Gara e mbytur e LDK-së
Gara e mbytur e LDK-së
05.08.2019 | 06:04
Imer Mushkolaj 
 
Duke provuar të gjejë një kandidat të ashtuquajtur koncensual, Lidhja Demokratike e Kosovës po e mbyt garën për kreun e vet. Një grup i vogël njerëzish po eleminon nga gara kandidatë të tjerë që nuk janë sa duhet “koncensualë”, sipas vlerësimit të parisë së partisë. Më shumë se frikë nga përplasjet e mospajtimet, kjo është është frikë nga gara. Nga gara e vërtetë.


Jo veç përplasje dhe aty-këtu ndonjë karrigë që fluturon e ka karakterizuar procesin zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës nëpër degë e nëndegë. Misteri se çfarë do të ndodh me garën për kryetar të partisë vazhdon ta rrethojë atë, ndonëse kanë mbetur veç disa orë deri në mbajtjen e Kuvendit IX.

Emra të supozuar pretendentësh janë përmendur muajt e fundit si të mundshëm për të marrë kreun e partisë, por nuk është zhvilluar kurrfarë gare e vërtetë. Jo mbase për shkak të mungesës së dëshirës nga ana e tyre, por shkaku i rregullave të partisë.

Sipas statutit, emrat e kandidatëve për kryetar nuk mund të bëhen publikë zyrtarisht para ditës kur kuvendi mbahet. Kjo shkakton një situatë frustruese dhe aspak komode për ata që kanë ambicie ta qeverisin partinë.

Një garë ndërmjet kandidatësh, e cila do të niste shumë më herët, me lobim publik në mesin e delegatëve, do të ishte legjitime, po që se LDK do t’i ndërronte rregullat e lojës. Në këtë mënyrë secili nga delegatët do ta kishte të qartë se cilin kandidat ta votojë, e jo të vijë në situatë që votën e vet t’ia jep dikujt që nuk do të donte realisht.

Problem tjetër paraqet edhe rregulla e famshme e 50 për qind plus një delegat të nevojshëm për një person, që të marrë besimin për të kandiduar. Ky limit përjashton nga gara më shumë kandidatë, duke krijuar situatë aspak të favorshme për ata që mund të mos e marrin pajtimin e parisë së partisë. Si në këtë rast, pajtimin e parisë së partisë për të ashtquajturin kandidat koncensual.

* * *

Kanë rënë copë ditët e fundit të fortët e LDK’së për të gjetur një kandidat për kryetar. Në këtë formë mbase mendojnë të relativizojnë dhe neutralizojnë përplasjet e mundshme në kuvend. Por, duke kërkuar me ngulm një të tillë, LDK e ka mbytur, e ka ngulfatur garën reale brenda partisë, duke orientuar votën e delegatëve sipas tekeve të udhëheqjes së ngushtë partiake. Kjo don të thotë se kandidatët tjerë të mundshëm që në fillim do të jenë në defansivë, pasi që është joreale të pritet që do të mund të triumfojnë karshi një kandidati që projektohet për të qenë në krye të partisë.

Në rastin konkret duket se krejt matematikat po bëhen që Isa Mustafa të mbetet edhe për një mandat në krye të LDK’së, ndonëse gjatë nëntë viteve në udhëheqje nuk ia ka dalë të fitojë asnjë palë zgjedhje.

Sa herë flitet për reforma në LDK përmenden njerëzit e rinj, për të cilët thuhet se nuk po mund të marrin frymë nga gjenerata e vjetër. Nëse paria e partisë vendos sërish për Mustafën, atëherë rrefimet për reforma mbeten vetëm fraza që tingëllojnë bukur.

Është vështirë e kuptueshme çfarë mund t’i ofrojë Mustafa më tepër LDK’së, sidomos tash me probleme evidente shëndetësore. Siç është plotësisht e padrejtë të imponohet një kandidat koncensual, për shkak të frikës nga gara e vërtetë.

* * *

Paramendojeni situatën kur pretendentët për kreun e partisë do të ishin të lirë të bëjnë fushatë dhe të lobojnë në mënyrë legjitime. Pa frikën se dikush, një grup njerëzish në kryesi të partisë do të mblidhen dhe do të vendosn se kë duhet eleminuar e kë jo.

LDK ka ndërruar deri tash tre kryetarë. Ndryshe nga të tjera parti, që vazhdojnë të qeverisen nga të njëjtit njerëz që i kanë themeluar ose janë vënë në krye të tyre që në fillim. Vështirë të besohet se do të ishte ndryshe edhe në LDK, po që se do të ishte gjallë Ibrahim Rugova.

Sido që të jetë, nga një parti si LDK nuk pritet që ta mbysë garën. Nga një parti si LDK, e cila mund të qeveris nesër, nuk do të duhej pritur që të eleminohen njerëz nga gara sipas tekeve të një grupi njerëzsish që e udhëheqin.

Është e vështirë për secilin kryetar partie në Kosvë, natyrisht edhe për Isa Mustafën, që të largohet nga kreu. Sepse të qenët në krye të partisë është jo veç privilegj, por edhe përfitim. Përfitim shumë i madh.

Por, nëse kryesia vendos për një kandidat të ashtuquajtur koncensual, atëherë për çfarë shërbejnë 355 delegatët? Nëse është kështu, atëherë kryesia le ta zgjedh kryetarin dhe të mos i maltretojë njerëzit nga gjithë vendi që të udhëtojnë drejt Prishtinës. Nëse për kryetarin e ardhëm të LDK’së vendos një grusht njerëzish, atëherë nuk bëhet fjalë për demokraci, por për farsë.