Thaçi s’ka mbështetje në Kuvend për dialogun me Serbinë?
Thaçi s’ka mbështetje në Kuvend për dialogun me Serbinë?
24.05.2018 | 17:39

Presidenti i vendit Hashim Thaçi po synon që përmes kuvendit të Kosovës të marrë në drejtim dialogun në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërkohë se i njëjti nuk është “i zoti” që përmes deputetëve të kalojë as një ligj. Një gjë e tillë është parë javën që shkoi, kur deputetet rrëzuan me votë vendimin e Thaçit për kthimin e Ligjit për shoqëritë tregtare.

Me 32 vota kundër, 28 pro dhe 7 abstenim, të enjten e shkuar Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar vendimin e Presidentit Hashim Thaçi për kthimin e Ligjit për shoqëritë tregtare.

Ky dështim i nismës së Thaçit ka dëshmuar pafuqinë e tij në Kuvend, përmes të cilit presidenti i vendit po synon të marrë drejtimin e dialogut me Serbinë, në Bruksel.

Për këtë, Qeveria tashmë ka miratuar një platformë ku e parasheh Thaçin në krye të ekipit kosovarë për dialog. E njëjta është proceduar në Kuvend, që të marrë miratimin e deputetëve. Por, shumica e grupeve parlamentare, janë shprehur kundër kësaj.

Ajo që mbetet të shihet gjatë javë në vazhdim është nëse presidenti Thaçi - që as një ligj nuk arrin ta kalojë në Kuvend – do të arrijë t’i bindë deputetët kosovarë që ta votojnë atë për të kryesuar ekipin e Prishtinës zyrtare në procesin e dialogut me Serbinë.