Shkarkohet Kryetari i Parlamentit Studentor, i riu kontestohet
Shkarkohet Kryetari i Parlamentit Studentor, i riu kontestohet
19.05.2019 | 03:18

Të enjten pritet që Këshilli Drejtues i UP’së të vendosë lidhur me zgjedhjet e Parlamentit Studentor. Kryetari i ri, Flakron Kabashi po kontestohet për shkak të procedurave.

Të enjten e ardhshme do të dihet nëse Flakron Kabashi është zgjedhur Kryetar i Parlamentit Studentor në mënyrë të ligjshme. Kjo pasi këtë temë mund ta trajtojnë edhe në Këshillin Drejtues në mbledhjen e rregullt.

Këshilli Drejtues i UP’së e ka pranuar shkarkimin e Kryetarit të mëhershëm të Parlamentit Studentor, Arben Elshani por ende s’ka ndonjë raport të ri për zgjedhjet e reja. Në këtë institucion kanë thënë se kushdo që i siguron votat dhe votohet në mënyrë të ligjshme do të pranohet si përfaqësues i studentëve.

Nënkryetari i Parlamentit të deritashëm studentor, Melos Kolshi, ka thënë se votimi për Kryetarin e ri të Parlamentit Studentor është i jashtëligjshëm pasi s’janë përfillur procedurat.

Sidoqoftë, më 3 maj, Flakron Kabashi, kishte lëshuar njoftim ku kishte treguar se gjithçka kishte shkuar në rregull me zgjedhjet për Parlament Studentor.

“Duke respektuar rregulloren e punës së PS-UP-së dhe të gjitha normat ligjore ne fuqi të cilat parashohin funksionimin e Parlamentit Studentor, sot me datë 03.05.2019 me shumicë apsolute të votave dhe me vullnet të plotë kemi zgjedhur kryesinë e re të Parlamentit Studentor të UP-së , me këtë përbërje: Kryesia: 1.Flakron Kabashi-Kryetar; 2.Albert Shala- Nënkryetar; 3.Bledian Geci- Nënkryetar; 4.Hata Bela- Sekretare”, thuhet në njoftim.

Krejt gara për kontrollin e Parlamentit Studentor është bërë për t’i siguruar pastaj votat për zgjedhjen e Rektorit të ri të UP’së që prite të ndodhë vitin e ardhshëm.

Ndërkohë, njëri krahë e ka denoncuar Ferat Shalën e PDK’së se qëndron prapa gjithë ndryshimeve në Parlamentin Studentor. Madje, i njëjti është përmendur se përkrahë për rektor Naser Sahitin, i cili ka mbajtur deri vonë pozitën e Prorektorit të UP’së.

Studentët kanë 7 vota në Senatin e UP’së që janë vendimtare se kush do të jetë rektor i ri i UP’së.

Deri më tash janë përmendur edhe disa emra tjerë për rektor në mesin e të cilëve janë edhe Behgjet Mustafa e Suzana Manxhuka Kerliu.

Prej pasluftës, PDK ka pasur nën kontrollon organet kryesore të UP’së, duke vendosur gjithmonë rektorët politik.

Njësojë kishte ndodhur me Mujë Rugovën, një zyrtar i PDK’së, njëjtë ka ndodhur me Ibrahim Gashin e së fundmi edhe me Marjan Demën.

Në fund të vitit 2018, ishin paralajmëruar protesta nëse politika ndërhynë në punën e UP’së.

Kryetari Arben Elshani kishte thënë se krejt lufta e partive politike po bëhet për të pasur nën kontroll zgjedhjet për Këshillin Drejtues, organ ky që do të votojë për Rektorin e ri të UP’së pas disa muajsh.

“Grupet politike të lidhura me pushtetin, bashkë me disa grupe klanore brenda UP-së janë aktivizuar përmes formave të ndryshme të presionit dhe po mundohen ta pengojnë punën e parlamentit studentor”, kishte thënë ai.

Zgjedhjet për Këshillin Drejtues të UP herën e fundit më 2016 patën përfunduar në muajin shkurt ndërsa tash janë vonuar për më shumë se dy muaj.