E ardhmja e punës
E ardhmja e punës
11.06.2019 | 05:36
Driton S. Bejtullahu

Mënyra se si punojmë, po ndryshon me zhvillimet në globalizim, teknologji, rregullore dhe demografi. Këta faktorë do të ndikojnë në formën sesi do të punojmë në të ardhmen. Këto tendenca globale do t’i bëjnë bizneset të mendojnë sërish për mënyrën se si i afrohen punonjësve, ekipeve dhe organizatave në tërësi.


Sot, në punë për here të parë janë katër gjenerata, dhe mënyra e tyre e të punuarit është shumë e ndryshme. Paramendoni tash një robot në mjediset e punës tone?!

Disa nga kompanitë vendore kanë arritur qëndrueshmëri të biznesit, por zhvillimit të mëtejmë ndoshta duhet t’i japin kah tjetër. Duhet ndryshuar strategjia, nëse synojnë tregun global. E, kjo kërkon guxim dhe analizë të detajuar të industrisë ku operojnë. Një këshillë e duhur se si të transformohen sigurt në një organizatë globale, do të ishte e mirëseardhur. Por, çështja është se edhe pas 50 viteve përpjekjesh për zbulimin e një shembulli të një organizate ideale të nivelit global, nuk ka konkludim përfundimtar se si duket një e tillë. Kjo për shkak të faktorëve të ndryshëm, si: politikë, ekonomikë dhe të trendëve të teknologjisë me të cilat ballafaqohen në vazhdimësi.

Ju kujtohet rasti i kompanisë NOKIA, si gjigant prijës në industrinë e telefonisë mobile? E shihni se ku ndodhet tash?! Ndoshta menaxhmenti e kishte të vështirë të parashikojë të ardhmen dikur, por imagjinoni se si është sot?!

Në 30 vitet e fundit, bota ndryshoi në të gjitha aspektet. Duke filluar nga revolucioni i teknologjisë që ka ndikuar në automatizimin për të shpejtuar proceset e punës. Ky ndryshim çon në krijimin e rregullave të reja në treg dhe ndryshimin e mënyrës së të bërit biznes, në përgjithësi. Me një fjalë: ora në shekullin XXI lëvizë njëqind herë më shpejt dhe impakti i ndryshimeve është njëmijë herë më i madh.

Po e citoj me këtë rast autorin Peter Drucker, i cili në librat e tij jep këshilla për nivelin e udhëheqësve të organizatave. Ndër të tjera thotë: “Mënyra më e mirë për ta parashikuar të ardhmen është që të fillojmë ta krijojmë vetë atë”.

Por, çfarë duhet të bëjnë bizneset në këtë drejtim?!


Në parim, organizatat duhet të adaptojnë qasjen “Agile” që është parakusht për të siguruar mbijetesën në tregun kaq dinamik. Për të adaptuar një kornizë të tillë në proceset ditore, organizatat duhet të sigurohen që shëndetin e kanë stabil, përmes fokusit strategjik, identitetit organizativ, pozicionit të organizatës dhe planeve të tyre, produkteve e shërbimeve, matjes së performancës dhe vlerësimit të efikasiteteve dhe veprimeve strategjike.

Natyra e planifikimit strategjik ka ndryshuar në mënyrë drastike në vitet e fundit. Kjo si pasojë e mjedisit gjithnjë e më të vështirë në të cilin duhet të veprojnë kompanitë: tregjet globale; konkurrentët e rinj të papritur dhe ndryshimet befasuese të teknologjisë. Të gjithë këta faktorë krijojnë mjedis në të cilin është e vështirë të zhvillohet ndonjë plan i vazhdueshëm relevant, afatgjatë e me domethënie të qëndrueshme. Kompanitë që tentojnë të parashikojnë të ardhmen, madje edhe për katër vjet, shpesh bien në befasi të padëshirueshme. Por, është mirë qe të bëhen analiza të vazhdueshme të shëndetit të organizatës, për t’u siguruar që së paku dështimet potenciale të mos vijnë nga qëndrueshmëria e tyre