Rritja e së djathtës ekstreme, një përplasje kulturash, jo qytetërimesh
Rritja e së djathtës ekstreme, një përplasje kulturash, jo qytetërimesh
06.06.2019 | 09:26

Elif Shafak 

 
Në dallim nga parashikimet e akademikut amerikan Samuel Hantington, bota nuk po kalon një “luftë qytetërimesh”. Ajo me të cilën po përballemi, është shumë më e ndërlikuar dhe e ndryshme. Kjo është epoka e një mijë konflikteve kulturore, dhe këto beteja zhvillohen brenda vendeve, jo mes tyre. Ato i përçajnë shoqëritë tona, dhe e polarizojnë politikën, deri në atë masë sa që ajo do të ndryshojë përgjithmonë. 

Unë e kam kaluar një pjesë të fëmijërisë sime në Ankara, dhe pjesën tjetër në Madrid. Komunikimi midis Spanjës dhe Turqisë në fillim të viteve 1980, ishte një përvojë e çuditshme. Spanja kishte vetëm pak vite që ishte rikthyer në demokraci, pas viteve të gjata të diktaturës, ndërsa Turqia kishte përjetuar një grusht shteti nga ushtria.

Të dyja vendet ishin në skajet e Evropës, dhe asnjëra nuk qe pjesë e BEsë. Thuhet se “Evropa përfundonte në fillim të Pirenejve”. Por nëse vargmali midis Francës dhe Spanjës, konsiderohej si një kufi, një tjetër vijë kufitare ishin ujërat e Bosforit. Kur kaloja urën, ndihesha shpesh sikur isha duke udhëtuar nga një skaj i Evropës në tjetrin.

Spanja që kam përjetuar atë kohe ishte e gjallë, mikpritëse dhe zemërgjerë. Përkundër zërave të një brezi të vjetër nostalgjikësh pro-Frankos, Spanja përqafoi demokracinë. Unë doja që edhe vendi im të ndiqte këtë shembull. Por një ditë, teksa isha duke shkuar në shkollë, pashë diçka që më bëri të ndalem.

Në të gjithë muret anash rrugës, ishin vendosur postera të foshnjave të vdekura të hedhur në koshat e plehrave. Ngriva. Imazhet makabre ishin shpërndarë nga një grup katolik ultrakonservator, që pretendonte se po sulmoheshin vlerat familjare, dhe se në emër të emancipimit, gratë kishin shkuar shumë larg.

Një reagim patriarkal, zien ende nën sipërfaqe. Luftërat e kultures, janë në shpërthim e sipër. Zgjedhjet e fundit parlamentare, e kanë bënë këtë të qartë. Për herë të parë që nga viti 1978, një parti e ekstremit të djathtë, shënoi një rezultat mbresëlënës. Vox arriti të marrë 10.26 % të votave. Partia, e themeluar në vitin 2013, është bërë lëvizja që ka shënuar rritjen më të shpejtë në vend.

Analistët, mendonin se kishte vende në të cilat fashizmi nuk mund të ngrinte më kurrë kokën e tij të shëmtuar. Gjermania dhe Spanja, duke përjetuar tmerret e tij, mendohej se ishin të imunizuara ndaj premtimeve të rreme të së djathtës ekstreme. Por pastaj erdhi Alternativa për Gjermaninë (AfD), dhe tani Vox, për të na treguar se sa të gabuara ishin këto supozime.

Ajo që propagandon Vox, është shumë e ngjashme me idetë e përqafuara nga nacionalistët populistë në vende të tjera: anti-emigracionin, anti-diversitetin, kundër martesave dhe të drejtave për komunitetin LGBT, dhe një dëshirë agresive për një të shkuar mitike.

Konflikti mes Madridit dhe Katalonjës, është shfrytëzuar nga Vox. Ashtu si dikur, një lloj nacionalizmi “dashamirës” ka rrezikuar të ushqejë një tjetër konflikt të egër. Nacionalistët populistë duan armiq të imagjinuar, dhe Vox nuk është përjashtim.

Duke ardhur nga Turqia, retorika negative e lëvizjes spanjolle, është shumë e njohur për mua. Ashtu si AKP në Turqi, Vox dëshiron ta shndërrojë ministrinë aktuale të Barazisë Gjinore, në një ministri të Familjes. Ndryshimi në fjalë është i rëndësishëm. Në vend se të adresojë diskriminimin gjinor dhe pabarazinë institucionale gjinore, fokusi i ri është tek ”vlerat tradicionale të familjes”.

Deri kohët e fundit, Spanja konsiderohej si një nga vendet e pakta që kishte pasur shumë arritje në fushën e barazisë gjinore. Tani e dimë se edhe në vende të tilla, historia mund të kthehet pas. Zëdhënësi i partisë Francisko Serrano, një ish-gjyqtar, ka pohuar se ka një genocid kundër burrave, duke cituar si provë normat e larta të vetëvrasjes së tyre.

Kjo është tipike për makinerinë propagandistike të së djathtës ekstreme – duke shfrytëzuar një problem real (presionet mbi të rinjtë, veçanërisht ata që vijnë nga shtresa të pafavorizuara) për përfitimet e veta egoiste politike. Por, Vox nuk është i vetëm në përdorimin e kësaj taktike. Organizatat katolike ultrakonservative, si Hazte Oir (Bëj të dëgjohet zëri tënd), të njohura për sulmet e saj të egra kundër komunitetit transeksual, po japin mbështetje të plotë ndaj reagimeve anti-feministe.

Në Itali u mbajt një “konferencë për të drejtat e familjes” nga e djathta ekstreme, ku oratori kryesor ishte Mateo Salvini, zëvendëskryeministër i vendit dhe udhëheqës i Lidhjes, partisë italiane të ekstremit të djathtë. Në fjalimin e tij ai sulmoi dy grupime: feministët dhe emigrantët.

Salvini mendon se shkalla e ulët e lindshmërisë, është një “justifikim” për emigracionin, ndaj gratë italiane duhet të lindin më shumë fëmijë. Ai akuzoi feministët, se bëjnë sikur nuk e shohin rrezikun e ekstremizmit islamik, duke mos shpjeguar pse dikush nuk mund të jetë feminist, dhe njëkohësisht t’i kundërvihet të gjitha llojeve të ekstremizmit.

Në Poloni, anëtarët e partisë në pushtet Ligj dhe Drejtësi, flasin për bërjen e vendit “pa LGBT”. Presidenti Kazinki, pretendon se homoseksualët janë një kërcënim i madh “jo vetëm për Poloninë, por për të gjithë Evropën, dhe gjithë qytetërimin që bazohet tek Krishterimi”.

Në Hungari, Viktor Orban, që ofron stimuj financiarë për të rritur normën e lindjeve, ka ndaluar studimet gjinore në universitete.

Në Turqi, presidenti Erdoan thotë se “çdo abort është një gjenocid”, dhe e konsideron kontrollin e lindjeve si një komplot kundër kombit të madh turk. Ai i quan “budallaqe” gratë që nuk kanë fëmijë. “Familjet e forta, çojnë në kombe të forta, dhe çdo pjesëtar i kombit duhet të mobilizohet në përmbushjen e ‘qëllimeve të mëdha”.

Është paradoksale që ky brez nacionalistësh populistë, të udhëheqë rrugën për bashkëpunimin politik ndërkombëtar. Ata kopjojnë taktikat e njëri-tjetrit, dhe i bëjnë jehonë politikave të tyre (e djathta ekstreme në Spanjë, dëshiron madje të ndërtojë një mur përgjatë kufirit midis Marokut dhe Ceutës, për të frenuar flukset e refugjatëve), dhe shpesh i dërgojnë njëri-tjetrit mesazhe të ngrohta mbështetjeje.

Salvini i mirëpriti rezultatet në Spanjë: ”Unë shpresoj që Vox të jetë aleati ynë, në Evropën që po ndërtojmë”. Dhe kjo është pikërisht ajo që po bëjnë: po ndërtojnë Evropën. Jo një Evropë e re, as një Evropë e vjetër, por një Evropë të modeluar mbi një të kaluar imagjinare dhe mitike. Një Evropë monolite, e përkushtuar ndaj ndalimit dhe përmbysjes së progresit.

Nëse dikush dyshon ende në natyrën e ndryshimeve politike, që po shohim aktualisht në mbarë botën, mjafton të shohë përplasjet e ashpra jashtë politikës dhe kulturës sonë, nga komedianët në Francë që sulmojnë pakicat në shfaqjet e tyre, tek kryebashkiakët e djathtë në Itali, që demonizojnë këngët e Xhon Lenonit si tepër internacionaliste apo majtiste, nga ndalimi i mishit hallall në Belgjikë, në Partinë e Lirisë në Austri, që sugjeron se të gjithë hebrenjtë duhet të regjistrohen tek autoritetet, nëse duan të hanë mish kosher.

Në dallim nga parashikimet e akademikut amerikan Samuel Hantington, bota nuk po kalon një “luftë qytetërimesh”. Ajo me të cilën po përballemi, është shumë më e ndërlikuar dhe e ndryshme. Kjo është epoka e një mijë konflikteve kulturore, dhe këto beteja zhvillohen brenda vendeve, jo mes tyre. Ato i përçajnë shoqëritë tona, dhe e polarizojnë politikën, deri në atë masë sa që ajo do të ndryshojë përgjithmonë.

“The Guardian” – Bota.al