Clinton në Kosovë: Nderi më i madh që qëndrova krah jush
Clinton në Kosovë: Nderi më i madh që qëndrova krah jush
12.06.2019 | 13:13

Ish-Prsidenti amerikan Bill Clinton, i pranishëm në ceremoninë e 20-vjetorit e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, tha se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojë gjithmonë krah Kosovës.

“E dua këtë vend dhe do të jetë gjithmonë nderi më i madh në jetën time që kam qëndruar krah jush kundër spastrimit etnik dhe për liri”, tha Clinton. “Pas rënies së Murit të Berlinit dhe Bashkimit Sovjetik të gjithë konfliktet që qëndronin të mbuluar, ridolën në sipërfaqe. Pati konflikte në Bosnje dhe deri në Irlandën e Veriut, kështu menduam se nuk do të lejonim një tjetër krim në Kosovë”.

Clinton kujtoi edhe një episod që i kishte ndodhur me një emigrant shqiptar në SHBA, por i bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të punonin për vendin e tyre duke qëndruar aty. “Gjëja më e bukur që më ka ndodhur kur eci në rrugë në Nju Jork, madje edhe në vende të tjera të botës është kur njerëzit më falënderojnë. Madje në një rast, po darkoja me miqtë në një restorant kur një kamerier mu ul në gjunjë dhe më falënderoi. Unë jam pro emigracionit, dhe sigurisht që kemi nevojë për ju, por dua që ju ta ndërtoni jetën tuaj këtu, të fitoni para këtu”, tha Clinton.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë gjithnjë krah jush, pavarësisht se cila parti është në Shtëpinë e Bardhë apo kontrollon Kongresin. Në ditën që ju shpallët Pavarësinë, pasuesi im në Presidencë, George Bush, e njohu Kosovën”, shtoi Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara.