Hilet e partisë së Isa Mustafës
Hilet e partisë së Isa Mustafës
19.06.2019 | 08:29

Pakënaqësitë me zgjedhjet në degët dhe në nëndegët e Lidhjes Demokratike të Kosovës po vazhdojnë. Dy deputetë nuk janë propozuar nga Dega e Katërt për Këshill Drejtues, përderisa në nëndegën “Qendra” kërkohet anulimi i zgjedhjeve, shkruan sot Gazeta ‘Zëri’.

Pos Degës së Tretë të LDK-së në Prishtinë, e cila gjatë kuvendit zgjedhor është ballafaquar me probleme e përplasje mes anëtarëve, edhe Dega e Katërt nuk ka shpëtuar pa mospajtime, akuza e kundërakuza.

Ndonëse tashmë është zgjedhur kryetari i kësaj Dege, anëtarë të nëndegës “Qendra”, që është pjesë e Degës në fjalë, kanë kërkuar anulimin e zgjedhjeve në këtë nëndegë, pasi zgjedhja e kryetarit është bërë pa pasur kuorum dhe kundër Rregullores e Statutit të LDK-së.

Por pavarësisht kësaj nënkryetari i Nëndegës në fjalë Sheqir Zeneli dhe kryetari tashmë i zgjedhur i Degës së Katërt, Besian Mustafa, kanë thënë se i gjithë procesi ka shkuar në rregull dhe në përputhje me Rregulloren e Statutin e LDK-së.

Por kundërkandidati i Zenelit, Ramush Thaçi, ka thënë se në votimin e nëndegës në fjalë kanë votuar më pak se 30 persona, fakt ky që sipas tij, bie ndesh me Rregulloren dhe me Statutin.