Vuçiq shpreson te serbët e Kosovës, i gënjen se do t’i mbrojë
Vuçiq shpreson te serbët e Kosovës, i gënjen se do t’i mbrojë
20.04.2019 | 10:52

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në mitingun e sotëm që ka pasur me përkrahësit e tij në Beograd, ka theksuar se nuk do të mund të dilte para kancelares gjermane, Angela Merkel, presidentit francez, Emmanuel Macron dhe presidentit të Kinës, Xi Jinping, pa një përkrahje të tillë.

Vuçiq pritet që të marrë pjesë në samitin për Ballkanin Perëndimor që mbahet në Berlin më 29 prill, ku do të marrin pjesë edhe krerët e institucioneve të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri, Ramush Haradinaj.

Ndërkaq prej 25 deri 27 prill do të qëndrojë në Kinë për të marrë pjesë në forumin “Brezi dhe rruga”.

Aty do të takojë presidentin kinez dhe atë rus, Vladimir Putin.Presidenti Vuçiq edhe para mbështetësve të tij në Beograd përsëriti se nuk do të ketë dialog me Prishtinën pa u hequr tarifa ndaj mallrave serbe, ndërsa shtoi se do të mbrojë popullin serb në Kosovë nëse do të jetë e nevojshme.

Tubimi pro Vuçiqit pason protestat disa mujore të opozitës që kërkojnë dorëheqjen e tij. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq iu tha pjesëmarrësve në tubim se dëshmia e fuqisë së Serbisë është edhe fakti se 13 vende e kanë tërhequr njohjen e Kosovës ndërsa, sipas tij, gjatë qeverisjes së mëparshme në Serbi 83 vende e kishin njohur Kosovën. “Mos mendoni se mund ta shantazhoni Serbinë, që ne ta njohim pavarësinë e Kosovës”, deklaroi Daçiq, raportojnë mediat serbe.