U avancuan me aktakuza, shkarkohen për aktakuza
U avancuan me aktakuza, shkarkohen për aktakuza
20.06.2019 | 08:20

Besim Beqaj, Agim Çeku, Zenun Pajaziti, Qemajl Mustafa, Sami Lushtaku, Njazi Kryeziu para dy dite u zgjodhën anëtarë të Këshillit Drejtues të PDK-së, ndonëse kishin aktakuza të ngritura nga Prokuroria, ndërsa brenda 48 orëve u shkarkuan nga shefi i partisë, Kadri Veseli, pikërisht për shkak të problemeve të tilla me drejtësinë.

Dy ditë pas përfundimit të Konventës Festive të PDK-së, ku paralajmëroi luftim të korrupsionit, kryetari i PDK-së Kadri Veseli dje mori vendim t’i largojë nga pozitat institucionale dhe partiake të gjithë zyrtarët e partisë së tij, të cilët kanë aktakuza të ngritura nga institucionet e drejtësisë.

Por vetëm pak ditë para se të merrej ky vendim PDK-ja e Kadri Veselit kishte zgjedhur anëtarë të Këshillit Drejtues edhe të atillë me aktakuza. Megjithëkëtë, si rrjedhojë e vendimit zyrtarët që kanë pozita në strukturat e partisë, ministrat e deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, që janë me aktakuza do të detyrohen t’i braktisin postet e tyre deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata.

Ministri i Inovacionit dhe i Ndërmarrësisë Besim Beqaj, zëvendësministri i Mbrojtjes Agim Çeku, anëtarët e Këshillit Drejtues Qemajl Mustafa, Nijazi Kryeziu, Adem Grabovci e Zenun Pajaziti janë disa prej personave, të cilët janë të thirrur ta zbatojnë këtë vendim.