Burri shqiptar zbulon se një kompani duhani ka përdorur fotografinë e këmbës së tij të amputuar
Burri shqiptar zbulon se një kompani duhani ka përdorur fotografinë e këmbës së tij të amputuar
18.07.2019 | 18:37

Një burrë 60 vjeç në lindje të Francës tha se është habitur kur ka zbuluar se fotografia e këmbës së tij të amputuar është përdorur në pako cigaresh pa pëlqimin e tij

Fotografia është nxjerrë në paketat e cigareve brenda Bashkimit Evropian, së bashku me mesazhin: “Pirja e duhanit i bllokon arteriet”.

Por, burri shqiptar, i cili jeton në Metz, tha se ka humbur këmbën e tij si pasojë e një sulmi në Shqipëri në vitin 1997.

Fotografia është zbuluar nga djali i tij, kur ai ka blerë një pako cigaresh vitin e kaluar në Luksemburg, raportojnë mediat franceze.

Ai e ka sjellë pakon në shtëpi te familja dhe babai i tij ka konfirmuar se fotografia është pamje e këmbës së tij.

Ai tha se nuk është pajtuar kurrë që fotografia e tij të përdoret.

Ai beson se ajo është marrë në një spital lokal, ku ai ka qenë për vizitë për të parë nëse mund të pajiset me këmbë protezë.

“Është e pabesueshme që një person e gjen veten, pa pajtimin e tij, në paketimet e cigareve në të gjithë Bashkimin Evropian”, tha avokati i tij, Antoine Fittante.

Avokati tha se po kontakton Komisionin Evropian për të zbuluar se çfarë ka ndodhur.