Afera e ‘Fajdeve’, Selimi kërkon dorëheqjen e Kadri Veselit
Afera e ‘Fajdeve’, Selimi kërkon dorëheqjen e Kadri Veselit
25.05.2019 | 02:33

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, i ftuar në emisionin Frontal të T7, ka folur për përfshirjen e kreut të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në video që kanë të bëjnë me fajde.

Sipas Rexhep Selimit, pas publikimit të këtyre videove, Veseli do të duhej të jepte dorëheqje.

“E vetmja zgjidhje është dorëheqja e tij. Dorëheqja e tij nuk do të thotë fajësi, t’i hapë rrugën hetimeve” ka thënë ai.

Sipas deputetit të LVV, konferenca të cilën e mbajti Veseli ka qenë e panevojshme, megjithatë mënyrë e reagimit të kreut të Kuvendit, sipas tij nënkupton se te ai qëndron përgjegjësia.

“Konferencë për shtyp s’ka qenë e nevojshme, doli publikisht të sqarojë dicka por jo edhe epilogun e kësaj mbeti pa sqaruar se çka doli në fund, mund të them se mund të keqpërdoret emri i dikujt por mënyra e reagimit na bëri që të shohim te ky njeri përgjegjësinë” u shpreh Selimi.

Gjithashtu deputeti ka komentuar edhe mbështetjen që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka ofruar gjatë së premtes Veselit. Sipas Selimit, një mbështetje e tillë është e nënkuptueshme.

“Është e kuptueshme që e mbrojnë njëri-tjetrin, pasi që kanë të kaluar të përbashkët”, u shpreh Selimi.

Sipas tij, personat që kanë informata për Kadri Veselin nuk guxojnë të bëjnë publike diçka të tillë, pasi që ndoshta kanë frikë nga ai.