Çfarë e pret tash Austrinë?
Çfarë e pret tash Austrinë?
19.05.2019 | 03:19

Zbulimet për zëvendëskancelarin austriak Heinz-Christian Strache dhe liderin parlamentar të partisë “FPO”, Johann Gudenus, e kanë dridhur Austrinë. Njerëzit po i presin me padurim deklaratat e Straches dhe vetë kancelarit Sebastian Kurz. Ata presin që zyrtarët të përgjigjen në pyetjen: Çfarë do të ndodhë në Austri?

Në tërë këtë situatë, dy skenarë mund të zbatohen. I pari: Kurz vendos ta vazhdojë qeverisjen me FPO-në për shkak të reputacionit të mirë që ka ai deri tash për qeverinë e tij dhe për shkak të zgjedhjeve evropiane. I dyti: Ndoshta Kurz vendos që t’i jap fund koalicionit, i cili është bërë krye-temë e medieve botërore për shkak të dështimeve të skajshme të FPO-së.

Nëse koalicioni përfundon sot, zgjedhjet e reja do të mbaheshin në vjeshtë. Nga zgjedhjet e reja do të përfitonte partia OVP për shkak se sondazhet e fundit kanë treguar se partia FPO është dobësuar për shkak të skandaleve.

Për epilogun përfundimtar të këtij skandali pritet të vendosë sistemi i drejtësisë përmes vendimit ligjor. Zyra e Prokurorit Për Krime Ekonomike dhe Korrupsion e ka dorëzuar një padi në orët e vona të së premtes.

Personazhet e skandalit akuzohen për lidhje kundër shtetit, keqpërdorim të pushtetit, korrupsion, shfrytëzim të favoreve, pastrim të parave dhe përdorim të paautorizuar të lëndëve narkotike, shkruan “Spiegel”.