BBC: Gruaja kosovare që e pushtoi Everestin
BBC: Gruaja kosovare që e pushtoi Everestin
19.05.2019 | 03:31

Mediumi i famshëm britanik, BBC, ia ka kushtuar një shkrim alpinistes kosovare, Arineta Mula.

Arineta Mula, më e vogla nga katër fëmijët e familjes, u lind më 1988, në një botë me trazira, ku shqiptarët dhe serbët ishin në një konflikt të vazhdueshëm dhe shpesh të përgjakshëm me njëri-tjetrin. Ajo u rrit në epokën e Luftërave Jugosllave, të cilat shpesh përmenden si konfliktet më të përgjakshme në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Arritja në majë

Pavarësisht rrethanave jashtëzakonisht sfiduese, Arineta do të arrinte t’i pushtojë disa nga majat më të larta në botë, përfshirë Everestin më 2017. Fama e saj lokale si një nga alpinistet më të famshme në Ballkan nisi në mënyrë goxha aksidentale pasi u largua nga vendlindja e saj ,Peja, për t’i studiuar shkencat politike në Universitetin e Prishtinës në moshën 18-vjeçare.

Përderisa jetonte në kryeqytetin e Kosovës, ajo e zbuloi ngjitjen. “Nuk e kisha bërë kurrë më parë”, tha Mula, “por një shoqe më sugjeroi që të ngjitemi në mal dhe unë u pajtova. Menjëherë më rrëmbeu. Secilën fundjavë prej asaj kohe, unë shkoja diku nëpër malet e Kosovës.”

Alpinistja aksidentale

Megjithatë, qëllimi i Mulës nuk ishte të bëhet alpiniste. Në Kosovë, njësoj sin ë shumë shtete tjera të Ballkanit, gratë më shumë i ndjekin rolet tradicionale që i mbajnë ato në shtëpi dhe jashtë fuqisë punëtore. Sipas Bankës Botërore, vetëm 18 për qind e grave kosovare janë të përfshira në punë që paguhet.

Por Mula pati ide tjera. Para se të lindej, babai i saj shkoi në Zvicër për të gjetur punë dhe nuk u kthye, kurseu të holla për vizita të kohëpaskohshme për 18 vjet, duke e lënë nënën e saj t’i rrisë fëmijët e vetme në Pejë. Përpjekjet e nënës së saj si prind i vetmuar në një vend të shkatërruar nga lufta i lanë përshtypje Arinetës. “Ndihesha sikur ajo është gjithmonë duke luftuar dhe nganjëherë edhe unë ndihem sikur jam gjithmonë në luftë”, thotë alpinistja 30 vjeçe.

Dëbimi nga shtëpia

Në mars të vitit 1999, kur Mula ishte 10 vjeçe, ajo, nëna dhe fëmijët tjerë të familjes, bashkë me qindra shqiptarë të tjerë, u dëbuan nga shtëpitë e tyre nga ushtarët serbë dhe u dërguan në sheshin qendror të Pejës, ku shpresuan të sigurojnë transport për të shkuar në Mal të Zi. Pasi nuk arritën të gjejnë vende të lira për t’u larguar, ata u dërguan në sallën e sporteve në Pejë.

“Më kujtohet kur shkuam aty, kishte shumë erë të benzinës”, thotë Mula. “I dëgjoja njerëzit duke thënë ‘Do të na djegin brenda’. Qëndruam ashtu brenda deri në mëngjes dhe më pas na liruan.” Mula thotë se i kujtohet kur dëgjonte se NATO-ja e kishte kërcënuar Beogradin me bombardime, nëse serbët nuk i lirojnë shqiptarët. Më 24 mars 1999, NATO-ja i filloi sulmet ajrore kundër Jugosllavisë.

Një fillim i ri

Sipas organizatës “Human Rights Watch, 80 për qind e shtëpive të Pejës janë dëmtuar ose shkatërruar gjatë luftës në Kosovë. Në mesin e tyre ishte edhe shtëpia e Mulës. Pavarësisht vështirësive të shumta, Mula dhe familja e saj nuk u dorëzuan. Kur babai i saj u kthye në shtëpi më 2005, dëshira e tij e fundit ishte që Mula të regjistrohej në universitet.

Ai i kishte thënë gruas së tij: “Kurrë mos ia ndalo asaj gjërat për të cilat ëndërron. Dhuroja paratë për të studiuar në Prishtinë”. “Kështu, unë jam fëmija i vetëm i familjes që studiova jashtë Pejës, në Prishtinë”, vazhdon ajo. Në Prishtinë, Mula jo vetëm që diplomoi dhe filloi punën pas diplomimit, por gjithashtu nisi pushtimin e maleve të vendit të saj. Në vitin 2015, ajo nisi të dalë jashtë Ballkanit për sfida të reja, përfshirë malin “Mont Black”, majën më të lartë në Evropë.

Pushtimi i Everestit

Kur Kosova filloi përzgjedhjen e ekipit për ngjitje në Everest, Mula kërkoi t’i bashkohet grupit që përbëhej vetëm nga meshkujt. Pavarësisht paragjykimeve dhe rezistencës nga alpinistët tjerë, ajo këmbënguli që ta fitonte një vend në ekip. “Në Everest, gratë trajtohen ndryshe”, thotë ajo. Banorët vendës fillimisht provuan të më injorojnë dhe t’i dëgjojnë alpinistët meshkuj. Nuk mendoj se ishte e qëllimshme. Ka shumë më pak gra sesa burra që ngjiten në male”.

Mula vërejti se paragjykimet po vazhdonin kur u kthye në Kosovë. “Njerëzit bënin komente qesharake, si ‘Të lumtë, por ishe me fat që kishe një burrë për të të ndihmuar”, tha ajo. “Më dukej e zorshme. Gjithkujt do t’i dukej. Por kur arrita në majë më 22 maj 2017, si pjesë e ekipit kosovar, e bëra këtë me forcat e mia”, shtoi ajo, shkruan “BBC”. /express