Pse të zgjohemi në mëngjes?
Pse të zgjohemi në mëngjes?
09.08.2019 | 04:35
Driton S. Bejtullahu

Shumica e njerëzve punojnë 40-50 vite gjatë tërë jetës së tyre, duke u zgjuar pothuajse çdo mëngjes për të shkuar në punë. Meqë puna ka ndikim të madh në shëndetin dhe mirëqenien e çdo personi, është e domosdoshme që njerëzit ta bëjnë atë që duan. Në Japoni përdorin termin “Ikigai”, që do të thotë “Arsyeja e ekzistencës” dhe që ka për bazë disa faktorë si: karrierën, hobin, shoqërimin dhe aspektin shpirtëror. Pra, kur një person zbulon Ikigain e tij, e shijon kënaqësinë e të jetuarit dhe jeta e tij vërtetë ka kuptim. Për të gjetur arsyen e ekzistencës tonë, duhet të përgjigjemi në pyetjet, si:

• Çfarë është ajo që e doni?
• Për çka ka bota nevojë?
• Për çka mund të paguheni/kompensoheni?
• Në çka jeni të zot?

Sigurisht që rruga e gjetjes së arsyes së ekzistencës tonë, dallon nga njëri-tjetri. Për më tepër, kuptimi i punës varet nga mënyra se si ne e shohim punën tonë – motivimin tonë dhe objektivat që i kemi. Në një treg pune që po ndryshon me shpejtësi, punonjësit duhet që vazhdimisht të mësojnë që t’ju përshtaten kërkesave të tregut.

Janë disa praktika që mund t’i ndihmojnë punonjësit të jenë konsistentë në rrugën e tyre të karrierës dhe që të arrijnë sukses të vazhdueshëm. Si shembull: fokusimi në ngritjen e kapaciteteve personale. Mësimi fillon dhe mbaron me individin. Por, a ka kufij se sa një person mund të mësojë? A është inteligjenca e paracaktuar nga lindja apo mund të zhvillohet ndër vite?

Shumë studime kanë konfirmuar se nuk është inteligjenca ajo që e krijon ekspertizën, por përpjekja, praktika dhe puna e palodhshme. Njerëzit e suksesshëm i kushtojnë kohë të konsideruar praktikimit të gjërave që janë mbi nivelin e tyre intelektual, duke u larguar nga zona e komoditetit. Nga këto rezultate ata bëjnë përmirësime të vazhdueshme. Apo, siç themi ne: “Tuj pa, tuj bë”.

Disa hulumtime vërtetojnë se ne mund të zhvillohemi vazhdimisht dhe se nuk ka kufizime sesa mund të mësojmë gjatë jetës tonë. Njerëzit me mentalitet të kufizimit, besojnë se potenciali i tyre i të mësuarit është i paracaktuar nga gjenet e tyre, nga prejardhja socio-ekonomike ose nga mundësitë që kanë në dispozicion (p.sh. ata mund mendojnë që “unë nuk jam i mirë në prezantime publike, duhet t’i shmangen paraqitjes publike”). Ndërsa, njerëzit me mentalitet të zhvillimit, besojnë se potenciali i tyre i vërtetë është i panjohur, sepse është e pamundur të parashikoni se çfarë mund të ndodhë si rezultat i pasionit, i përpjekjeve dhe praktikës. Në të vërtetë, truri është si një muskul që forcohet me përdorim e tij dhe të mësuarit bën që neuronet në tru të krijojnë lidhje të reja.

Shumë studiues kanë sugjeruar se të mësuarit bëhet vetëm kur njerëzit shtrihen jashtë zonës së tyre të rehatisë. Kur njerëzit punojnë në detyrat që nuk i kuptojnë plotësisht, janë në zonën e tyre të mësimit dhe marrin njohuri të reja, dhe gjithash zhvillojnë dhe praktikojnë aftësi të reja. Pra, përderisa është e rëndësishme që njerëzit të shtrihen jashtë zonës së tyre të rehatisë, është e rëndësishme t’i zgjidhni detyrat e duhura dhe ritmin e duhur.


Rritja personale dhe shtrirja që individët përjetojnë nga ekspozimi i vazhdueshëm në zonën e mësimit, zakonisht rezulton me avancim konstant. Kur njerëzit provojnë diçka të re, si shembull fillimi i një pune të re, ata janë në fillim të një të procesi të ri drejt nxënies së dijes.

Në anën tjetër, aftësia për të qëndruar vital mund të kontribuojë ndjeshëm në zhvillimin e një personi. Ky faktor kërkon që individët ta kenë prioritet shëndetin dhe mirëqenien e tyre, duke i kushtuar vëmendje ushtrimeve, ushqimit, gjumit, relaksimit dhe shprehive të mira. Përfitimet nga vitaliteti dhe kujdesit ndaj vetës, mund të jenë të mëdha: gjumi i mjaftueshëm ka ndikim të madh në aftësinë tonë për të mësuar, për ruajtjen dhe marrjen e njohurive të reja. Gjumi gjithashtu ndikon në vëmendjen dhe në përqendrim, kreativitet, aftësi të depërtimit, vendimmarrje, përpunim socioemocional etj.

Derisa rrethanat aktuale kërkojnë që punëtorët të zhvillohen dhe të mësojnë vazhdimisht, shumë sisteme arsimore dhe organizata nuk janë krijuar për të mbështetur këtë qasje. Prandaj, individët duhet të marrin përgjegjësi për zhvillimin dhe rritjen e tyre të vazhdueshme. Këto rekomandime mund të shërbejnë si një udhëzues për punonjësit që dëshirojnë të jenë të rëndësishëm për organizatën, të ngritën në role të reja dhe të ndryshme përgjatë karrierës.

(Autori është themelues/CEO i kompanisë “Be Consulted”)