Hajnat s’po i kursejnë objektet fetare – vetëm brenda këtij viti janë raportuar 40 vjedhje
Hajnat s’po i kursejnë objektet fetare – vetëm brenda këtij viti janë raportuar 40 vjedhje
12.07.2019 | 04:24

Hajdutët në vend kanë ndërruar destinacion. Pas grabitjeve nëpër shtëpi e banka, tash ua kanë mësyrë objekteve fetare. Madje, për të arritur qëllimin e tyre ata nuk po i kursejnë as varrezat. Vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë raportuar rreth 40 raste të vjedhjeve në xhami e kisha. Ndërkohë, sipas statistikave të Policisë, që nga 2009’ta kanë ndodhur mbi 600 vjedhje nëpër objekte fetare.

Shumica e qytetarëve i shohin si vende të shenjta për t’i drejtuar lutjet e tyre, por ka të tjerë që kjo punë nuk iu intereson aspak. Madje, xhamitë e kishat që gjenden në vend ata kanë filluar që t’i shohin si vende ideale për të vjedhur.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës që ka siguruar Gazeta Express, vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kanë ndodhur rreth 40 vjedhje në objekte fetare.

Shumica e këtyre vjedhjeve është raportuar të kenë ndodhur në xhami, përkatësisht 25 raste.

“Nga 39 raste që kanë ndodhë në 6 mujorin e parë të vitit 2019-të, 30.77% e rasteve lidhen direkt me TKF-në si: dëmtim i pasurisë(dyerve, rrethojave, varrezat etj), kurse 69.24% janë raste tjera që kanë ndodhe brenda objekteve të TKF-së si: vjedhje, vjedhje e rëndë, vjedhje e rëndë në tentativë etj.), që lidhen për përfitim personal”, kanë thënë nga Policia.

Në Polici thonë se gjërat që vidhen zakonisht nëpër objekte fetare janë para dhe aparate zërimi që prijësit fetarë i përdorin për t’iu drejtuar besimtarëve në ditë të veçanta. Deklarojnë se pothuajse në të gjitha rastet, vjedhjet kryhen gjatë natës.

“Gjërat që vidhen më së shumti në këto objekte janë vlera monetare(para), që grumbullohen për çështje bamirësie, aparate zërimi, kasetofon etj. Vjedhjet kryesisht kryhen gjate orëve të natës dhe shumica e rasteve janë me kryerës të panjohur, por ka edhe raste kur kemi me kryerës të njohur. Gjatë hetime policore identifikohen persona të nacionaliteteve të ndryshme si shqiptar, serbë, rom, ashkali etj, të cilët arrestohen dhe procedohen në gjykatë”, thuhet në përgjigjet e Policisë së Kosovës drejtuar Gazetës Express.

Sipas këtyre statistikave, që nga 2009’ta nëpër objektet fetare në vend kanë ndodhur rreth 650 raste të vjedhjeve. Prej tyre, 325 kishin ndodhur në xhami, 258 në kisha ortodokse, 46 në kisha katolike dhe 15 nëpër objekte të tjera.

(Tabela)

Për rastet e vjedhjeve nëpër xhami, zëdhënësi i BIK’ut, Ahmet Sadriu i kishte thënë Gazetës Express se se nuk dëshirojnë t’i zmadhojnë këto raste meqenëse shumica prej tyre kryhen nga persona adoleshentë.

“Është një dukuri e izoluar, nuk është e përhapur shumë. Ka raste por nuk dëshirojmë t’i zmadhojmë ato, pasi që kemi raste kur personat adoleshentë i kanë thy ato sëndukët që zakonisht janë nëpër xhami, që njerëzit lëshojnë në to ndonjë para në mënyrë vullnetare. Nuk kisha dashtë me e rritë edhe me zmadhuar këtë çështje. Janë raste shumë të izoluara, dhe nuk kanë çka vjedhin nëpër xhami”, kishte thënë Sadriu për Express.

Gazeta Express ka provuar të kontaktojë edhe me Ipeshkvinë e Kosovës për të marrë edhe qëndrimin e tyre rreth kësaj çështje, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Ndryshe, vjedhja është e dënueshme edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Në bazë të këtij Kodi, kryesi i kësaj vepre mund të dënohet deri në tre vjet burg.

Sipas Nenit 325 të Kodit Penal, ‘Kushdo që personit tjetër ia merr pasurinë e cila vlerësohet në shumën prej pesëdhjetë (50) Euro apo më shumë, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet.’

Ndërsa, nëse vlera e pasurisë së vjedhur është më pak se pesëdhjetë euro kryesi dënohet ose me gjobë ose me burg deri në gjashtë muaj.