Haga e detyron të dorëhiqet për herë të dytë – Haradinaj porosit që vendi të shkojë në zgjedhje
Haga e detyron të dorëhiqet për herë të dytë – Haradinaj porosit që vendi të shkojë në zgjedhje
19.07.2019 | 16:41

Tribunali Ndërkombëtar i Hagës e kishte detyruar Haradinajn që të jepte dorëheqje nga posti i kryeministrit të Republikës së Kosovës në vitin 2004, ndërsa 15 vjet pas Gjykata Speciale e Hagës e ka detyruar Haradinajn që përsëri të lëshojë postin e kryeministrit.

Kjo pasi Ramush Haradinaj është ftuar si i dyshuar nga Gjykata Speciale. Lajmin për këtë e ka bërë të ditur vetë Haradinaj në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

“Sapo e informova qeverinë , kam dhënë dorëheqje të parevokueshme prej funksionit të kryetarit të Qeverisë. Arsyeja është se jam ftuar që të intervistohem si i dyshuar nga dhomat posaçme të Gjykatës së Specializaur”, ka treguar Haradinaj në konferencë.

Ai ka treguar se para Gjykatës Speciale do të paraqitet javën e ardhshme, duke shtuar se në Hagë nuk mund të shkojë si kryetar i Qeverisë por si një qytetar i Republikës së Kosovës.

“Javën tjetër do ta kem intervistimin, dhe kam vlerësuar se atje nuk mund të paraqitem si kryetar i Qeverisë, por si një qytetar i Kosovës. Për me e ruajt nderin e kryetarit të Qeverisë edhe të shtetit, kam menduar se është e drejtë me e marrë këtë vendim”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri tashmë në largim, ka thënë se Kosova është një shtet me kufij të paprekshëm.

Ndër të tjera ka thënë se do të respektojë aspektin ligjor të Gjykatës Speciale.

“Do të kryej detyrat e mia, do ta mbrojë Kosovën si lufëtar i vendit tim. Ndërsa pjesa politike, është shumë gabim që po i kërkohet Kosovës një çmim i papërballueshëm për arritjen e një marrëveshje. Mendoj se është e gabueshme prej lidershipit të Kosovës me ofru oferta të gabueshme, duhet të bëhët kujdes”, ka shtuar kreu i AAK’së.

Haradinaj ka terguar që Qeveria e tij do t’i kryej punët deri në zgjedhjet e ardhshme, duke thënë se tashmë obligimet i kalojnë presidentit të vendit.

“Tani përgjegjësia kalon te presidenti, me i fillu konsultat dhe me e caktu datën e zgjedhjeve”, ka treguar Haradianj.