Baraliu: PDK-ja, kërcënim për qeverinë 'Haradinaj'
Baraliu: PDK-ja, kërcënim për qeverinë 'Haradinaj'
16.04.2019 | 07:30

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, së fundmi ka deklaruar se vendit mund t’i kthehet dinjiteti vetëm me Kadri Veselin kryeministër dhe me PDK-në në qeverisje. Analistët vlerësojnë se këto deklarata mund të shpijnë në rrëzim të Qeverisë dhe në zgjedhje të parakohshme, shkruan sot gazeta "Zëri".

Analisti politik Mazllum Baraliu duke folur për gazetën “Zëri” ka pohuar se Partia Demokratike e Kosovës me deklaratat e fundit mund të jetë kërcënim për qeverinë “Haradinaj”. Sipas tij, PDK-ja shumë shpejt mund ta çojë vendin në zgjedhje, siç ka bërë edhe më herët.

“PDK-ja sigurisht mund të jetë kërcënim për qeverinë ‘Haradinaj’. PDK-ja e ka rrëzuar Qeverinë e Isa Mustafës dhe deri tani e dimë që vetëm kur PDK-ja ka përkrahur nismat e dikujt tjetër për mocion mosbesimi është arritur rrëzimi i Qeverisë”, ka theksuar Baraliu.

Por sipas tij, prej kujtdo qoftë rrëzimi i Qeverisë është i domosdoshëm. Ai thotë se Qeveria aktuale është qeveri e pakicës dhe jolegjitime.

“Nëse ka vetëm minimum të përgjegjësisë politike e morale duhet domosdoshmërisht që të vetëdijesohen dhe ta çojnë vendin në zgjedhje, është koha e fundit që të reflektohet. Qeveria e tillë është qeveri e pakicës dhe të paktën nuk ka as legjitimitet, sepse shumë herë nuk mund të arrijë t’i sigurojë 61 vota për t’i shtyrë përpara ligjet e ndryshme”, ka thënë Baraliu.