Albright për bustin: Ju falënderoj që më keni bërë kaq të gjatë
Albright për bustin: Ju falënderoj që më keni bërë kaq të gjatë
12.06.2019 | 17:35

Para pak minutave tek obelisku i “New Born”-it u përurua busti i ish-sekretares amerikane të shtetit, Madeleine Albright.

Para të pranishmëve, sekretarja Albright i ka falënderuar qytetarët e Kosovës për mikpritjen që i bënë asaj në ceremoninë e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës nga NATO.

“Do të doja të ju falënderoja të gjithëve për këtë nder. E falënderoj atë që më ka bërë kaq të gjatë. Kjo është Kosova. Sepse ne ishim në gjendje që ta duam Kosovën, të sjellim paqe në Kosovë”, ka deklaruar ish-sekretarja e shtetit.

Tutje ajo ka thënë se ndihet krenare që është në Kosovë.

“Jam shumë krenare që jam këtu. Nuk kam lindur në SHBA. Por SHBA është shtet i madh që e ndihmon paqen dhe stabilitetin. Jam e nderuar”, ka deklaruar në fund Albright.

Për ta nderuar figurën e lartë të saj, Kosova i ka përgatitur edhe një bust në shenjë mirënjohjeje dhe kontributi për çlirimin e vendit.

Busti i Albright i punuar nga skulptori Luan Mulliqi është zbuluar në kuadër të shumë aktiviteteve që po organizohen me rastin e shënimit të 20-vjetorit të hyrjes ushtarake të NATO-s, përkatësisht trupave shumëkombëshe të KFOR-it.

Prishtina përveç bustit nga sot ka edhe sheshin “Albright”, që ndodhet afër American School of Kosova, jo larg obeliskut të pavarësisë “Newborn”.

Në këtë aktivitet përveç zonjës Albright i pranishëm ishte edhe ish-presidenti Bill Clinton që dha urdhër të ngrihen aeroplanët për ta mposhtur Serbinë, e cila po bënte spastrim etnik dhe masakra të shumta ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Madeleine Albright, 82-vjeçare, është sekretarja e parë femër dhe njëherësh e 64-ta, e nominuar nga presidenti i atëhershëm Bill Clinton dhe e konfirmuar si e tillë nga senati me 99 vota për dhe asnjë kundër.

Ajo ishte në postin e sekretares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga 23 janari i vitit 1997 deri më 20 janar të vitit 2010. Ajo ka kontribuar për lirinë e Kosovës gjatë viteve të vështira të luftës dhe për ta shpërblyer shteti i Kosovës e ka nderuar me Medaljen e Artë të Lirisë.