Përplasja e ardhshme midis klimës dhe tregtisë
Përplasja e ardhshme midis klimës dhe tregtisë
07.08.2019 | 05:24
Jean Pisani-Ferry

Presidentja e ardhshme e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka parashtruar një agjendë mjaft ambicioze për klimën. Në 100 ditët e para të saj, ajo synon të propozojë një Marrëveshje të Gjelbër Evropiane, si dhe një legjislacion që do të angazhojë Bashkimin Evropian që të reduktojë emetimet e karbonit deri në vitin 2050. Prioriteti i saj i menjëhershëm do të jetë rritja e përpjekjeve për të reduktuar emetimet e gazit serë të BE-së, me synimin e ri për përgjysmimin e tyre (në krahasim me nivelet e 1990) deri në vitin 2030. Tani çështja është se si ta bëjmë këtë tranzicion të madh politik dhe ekonomikisht të qëndrueshëm.


Programi i Von der Leyenit pasqyron shqetësimin në rritje për ndryshimet klimatike midis qytetarëve evropianë. Edhe përpara valës së fundit të të nxehtit të kontinentit, protestat e nxënësve të shkollave të mesme dhe rritja e mbështetjes për partitë e Gjelbra në zgjedhjet e Parlamentit Evropian ishte një thirrje zgjimi për politikanët. Tani shumë e konsiderojnë marrjen e masave për ndryshimet klimatike jo vetëm si një përgjegjësi për brezat e ardhshëm, por edhe si një detyrë për rininë e sotme. Dhe partitë politike druhen se ngurrimi mund të bëjë që ata të humbasin mbështetjen midis një numri të madh të votuesve nën 40 vjeç.

Megjithatë, në të vërtetë, BE-ja (përfshirë Mbretëria e Bashkuar) është një kontribuues i vogël për ndryshimet klimatike këto ditë. Pjesa e kombinuar e emetimeve globale të CO2-shit nga vendet anëtare ka rënë nga 99 për qind që ishte dy shekuj më parë, në më pak se 10 për qind sot (në terma vjetorë, jo kumulativ). Dhe kjo shifër mund të bjerë në 5 për qind deri në vitin 2030, nëse BE-ja përmbush atë synimin e vendosur nga von der Leyen deri në atë datë.

Ndërsa, BE-ja do të marrë përsipër detyrën e dhimbshme për të ulur emetimet e saj vjetore me 1.5 miliardë ton, në vitin 2030 pjesa tjetër e botës ka gjasa t’i ketë rritur ato me 8.5 miliardë ton. Temperaturat mesatare globale prandaj do të vazhdojnë të rriten, ndoshta me tre gradë Celsius ose edhe më shumë deri në vitin 2100. Çfarëdo që të bëjë Evropa , kjo nuk do ta shpëtojë planetin.

Mënyra se si Evropa do ta trajtojë këtë mallkim do të jetë kritike. Plani i von der Leyenit në mënyrë të pashmangshme do të kushtojë vende pune, do të reduktojë pasuri, të ardhura dhe do të kufizojë mundësitë ekonomike, të paktën fillimisht. Pa një strategji të BE-së për shndërrimin e fjalëve në vepra për ndryshimet klimatike, nuk do të jetë fortë. Do të vijë një reagim i ashpër, me pasoja të shëmtuara politike.

Pra, çfarë strategjie mund të ndërmarrë Evropa? Një mundësi është të rrezikosh duke udhëhequr si shembull. Duke ndërtuar një model tzhvillimi mjedisor miqësor, Evropa dhe pionierët e tjerë të klimës do të krijonin një rrugë që mund ta ndjekin edhe të tjerët. Dhe marrëveshjet ndërkombëtare jo-detyruese, siç është Marrëveshja e Klimës e Parisit 2015, do të ndihmonin për të monitoruar progresin, duke i nxitur qeveritë e prapambetura të veprojnë.

Por, për shkak se ruajtja e klimës është një e mirë klasike publike, koalicionet klimatike janë në thelb të paqëndrueshme – dhe ato më të mëdhatë krijojnë edhe më shumë nxitje për anëtarët që dështojnë apo përfitojnë nga përpjekjet e të tjerëve. Lidershipi si shembull nuk ka gjasa të mjaftojë.


Përndryshe, Evropa mund të shfrytëzojë avantazhin e saj për të zhvilluar një epërsi konkurruese në teknologji, produkte dhe shërbime të reja të gjelbra. Siç kanë argumentuar Philippe Aghion dhe kolegët e tij, inovacioni mund të ndihmojë në kapjen e teknologjive të tilla dhe në fillimin e ndryshimit të drejtimit të zhvillimit ekonomik.

Ka shenja inkurajuese: kostoja e paneleve diellore ka rënë më shpejt nga sa pritej dhe burimet e rinovueshme tani janë më konkurruese sesa pritej dhjetë vjet më parë. Megjithatë, për fat të keq, Evropa nuk ka arritur t’i shndërrojë masat klimatike në lidership industrial. Shumica e paneleve diellore dhe baterive elektrike prodhohen në Kinë dhe Shtetet e Bashkuara janë konkurrenti i vetëm i saj serioz.

Karta që i mbetet Evropës është madhësia e tregut të saj, e cila ende përbën rreth 25 për qind të konsumit botëror. Për shkak se asnjë firmë globale nuk mund t’i lejojë vetes ta shpërfillë atë, BE-ja është një fuqi e madhe rregullatore në fusha të tilla si siguria e konsumatorit dhe privatësia. Për më tepër, standardet evropiane shpesh fitojnë monedhë më të gjerë, sepse prodhuesit dhe ofruesit e shërbimeve që i janë përshtatur kërkesave të BE-së kanë tendencë t’u përmbahen atyre edhe në tregjet e tjera.

Basti i BE-së është që kombinimi i angazhimit të saj të fortë për dekarbonizim dhe i marrëveshjes së klimës së Parisit do t’i çojë format të ridrejtojnë hulumtimet dhe investimet drejt teknologjive të gjelbra. Edhe nëse vendet e tjera nuk vendosin objektiva ambicioze, vazhdon argumenti, investimi i mjaftueshëm mund të ridrejtohet për ta bërë zhvillimin e gjelbër më të përballueshëm për të gjitha vendet.

Megjithatë, progresi aktual në këtë drejtim është qartazi i pamjaftueshëm për të frenuar emetimet globale dhe për ta mbajtur rritjen globale të temperaturës këtë shekull nën 2 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale, siç përcakton marrëveshja e Parisit. Për shembull, kapaciteti i energjisë së prodhuar nga qymyri po rritet akoma, sepse Kina dhe India po ndërtojnë uzina shumë më shpejt sesa po i çmontojnë ato SHBA-ja dhe Evropa.

Prandaj, Evropës i mungojnë mjetet që mund ta bëjnë kalimin e saj në neutralitet emetimesh karboni ekonomikisht dhe politikisht të qëndrueshëm. Në fjalën e saj drejtuar Parlamentit Evropian, von der Leyen lëshoi një bombë: ajo premtoi të fuste një taksë kufitare për të parandaluar “rrjedhjen e karbonit”, ose zhvendosjen e prodhimit intensiv të karbonit në vendet jashtë BE-së.

Një taksë e tillë do të duartrokitet nga ambientalistët, të cilët (shpesh gabimisht) besojnë se tregtia është e keqe për klimën e botës. Më e rëndësishmja, masa do të korrigjonte shtrembërimet konkurruese dhe do t’i pengonte ata që tundohen të abstenojnë nga pjesëmarrja në koalicionin global klimaterik. Për sa kohë nuk ka marrëveshje klimatike të detyrueshme, një taksë kufitare karboni bën kuptim.

Megjithatë, një taksë e tillë nuk do të kalojë Tregtarët e lirë (ose ajo që mbetet prej tyre) do të protestojnë fort. Importuesit do të protestojnë. Vendet në zhvillim dhe Shtetet e Bashkuara (nëse nuk ndryshon kurs) do ta portretizojnë masën si agresion proteksionist. Dhe një sistem tregtar global tashmë i shkatërruar do të pësojë një tronditje të re.

Është ironike që liderët e rinj të BE-së, të cilët kanë përkrahur në mënyrë të vazhdueshme tregjet e hapura, ka gjasa të shkaktojnë një konflikt midis ruajtjes së klimës dhe tregtisë së lirë. Por kjo përplasje është e pashmangshme. Mënyra se si menaxhohet ajo do të përcaktojë si fatin e globalizimit, ashtu edhe atë të klimës. /Burimi: Project Syndicate/Në shqip nga: BIRN/