Sa të ndershëm jemi?
Sa të ndershëm jemi?
11.07.2019 | 05:44
Peter Singer 
 
Është e zakonshme të dëgjosh njerëz të ankohen se jetojmë në një epokë në të cilën mbizotërojnë interesat vetjake, standardet morale nuk ekzistojnë, të tjerët nuk të interesojnë dhe shumica e njerëzve do të vidhnin n po të mendonin se do t’ia hidhnin paq. Por një studim i ri që mbulon 40 vende ofron prova të forta se bota nuk është dhe aq e keqe.

Ke humbur portofolin. Brenda në të janë kartëvizitat tuaja me adresën tënde të emailit. Sa gjasa ka që të marrësh një mesazh që të thotë se dikush e ka gjetur? Nëse brenda në portofol ka para, a e përmirëson apo redukton kjo mundësinë që t’i ta rimarrësh atë mbrapsht me të gjitha gjërat që ka brenda?

Të bësh këto pyetje do të thotë të pyesësh gjithashtu se deri në ç‘masë janë të sinqertë njerëzit apo deri në ç‘masë u interesojnë të panjohurit. Disa psikologë evolucionistë argumentojnë se altruizmi është i kufizuar deri tek të afërmit tanë dhe për ata që mund të kthejnë çfarëdolloj ndihme që ne u japim atyre. A është tepër cinike kjo? Muajin e kaluar, hulumtues nga Shtetet e Bashkuara dhe Zvicra hodhën pak dritë mbi këtë pyetje kur botuan rezultatet e një studimi të madh dhe të zgjuar që përfshiu më shumë se 17,000 kuleta “të humbura” në 40 vende.

Nëpër banka, teatro, muze, hotele dhe zyra publike në 355 qytete të ndryshme, asistentë hulumtuesit dorëzuan një portofol, duke i thënë personit në banak se e kishin gjetur në rrugë, por ishin me nxitim. Asistenti më pas i kërkoi atij personi “të lutem, të kujdesej për të” dhe u largua pa dhënë detajet e kontaktit apo duke kërkuar ndonjë faturë.

Të gjitha kuletat ishin prej plastike transparente dhe tre kartëvizita identike me një adresë emaili ishin menjëherë të dukshme. Kuletat gjithashtu përmbanin një listë ushqimesh, të shkruar në gjuhën lokale. Disa kuleta kishin 13,45 dollarë ose ekuivalentin e kësaj shume në monedhën vendase, ndërsa të tjerë – në një provë të kufizuar në SHBA, Britani të Madhe dhe Poloni – përmbanin 94,15 dollarë ose ekuivalentin e kësaj shume. Shumica e kuletave gjithashtu përmbanin një çelës. Hulumtuesit regjistruan numrin e mesazheve ku raportohej se ishte gjetur një kuletë, të cilët erdhën në adresën e emailit që ndodhej në kartëvizita. Për t’i mundësuar hulumtuesit të studionin faktorët që çuan në raportim, secila kuletë mbante karta me një adresë unike emaili.

Siç mund të prisnim, shkalla e raportimit ishte më e lartë në vendet më të pasura. Zvicra, Norvegjia, Holanda, Danimarka dhe Suedia kryesuan listën, me më shumë se 65% të pronarëve të supozuar të portofolave të njoftuar. Polonia dhe Republika Çeke u renditën pranë këtyre vendeve dhe lista e raportimeve kryesohej nga vende më të pasura si Australia, Kanadaja dhe SHBA.

Disa besojnë se besimtarët fetarë kanë më shumë gjasa t’i binden rregullave morale sesa jobesimtarët, por studimi nuk e mbështet këtë këndvështrim, të paktën nëse mund të gjykojmë shkallën e besimit fetar nga përqindja e njerëzve në një vend që thonë se feja është e rëndësishmepër ta. Në Suedi, Danimarkë, Norvegji dhe Republikën Çeke, të paktën 75% e popullsisë thonë se feja nuk është e rëndësishme për ta, por të gjitha këto vende kanë norma të larta të raportimit. Nga ana tjetër, mbi 80% e popullsisë në Peru dhe Marok thonë se feja është shumë e rëndësishme për ta, por të dy vendet kanë norma raportimi nën 25%.

Gratë kishin afërsisht 2% më shumë gjasa sesa burrat për të raportuar një kuletë të humbur. Ky studim i shtohet kështu një studimi të mëparshëm që sugjeron se gratë kanë tendencë të jenë më etike sesa meshkujt.

Rezultati më i goditur i studimit, megjithatë, është se kuletat që kishin para kishin më shumë gjasa të raportoheshin te pronarët e tyre të supozuar sesa kuletat pa para. Kjo gjetje ishte konsistente në 38 nga 40 vendet – përjashtimet ishin Meksika dhe Peruja, ku prania e parave nuk bëri dallim të rëndësishëm statistikor në shkallën e raportimit (të ulët). Për më tepër, në tre vendet ku “u gjetën” kuletat me 94,15 dollarë, ato u raportuan në një shkallë më të lartë sesa ato me vetëm 13,45 dollarë.

Hulumtuesit morën në konsideratë shpjegime të ndryshme të mundshme për këtë rezultat, duke përfshirë frikën e ndëshkimit për mbajtjen e parave, pritje të një shpërblimi për raportimin e tij dhe mundësinë që edhe kur kuleta e gjetur të raportohej do të rikthehej pa paratë. Por kur u mblodhën kuletat e gjetura, 98% e parave në ta ishin pa u prekur. Të dhëna të tjera sugjeruan se as frika e ndëshkimit, as shpresa për shpërblim nuk kishte gjasa të ishte motivimi primar për raportimin e gjetjes së portofolit.

Atëherë përse njerëzit do të kishin më shumë gjasa të raportonin një kuletë që ka para në të? Hulumtuesit propozojnë katër faktorë që përcaktojnë nëse dikush me mundësinë për të kthyer një kuletë do ta bëjë këtë: fitimi ekonomik nga mbajtja e tij, mundi për ta raportuar atë, shqetësimi altruist për pronarin dhe një neveri për ta parë veten si hajdut. Sipas këtij modeli, edhe pse prania e parave rrit shpërblimin ekonomik nëse kuleta nuk raportohet (dhe sa më shumë para, aq më i madh shpërblimi), ai përfitim ekonomik mbetet pas para kombinimit të shqetësimit altruist dhe dëshirës për ta parë veten si një person i ndershëm.

Prova që shqetësimi altruist luan një rol në vendimin për të raportuar kuletën vjen nga krahasimi i normave të kthimit për kuletat me dhe pa çelës. Çelësi është, mesa duket, i rëndësishëm për pronarin, por, ndryshe nga paratë, nuk i hyn në punë personit që ka në posedim kuletën. Prandaj, nuk ka gjasa të jetë i rëndësishëm për vetë-imazhin e atij personi si person i ndershëm dhe jo si një hajdut. Megjithatë, kuletat me një çelës dhe para në to kishin më shumë gjasa të raportoheshin tek pronari sesa ato me para dhe pa çelës, duke sugjeruar se nuk ishte vetëm shqetësimi për imazhin e personit që e gjente ai që i motivoi raportimet.

Të gjithë duhet të inkurajohemi nga këto gjetje. Është e zakonshme të dëgjosh njerëz të ankohen se jetojmë në një epokë në të cilën mbizotërojnë interesat vetjake, standardet morale nuk ekzistojnë, të tjerët nuk të interesojnë dhe shumica e njerëzve do të vidhnin n po të mendonin se do t’ia hidhnin paq. Ky studim ofron prova të forta se bota nuk është dhe aq e keqe sa mendojmë.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate