Inteligjenca sociale kundër fabrikave të frikës
Inteligjenca sociale kundër fabrikave të frikës
05.08.2019 | 06:06
Xhemal AHMETI
 
 
Shoqëritë që votojnë nga frikët apo paranojat s’prodhojnë dot pushtet me mandat të plotë. Vetëm elektori me inteligjencë sociale mund t’i japë fund partitokracisë që sundon pa u djersitur, manipulon dhe gënjen e tash e që nga viti 2008 as problemet themelore nuk i zgjidh dot.


„Dua që të jeni në panik. Dua që të veproni ashtu sikur të ju digjet shtëpia. Pasi ajo vërtet është në flakë“. Këto janë fjalët e aktivistes ekologjike suedeze 16-vjeçare Greta Thunberg drejtuar pjesëmarrësve të forumit të fundit ekonomik në Davos. Vërtet digjet planeti? Apo është njëra nga ato histeritë e zakonshme, kronike të humanitetit që na kanë lodhur vazhdimisht gjatë historisë. Ende nuk ikim dot nga narrativat apokaliptike religjioze, të cilat në çdo dhjetëvjeçar na thonë se kaq ishte, hasta la vista, shihemi atje, se ku, lidhje s’kemi. As ato orgjitë e ikonofobëve, pastaj ludistëve nuk i harrojmë dot se epigonët e tyre të sotshëm kanë gjetur një kauzë të re: luftën „anti fifth generation“ (5G). Na thonë se po nuk e ndalëm subito programin, interneti mobil bëhet aq i shpejtë saqë na katapulton me një klik e pa votën tonë në hënë, jupiter apo atje ku kozmosi është veç terr?

Sidoqoftë, çka synon ultimatumi i tinejxheres? T’ua fusë frikën plutokratëve të botës se po nuk vepruan në favor të ideologjisë ekologjike në modë do të digjen bashkë me paratë e tyre. Po t’i drejtohej gjatë pozimit me të, ajo plaka e regjur e IMF Christine Lagarde me ofertën e llojit: „Dakord. Bëjmë çka thua ti. Na jep strategjinë se si duhet të veprojmë dhe e bëjmë“. Greta do t’i thoshte e acaruar: „Unë jam fëmijë, s’mund të bëjë strategji. Ju duhet ta dini si duhet ta shpëtoni planetin që e keni rrezikuar kështu“. Studimet e shumta s’thonë asgjë konkrete – planeti përherë ka qenë dinamik në aspektin klimatik. Përgjatë qindra miliona viteve. Po të ishte ndryshe sot ndonjë gorilla do të na ligjëronte në universitete e deri atje do të na transportonte ndonjë autobus që do t’i grahte ndonjë Stegosaurus i iluminuar me mësimet e Kantit; ose shqiptarët do t’i kishin mikenët a mionët paraardhës e jo pellazgët e ilirët; ose Durrësi antik do të ishte ende mbi ujë e jo nën të.

Përgjigja e Gretës mirëpo do të ishte e pritshme, e natyrshme, por a është adekuate? Jo. Megjithatë ajo është fëmijë. Për këtë arsye filozofja prima inter pares në studimet rreth ndjenjave Martha C. Nussmabum, në studimin e saj „Mbretëria e frikës“, monarkun e kësaj perandorie e quan „bebe“ (München: 2019 – në versionin gjermanisht). Ajo e lidh frikën me infantilizmin. Bebja kur ka frikë nga diçka ia plas vajit; kur është e uritur i shkojnë lotët rrëke; kur nuk i jep diçka çka donë ia nxjerr mendtë gjithë lagjes e ti s’di se ç’dreq donë, ngase s’di ende të flas, të shprehet. Pikërisht ky aspekt i Marta Nussbaum-it në kontekst me politikën, shtetin, shoqërinë është tepër i frytshëm kur analizojmë gjendjet brenda sferave shqiptare.

Teoria e Nussbaum nuk donë të na thotë se frika është apriori infantile, por çka shkakton ajo kur për viktimë ka infantilët. Paniku sipas saj është në natyrën e njeriut: i papushtetshmi para vdekjes, njeriu që s’di si t’i mbijetojë asaj, patjetër ta ketë frikën pjesë qenieje. Dhe ajo, frika, paniku jo përherë është destruktive. Ai që s’ka frikë shpejtë u beson konstruktivistëve dhe iluzionistëve dhe është i bindur se treni vetëm duket sikur të jetë e nuk është vërtetë; i del para dhe vdes në vend.

II.

Një studiues tjetër e qartëson dukurinë edhe më bukur se Nussbaum, ngase përqendrohet pikërisht në këtë anë të frikës. Filozofi dhe profesori gjerman Michael Pauen sapo botoi studimin „Pushteti dhe inteligjenca sociale“ (Frankfurt am Main: 2019). Shumë më bukur se shkrimtari holandez Johano Strasser, i cili në librin e tij „Shoqëria në frikë“ (Münschen: 2013) në mungesë të një përshkrimi konkret gjendjen ia futë në këpucë fajtorit mega-abstrakt e të njohur: „Kapitalizmit të egër global“, Michael Pauen pyet konkretisht: pse njerëzit votojnë përherë për parti e sisteme politike që janë kundër interesave të tyre? Sepse sillen si bebe ndaj panikave të orkestruara qëllimisht nga politika? Pauen shkruan se dy suprafaktorë janë gjithmonë vendimtar për natyrën e pushtetit që ka një shoqëri: 1. Frika dhe 2. Konsensusi demokratik-social si prodhim i inteligjencës sociale të shoqërisë.

Tani le ta përkthejmë teorinë në kushtet e gjendjet e sferave politike shqiptare. Janë pushtetet shqiptare rezultat i njëshit apo dyshit, frikës apo inteligjencës sociale? „Bebja“ sociale menjëherë do të kundërshtojë: shtetet shqiptare nuk janë më diktatura që me dhunë mbajnë pushtetin. Racionali do t’i përgjigjet se dhuna ka efektin e kundërt: sa më shumë të rrahësh aq më shumë i shkurton jetën pushtetit. Frika nuk është baras me dhunën konkrete, fizike, por me krejtësisht forma tjera, më subtile, më afatgjate, të natyrës që veprojnë si vektorë ndër gjenerata. Për ç’lloj frike e kemi fjalën? Le t’i numërojmë ca taze në formën e grupfjalëve të cilat si implikim semantik janë frika me tanke rusi:

Po nuk më zgjodhët mua Kosova nuk do të jetë më kjo, pasi do të humb territor.
Po hoqët taksën që vura unë Serbia nuk do të ju njohë dhe s’do t’ua kthejë kufomat kurrë.
Po dëgjuat Tjetrin Kosova kurrë nuk do ta shohë BE-në dhe vizat dhe do të mbetet e izoluar përjetësisht.
Po ecët pas tyre Kosova kurrë nuk do të pranohet në OKB, Interpol e gjetiu.
Na votoni ne se ju mbrojmë nga islamofobët.
Na votoni ne se ju mbrojmë nga wahabistët, salafistët, isisat.
Po votuat Tjerët Kosova do të mbetet në korrupsion dhe varfëri.
Po i votuat ata që kërkojnë „bashkim kombëtar“ Kosova s’do jetë shtet dhe shqiptarët do të kenë edhe më pak territor se sot.
Po nuk më votuat mua kurrë nuk do e dini se kush ta vrau babanë nënën, vëllanë.
Gjitha këto ultimatume me të cilat përballet qytetari përbëjnë panikun e tij. Frikën mos humb shtetin dhe sërish të merret një ditë në pyetje nga milicia serbe. Frikën se duke kërkuar më shumë do të humb edhe atë që ka. Frikën se po nuk bëri dialog me serbin do të mbetet përjetësisht pa mundësinë të dalë jashtë. Frikën se kurrë nuk do ta mësojë vendin ku i ka eshtrat i veti. Frikën se vendi i tij nuk do të shpëtoj kurrë nga korrupsioni. A janë këto boshtet e politikave të partive ekzistente? Politika e llojit vë qytetarin në panik. Qytetari në frikë vendos irracionalisht. Kërkon fajtorin kujdestar (FK). Partitë ia japin adresën. Tek FK ai zbraz mllefin virtualisht, fizikisht – duke votuar për tjetrin – dhe kur përfundon dasma elektorale ai vegjeton në depresiv: do të ikë nga vendi apo do të rekrutohet edhe ai në sistemin e korruptuar, në krim? Bazën justifikuese ideologjike për jetën-në-keq mund ta gjej tek religjionet: „ ç’a po ta ndinë allahile për këtë botë, bën ç’a të dush, kryesorja në botën tjetër do ta kesh paq, me hyrije, mercedes e gjithmonë i ri – ose nuk shkon edhe gjatë dhe rikthehet Jezusi; apo mos ta ndije se transhumanistët e Google veç edhe pak u duhet që nëpërmjet teknologjisë ta bëjnë njeriun përjetësisht të paplakshëm“. (Le të habitemi pak se si partitë, mediat dhe liderët aq të zgjuar edhe idealet si „bashkimi kombëtar“, „mosemigrimi“ e të llojit i shndërrojnë në kode frikëprodhuese“).

Jo, nuk është kështu? Veprojnë partitë politike në bazë të inteligjencës sociale siç kërkojnë Nussbaum dhe Pauen?

Po të vepronin sipas postulateve të këtyre dy filozofëve edhe politikë, atëherë edhe qytetari i tyre do të operonte e votonte jo nga frika por me atë „Inteligjencën sociale“ të Daniel Goleman-it (München: 2017), i cili ka komplet një qasje tjetër ndaj familjes, gruas, fëmijës, ndaj shoqërisë, ndaj tjetrit, ndaj kulturës dhe ai do të bënte ultimatumet duke racionalizuar frikën e tij të natyrshme në pyetjet konkrete, të cilat mund të lexohen si kundërshti ndaj të parave lartë:

Cila parti politike ofron garancinë dhe kapacitetin se cilado marrëveshje të bëhet nuk do të shkojë në dëm të interesave të vendit, njerëzve dhe ardhmërisë të të njëjtëve. Me cilin program konkret? Vetëm qytetari infantil i beson atij që ka mashtruar njëherë në këtë drejtim dhe ka dëshmuar se si ha fare për territor, bashkime apo ndarje.
Cila parti ofron planin konkret që Kosova mos të humb dhe megjithatë mos të mbetet e izoluar nga bota – me ç’platformë konkrete ku kundërshtari politik s’është fare referencë e lere më bosht programi politik.
Cila parti nuk përçan shoqërinë duke marrë anën e islamofobëve apo të islamofilëve dhe të na prodhojë edhe 1000 viktima tjera luftërave të Shamit. Cila prej tyre është aftë të trajtoj racionalisht frikët dhe çorientimet e akëcilit grup pa vënë në pikëpyetje kohezionin dhe konsistencën e shoqërisë?
Cila parti nuk sillet si instanca determinuese e idealeve të shumicës, por ofron respekt dhe debat demokratik për rolin e historisë, shtetit, kulturës në kuadër të sigurisë, ardhmërisë dhe mirëqenies së vendit?
Cila është strategjia vizuale, e dukshme, e kuptueshme kundër korrupsionit? Cila është strategjia e zbardhjes së vrasjeve dhe krimeve? Ata që do ofronin platforma në këtë drejtim s’mund të jenë ata që ishin në pushtet dhe nuk bënë gjë; nuk mund të jenë ata që vetën ushtruan nepotizmin më shumë se kolegët e tyre që kundërshtojnë gjatë zgjedhjeve.
Që mos e zgjasim: kështu pyet qytetari inteligjent social dhe këtyre pyetjeve duhet t’iu përgjigjet partia, shteti me inteligjencë sociale. Ai që nuk e ka këtë inteligjencë, natyrisht se përdor frikën, duke shpresuar edhe në zgjedhjet që vijnë në sa më shumë „bebe“ që do t’i shkojnë pas. Vota e dhënë nën frikë asnjëherë s’mund të jetë baza e një pushteti stabil. „Bebja“ e traumatizuar e në frikë permanente zor se ia dalë të bëhet katërvjeçare.