Avni Arifi u dërgua në Gjermani për biznes me Gjuriqin – AAK i pushon pak përplasjet me Nismen
Avni Arifi u dërgua në Gjermani për biznes me Gjuriqin – AAK i pushon pak përplasjet me Nismen
19.07.2019 | 16:32
Ende nuk dihet se çka i prishi raportet në mes të Ramush Haradinajt e Fatmir Limajt. Megjithëse liderët e dy prej partive në pushtet, së bashku po paraqiten në publik, sulmet që po e tregojnë haptazi ndarjen e rrugëve në mes të tyre po i përcjellin anëtarët e partive. Hiç më larg se mbrëmë deputeti i Nismës, Haxhi Shala drejtoi akuza të rënda drejt njërit prej bashkëpunëtorëve më të afër të kryeministrit. Në një përgjigje për Express, ambasadori i Kosovës në Emirate Avni Arifi pati pak fjalë për deputetin.


Nisma Socialdemokrate e AAK-ja edhe pse në koalicion që të dyjave ua mundësoi pushtetin, rreth taksës prej 100 për qind për të gjitha produktet serbe e boshnjake.

Duke dalë publikisht kundër partnerit të tyre në Qeveri, Nisma u radhit në anën e PDK-së nën pretendimet se po dëshirojnë që në këtë mënyrë t’i ruajnë marrëdhëniet me Amerikën e BE-në. Të njëjtin qëndrim, kreu i partisë, e deputetët vazhdojnë ta mbajnë edhe tash, kur marrëdhëniet mes AAK-së e Nismës kanë shkuar në një nivel tjetër.

Partia e Fatmir Limajt ishte ajo që vazhdoi sulmet drejt AAK-së kur këtë të fundit e kërcënoi edhe se do t’i bashkohet mocionit për rrëzim të Qeverisë. Nga kjo parti patën konfirmuar për Gazetën Express se veçse janë duke diskutuar për të dhënë votën e mosbesimit.

Qëndrimet e tilla të Nismës Socialdemokrate e thelluan edhe më tepër sherrin, kur të njëjtat u panë si rikthim i Fatmir Limajt në Partinë Demokratike të Kosovës.

Deputeti i AAK-së Muharrem Nitaj tha në një debat televiziv se qarshia po flet se Limaj do të rikthehet në PDK, e atij me tone të ashpra i reagoi deputeti i Nismës, Haxhi Shala. Shala e quajti Nitajn zëdhënës të shpifësve dhe mashtruesve.

Duke parë se Nisma po përballet me disa probleme me ish-ministrin Bajram Hasani, AAK vendosi që t’ia bëjë kundërpërgjigjen e radhës, duke marrë të njëjtin në partinë e tyre. Haradinaj pos Hasanit ia mori edhe disa emra të tjerë Nismës.

Dy liderët e këtyre partive vizituan së bashku Malishevën duke lënë shijen se kishin bërë paqe mes veste, por sapo u ndanë Haradinaj vendosi ta vazhdojë sherrin duke kërkuar në bastionin e vetëm që ka Fatmir Limaj, anëtarësi dhe vota.

Kritika u dhanë edhe për takimin që u bë me palën serbe e ku pjesëmarrës ishin ish-shefi i stafit të kryeministrit Ramush Haradinaj, tash ambasador në Emiratet e Bashkuara, Avni Arifi e Selim Selimi, që u emërua shef stafi pas largimit të Arifit.

Ishte përsëri deputeti Shala ai që drejtoi akuza. Sipas tij, Avni Arifi duhet të shkarkohet nga pozita e ambasadorit e këtë të fundit e akuzoi se ka shkuar për të bërë biznes me përfaqësuesit e Serbisë, saktësisht me shefin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

“Nuk e di a kanë shkuar përfaqësuesit e AAK’së në Gjermani të bisedojnë për Kosovën, apo për biznes, me përfaqësuesit e Serbisë. Por, nëse qëndron se kanë biseduar për Kosovën, Avni Arifi duhet të shkarkohet”, ka deklaruar deputeti i Nismës në emisionin DPT te Fidani në T7.

Gazeta Express ka kontaktuar sot ambasadorin Avni Arifi, derisa ky i fundit është shprehur i rezervuar në deklarata. Sa i përket akuzave të Shalës po thotë se në Gjermani ka shkuar pasi që kjo gjë iu është kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Kam shkuar në Berlin me kërkesë të kryeministrit për ballafaqim të të arriturave në procesin e dialogut teknik, kjo është krejt çka kam për të thënë”, deklaroi Arifi, pa komentuar deklaratat e deputetit të Nismës.

Gazeta Express ndërkaq gjatë ditës i ka dërguar pyetje edhe Selim Selimit, shefit të stafit të kryeministrit, por, që ky nuk është përgjigjur për këtë temë.

Se çka po ndodh me marrëdhëniet AAK dhe Nisma nuk pranuan të flasin as deputetët e partisë së udhëhequr nga kryeministri.

Ditë më parë në një intervistë për emisionin Frontal në T7, Haradinaj ka deklaruar se është normale që mes dy partnerëve të koalicionit të ketë mospajtime të ndryshme rreth punës që bëhet, por, që ai tha se një gjë e tillë nuk e rrezikon koalicionin. Haradinaj në këtë intervistë iu ka kërkuar falje partnerëve të koalicionit që nuk i ka informuar për këtë takim.