A i duam kerret ma shumë se fëmijët?
A i duam kerret ma shumë se fëmijët?
07.06.2019 | 06:13
 Virtyt Gacaferri
 
 
Autostrada që lidh Prishtinën e Maqedoninë e Veriut, është e bukur dhe e ka urën më të gjatë në rajon, por shkollat e Kosovës mbesin më të këqijat në Evropë. Dhe, kosovarët e tashëm e të ardhshëm, mbesin njerëzit me më së paku konkurrues në tregun botëror të punës; me më së paku shkathtësi për t’u kyçur në punë, e me këtë edhe në jetë të shëndoshë.

A ka mundur të jetë ndryshe? Lënia e rrugëve si më të këqijat në rajon, e bërja e shkollave më të mirat në rajon?


Po, ka qenë e mundur, veçse është dashur që 700 milionë euro të investohen në shkolla e jo në asfalt. Në mes të krijimit të një gjenerate më të shkolluar e më të edukuar, dhe ndërtimit të asfaltit, udhëheqësit kosovarë kanë zgjedhur të dytën. Pa bërë ndonjë hulumtim të opinionit publik, gjatë bisedave me njerëz (me përjashtime), ka ekzistuar një prirje për asfaltin e jo shkollimin. Thënë më mirë: për asfaltin, se njerëzit pak i kanë vendosur këto dy gjëra në kandar. Me një buxhet familjar, këtë e përcaktoj sikur dikush të mendojë a të paguajë shkollën për fëmijë apo të blejë BMW-në e fundit. Dhe, vendosë për këtë të dytën.

Në një argument kundër kësaj që shkruaj, dikush mund të thotë se Qeveria nuk ka shtruar asfalt, porse e ka ndihmuar zhvillimin ekonomik. Ky argument nuk qëndron, për shumë arsye, duke filluar nga arsyeja më e thjeshtë: asnjë studim për Kosovën nuk e ka nxjerr infrastrukturën rrugore si pengesë e zhvillimit; vazhdimisht janë theksuar gjërat si në vazhdim – fuqia e shkolluar punëtore, qasja në energji, qasja në financa. Me 140 milionë në vjet, të gjitha këto kanë mundur të adresohen. Por, kanë vendosur se kerret i donë më shumë se fëmijët dhe të ardhmen e tyre.

Disa thonë se kjo rrugë do ta ndihmojë turizmin. Kjo është e vërtetë. Por, kjo rrugë nuk do ta ndihmojë turizmin e Kosovës, por atë të Maqedonisë së Veriut. Tash më shpejtë do të shkojmë në Mavrovë dhe Shapkë, se në Dragash; do të shkojmë më shpejtë në Matka; do të shkojmë më shpejtë në vizita për koncerte të njëpasnjëshme të këngëtarëve perëndimorë, pasi maqedonët më të dijshëm e më të shkolluar e bëjnë këtë gjë më mirë e më shpesh. Të mos flasim se sa do t’i ndihmojë edhe Aeroportit të Shkupit, në dëm të atij të Prishtinës, pasi zyrtarët e Maqedonisë së Veriut – si më të shkolluar dhe më të mençur – kanë arritur të kenë më shumë fluturime e me çmime më të ulëta.

Sa i përket ardhjes së autobusëve me turistë në Kosovë, për shkak të kësaj rruge, do të ketë një përparësi të vogël. Por, jo e mjaftueshme. Sipas një studimi, pengesa e ardhjes së autobusëve është shpenzimi shtesë që bëhet për të marrë sigurimin kufitar (plus 300 euro). Kjo duhet për ardhje në Kosovë, pasi kosovarët nuk kanë mundur të gjejnë zgjidhje që të bëhen pjesë e kartonit të gjelbër – një pengesë që do mund të hiqej sikur në Kosovë të kishte zbatim më të mirë të ligjit.

Me gjasë kjo histori e kerreve para fëmijëve do të vazhdojë, dhe kosovarët do të mbesin edhe më tutje të pashkolluar apo të shkolluar keq, e me këtë edhe jashtë tregut të punës dhe zhvillimit teknologjik. Duket se do të vazhdohet me investime për të përmirësuar infrastrukturën e kerreve, para asaj të njerëzve.

Tash plani është që të bëhet autostrada edhe në segmentin Istog-Pejë. Si profesionist i turizmit, e që jam nga Peja, mendoj se turizmit më shumë do t’i ndihmojë një udhë e biçikletave në këtë relacion, sesa një autostradë. Gjithashtu, do të lidhet Prizreni e Gjakova me autostradë, duke e bërë distancën nga 36 kilometra dy krahë në 50 kilometra. As kjo asgjë nuk mund të sjell zhvillim. Çka do ndihmonte zhvillimin është investimi në njerëz dhe projektet më të vogla strategjike, siç do të ishte lidhja më e mirë e Prizrenit me Tetovën apo e Pejës me Plavën.


Pata një përvojë të afërt me një këshilltar të kryeministrit dhe i thash pse nuk ndërtoni teleferikë dhe infrastrukture skijimi në vend të autostradës. Më tha se shteti nuk mbaron teleferikë po autostrada, se kështu është në botë!? I thash se në Zvicër shumica e teleferikëve është në kuadër të Ministrisë së Transportit! Tha nuk e di këtë, e se nuk mund të flasë!

Kaq.