Haradinaj ia kthen goditjen Veselit, e akuzon për “servilizëm të tepruar” ndaj Amerikës
Haradinaj ia kthen goditjen Veselit, e akuzon për “servilizëm të tepruar” ndaj Amerikës
18.07.2019 | 20:06
Servilizëm i tepruar, sipas kryeministrit Ramush Haradinajt, është ajo që deklaroi nga Uashingtoni kolegu i tij i koalicionit, kryeparlamentari Kadri Veseli. Haradinaj ka thënë se është e turpshme të vendosen në një nivel qasja e tij ndaj Serbisë dhe Amerikës.

“Është e turpshme që një udhëheqës i Kosovës të bëjë një asimetri ose krahasim të qasjes së cilit do donit në Kosovë, e me thanë që sillesh si me Serbinë si Amerikën. Është gjëja më e ulët e mundshëm që mundet ta bëjë një udhëheqës jo për mu në këtë rast, edhe fatmirësisht nuk është ashtu dhe fatmirësisht në Amerikë e dinë të vërtetën. Por është e turpshme me bo asimetri të qasjes me Serbinë e Amerikën”, ka thënë Haradinaj në KTV.

Ai ka thënë se nuk është e njëjtë qasja si ndaj Serbisë dhe Amerikës.

“Për mua Amerika është familja ime, e në familje ndodh ndonjë mospajtim, e këta po ja shpjegoj Kadri Veselit e Hashim Thaçit e të gjithëve, nuk je i mirë për Amerikën nëse nuk e mbron interesin tendë, nuk je i mirë për Amerikën nëse nuk i tregon se ku po të dhemb, nuk din ai si të të ndihmojë”.

“Amerika duhet të dëgjoj pastër prej nesh, nuk mund të japim territor, pra nuk prekët territori i vendit tim, nuk mundet me dhanë Zajednicën si tipit të Dodikut, se më hyn Rusia brenda, e na sjell probleme këtu, mundem ta kthej tregun në këmbim të njohjes, nëse kjo qenka kundër Amerikës, e qenka njëjtë si me ja than Serbisë, është e pakuptim”.

Fatkeqësisht, po e them edhe njëherë, ky është servilizëm, është servilizmi ma i ulët i mundshëm që mundet ta bëjë një udhëheqës politik”

Sipas Haradinajt, taksa është arma e vetme e cila mund t’i sjell njohjen Kosovës.

Madje, ai ironizoi duke thënë se Serbia nuk e njeh Kosovës sepse “jemi nice guys”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ditë ma parë ka thënë se Haradinaj flet me Amerikën sikur me Serbinë, dhe siç ka thënë ai këtu është edhe dallimi mes tyre.