Ballkani Perëndimor – i padëshiruar apo pa vullnet?
Ballkani Perëndimor – i padëshiruar apo pa vullnet?
09.07.2019 | 05:41
Ivaylo Ditchev

Zgjerimi i BE-së nuk është më ai që ka qenë dikur. Qëkur u bë e qartë, se Turqia me Erdoganin nuk është e mirëpritur, dhe se një integrim i Ukrainës në BE do të sillte tensione serioze me Rusinë, bisedimet e anëtarësimit po përqendrohen tek Ballkani Perëndimor. Disa politikanë kujtojnë fëmijët problematikë të BE, si Bullgarinë, Greqinë apo Rumaninë. Kurse populistët parimisht janë kundër anëtarësimeve në BE të vendeve me shumicë myslimane, si Kosova apo Bosnje-Hercegovina. Të tjerët kanë tendencën ta harrojnë Ballkanin Perëndimor. Krahas lodhjes me zgjerimin, mjaft e diskutuar këto vite është edhe pyetja: Sa seriozisht e ka vetë ky rajon me anëtarësimin në BE?


Një shembull aktual nga marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes: Qeveria bullgare prezantohet me dëshirë si avokate e Ballkanit Perëndimor, por një incident i vogël bëri që kryeministri nacionalist i Bullgarisë të kërcënojë Maqedoninë e Veriut me veto kundër anëtarësimit në BE. Arsyeja: Shkupi nuk ishte i gatshëm të pranonte se revolucionari Goce Delçev ka qenë bullgar. Një komision i përbashkët i të dy vendeve do duhet ta zgjidhë këto grindje, por ky luan me kohën, dhe pas vitesh e vitesh pune, ka arritur të trajtojë historikisht vetëm periudhën e Mesjetës. Delçev lindi si bullgar etnik dhe ra si hero në përpjekjen për ngritjen e kombit maqedonas, por historia luan këtu një rol më të vogël.

E çfarë mund të kthehet në pengesë në rrugën e integrimit? Jo tregtia, jo projektet ndërkufitare, jo investimet apo problemet e sigurisë, por pyetja, se kujt i përket një personalitet historik, megjithëse deri më sot nuk ka asnjë lidhje hekurudhore mes kryeqytetit bullgar e atij maqedonasverior, të cilat janë vetëm 245 kilometra larg.

Në kohën e këtij skandali nacionalistët bullgarë kujtuan grekët heroikë, që me gjasë i mbrojtën interesat e tyre kombëtare, duke e detyruar Shkupin të ndryshojë emrin nga Maqedoni në Maqedoni të Veriut për të mos pasur “pretendime” për antikitetin. Ky konflikt me karakter simbolik, që e frenoi ecjen përpara të ish-republikës jugosllave për 27 vjet, duket se ka krijuar një shembull në rajon. Kompromisi për çështjen e emrit i ka kushtuar partisë Syriza humbjen e shumicës. Në të ardhmen kjo çështje mund të fitojë një radikalizim të ri, nëse një qeveri e orientuar djathtas merr pushtetin.

Diku tjetër problemet janë edhe më të mëdha. Përplasjet në Bosnje mes grupimeve etnike (boshnjakëve, kroatëve, serbëve, shën.red.) madje edhe mësimi i lëndës së historisë është i ndryshëm në shkolla. Shembull tjetër janë bisedimet e vështira mes Kosovës dhe Serbisë, që vitin e kaluar sërish u bllokuan pas vrasjes së një politikani serb.

Megjithë respektin për veçanësitë kulturore, shtrohet pyetja, se si e përfytyrojnë vetë këto vende Bashkimin Europian, që fillimisht ishte një projekt i bashkëpunimit ndërkufitar dhe ndër-rajonal në shumë sektorë. Por në rajonin e Ballkanit është e kundërta: Elita lokale jo tërësisht legjitime e instrumentalizojnë integrimin në BE për të forcuar pushtetin e tyre. Rivaliteti mes elitave kompensonte mungesën e programeve dhe strategjive të pavarura politike. Në këtë traditë, integrimi në BE nuk fillon me bashkimin e qymyrit dhe çelikut, por përmes projekteve të imituara nga lart-poshtë, siç i kërkon Evropa. Lidershipi politik i secilit vend në Ballkan nuk ka interes të heqë dorë nga kufijtë kombëtarë, përkundrazi – shumica e sipërmarrjeve në rajon janë të varura nga mbështetja kombëtare dhe një lloj proteksionizmi i fshehtë. Në rajon ka kryesisht vetëm pak sipërmarrje lokale që janë aktive në të gjithë Ballkanin – dhe integrimi përmes Coca-Colës është të paktën një ndërmarrje me pikëpyetje.

Duket një paradoks që shtetet e dikurshme komuniste, si Bullgaria dhe Rumania u bënë anëtare të BE-së në vitin 2007, dhe jo vendet e Ballkanit Perëndimor, ato që ishin shtetet pasuese të Jugosllavisë së pavarur nga blloqet. Një shpjegim për këtë mund të jetë që elitat bullgare dhe rumune me pak legjitimitet hynë në procesin e transformimit, por u duhej të përshtateshin – ato ishin mësuar me këtë përshtatje që në kohën e bllokut lindor. Kurse elitat nga shtetet pasuese të Jugosllavisë së dikurshme dukej sikur kishin më shumë vetëbesim dhe prestigj ndërkombëtar, por kjo çoi në luftëra. Jo simbolike, reale.


Paradoksi që të përdoret integrimi në BE për të forcuar shtetet kombëtare jo të stabilizuara i shkon një nocioni etnik të kombit, shumë të përhapur në Evropën Juglindore. Dëbime dhe përndjekje të grupimeve të tjera etnike, njëlloj si “pastrimet etnike” që u bënë shenja dalluese e Sllobodan Millosheviqit, ka pasur edhe në shtete të tjera të rajonit, duke filluar me luftërat çlirimtare, kur qindra mijëra turq u dëbuan nga shtëpitë e tyre në Greqi e Bullgari. Fenomene të njëjta ka pasur edhe nga ata të ashtuquajtur si pala e mirë: kur kroatët “pastruan” rajonin e Krajnës me ndihmën amerikane. Edhe në Kosovë serbë etnikë lanë shtëpinë e tyre, para syve jo të vëmendshëm të BE-së.

Le të kujtojmë edhe se çfarë ndodhi pas Luftës së Dytë Botërore në Çekosllovaki dhe Poloni: miliona gjermanë etnikë iu dëbuan. Pasi shumica e hebrenjve në këto vende u vranë nga nazistët, historia e pasluftës e këtyre vendeve filloi me një homogjenitet të panatyrshëm. Reagimet e sotme histerike kundër refugjatëve mund të jenë edhe pasoja e ndjesisë së një etniciteti “të pastër”. Pas kësaj fshihet frika për projektin evropian, i cili i shuan vijat ndarëse etnike dhe atyre u duhet të pranojnë diversitetin e njerëzve.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor rrezikojnë të ndjekin sërish rrugën e vjetër, pasi përkatësia etnike sjell pasione të forta dhe udhëheqës të fortë me tendenca autoritare. Që kjo të mos ndodhë, duhet të rigjallërohet sërish shpirti jugosllav i të qenit i hapur dhe diversitetit kulturor. Ose, pse jo? Utopia e pasluftës e një federate ballkanike që u shkatërrua shpejt nga Stalini.