethanat e realitetit historik dhe shoqëror të kohës kur jetoi poeti, kërkonte në mënyrë të pashmangshme parime të reja të organizimit të formës.
Problematika e gjerë që trajtoi vepra e Serembes e që lidhej me dy shqetësimet e tij të mëdha, me shqetësimin për gjendjen e mjeruar të kombit nën zgjedhën turke dhe me shqetësimin për pozitën tragjike të njeriut në shoqërinë e kohës, motivet e reja të deziluzionit nga jeta dhe të disharmonisë midis individit dhe shoqërisë, patosi i zbulimit të personalitetit të njeriut në larminë e vet dhe i pohimit të së drejtës së tij për të afirmuar botën e tij të lirë shpirtërore dhe synimet e tij të larta e fisnike, të gjitha këto përcaktuan tipare të reja të stilit në poezinë e Serembes.
Në qoftë se tema e së kaluarës, evokimi i traditave heroike nacionale kishte përcaktuar gjer atëherë karakterin epiko-lirik të letërsisë arbëreshe dhe dy stile përkatëse, stilin narrativ dhe epiko-lirik, të cilat gjetën shprehjen e tyre më të lartë në veprën e de Radës, brendia e re që solli vepra e Serembes, përvijoi dy vija të reja stili. Nota e re kushtetuese që karakterizon lirikën patriotike dhe një pjesë të lirikës shoqërore të Serembes, gjetën shprehje kryesisht përmes stilit patetiko-oratorik, kurse motivet e deziluzionit, të vetmisë e të tragjizmit të njeriut që ka rënë në konflikt me realitetin, gjetën shprehje përmes stilit lirik introspektiv.
Lirikat “Zoonjës Ljeen Gjikë”, “Koroneeut”, “Dhuninkë Maurit”, “Gëdheljiës”, “Për vëdekjen e Pjetër Irjanit” janë plot me eksklamacione, pyetje retorike, fraza të gjata e të kumbueshme. Hyrjet e tyre janë karakteristike për një fjalim.

Të falja burr!
(Dhumitë Maurit)
Nisu ljuftaar se Kandëja të përet
(Koroneeut)


Veçoritë e individualitetit krijues të Serembes, spontaniteti gati naiv, fëmijëror që e bën poezinë e tij aq të ngrohtë e komunikuese, kanë marrë një shprehje të veçantë, të qartë përmes stilit lirik që i përgjigjet në mënyrë aq profesionale, brendisë dhe drejtimit ideor emocional të poezisë së tij lirike.
Poeti e sjell të hapur “zemrën ndër duar”. Në pjesë më të madhe të vjershave heroi bisedon lirisht me lexuesin:



...zëmra do t’ pjasinjë muua ndë gjië
Mërzitem ndë katundë në vetëmie.

(Rrutulupe)



Shumë të madhe një hare
U te zemra ndienjë sot


(Zoonjës Ljeenë Gjikë)

Fraza e poezisë së Serembes është e thjeshtë, ajo rrjedh në mënyrë të natyrshme. Në pajtim me këtë karakter spontan e të natyrshëm janë dhe hyrjet e menjëhershme në temë që përbëjnë diçka të zakonshme në politikën e Serembes.
Lidhur ngusht me lirizmin si një tipar thelbësor të poezisë së Serembes, për të janë karakteristike dhe psikologjizmi dhe introspeksioni.
Poezinë e Serembes e karakterizojnë tri komplekse emocionale: pakënaqësia zotëron në periudhën e parë, revolta për një kohë të shkurtër, stoicizmi në tërë periudhën e fundit. Si shprehje e këtyre gjendjeve emocionale, krijimtaria e Zef Serembes nga njëra etapë e zhvillimit të saj në tjetrën e ka thelluar lirizmin dhe psikologjizmin.
Megjithëse poeti e analizon me hollësi ndjenjën e vet, ai nuk arrinë kurrë psikologjizëm të sëmurë si bashkëkohësit e tij romantik pasiv. Lirizmi, introspeksioni dhe psikologjizmi kanë përcaktuar edhe zgjedhjen e llojeve në poezinë e Serembes. Ai lëvron kryesisht lirikën politike, intime dhe filozofike. Gjithashtu poeti lëvron elegjinë intime (“Elegji”, “Kujtimi”) dhe elegjinë qytetare (“Për vdekjen e Pjetër Irjanit”) si edhe sonetin.

Lirika

Serembja shkroi vjersha, poema, drama. Po për shkaqe të ndryshme vetjake dhe ekonomike, vetëm një pjesë e vogël e krijimtarisë së tij ka arritur gjer te ne. Për poetin mund të gjykojmë kryesisht nga vëllimi italisht që botoi sa ishte gjallë, dhe nga vëllimi Vjershë, që e botoi më 1926 në Milano i nipi.
Vitet e fundit studiuesit tanë dhe arbëreshë kanë arritur të gjejnë një përmbledhje me 40 sonete, të botuara italisht në vitet `90 që dallohet nga protesta e hapur shoqërore, po kështu mjaft dorëshkrime poetike që nuk njiheshin, dhe një numër të madh lerash nga korrespondenca e tij. Të gjitha këto hedhin edhe më shumë dritë për Seremben si poet. Vjershat që trajtojnë motivin patriotik, janë pothuaj të pakta, por të pasura në problematikë dhe në vlera artistike. Serembja ka meritën se jep kushtrimin për luftë kundër turkut jo në mënyrë të tërthortë si De Rada, por të hapur. Që në vjershën "Rrutullupë" ("Vrull"), e shkruar para vitit 1860, duket shqetësimi e padurimi me të cilin e vështron Serembja fatin e atdheut. Në katër strofat e kësaj vjershe, që është nga më të realizuarat për antitezat tronditëse, vrullin luftarak, koncizitetin e thjeshtësinë, shkrihen malli për atdheun e të parëve, dëshira për ta parë të lirë, urrejtja për pushtuesin, besimi në të ardhmen "Nga urrejtja ngrihet shpresa dhe ndriçon". Idetë e shprehura në këtë krijim poetik të hershëm, do të përshkojnë gjithë poezinë patriotike të Serembes.
Në vjershën Detari, gjejmë heroin luftëtar për çlirimin e atdheut jo më si figurë historike, por si luftëtar të ditës, si hero qytetar dhe në këtë kuptim mund ta quajmë këtë vjershë ndër më të përparuarat e Serembes dhe të kohës. Megjithëse shtjellohet brenda një kornize konvencionale, të cilën mund ta ketë përcaktuar folklori (një detar lë vashën dhe shkon të luftojë- nuk kuptohet ku dhe si- për lirinë e atdheut), vjersha është aktuale për problemet që ngre. Atë e përshkon ideja e lartë e vënies së interesave të atdheut mbi ato vetjake. Konflikti midis së veçantës dhe shoqërores zhvillohet në plan lirik dhe zgjidhet në përputhje me karakterin militues të letërsisë arbëreshe, ku shkëlqen më qartë në vjershën kushtuar. Dora d`Istrias, Zonjës Elena Gjika, ku ndihet një notë e re në letërsinë tonë, hedhja e parullës së bashkimit të të gjithë popullit shqiptar në luftë të armatosur kundër osmanëve dhe parashikimi i ditës së lirisë. Dëshira për liri kombëtare në shpirtin e poetit është e pashkëputur nga dëshira për lirinë e gjithë popujve. Prandaj ai u këndon me entuziazëm lëvizjeve çlirimtare të popujve të tjerë, duke ndier krenari të ligjshme për rolin që kanë luajtur shqiptarët në këto lëvizje ("Për lirinë e Venetisë", "Koroneut").
Poezia e Serembes me tematikë patriotike shquhet për optimizëm, për frymë luftarake dhe për besim të patundur në të ardhmen e lëvizjes kombëtare. Në vjershat më të goditura kjo shprehet me koncizitet, përmes një figuracioni të fuqishëm; në të tjera ka retorizëm, po ai shkrihet në çiltërsinë e ndjenjës. Motivi i dashurisë zë një vend të gjerë në poezinë e Serembes. Në thelb poeti e sheh dashurinë si forcë jetësore, si burim lumturie. Një mendim i tillë pasqyrohet në vjershat që i këndojnë lindjes së dashurisë ("Kënga e dashurisë së parë", "Këngë e gëzueshme", "Fytyra e saj").
Më vonë lirika erotike e poetit fillon të përshkruhet nga fryma elegjiake. Megjithatë, dhembja e poetit nuk kalon në pesimizëm, po mbetet thellësisht njerëzore. Veçanërisht e poezisë së Serembes është analiza e hollësishme psikologjike e ndjenjës. Çiltërsia, njomësia dhe thellësia e ndjenjës i japin poezisë erotike të Serembes një vlerë të madhe njerëzore dhe përgjithësuese.
Poezia e Serembes është e pasur në problematikë, në të përfshihen edhe motive të tjera, si: motivi shoqëror, i natyrës, motivi filozofik, motivi fetar, të gjitha me nota autobiografike. Në një pjesë të madhe të këtyre vjershave shprehet revolta e poetit kundër shoqërisë që e rrethon. Kjo revoltë është e vetëdijshme dhe e fuqishme, po poeti nuk e sheh qartë shkakun e padrejtësive shoqërore, prandaj dhe demaskimi që u bëri atyre tingëllon abstrakt, etik. Serembja ka çaste që i drejtohet fesë. Vjershat e tij fetare shquhen më tepër për revoltë sesa për misticizëm fatalizëm. Disa prej tyre kanë vlera të ndjeshme artistike, që vijnë nga thellësia e analizës së ndjenjës. Midis tyre spikat për bukurinë e tij soneti "Natë", që është në vazhdën e vjershave të romantizmit evropian. Kjo vjershë dallohet nga pasuria e fantazisë dhe fluiditeti plot dritë. Një sintezë e të gjitha motiveve të krijimtarisë së Serembes e gjejmë në vjershën "Elegji", ku arti i tij ka arritur kulmin, midis spontanitetit të frymëzimit dhe punës së kujdesshme artistike. Kjo vjershë mund të quhet kryevepra lirike e Serembes. Ajo është, në të njëjtën kohë, një nga kryeveprat lirike të romantizmit tonë e, në përgjithësi, të letërsisë shqiptare dhe mund të krahasohet me lirika nga më të mirat e romantizmit evropian.
Në sonetet e botuara në vitet `90 thellohet karakteri shoqëror në problematikë, stigmatizohet korruptimi i kishës, sistemi i taksave, që rëndonte mbi popullin, synimet imperialiste të Italisë. Po forma nuk përputhet gjithnjë me thellësinë e brendisë. Romantizmi i Serembes dallohet nga ai i De Radës dhe i Darës, meqenëse, krahas heroit qytetar, në të gjejmë heroin kryengritës, që sfidon shoqërinë. Edhe Serembja, sikurse poetët e tjerë arbëreshë u mbështet në poezinë popullore, veçse jo në rapsoditë epiko-lirike, po në lirikë dhe mori prej saj jo vetëm motive e figura po edhe mënyrën e perceptimit të realitetit, freskinë dhe natyrshmërinë që e dallon. Poezia e Serembes dallohet për muzikalitetin e saj. Ky krijues e pasuroi poezinë arbëreshe me vargje e me lloje të reja, duke lëvruar për herë të parë odën, elegjinë, sonetin, baladën. Poeti iu kushtua, kryesisht llojeve të vogla të poezisë. Spontaniteti i jep forcën tërheqëse poezisë së Serembes, po edhe e ka çuar disa herë në proliksitet e shpërndarje të idesë. Stili i tij është herë patetike-oratorike, herë intim lirik dhe në thelb është analitik.
Serembja është një poet i shquar, origjinal në zgjidhjen e temave dhe në trajtimin e tyre. Ai nuk shkroi kurrë pa shtytjen e frymëzimit, po edhe nuk lë pas dore formën artistike. Serembja pasqyroi revoltën e intelektualëve arbëreshë pas bashkimit të Italisë dhe, njëkohësisht, pjekurinë më të madhe të lëvizjes çlirimtare të Rilindjes. Temën patriotike poeti e trajtoi në një plan më aktual, duke i dhënë karakter kushtues më të hapur. Ai ndërthuri këtë temë me probleme shoqërore dhe e thelloi frymën demokratike të letërsisë arbëreshe. I pushtuar nga idetë liridashëse, ai trajtoi i pari në letërsinë arbëreshe motivin e luftës çlirimtare të popujve të tjerë.
Poezia e Serembes dallohet për diapazonin e gjerë të motiveve e llojeve. Ai lëvroi lirikën politike, lirikën e dashurisë, lirikën filozofike e të peizazhit. Bashkë me De Radën e me Darën, Serembja është një nga përfaqësuesit më kryesorë të letërsisë arbëreshe të Rilindjes sonë Kombëtare.
Gjon Buzuku
Gjon Buzuku
20.12.2016 | 09:32
Zef Serembe
Zef Serembe
20.12.2016 | 09:26
Abdyl Frashëri
Abdyl Frashëri
20.12.2016 | 09:20
Jeronim de Rada
Jeronim de Rada
20.12.2016 | 09:16
Ali Asllani
Ali Asllani
20.12.2016 | 09:10
Gaspër Pali
Gaspër Pali
20.12.2016 | 09:00
Luigj Gurakuqi
Luigj Gurakuqi
20.12.2016 | 08:55
Martin Camaj
Martin Camaj
20.12.2016 | 05:15
Shefkije Islamaj
Shefkije Islamaj
20.12.2016 | 05:06