Si të përgatisni hallvë me  mjaltë e arra
Si të përgatisni hallvë me mjaltë e arra
20.05.2019 | 07:00
Receta e kësaj ëmbëlsire të shijshme është trashëguar me kujdes e dashuri brez pas brezi për dekdada me radhë.
Kremoze, shije plotë dhe magjepsëse me finesën dhe butësinë e ëmbël të saj. Hallva me Mjaltë e Arra është ndër recetat më të vjetra shqiptare. E trashëguar me kujdes e dashuri brez pas brezi për dekdada me radhë, njofton AgroWeb.

Krejt lehtë për t’u përgatitur dhe fantastike për t’u shijuar-kjo është tekstura e ëmbël që zgjon ndijesinë e dashurisë në stomak dhe të përfshin me delikatesën e saj.

Sipas gojëdhënave, Hallva me Arra e Mjaltë ishte ëmbëlsira e preferuar e Ali Pashë Tepelenës. Kuzhinerët e oborrit ishin të urdhëruar t’a gatuanin përditë ëmbëlsirën e famshme, aq shumë të dëshiruar nga Pashai.

Kujtojmë këtu se asaj kohe, tradita e gatimeve shqiptare ishte jashtëzakonisht e influencuar nga kuzhina turke, prej së cilës ishte huazuar edhe receta e përgatitjes së hallvës.

Sot kjo recetë është një vlerë e shtuar që i është bashkuar traditës së kuzhinës shqiptare. E shumë preferuar dhe e dëshiruar nga krejt të gjithë shqiptarët.

Ndiqni më poshtë recetën nga AgroWeb.org për të shijuar këtë ëmbëlsirë fantastike dhe të lehtë për t’u përgatitur.

Si ta përgatisni krejt lehtë në shtëpi
Përbërësit

120 gr miell gruri

70 gr gjalpë

150 gr sheqer

250 ml ujë

arra të thërrmuara

kanellë

Dy lugë mjaltë

Përgatitja

Në një enë hedhim ujin të cilin e kemi vakur më parë bashkë me sheqerin.

E përzjejmë masën derisa sheqeri të shkrijë plotësisht.

Në një tenxhere, shkrijmë gjalpin me zjarr të ulët.

Pasi gjalpi të ketë shkrirë hedhim miellin, të cilin e përzjejmë pa u ndalur dhe shpejt në mënyrë të që shmangim formimin e kokërrizave.

Kur masa merr një ngjyrë në kafe të çelur shtojmë dy lugë mjaltë dhe më pas në mënyrë të ngadaltë shtojmë shurupin dhe arrat e thërrmuara.

Përgjatë gjithë kësaj kohe vijojmë përzjerjen derisa masa të përthithë të gjithë ujin.

Pasi ka përthithur ujin, hallva është gati.

E heqim nga zjarri dhe e lëmë me kapak të mbyllur për 15 minuta.

Më pas, mund të përdorim dy lugë në dhënien e formës karakteristike të hallvës, por edhe forma të tjera. Në sipërfaqe e spërkasim me kanellë dhe vendosim nga një thelpi arre sipër.

Kjo ëmbëlsirë fantastike mund të shërbehet në temperaturë ambjenti ose e ftohtë. Për një shije më të veçantë, uji mund të zëvendësohet me qumësht.

I gjithë procesi i përgatitjes së kësaj ëmbëlsire kërkon durim dhe përkushtim.