Prokurorët e Hagës vazhdojnë intervistimet, ende asnjë aktakuzë
Prokurorët e Hagës vazhdojnë intervistimet, ende asnjë aktakuzë
16.04.2019 | 07:23
Kanë kaluar 3 muaj prej se njëri nga ish-eprorët e UÇK-së në Zonën Operative të Pashtrikut, Sabahajdin Cena u intervistua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Por, nga 14 janari i këtij viti, kur Cena dha dëshminë e tij, ai asnjëherë nuk është kontaktuar nga gjykata.

Cena i cili jeton në qytetin e Rahovecit thotë se pas intervistimit ai nuk ka pasur asnjë kontakt as me ish-luftëtarët ose të intervistuarit e tjerë.

“Unë e di për vete që jam intervistuar. Kam qenë drejtor i Zonës Operative të Pashtrikut, po të bëjë be se njeri i gjallë nuk më ka bërë telefon, as prej të intervistuarve as prej shefave të më pyesin as çfarë të kanë pyetur as kurrgjë hiq, përveç gazetarëve. Prandaj për zotën, nuk di asgjë çfarë do të behët halli jonë, nuk di”, tha Cena për Radio Evropa e Lirë.

Në organizatën e cila përfaqëson veteranët e luftës së UÇK-së, thonë se numri i personave që janë ftuar për intervistim në cilësi të ndryshme ka kaluar numrin 40.


Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, thotë se kanë kontakt të vazhdueshëm me personat që ftohen nga Gjykata Speciale, duke thënë se pritet rritje e numrit të personave që do të ftohen për intervistim.

“Përafërsisht e dimë, mbi 40 deri me tani janë marrë në biseda informative nga kjo gjykatë e ashtuquajtur. Kështu që, po, ne kemi kontakte me shumicën prej tyre. Po realisht për neve ka qenë, pasi është një etnike, është e njëanshme dhe selektive për ne. Unë besoj se do të dalin të pafajshëm, prapë është te besimi se siç kanë filluar këta të bëjnë ftesa do të thirret një numër bukur i madh. Pra kur ngrihet aktakuza e parë nuk e di, flitet rreth vjeshte aty dikund, flitet rreth vjeshte”, deklaroi Gucati.

Në zyrën e Prokurorit të Specializuar, për Radion Evropa e Lirë, thanë se nuk mund të japin detaje se sa është numri i saktë i personave që janë intervistuar deri me tani.

Po ashtu nuk është treguar se kur mund të priten aktakuzat e para.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ofron informata për hetimet apo kohën e aktakuzave të mundshme. Zyra e Prokurorit të Specializuar, ndër të tjera, ka autoritetin të kërkojë praninë dhe pyetjen e të dyshuarve, viktimave dhe dëshmitarëve, të mbledhë dhe të shqyrtojë informacionet dhe provat dhe të marrë vendime për fillimin, si dhe vazhdimin ose përfundimin e procedimeve penale. Kjo është pikërisht ajo që po bënë Zyra e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Deri më tani, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka intervistuar figura kyçe të UÇK-së. Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, ishin ndër figurat e para që u intervistuan në Hagë. Ditëve të fundit për intervistim është ftuar edhe ish-pjesëtari i UÇK-së, tani deputet në Kuvendin e Kosovës, Blerim Kuqi.

Nga Prokurori i Specializuar janë intervistuar edhe ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, në mesin e tyre edhe Ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna.

Sabahajdin Cena që ishte ndër të parët që u intervistua në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte, thotë se në luftë ka shkuar me vetëdije dhe se nuk i shqetësohet asnjë-lloj akuze, me të cilën mund të përballet në të ardhmen.

“S’jam pishman, si m’u frikësu? Unë kam doktoruar në të njëjtën ditë me Ibrahim Rugovën, nuk më ka mashtruar askush. Unë me vetëdije kam hyrë në luftë dhe s’ka kurrfarë problemi. Por, edhe po të dyshohem për ndonjë gjë, lufta është kjo. Luftë ka qenë, luftë po mbetet”, tha Cena.

Formimi i Gjykatës Speciale ka pasuar një raport të Këshillit të Evropës në vitin 2011, i cili ka konstatuar se ka prova të mjaftueshme për të nisur hetime kundër disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së, që dyshohet se kanë kryer krime kundër serbëve dhe disa shqiptarëve, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Gjykata Speciale do t’i trajtojë krimet e supozuara që përfshijnë periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.